Ekskluzive/ Arjan Muça: E vërteta e operacionit kundër Dajtit

157

 ARJAN MUCAPër herë të parë zbardhet dëshmia e zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Arjan Muça, i cili drejtoi dhe operacionin “anti-Dajti”. Në pjesën e parë të publikuar dje në “GSH”, Muça rrëfeu parapërgatitjet për kapjen e Dajtit: përgjimin e tij kur ishte në kërkim dhe dyshimet për trafikun e drogës. Në vijimin e dëshmisë në gjykatë, Muça tregon sot momentet e tmerrshme të vrasjes së vartësve të tij gjatë operacionit që shkoi keq më 7 gusht 2009.
Dëshmia
U thirr dhe u paraqit dëshmitari Arjan Muça. Paralajmërohet për detyrimin për të dëshmuar dhe përgjegjësinë ligjore në rast të dëshmisë së rreme. I lexohet formula e betimit. Dëshmitari tha “Betohem”!
Ftohet të japë gjeneralitetet: Arjan Muça, lindur në Dibër, banues në Tiranë, me gjendje gjyqësore i padënuar më parë, me arsim të lartë.
Prokurori Ardian Nezha: Ju personalisht e njihnit fizikisht Dritan Dajtin dhe ai ju?
Muça: Unë fizikisht nuk di ta kem parë ndonjëherë, por njohja ishte nëpërmjet fotografisë që dispononte policia si person i shpallur në kërkim. Sapo kam bërë ca metra, kam dëgjuar krisma armësh. Kam dëgjuar krismat e para, kam nxituar hapin, normalisht është instiktive kjo punë, por krismat kanë vazhduar dhe kam vrapuar për në drejtim të vendit ku ishte makina. Kur jam afruar afër vendit, rrugës në vrapim e sipër, kam nxjerrë armën që mbaja me vete, të cilën e kam mbajtur në dorë. Jam afruar tek vendi, ndërkohë që krismat vazhdonin pa ndërprerje. Në momentin që kam hyrë në rrugicën që ndodheshin krismat, në rrugicën që të çon tek vendi ku ndodhej makina, aty kam parë në një distancë kam përshtypjen rreth 7-8 metrash, parë për herë të parë në kontakt vizual Dritan Dajtin. Ai po vinte me vrap me armë në dorë në rrugicën që të nxjerr në plazh tek rëra. Ndërsa unë në drejtimin e kundërt nga rëra për tek makina në të njëjtën rrugicë. Rrugica është e drejtë, që të nxjerr nga makina, për te rëra, por në fundin e saj ka një kthesë që lidhet me një rrugë tjetër. Këto kanë qenë sekuenca të shkurtra, aty kam parë njërin nga agjentët e mi, i cili po mundohej të ndalonte një person, për të cilin nuk ia kam idenë kush ishte dhe ndërkohë kam parë Dritan Dajtin që qëlloi drejt agjentit tim. Agjentin më vonë e identifikova si Kastriot Feskaj, sepse në atë moment ishte i veshur me fëshfëshin e policisë dhe me maskë. Ndoshta e shtëna e parë e ka goditur dhe është kthyer instinktivisht për të parë se ç’është kjo punë dhe kanë qenë afër me Dritan Dajtin saqë ai Kastrioti u mundua ta kapte dhe e ka kapur me dorën e djathtë, pasi në të majtën ka pasur automatikun. Kam parë Dritan Dajtin që e ka qëlluar edhe dy ose tri herë të tjera nga aq afër sa ishin me njëri-tjetrin dhe e di që goditjen e fundit ia ka dhënë në këtë pjesë të trupit dhe me tregon me dorë në pjesën e qafës. Kam përshtypjen se nga ana e majtë e qafës, por kam fiksuar se pas kësaj goditjeje Kastrioti është shembur në tokë dhe Dritan Dajti ka vazhduar vrapin për t’u larguar në drejtimin që ishte nisur. Kam drejtuar pistoletën drejt tij dhe i kam bërë thirrje që të ndalonte duke i thënë “policia”. Në tentativë për t’u larguar ka qëlluar edhe dy ose tri herë të tjera në drejtimin tim, ishte e vështirë për t`u fiksuar se janë momente shumë të shkurtra, por mendoj se ose dy ose tri herë. Të njëjtën gjë kam bërë edhe unë, por me një ndryshim, pistoleta ime ishte harruar në siguresë nga nxitimi, unë e kisha harruar dhe shkrepjet e mia ishin boshe. Nuk ka bërë as dy-tri hapa pasi më qëlloi mua dhe ka rënë në tokë. Jam afruar me nxitim dhe puna e parë që kam bërë i kam shtyrë me këmbë pistoletën. Jam kthyer për nga drejtimi ku mendoja se kisha agjentët e tjerë dhe kam parë që agjenti më afër meje ishte Petrit Sulkaj, të cilin e identifikova më vonë. Ishte me xhup policie dhe me kapuç. I thashë për pranga dhe më tha nuk kam. I thashë “hajde rri këtu”, e vura pranë Dritan Dajtit dhe i thashë se “për asnjë arsye nuk do të afrohet asnjë person këtu”.
