Gjykata Kushtetuese rrëzon Aktin për “Nëpunësin Civil” si antikushtetues

52

kushtetuesjaGjykata Kushtetuese ka rrëzuar aktin normativ të qeverisë për ligjin e “Nëpunësit Civil”. Lajmi konfirmohet nga burime brenda Gjykatës Kushtetuese, të cilat bëjnë të ditur se Gjykata e ka vlerësuar aktin normativ si antikushtetues.

Pak javë më parë Kushtetuesja e rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Demokratike për pezullimin e hyrjes në fuqi të aktit normativ për ligjin e “Nëpunësit Civil”. Por demokratët kanë bërë edhe një tjetër kërkesë, për shfuqizimin e aktit normativ dhe ligjit i cili i ka dhënë fuqi këtij akti.

Në fakt, tek shqyrtimi në themel i çështjes, opozita, nëpërmjet juristit, Ivi Kaso e përqendroi mbrojtjen e kërkesës së saj, duke e quajtur aktin normativ si antikushtetues, me argumentin se qeveria ka dalë mbi Kuvendin, duke zhbërë një ligj me shumicë të cilësuar me anë të një akti normativ, që votohet me shumicë të thjeshtë votash.

Por përfaqësuesja ligjore e Këshillit të Ministrave, Edlira Jorgaqi tha se “qeveria ka të drejte të miratojë aktin me fuqinë e ligjit, akt i cili është miratuar dhe në Kuvend”. Sipas saj, Kuvendi e ka miratuar me 3/5 e votave, por ka bërë edhe kontroll për kushtetueshmërinë me Kushtetutën.

Argumenti kryesor i qeverisë për të shtyrë me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil ishte mungesa e akteve nënligjore.