“Nuk ka nevojë politika, por edhe tërë ambienti ynë shoqëror për acarime të tilla,- ka deklaruar Nishani.
Sot, Gazeta Dita ka bërë publikë një shkresë zyrtare të vitit 2005, e datës 26 tetor, ku tregohet, se si Nishani jo vetëm që nuk shqetësohej nga gjendja psikologjike e administratës, por jepte urdhra krejtësisht të qetë për shkarkimin e tyre, me motivacionin e vetëm, se kishin marrë pjesë në mitingun e PS-së.
Nëse qeveria aktuale do të përdorë këtë format motivacioni për pushime nga puna, atëherë administrata e cila ka qenë e detyruar të dalë me dhunë në rrugë për të mbushur sheshet i bie të boshatiset e tëra.
Shkresa e Bujar Nishanit është përpiluar kur ai ishte sekretar i PD për degën e Tiranës dhe me gjakftohtësi jepte urdhra për shkarkimin e njerëzve nga puna.
Nishani urdhëron shkarkimin e tre punonjësve.
Motivi: kanë marrë pjesë në fushatën elektorale të PS-së.
“Bashkëlidhur gjeni ankimimin tonë për një grup punonjësish tuaj, të cilët kanë qenë pjesëmarrës aktiv në fushatën e kaluar elektorale në stafin e kandidatit socialist, Anastas Angjeli. Këta punonjës kanë shkelur ligjin për depolitizimin e institucionit tuaj. Për rrjedhim kërkojmë nga ju të merrni masat përkatëse sipas shkeljes së kryer”,- shkruante Nishani në atë kohë.