Në rezolutën përfundimtare të saj pas mbledhjes së djeshme, KGJK vlerëson se këta anëtarë duhet të unifikojnë qëndrimet e tyre lidhur me çështjet që kjo Konferencë vlerësoi si të rëndësishme, për të cilat është i nevojshëm trajtimi dhe zgjidhja e tyre në KLD.
Konferenca Gjyqësore Kombëtare, në mbështetje të veprimtarisë së përfaqësuesve të saj në KLD, me qëllim përmbushjen e detyrës së tyre, u rekomandon ruajtjen dhe promovimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor si një vlerë themelore në një shtet të së drejtës, nga çdo lloj presioni, ndikimi apo ndërhyrje që mund të vijë nga pushtetet e tjera.
Zbatimin me korrektësi dhe me efektivitet të kuadrit ligjor e nënligjor për emërimet, transferimet apo procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve;
Trajtimin në mbledhjet e KLD të çështjes së mbivendosjes së kompetencave të Inspektorateve të KLD–së dhe Ministrisë së Drejtësisë për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme ligjore, të cilat të marrin në konsideratë parimin e pavarësisë së gjyqësorit nga njëra anë, si dhe parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve nga ana tjetër;
Ushtrimin e ndikimit të vazhdueshëm ndaj strukturave përgjegjëse të KLD-së për përfundimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve;
Përkrahjen e nismave dhe dhënien e opinioneve lidhur me procesin e refomave në sistemin e drejtësisë;
Përpjekje maksimale për të nxitur dhe thelluar luftën kundër fenomeneve korruptive në gjyqësor;
Rritjen e transparencës së punimeve dhe të procesit të vendimarrjes së KLD;
Angazhim më të madh, në bashkëpunim dhe me institucione të tjera shtetërore, për propozimin dhe hartimin e projekteve, të cilat kanë në fokus rritjen e kualifikimit profesional të gjyqtarëve;
Mbajtjen e lidhjeve më të ngushta dhe organizimi i konsultimeve me KGJK për çështje të rëndësishme të sistemit gjyqësor në kuadër të përfaqësimit të trupës gjyqësore;
Angazhim maksimal për rritjen e performancës së sistemit gjyqësor si dhe mbrojtjen e promovimin e vlerave individuale të çdo gjyqtari.
Këto drejtime, të cilat nuk mund të konsiderohen shteruese, duhet të përbëjnë bazën dhe të shërbejnë si pika orientuese të veprimtarisë së anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga KGJK. Për ndjekjen dhe zbatimin e këtyre rekomandimeve, KGJK angazhohet se do të japë ndihmën dhe mbështesë përfaqësuesit e saj në KLD, thuhet në rezolutë.