Policia zbulon 59 kg kanabis në kamionin e plehrave

14

policia...Policia e Durrësit zbuloi dje në një kamion të transportit të mbetjeve, plot 59 kg kanabis sativa, të ndarë në 5 thasë. Mësohet se kamioni i Ndërmarrjes së Gjelbërimit, kishte mbi 3 ditë që ishte parkuar në shkollën “Qemal Mici” në Lagjen nr. 16 të qytetit të Durrësit.

Aksioni erdhi pas një telefonate, e cila njoftoi policinë për një person të vdekur pranë kamionit të mbetjeve. Kur policia mbërriti në vendngjarje nuk gjeti asnjë kufomë, por 5 thasë me kanabis. Sipas hetimeve paraprake, policia dyshon se mjeti i Ndërmarrjes së Gjelbërimit është përdorur për të transportuar kanabisin në destinacion, nga ku më pas, persona të tjerë duhet të vinin ta merrnin.

Shoferi ka pritur dhe është larguar, pasi ka dyshuar nga vonesa e tyre. Policia tha se mjetin me targë Dr 7243 D, e drejtonte Arben Mançe, 48. Tashmë, forcat blu kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.