Ekuador, mbi 1 ton kokainë në kontenierin e bananeve, për në Shqipëri

50

kokainaDuke iu referuar informacionit të publikuar në mediet ekuadoriane e më konkretisht faqet elektronike “eluniverso.com”, apo “elcomercio.com”, ku citohet edhe gjiganti mediatik “Associaded Press”, mësohet se në dy operacione të veçanta, agjentët e antidrogës kanë konfiskuar 184.75 kilogramë kokainë, në portin Guayaquil.

“Droga ishte ngarkuar dhe ishte gati për t’u dërguar në Evropë”, tha të martën Ministria e Punëve të Brendshme të Ekuadorit. Më tej nënvizohej se konfiskimi i parë ka ndodhur të dielën, gjatë një kontrolli rutinë, kur policia ka vënë re disa shenja te një kontenier me banane, i cili ishte gati për t’u nisur për në Shqipëri. Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ekuadorit vijon me frazën se “Në kontenierin që do të nisej për në Shqipëri, u gjetën 125 pako kokainë, me peshë totale prej 145,47 kg”.

Ndërkaq, nuk saktësohet nëse Shqipëria ishte vendi destinacion final i anijes me kontenierët e banave, ku u gjend kokaina, apo ishte vend tranzit i këtij mjeti lundrues. “Menjëherë më pas, në të njëjtin port, qentë e policisë zbuluan 35 pako kokainë, që peshon në total 39,28 kg, e fshehur në panelet e sistemit të ftohjes, në një anije që shkonte për në Qipro” ,tha ministria në një deklaratë, ku shtohet se “Janë shpallur në kërkim pronarët e drogës”.

Ndërkaq, koloneli Vladimir Leon, kreu i Njësisë së Narkotikëve në Guayas tha se deri më tani, këtë vit, agjentët kanë konfiskuar 27.5 ton kokainë në porte e aeroporte, në Guayaquil, raporton “Shqiptarja.com”.

Realiteti shqiptar, shpeshherë ka njohur personazhe VIP të botës së mallit të bardhë, ku procesi “Kokaina” nxorri në dritë linjat kolumbiane të drogës së preferuar. Raportet e sotme të antimafies italiane dhe Europolit, po theksojnë gjithnjë e më shumë forcimin e pozitës së shqiptarëve në trafikun ndërkombëtar të kokainës, pas arrestimit të bosëve serbë. –