Prokurori Nezha: Keni komunikuar me Dritan Dajtin kur i hoqët pistoletën?
Muça: Me sa mbaj mend i kam thënë pse m’i vrave njerëzit, nuk mbaj mend të më jetë përgjigjur.
Prokurori Nezha: Ky ka qenë kontakti i parë vizual me Dritan Dajtin?
Muça: Po. Kur i hoqa pistoletën, e pyeta kush je ti dhe më tha Dritan Dajti, atëherë vazhdova duke i thënë pse m’i vrave njerëzit. (Paraqitet në këto momente prokurori Eugen Beci).
Vijon Muça: Kam shkuar tek Kastrioti, ishte e kotë, nuk kishte asnjë shenjë jete. I kam marrë automatikun që kishte në dorë Kastrioti, kam ecur në drejtim të makinës së parkuar makinës “Tuareg”, ku ndodhej Dritan Dajti më parë. Aty më ka thirrur shefi i grupit, Perlat Leli dhe më ka thënë që na kanë plagosur Altin Dizdarin. E kemi marrë Altinin bashkë me Perlatin tek makina “Ford” kam përshtypjen dhe i kam rënë urgjent për në spital. Kam shkuar tek vendi ku ishte “Tuarge”-u dhe kam parë F.M, një nga agjentët, i cili kishte prangosur një person dhe po e mbante të shtrirë në tokë. I kam thënë prangat, më ka thënë nuk i kam, se ia kam vënë këtij. Kam kthyer kokën për të parë për agjentë të tjerë që mund të më ndihmonin me pranga, por mesa duket, një pjesë kishin ikur për të çuar në spital Sajmir Duçkollarin. Dhe në këto momente më ka thënë Flori, më duket se është Fatosi tek “Tuareg”-u. Jam afruar aty dhe midis avllisë ku ishte parkuar “Tuareg”-u, ndodhej i shtrirë Fatosi. E kam prekur për të parë nëse i rreh gjë, nuk kishte asnjë shpresë. Afër tij ndodhej edhe një person tjetër i shtrirë që më vonë e identifikuam, as tani nuk ia di emrin. Ai me sa mora vesh pasi erdhën forcat e tjera të policisë, ishte një nga personat që kishte qenë me Dritan Dajtin në makinë. Që nuk ishte efektiv e fiksova menjëherë nga veshja me pantallona të shkurtra që nuk ia kisha parë njeriu nga të mitë. Në moment kam dashur të kërkoj ndihmë për të nisur Fatosin në spital, por nuk kisha kujt t’i kërkoja, pasi edhe njerëzit që ishin, kishin marrë secili në makinat e veta shokët e tyre të plagosur apo të vrarë dhe i kishin nisur për në spital. Kam parë që nga të gjitha anët po afroheshin qytetarë kuriozë. Fillimisht i jam drejtuar vendit ku ndodhej i shtrirë Dritan Dajti, u kam bërtit njerëzve që jemi policia, largohuni mbrapa, janë larguar dhe në këtë kohë janë afruar edhe agjentët e tjerë që kishim me këto detyrat e tjera që thashë më sipër dhe jemi munduar të mbajmë të paprekur vendin e ngjarjes. Kam njoftuar në telefon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e kam vënë në dijeni në vija të trasha për atë ç´ka kishte ndodhur. Dhe deri sa kanë ardhur forcat e policisë së Durrësit dhe më vonë forcat e tjera speciale, jam munduar maksimalisht të ruaj vendin e ngjarjes që nga vendi ku ishte shtrirë Dritan Dajti dhe deri tek rruga në të cilën ndodhej “Tuarge”-u dhe më gjerë prapë. Gjatë kësaj kohe, kolegët që kishin shkuar në spital duke çuar të plagosurit më thonin që filani ka vdekur, filani ka vdekur për të katër njerëzit tanë. Kjo është ajo ç’ka kam lidhur unë me atë ngjarje.
