Pas fitores 2-0 në ndeshjen miqësore ndaj Armenisë, ku Etrit Berisha mbrojti plot sukses kuadratin e portës kuqezi, duket se destinacioni më i shpejtë është Lacio e Serisë A. Vetë portieri shqiptar, që luan me Kalmarin në kampionatin suedez, ka pranuar se shumë shpejt, madje në një nga këto ditë, nuk është çudi që veshë fanellën bardhekaltër.
Etrit Berisha është në pritje të pasaportës suedeze, që do t’i mundësonte të luante jo si i huaj në kampionatin italian, pasi siç dihet, pjesëtarët e Komunitetit Europian nuk quhen të huaj dhe nuk numërohen si të huaj në fushën e lojës dhe prandaj preferohen më shumë. Portieri i kombëtares shqiptare është grumbulluar për herë të parë në vitin 2011 dhe në momentin që është aktivizuar në portën kuqezi, e ka fituar rolin e titullarit, duke lënë në stol pikërisht portierin me eksperiencë Samir Ujkani. Ky i fundit do të qëndrojë te Palermo në Serinë B, pasi presidenti i kësaj skuadre ka deklaruar se nuk e lëshon atë. Etrit Berisha është aktivizuar i plotë në 6 ndeshje të kombëtares, duke bërë paraqitje vërtet mbresëlënëse. Vlera e tij ka shkuar 1 milionë euro.