Gjyqtarët: Jemi gati të luftojmë korrupsionin në gjyqësor

50

gjyqsorKëshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare pas takimit mbi analizën e raport progresit të BE-së ka dalë me një deklaratë.

Në këtë deklaratë thuhet se gjyqtarët janë të ndërgjegjshëm për problemet që ekzistojnë dhe janë të gatshëm të kontribuojnë për të luftuar fenomenet negative që lidhen me korrupsionin në gjyqësor.

“Gjyqtarët janë të ndërgjegjshëm për problemet  që ekzistojnë e të gatshëm të kontribuojmë maksimalisht në luftën kundër fenomeneve negative, që ulin besimin e publikut dhe cenojnë parimet themelore të organizimit dhe funksionimit të shtetit demokratik… Këshilli Ekzekutiv në emër të Konferencës Gjyqësore dënon me forcë rastet korruptive që komprometojnë integritetin e gjyqësorit dhe misionin e dhënies së drejtësisë. Ai inkurajon median, shoqërinë civile dhe tërë mekanizmat e zbatimit të ligjit të kontribuojnë në luftën kundër fenomenit të korrupsionit në gjithë shoqërinë shqiptare, e në veçanti në sistemin e drejtësisë. Këto fenomene nuk duhet që të eklipsojnë punën e madhe që bëhet çdo ditë nga gjyqtarët në përmbushje të misionit të tyre për dhënien e drejtësisë… Këshilli Ekzekutiv vlerëson procesin e vazhdimit të reformave për një gjyqësor më të përgjegjshëm e më të pavarur. Ky proces kërkon një klimë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirje.  Këshilli shpreh gatishmërinë në realizimin e saj, si dhe bindjen se reformat  duhet të kryhen në respektim të parimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor….”.