Laçi eliminohet me turp nga Europa League

11

1060353_10201170601854372_207143434_nPritej që të reagonte në Luksemburg, por Laçi e ka humbur edhe ndeshjen e kthimit të Europa League me modestët e Diferange. Pas disfatës 1-0 në sfidën e parë të luajtur në Korçë, dje kurbinasit janë mundur sërish nga amatorët luksemburgas me rezultatin 2-1, në një kohë kur udhëhiqnin në pjesën e parë, duke i dhënë kështu lamtumirën në një mënyrë të turpshme aventurës evropiane.

Fituesit e Kupës së Shqipërisë i eliminon një ekip që konsiderohej i kalueshëm, madje në sfidën e djeshme bardhezinjtë janë “skuqur” në minutat e fundit të takimit, duke marrë tre kartonë të kuq e duke e mbyllur 90 minutëshin me tetë lojtarë.
Skuadra e drejtuar nga Stavri Nica ka arritur të shënojë e para në minutën e 38-të me Nimanin, çka barazon rezultatin e përgjithshëm, por gjithçka përmbyset në fraksionin e dytë të lojës. Vendësit shënojnë dy herë radhazi me Er Rafik në të 55’ dhe 75’. Minutat e mbetura shërbejnë vetëm sa për vulosur turpin edhe me tre kartonë të kuq të marrë nga Ndreka, Vucaj e Sefgjini. Kësisoj, Laçi i jep fund aventurës në Europa League me një shije të hidhur.

Florian Behlula