Në një deklaratë për shtyp, Gjoni thekson se kjo akuzë është përpunuar në laboratorë të errtë politik, por që për fat të keq sipas tij është prekur dhe Instituti i Lartë i Kontrollit të Pasurisë. “Akuzat ndaj meje janë të montuara, një pjesë nga shtypi me keqdashje në dhoma të errta të një pjese të politikes dhe të grupeve të interesit që qëndrojnë pas tyre.”, thotë Gjoni
Sipas Gjonit, këtë e vërteton edhe fakti që, deri në momentin e realizimit të kësaj deklarate, nga ILDKP nuk është depozituar asnjë kallëzim penal as në Prokurorinë e Tiranës as në Prokurorinë e Përgjithshme. “Kjo fushatë, sipas Gjonit, koinçidon jo rastësisht edhe me diskutimin e sotme në Kuvend, të të ashtuquajturit ligji i ri për Institucionin e Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ku parashikohen edhe heqjet e kompetencave të Presidentit të Republikës, në lidhje me këtë institucion.”, theksoi Gjoni.
Ai argumenton në mbrojtje të tij, duke thënë se, “me qëllime keqdashës është realizuar një bashkim mekanik të dy deklaratave të veçanta, të pasurisë , të hartuara nga unë dhe bashkëshortja, pasi martesa midis nesh ka ndodhur më date 30.12.2011 dhe kjo është datë e deklarimit të përbashkët.
Gjoni shton se “nëpërmjet goditjes sime kërkohet të uzurpohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të atakohet vetë Presidenti i Republikës për të nënshtruar ,denigruar dhe intimiduar njerëz që kanë shprehur me kurajo dhe me efiçencë profesionale dhe me forcë argumentuese realizimin e reformave reale në fushën e drejtësisë, por jo ato që nisen nga spontaniteti dhe me partitë politike me frymë të qartë politike dhe uzurpuese të sistemit të KLD dhe sistemit të Drejtësisë.
“Dua të theksoj që Zoti Shkëlqim Ganaj ka qenë një nga personat me të cilin ne, jo vetëm jemi konsultuar, por edhe më ka ndihmuar në plotësimin e këtyre deklaratave dhe madje në disa raste sipas informacioneve i ka kontrolluar paraprakisht si pjesë e këtij institucioni.”, përfundoi Gjoni.