Koka: Zbatim të ligjit, asnjë tolerim ndaj shkelësve

66

lefter kokaMinistri i Mjedisit, Lefter Koka, u kërkoi të gjithë kryeinspektorëve zbatim dhe asnjë tolerim ndaj shkelësve të ligjit. Gjatë një takimi me inspektorët e mjedisit, Koka kërkoi posacërisht inspektimin e komunave dhe bashkive në lidhje me menaxhimin e mbetjeve.
Duke theksuar se drejtuesve vendorë u është lënë një afat për menaxhimin e mbetjeve, Koka tha se “deri në datën 30 prill duhet të inspektoni se cilat komuna apo bashki janë duke larguar mbetjet. Pas kësaj date do të ketë gjoba sipas përcaktimit në ligj dhe sic e kam përmendur edhe në letrën drejtuar drejtuesve vendorë, në rast të shkeljeve dhe moszbatimit do t’i kërkojmë Këshillit të Ministrave shkarkimin e drejtuesve vendorë”. “Mos u ndikoni nga ngjyrat partiake, sepse ne u shërbejmë vetëm qytetarëve”, tha ministri Koka gjatë fjalës së tij.
Ministri Koka kërkoi gjithashtu marrjen e masave për kontrollin e prerjeve ilegale të pyjeve, si dhe kontrollin e aktivitetit të gjuetisë në zbatim të Moratoriumit për ndalimin e gjuetisë.  Në fushën e ujërave, Ministri i Mjedisit kërkoi evidentimin e situatës së ujërave të ndotura në bregdet dhe masat e menjehershme për përmirësimin e saj, para sezonit turistik. Në vëmendje të kryeinspektorëve u soll edhe kontrolli lidhur me shfrytëzimin e kundraligjshëm të rërave dhe zhavorreve në shtretërit e lumenjve.
Ministri Koka dëgjoi gjithashtu problematikën e ngritur nga të gjithë kryeinspektorët, duke i nxitur ata që të  punojnë në shërbim të qytetarëve me qëllim garantimin e një vendi më të pastër. Koka zhvilloi takimin me kryeinspektorët të qarqeve në të gjithë vendin në kuadër të përfundimit të ristrukturimit të Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave.