Parlamenti Europian: Hetime ndaj programeve sekrete të CIA-s

45
PE/fotoalbaniaplus
PE/fotoalbaniaplus

Implikimi i Shteteve Anëtare të BE-së, në programet e CIA-s, si edhe survejimet në masë si nga SHBA dhe nga disa Shtete Anëtare, ka qenë sërish në fokus të debatit në Parlamentin Europian. Eurodeputetët kanë miratuar një Rezolutë, ku ndër të tjera kërkohet, forcimi i pushtetit të parlamentit, i të drejtës së tij të hetimit mbi dhunimet e të drejtave fondamentale në BE, duke i bërë thirrje institucioneve të BE-së dhe Shteteve Anëtare të hetojnë në thellësi mbi aktivitetet e CIA-s.

Mbajtja e shumë individëve në vende sekrete, në disa prej territoreve të BE-së, në aplikim të programeve të CIA-s, ka sjellë sërish reagimin e eurodeputetëve. Ato vlerësojnë, se klima e pandëshkueshmërisë e krijuar, ka sjellë si pasojë cenimin e të drejtave fondamentale, siç edhe konfirmuan programet e survejimit në masë të kryera nga SHBA dhe nga disa Shtete Anëtare.

Deputetët në Parlamentin Europian kanë kërkuar që e drejta për hetim e Parlamentit të përforcohet dhe përsërisin apelin e tyre ndaj institucioneve europiane dhe ndaj Shteteve Anëtare të hetojnë në thellësi mbi aktivitetet e CIA-s.

Eurodeputetët kanë shprehur ‘ zhgënjimin e tyre të thellë’  pas refuzimit të Komisionit Europian për të ndjekur rekomandimet e Parlamentit, të shtatorit 2012 mbi monitorimin e komisionit të përkohshëm CIA. Këto rekomandime u riprezantuan në Rezolutën e këtij viti. P.sh. ato ftojnë fuqimisht Komisionin të ekzaminojë nëse legjislacioni europian është dhunuar nëpërmjet implikimit në programet e CIA-s.

Parlamenti Europian i ridrejton apelin e tij Këshillit, për të bërë një deklaratë ku të njohë implikimin e Shteteve Anëtare, në programin e CIA-s.

Parlamentarët ftojnë në veçanti, Shtetet Anëtare, të hetojnë operacionet përgjatë të cilave shumë individë janë mbajtur të ndaluar, në qendrat sekrete të ndodhura në territorin e tyre në aplikim të programit të CIA-s. Eurodeputetët i kërkojnë shteteve përkatëse (Francë, Itali, Lituani, Poloni, Rumani dhe Suedi), t’iu përgjigjen letrave të dërguara sipas procedurave speciale të OKB-së.

Ato i bëjnë thirrje gjithashtu Belgjikës, Finlandës, Greqisë, Irlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Slovakisë të ratifikojnë në mënyrë prioritare, protokollin fakultativ të Konventës Kundër Torturës.

Eurodeputetët kanë kërkuar nëpërmjet Rezolutës së miratuar që të garantohet kredibiliteti i Parlamentit, të përforcohen në mënyrë substanciale të drejtat e tij të hetimit mbi dhunimet e të drejtave fondamentale në BE, duke përfshirë mundësinë të dëgjojë nën betim personat e implikuar, duke përfshirë dhe anëtarë të qeverive.

Eurodeputetët dëshirojnë që legjislatura e re (2014-2019) të vazhdojë të përmbushë dhe të zbatojë mandatin e komisionit të përkohshëm, të kujdeset që këto rekomandime të bëhen objekt i një monitorimi, të ekzaminojë elementët e rinj, dhe të ushtrojë tërësisht duke i zhvilluar të drejtat e saj për hetim.

Parlamenti synon gjithashtu, që hetimi i tij mbi programin e survejimit NSA-s dhe mbi organet e survejimit të disa prej Shteteve Anëtare, të konkludojë në propozime në favor të një kontrolli parlamentar demokratik efikas të shërbimeve të informimit.

Eurodeputetët ftojnë fuqimisht qeverinë amerikane të ndalojë së përdoruri “urdhra konservator të një ashpërsie të ekzagjeruar”, që ndalojnë avokatët e të burgosurve të Guantanamos të kenë informacione në lidhje me burgosjen e tyre sekrete në Europë. Parlamenti i bën thirrje SHBA-ve të aplikojnë ‘ sa më shpejt të jetë e mundur’ projektin e mbylljes së Guatanamos.

Rezoluta u adoptua me 286 vota pro, 180 kundër dhe 114 abstenime./i.t/