Feminicidi si rrënjë e dhunës

103

Nga Aurora Allushaj

Ofendimet, sharjet, talljet, ngacmimet, përgjimet, monitorimet monetare, vjedhjet e fotografive, shkatërrimi i objekteve personale, kërcënimet, shantazhet, aktivitet seksuale të padëshiruara, rrahjet, përdhunimet, vrasjet.

Këto janë vetëm disa nga format e dhunës që ushtrohen ndaj grave. Në Shqipëri, sipas INSTAT, një në tre gra nga mosha 16 deri në 70 vjeçe ka qenë, të paktën një herë viktimë e dhunës apo abuzimit dhe çdo vit më shumë se 20 gra kanë ngelur të vrara si pasojë e dhunës, shumica në duart e bashkëshortit, një ish-partneri ose të afërmi, ndërsa 56 % e grave nuk raportojnë incidentin. Këto të dhëna konfirmohen duke u bërë edhe më alarmante nga studime të INSTAT, UNICEF dhe PNUD, ku janë intervistuar 2290 gra të moshës 15 – 49 vjeç, nga të cilat 50.6 % pohuan se kishin përjetuar abuzim emocional, 39.1 % ankoheshin për frustrim dhe abuzim psikologjik. 31.2 % dhunë fizike dhe 12.7 % kanë përjetuar dhunë seksuale.

Këto të dhëna, tashmë shumë alarmante, për fat të keq nënvlerësohen dhe shpesh sindroma sociale e dhunës kundër grave konsumohet në hije dhe heshtje.

Një dramë sociale apo problem kulturor

Pavarësisht të qenit në qendër të debateve ndërkombëtare, në kronikat e rretheve dhuna ndaj grave mbetet një çështje e pazgjidhur, komplekse, një realitet ende i pashprehur tamam.

Shpesh është konsideruar si një fenomen publik që inkuinon më tepër vendet e pa industrializuara, ekonomikisht të dobëta ose me një profil të ulët kulturor, por dhuna kundër grave në manifestimet e saj të shumta fizike, psikologjike, ekonomike, seksuale, përfshin individë nga të gjitha sferat e jetës dhe nivelit të arsimit, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve familjare .

Trashëgimia kulturore dhe rezistenca e rrënjosur thellë në shoqëri të ndryshme, përfshirë vendin tonë, kanë ngadalësuar një vetëdije që mund të shndërrohet në veprime konkrete politike dhe ligjore. Shumë kohë është keqkuptuar problemi, është përpjekur për ta shpërfillur atë, ta kufizojë në sferën private, duke ia atribuar episodet e manifestimit të agresionit si pasojë e devijimit mendor tek seksi mashkull, duke e konsideruar gruan si një objekt pasiv dhe paracaktuar pothuajse në rastin më të mirë, ose në më të keqin – duke fajësuar viktimat dhe duke zhvendosur përgjegjësinë nga ata që kryejnë dhunë, tek personat e prekur, viktimat.

Dhuna gjinore dhe të drejtat e njeriut

Duke gjykuar nga të dhënat, prej një kohë shumë të gjatë opinioni dhe institucionet ndërkombëtare i kushtojnë rëndësi të madhe dhunës ndaj grave.

Deklarata mbi Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e miratuar nga Kombet e Bashkuara në Vjenë në vitin 1993, përcakton si dhunë përkufizimin e mëposhtëm : ” çdo akt i dhunës me bazë gjinore , ose çfarë do dëmi , vuajtje fizike, seksuale ose psikologjike ndaj gratë, duke përfshirë edhe kërcënime për akte të tilla , detyrimin apo mohimin arbitrar të lirisë, të ndodhura në publik ose në jetën private . ”

Ky përkufizim ishte i nevojshëm për suksesin e fushatave për të mbajtur vëmendjen mbi ngjarjet serioze dhe të shumta që dëmtonin integritetin dhe dinjitetin e grave në botë, dhe për të nxitur aktivizimin e të gjitha shteteve në programet e monitorimit të shkeljes së të drejtave të grave. Në vitin 2011,Konventa e Stambollit, ka bë rë njohje të plotë të dhunës ndaj grave, duke përfshirë dhunën në familje si një shkelje të të drejtave njerëzore të grave.

Shqipëria: ligje të mira, zbatimi i pamjaftueshëm

Në qoftë se të drejtat që rrjedhin nga parimi i barazisë gjinore janë tregues thelbësore të zhvillimit politik, ekonomik dhe kulturor të një populli, vendi ynë në kontekstin historik të dhunës shumë kohë ka minimizuar dhe justifikuar dhunë n. Fjalë t ka të “drejt ” mbi gruan e tij, “vrasje nderi”,”martesë e kombinuar”, janë fjalë që fatkeqësisht vazhdojnë të “pasurojnë” fjalorin e përditshëm në Shqipëri.

Sot, ekzistojnë ligje dhe duket se janë adekuat, por duhet të kemi parasysh situatat e vazhdueshme të vështira që dokumentojnë mundësitë e mbrojtjes, promovimin, afirmimin e këtyre të drejtave, edhe pse ato janë të përcaktuara me ligj.

Stop femicidit, në rrënjët e dhunës

Termi feminicid i referohet të gjitha rasteve të vrasjeve në të cilën një grua është vrarë nga një burrë për arsye që lidhen me identitetin e saj gjinor.

Feminicidi, sipas Devoto-Oli është: “Çdo formë e dhunës sistematike kundër grave në emër të një superstrukture ideologjike të matricës patriarkale, në mënyrë që të përjetësohet vartësia dhe nënshtrimini”.

Shumë flitet rreth femicidit por pa pasur asnjë rezultat konkret. Në disa paketa ligjore të qeverive paraardhëse është folur dhe janë parashikuar masa të rrepta për ata që kryejnë dhunë. Ne mund të themi se kjo është diçka e qartë, në epokën në të cilën jetojmë, rritja e ndëshkimeve konsiderohet si ilaç çudibërës për të gjitha sëmundjet e botës. Është propozuar gjithashtu se gruaja që pëson dhunë nuk mund të tërheqë denoncimin e saj. Sigurisht duhet ende punë dhe nisma si fillim për ta studiuar dhe më pas parandaluar këtë fenomen që ka mbërthyer prej kohësh shoqërinë shqiptare.

*Shkrimi është botuar 5 vite më parë