Holanda bllokon statusin për Shqipërinë

55

euroactiv“Holanda bllokon statusin për Shqipërinë”. Kështu shkruan agjencia e lajmeve Euroactiv, me qendër në Bruksel, e cila i referohet burimeve brenda parlamentit holandez.

Sipas Euroactiv, parlamenti në Holande miratoi në 12 dhjetor një vendim që detyron qeverinë e kryeministrit Mark Rutte që të refuzojë propozimin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Një zhvillim i tillë ka të ngjarë që të shkaktojë një goditje të rëndë për shpresat e anëtarësimit për Shqipërinë, që sipas Komisionit Europian ka kryer reformat e kërkuara.

Një zëdhënës i parlamentit holandez deklaroi për Euroactiv se partia për “Liri dhe Demokraci” e kryeministrit Rutte ka votuar kundër hapjes së dyerve për Shqipërinë, ndërsa partneri në koalicion, Laburistët, kanë votuar në favor të dhënies së statusit.

Holanda gjithashtu kundërshton hapjen e dyerve për anëtarësim në zonën Shengen të Bullgarisë dhe Rumanisë edhe pse Komisioni Europian mendon se të dy vendet kanë plotësuar të gjitha detyrimet e tyre.

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të vendosin më 17 dhjetor për kandidaturën e Shqipërisë dhe ky qëndrim pritet të konfirmohet dy ditë më pas, edhe nga Këshilli i krerëve të shteteve dhe qeverive të Unionit.