Fshirja e Serverit të Tatimeve, Tabaku: Qeveria frikë nga Komisioni Parlamentar

44

jorida-tabaku2Partia Demokratike në një deklaratë për mediat, e ka cilësuar mos pranimin nga ana e shumicës qeverisëse, të ngritjes së një Komisioni Hetimor Parlamentar mbi çështjen e fshirjes së serverit të Tatimeve, një akt frike dhe paniku. Ndonëse kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi shpjegoi pozicionin politik të partisë së tij duke sqaruar se ngritja e një Komisioni të tillë nuk ka kuptim, kur Prokuroria është duke e hetuar si vepër penale, PD insiston se mos ngritja e Komisioit është shenjë dobësie e qeverisë.

Deputetja Jorida Tabaku deklaroi në emër të PD-së se,  kërkesa është e bazuar në ligj dhe se rrëzimi i saj është antikushtetues. Tabaku thekson se ligji po shkelet me bekimin e qeverisë në një akt të paprecedentë.

“Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor u bë nga 1/4 e deputeteve dhe në këto kushte, Kushtetuta përcakton se ngritja e tij është e detyrueshme. Rrëzimi i kërkesës është veprim antikushtetues. Po ashtu, sipas Gjykatës Kushtetuese, komisionet hetimore janë një instrument i fuqishëm kontrolli i parlamentit mbi qeverinë dhe administratën për të siguruar se këto veprojnë në bazë të ligjit. Gjykata Kushtetuese, thotë se, në mënyrë të veçantë, komisioni hetimor është një instrument i fuqishëm kontrolli ne duart e opozitës.

Përmes këtij  komisioni ne kërkuam që të hetohet, me qellim kontrollin e zbatimit të ligjit dhe identifikimin e nevojave për ndërhyrje legjislative, që kjo shkelje me pasoja të renda publike dhe individuale, të mos përsëritet më.  Dhe kjo është plotësisht ne përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, e nuk ka për qëllim hetimin penal të personave përgjegjës, pra nuk e pengon prokurorinë në punën e saj.  I kujtojmë publikut se, një akt i paprecedentë, një shkelje seriale e ligjit, me bekimin e qeverisë dhe me mbështetjen e drejtuesve të sistemit tatimor, ndodhi ne mesin e muajit të shkuar, që solli si pasojë mosfunksionimin e sistemit elektronik tatimor për më shumë se dy javë.  Kjo ka cenuar të dhënat konfidenciale të qytetarëve të mbrojtura me ligj, dhe i ka shkaktuar një dëm të madh biznesit dhe arkës së shtetit.

Rrëzimi me votë i kërkesës sonë, shton edhe më shumë dyshimet se ndërhyrjet e paligjshme në serverin e tatimeve janë bërë për interesa klienteliste e për favore politiko-ekonomike.  Rrëzimi i kërkesës tonë, është një shenjë dobësie dhe frike e qeverisë dhe e mazhorancës parlamentare për t’u hetuar e për t’u përballur me të vërtetën”- tha Tabaku.