Kanabisi kultivohet shumë pranë kryeqytetit

54

kanabis2Një parcelë me kanabis është zbuluar pak km larg kryeqytetit në kuadër të një operacioni antidrogë.
Policia bën të ditur se kanabisi kultivohej nga familja Murati dhe parcela ku ishte mbjellë është një zonë tepër e vështirë për t’u evidentuar nga helikopterët italianë të pajisur me fjalën e fundit të teknologjisë për zbulimin e bimëve narkotike. Nëse kanabisi do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 600 mijë eurove.

Mësohet se Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasit Xhemal dhe Astrit Murati 60 dhe 28 vjeç, si dhe 16-vjeçarin R.Murati, banorë të komunës Bërzhitë, të cilët akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike.

Në parcelën, ku ishin mbjellë rreth 2000 rrënjë kanabis,  ishte improvizuar dhe një rezervuar që shërbente për ujitjen e bimës narkotike.

Bima narkotike u asgjësua në vend nga policia.

Ndërkohë në jug të vendit po vijojnë prej ditësh operacione për ndalimin e kultivimit të lëndës narkotike, hashashit.

Prej ditësh policia antidrogë në bashkëpunim me FNSH kanë shoqëruar dhjetëra persona që paguheshin si persona që kujdeseshin për kultivimin e kanabisit.

Para pak ditësh ka qenë Guardia Di Finanza që gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Policinë e Shtetit shqiptar konfirmoi se Lazarati vijon të mbetet baza e prodhimit me tonelata të hashashit dhe se Shkodra, Vlora e Gjirokastra jane prefekturat me problematike.

Raporti i monitorimit të vendit nga ajri tregoi se Lazarati është kryeqendra e kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri, e një prodhim prej 900 kilogramësh në vit me vlerë 4.5 miliard euro.