Kodheli letër Llallës: Reago. Po hidhet baltë mbi FA-në

55

mimi-kodheliMinistrja e mbrojtjes Mimi Kodheli i është drejtuar me një letër Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla ku i kërkon informacione nëse organi i akuzës ka nisur apo jo një hetim në lidhje me akuzat e ngritura nga Partia Demokratike se ushtria shqiptare po përdoret për transportimin e narkotikëve.

Në letër, ministra shpreh shqetësimin e saj për akuzat e rënda të ngritura nga Partia Demokratike ndërsa thekson se shqyrtimi i tyre do t’i çlirojë Forcat e Armatosura nga barra e një të shkuare të dëmshme në drejtimin e saj dhe nga rreziku i përsëritjes në të ardhmen të keqpërdorimit të tyre.

Ja letra e plotë e ministres Kodheli

I nderuar Zoti Prokuror i Përgjithshëm,

Me cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, po Ju dërgoj këtë letër përmes së cilës kërkoj reagimin Tuaj të menjëhershëm lidhur me deklaratat më të fundit të bëra publike nga subjekti politik “Partia Demokratike e Shqipërisë”.

Zoti Prokuror i Përgjithshëm, siç jeni në dijeni, u bënë disa ditë që deputetë të kësaj force politike po hedhin baltë në drejtim të Forcave të Armatosura duke lëshuar akuza të rënda.

Me këtë letër, përsëris shqetësimin tim lidhur me këto akuza përmes të cilave kërkohet që Forcat e Armatosura të bëhen “mish për top nga propaganda antiqeveritare”.

Zoti Prokuror i Përgjithshëm, kërkoj prononcimin Tuaj nëse keni nisur apo jo hetim, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes të datës 11.04.2014 lidhur me këto akuza dhe në rast se jo, përsëris domosdoshmërinë e nisjes së një procesi hetimor.

Duke përfituar nga kjo letër, kërkoj shqyrtimin deri në fund dhe në detaj të të gjithë dosjeve që Ministria e Mbrojtjes ka depozituar pranë organit hetimor. Kam qënë dhe mbetem e bindur se shqyrtimi i tyre do t’i çlirojë Forcat e Armatosura nga barra e një të shkuare të dëmshme në drejtimin e saj dhe nga rreziku i përsëritjes në të ardhmen të keqpërdorimit të tyre.