Kombëtarja do të luajë në Elbasan

63

rama platiniKryeministri Edi Rama priti sot në një takim në selinë qendrore të qeverisë, presidentin e UEFA-s Mishel Platini. Në përfundim të takimit, Rama bëri të ditur për mediat se në fokus të bashkëbisedimit me presidentin e UEFA-s, ishte ndërtimi i stadiumit të ri dhe futja në shkolla e një programi të posaçëm  për futbollin. Rama më tej tha se me kreun e UEFA-s diskutoi edhe mbi të ardhmen e kombëtares.

Ndërsa Platini, i cili mbërriti sot në Tiranë për vizitë e mbështeti Ramën në idenë e programit të futbollit në shkolla. Sipas Platini, ky program ndihmon në krijimin e talenteve të reja në futboll. Ai shprehu mbështetjen e organizmit më të lartë botëror të futbollit, për ndërtimin e një stadiumi në Shqipëri sipas parametrave ndërkombëtare.

Kryeministri Rama bëri me dije se në muajin shtator kombëtarja shqiptare e futbollit do të ketë një stadium të ri. Platini pret të takohet edhe me kreun e FSHF-së, Armand Duka si dhe me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.

Rama: “Është gjithmonë kënaqësi, kur një kampion i madh, një hero i madh i fëmijërisë së shumë prej nesh, rikthehet në Tiranë. Për mua është një kënaqësi e dyfishtë sepse fati ka dashur, që për shkak të detyrës, ta njoh Michel Platini prej kohësh dhe ta konsideroj mik. Është një mik që është vazhdimisht i vëmendshëm për mbarëvajtjen  e futbollit  në Shqipëri.

Sot ne u takuam dhe diskutuam për përgatitjet  e sezonit të ardhshëm të skuadrës kombëtare. E informova me kënaqësi që jemi të angazhuar dhe jemi të bindur që në shtator do t’i dhurojmë Kombëtares sonë, por edhe për pjesën tonë të kompeticionit, një stadium që do të jetë në lartësinë e imazhit që duam për Shqipërinë, në Elbasan.

Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, Qeveria do të financojë këtë operacion. Ndërkohë folëm dhe për të ardhmen e Stadiumit Kombëtar, i cili fatkeqësisht sot është jashtë standardeve për të mikpritur një ndeshje ndërkombëtare. Po ashtu ndamë përsëri të njëjtën pikëpamje të kahershme, që ajo çka nuk duhet ta harrojmë asnjëherë është se futbolli është  një sport që është në radhë të parë i fëmijëve, i të rinjve dhe është mbi të gjitha një instrument i pazëvendësueshëm social. Për këtë arsye, unë dua ta falënderoj Michelin sepse është  realisht, jo vetëm një promotor i mbarëbotshëm i kësaj ideje të madhe të sportit për të gjithë, por edhe një mbështetës i drejtpërdrejtë i vetë iniciativave tona.

Dua ta siguroj se qeveria jonë do të vazhdojë të jetë, pranë federatës, pranë futbollit, pranë sportdashësve. Ambicia jonë dihet; Ne duam që stadiumet të jenë vendi, ku nuk shkojnë thjeshtë pak tifozë të zjarrtë, por ku të fillojnë të shkojnë dhe familjet, të fillojnë të shkojë dhe fëmijët, ku të ketë gjithmonë e më shumë dhe gra edhe vajza.

 

Platini: “Jam i kënaqur që ndodhem këtu së bashku me delegacionin e UEFA-s. Jemi të mendimit se sporti i futbollit ndodhet në duar të sigurta, nga Kryeministri dhe Presidenti i FSHF Armando Duka. Gjykojmë kështu, sepse ata janë dy persona që e duan futbollin, njihemi prej vitesh, e di se çfarë duan të bëjnë, e di se çfarë mund të bëhet, e di edhe se çfarë nuk mund të bëhet, sepse nuk është e lehtë për të bërë gjëra të mira.

Folëm për stadiumin e ri, diçka që Kryeministri e ka konsultuar se bashku me Presidentin Armando Duka, e që do të realizohet sapo të jenë krijuar të gjitha kushtet. Stadiumi i ri do të ndërtohet në Elbasan, rreth 40 kilometra nga këtu, dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ndeshjeve në rang ndërkombëtar. Po ashtu, për krijimin e një vizonit të ri për sportin e futbollit, në Shqipëri, pasi duke filluar nga shtatori, të gjitha ndeshjet në Shqipëri, do të ndiqen nga  e gjithë bota.

Ajo që është realizuar këtu, edhe me kontributin dashamirës të UEFA, është ajo që Kryeministri në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit kanë bërë për zhvillimin e sportit të futbollit në shkolla. Kjo është një gjë shumë e bukur. Kryeministri do të ndihmojë në këtë drejtim, Federata Shqiptare po ashtu, gjithashtu edhe ne të UEFA-s do të ndihmojmë nëpërmjet sjelljes së bazës materiale, ekspertëve të ndryshëm, duke ndihmuar kështu zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Më pas, është merita juaj të na nxirrni kampionë të mëdhenj, këtu nuk mund t’u ndihmojmë. Por, siç u shpreh Kryeministri, e rëndësishme është që rinia juaj, fëmijët të argëtohen me këtë sport dhe një ditë ndoshta prej tyre do të dalë një Ronaldo, një Messi, që do të jetë diçka e bukur për Shqipërinë.

Ju faleminderit për pritjen Edi, faleminderit Armando! Ne të UEFA-s jemi të kënaqur për ecurinë e futbollit këtu në Shqipëri, mbi të gjitha me dy personazhe të rëndësishëm që e duan shumë këtë sport. Edhe basketbollin, por kjo është çështje tjetër. Ju falënderoj!