Prokurori Nezha: Ju kujtohet ju se me çfarë mjetesh kanë lëvizur forcat që ju shpjeguat më sipër nga Tirana për në Durrës, dhe nëse po, si ishin ndarë ata në secilin prej këtyre mjeteve?
Muça: Unë kam fiksuar, kemi pasur dy makina në dispozicion, atë ditë kam fiksuar “Ford”-in, janë dy “Ford”-e, njëri i zi, tjetri jeshil. Altin Dizdari ka pasur motorin, ka pasur edhe makinë tjetër, por nuk di të them se cila. Kam fiksuar se kanë qenë tri makina dhe një motor. Ndarja brenda makinave, ne kemi ecur me parimin se në këto operacione njerëzit të ndahen sipas asaj ç’ka ata ndjehen më mirë, në krahë zgjedhin vetë.
Prokurori Nezha: Në operacionin e datës 07.08.2009, a mund të na thoni çfarë lloj armatimi personal keni pasur ju, lloji, kalibri, marka?
Muça: Armatimi që kam pasur atë ditë ka qenë pistoletë tip berete, me kalibër 9 mm, me numrin e serisë përkatëse që unë as nuk e kam parë ndonjëherë se çfarë numri ka.
Prokurori Nezha: Veç kësaj arme, a keni pasur armatim apo municion tjetër në këtë ngjarje?
Muça: Jo, nuk kam pasur asgjë tjetër veç asaj që thashë më sipër dhe telefonit.
Prokurori Nezha: Si oficer karriere në Policinë e Shtetit, struktura policore që ju drejtoni krahas armatimit që shpjeguat më parë ka pasur në organikë armë të kalibrit 9×18 mm të llojit makarov ose armë që përdorin municion të ngjashëm?
Dritan Dajti: Kundërshtoj pyetjen.
Kryetari i seancës: Pranohet kundërshtimi, të rregullohet pyetja.
Prokurori Nezha: Struktura e Policisë së Shtetit ka në organikë armë të kalibrit 9×18 mm?
Dritan Dajti: Kundërshtoj pyetjen.
Kryetari i seancës ndërhyn për të rregulluar pyetjen: Të çfarë lloj kalibri janë armët që përdoren nga strukturat policore dhe organika që ju përdorni?
Muça: Siç e kam thënë edhe më sipër, armët tona janë beret 9 mm, bëhet fjalë për pistoletë si dhe automatik. Nuk di t’ua specifikoj se janë turke dhe italiane, por janë 9 mm, dhe kallashnikovë.
Prokurori Beci: Në raport me “Tuareg”-un dhe kryqëzimin e rrugës, e keni fiksuar se në ç’pozicion ndodhej ky person që deklaruat se ishte i shtrirë pranë “Tuareg”-ut dhe nuk ishte efektiv i policisë?
Muça: Më mirë do kishte qenë që unë të kisha një skicë të vendit të ngjarjes, kujtoj që ishte i shtrirë përmbys, këmbët i kishte në gjysëm drejtimi për nga del për te rëra, ndërsa kokën e kishte në drejtim të pjesës fundore të “Tuareg”- ut, aty ku mbaronte avllia, aty mbaronte dhe “Tuareg”-u dhe ai e kishte kokën mes të dyjave, mesa mbaj mend unë, ka qenë i kthyer përmbys.
Prokurori Beci: Të pandehurin Mariglen Muçaj e keni njohur?
Jo.
Prokurori Eugen Beci dhe prokurori Ardian Nezha: Nuk kemi më pyetje.
I pandehuri Dritan Dajti: Kërkoj shtyrjen e seancës dhe praninë e mjekut dhe gjatë kohës kërkoj që avokati im të mos e vazhdojë seancën pa praninë time. Pas pranisë së mjekut kërkoj të vazhdoj me pyetjen e dëshmitarit.
Kryetari i seancës: Nëse dëshironi të largoheni është e drejta juaj. Mund të vazhdojë avokati me pyetjet për dëshmitarin. Vazhdon seanca gjyqësore. Largohet nga salla i pandehuri Dritan Dajti me vullnet të lirë (ndërpritet seanca dhe caktohet datë tjetër).

*G.SH