Korrupsioni minon demokracinë

47

0,,16939263_303,00DW

Korrupsioni në politikë, biznes dhe administratën publike në dy vitet e fundit është rritur. Partitë politike perceptohen shpesh si institucionet më të korruptuara.

Barometri Global i Korrupsionit i prezantuar të martën (9 korrik 2013) nga Transparency International dokumenton se korrupsioni në politikë, biznes dhe administratën publike po perceptohet gjithnjë e më shumë si një problem mbarëbotëror. Anketa e zhvilluar në 107 vende tregon se më shumë se gjysma e njerëzve në botë besojnë se korrupsioni në dy vitet e fundit është rritur. 27 përqind kanë thënë se kanë paguar gjatë vitit të kaluar të paktën një ryshfet për të punësuarit në polici ose administratë. Në krahasimin ndërkombëtar janë partitë politike që perceptohen më shpesh si institucionet më të korruptuara.

Gjermania është shumë më lart se mesatarja. 57 për qind e të intervistuarve në Gjermani thanë se korrupsioni është rritur. Kjo ishte “të shquar”, tha Edda Müller, Kryetare e Transparency International, për DW, “sepse gjermanët më parë mendonin që në vendin tonë korrupsionit nuk është shumë ndonjë fenomen i rëndësishëm, dhe se ndodh më tepër në vende të largëta.”

Politika dhe mediat kanë reputacion të keq

Në një shkallë nga 1 (aspak i korruptuar) deri në 5 (shumë i korruptuar) gjermanët i vlerësuan partitë politike me 3.8, sektorin privat me 3,7 dhe mediat me 3.6. Edda Müller është e befasuar për shifrën e fundit. “Ne kemi nevojë për median për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me këtë problem. Por nëse për vetë ata dyshohet tani se nuk janë të pavarur dhe sigurojnë privilegje për veten në mënyrë korruptive, kjo është e re.”

Shoqata e Gazetarëve Gjermane (DJV) u shpreh për një “sinjal alarmi”. Kryetari i DJV Michael Konken tha: “Kredibiliteti është vlera më e lartë e gazetave, revistave, radiove dhe portaleve online në qoftë se njerëzit nuk kanë besim tek mediat, është koha për të ndërmarrë diçka.”

Konventa e OKB-së kundër korrupsionit

Dhjetë vjet më parë Organizata e Kombeve të Bashkuara miratoi një konventë kundër korrupsionit, me qëllim për të parandaluar çdo formë të manipulimit politik dhe të korrupsionit në sektorët publikë dhe privatë. Rregullat zbatohen njësoj si për zyrtarët edhe përfaqësuesit e zgjedhur. 161 shtete e kanë ratifikuar Konventën.

Gjermania është prej një dekade një nga vendet e pakta që nuk e kanë ratifkuar këtë marrëveshje. Në fund të qershorit CDU/CSU dhe FDP votuan në parlament kundër rregullave më të fushishme për luftimin e korrpsionit. Opozita kërkon që për deputetët e korruptuar të vendoset një masë dënimi me deri në pesë vjet heqje lirie.

Angazhimi politik ndikon

Ndër të paktat vende ku korrupsioni në perceptimin e të anketuarve është ulur bëjnë pjesë vende shumë të ndryshme si Belgjika, Ishujt Fixhi, Ruanda, Sudani dhe Sudani i Jugut, Tajvani, Serbia, Gjeorgjia, Kamboxhia dhe Filipinet. Nga kjo nuk mund të nxirret ndonjë fomulë e përgjithshme për luftimin e korrupsionit, por me një angazhim efektiv politik mund të arrihen suksese, mendon Edda Müller.