Edi Rama në BBC ‘Hard Talk’ me Sara Montague

62

rama ne Hard TalkKryeministri i ardhshëm, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për gazetaren Sara Montague, në emisionin “Hard Talk” në BBC. Intervista është fokusuar në pikat kyçe, të asaj çka pritet të realizojë Kryeministri i ardhshëm gjatë mandatit të tij qeverisës. Përgjigje kanë marrë dhe pyetjet mbi një proces gjyqësor ndaj Sali Berishës, mbi 21 Janarin dhe lirimin e gardistëve të akuzuar për vrasje si edhe mbi luftën ndaj korrupsionit, si një shqetësim real i vendit.

Sarah Montague: Mirëserdhët në Hardtalk. Shqipëria është vendi i vetëm më i korruptuar i Evropës, sipas Transparency International. I ftuari im i sotëm, Edi Rama, ka premtuar se do ta ndryshojë këtë, kur të bëhet Kryeministër i vendit në shtator. Një artist modern, ai mori lavdërime ndërkombëtare për shndërrimin e kryeqytetit, Tiranës, kur ishte kryebashkiaku i saj, e jo më pak për shkak të lyerjes së ndërtesave gri me ngjyra të ndezura. Tashmë, ai ka premtuar një rilindje për të gjithë vendin. Pra, a mund t’ia dalë një ish-artist, aty ku politikanët e mëparshëm kanë dështuar?

Edi Rama, mirëserdhët në Hardtalk

Edi Rama: Faleminderit për ftesën.

Sarah Montague: Përse pretendoni të jeni më i suksesshëm se politikanët e mëparshëm në pastrimin e Shqipërisë?

Edi Rama: Kjo mbetet për t’u parë, por besoj se është koha për një pastrim të vendit.

Sarah Montague: Pastrim të vendit… Flasim për një vend me probleme të jashtëzakonshme. Siç ju thashë, Transparency International deklaron se, jo vetëm ju jeni vendi i vetëm më i korruptuar i Evropës dhe po zbrisni në renditje, por ju jeni edhe një prej vendeve më të varfra në Evropë. Si do t’i përballoni këto sfida.

Edi Rama: Është një vend me reputacion të keq dhe sigurisht, jo tërësisht të pamerituar, por në të njëjtën kohë, është një vend me potenciale të jashtëzakonshme e me talent të pamat, që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Për t’ju dhënë një shembull, pas fitores në zgjedhje, ju kam bërë thirrje të gjithë atyre, që janë të rinj e të talentuar, që janë brenda dhe jashtë vendit, të cilët dëshirojnë të bashkohen me skuadrën e re për Shqipërinë. Përgjigjja ka qenë tejet pozitive. Tashmë, kemi rreth 10 000 njerëz, të cilët kanë paraqitur aplikimet e tyre për t’i shërbyer vendit. Natyrisht, kjo do t’i nënshtrohet konkurrimit dhe një sërë procedurave, por reagimi është jashtëzakonisht pozitiv dhe kjo nënkupton se ka shpresë dhe një vullnet shumë të fortë për të ndryshuar.

Sarah Montague: Ju flisni për një imazh, një imazh të tmerrshëm të vendit dhe që nuk është tërësisht i pamerituar. Dikur e keni përshkruar si imazhin e një toke prostitutash dhe emigrantësh të paligjshëm. A mendoni se ky vijon të jetë ende perceptimi për vendin?

Edi Rama: Kjo është diçka që e kam thënë në vitet ’90, kur…

Sarah Montague: … raportohet se e keni thënë në vitin 2003…

Edi Rama: … ndoshta, por është shumë kohë më parë, kur kishte një stereotip konstant, që ish mjaft shqetësues për shqiptarët e për një popull, që nuk e meriton të përshkruhet si një vend prostitutash e kështu me radhë. Por njëkohësisht, siç e thashë, nuk është tërësisht një imazh i pamerituar. Kemi bërë pak për ta zgjidhur këtë dhe në fakt, nën këqyrjen e Bashkimit Evropian, në kuadrin e procesit tonë drejt integrimit evropian, problemet dalin në pah qartësisht dhe na duhet t’i zgjidhim.

Sarah Montague: Duhet të më shpjegoni… I keni kërkuar tri herë Komisionit Evropian ta konsiderojë Shqipërinë si kandidate, vetëm si kandidate dhe ai i ka rrëzuar secilën prej të tria kërkesave, secilën prej herëve dhe efektivisht nuk keni arritur as të hyni në proces, pasi reformat nuk kanë qenë mjaftueshmërisht domethënëse. 

Edi Rama: Është e vërtetë, ashtu siç është gjithashtu e vërtetë se një nga problemet kryesore, ndoshta më shqetësuesi për bashkësinë ndërkombëtare kanë qenë zgjedhjet dhe integriteti i procesit zgjedhor. Më në fund, pas një kohe të gjatë, një morie përpjekjesh e sakrificash, nga ana e popullit shqiptar dhe opozitës, të cilën kam privilegjin t’a udhëheq, ne arritëm të zhvillonim zgjedhje normale dhe mendoj se, pasi e kemi kaluar këtë provë, tashmë mund të kemi arsye për të qenë optimistë, që më në fund të marrim një përgjigje pozitive për statusin tonë të kandidatit.

Sarah Montague: … Që e prisni të ndodhë, kur?

Edi Rama: Shpresoj se do të ndodhë në dhjetor ose pranverën që vjen.

Sarah Montague: Në rregull. Ka shumë probleme, e jo më pak edhe korrupsioni, të cilit do t’i kthehemi pas pak minutave, por le të flasim për zgjedhjet, sepse ju flisni për sfidat e jashtëzakonshme për ta transformuar vendin. Nuk është e qartë se publiku domosdoshmërisht mendon se jeni njeriu i duhur për këtë punë, sepse në fund të fundit, keni qenë tetë vjet në opozitë dhe sërish, në këto zgjedhje fituat vetëm një mandat më shumë krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve. Partneri juaj në koalicion, Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës doli me rezultate mjaft të mira nga këto zgjedhje, ndërsa qeveria e Sali Berishës u rrëzua efektivisht, si rezultat i rritjes së mandateve të partisë së Ilir Metës nga katër mandate në 16. Tani, ky është njeriu me të cilin, për të qenë të qartë, keni zgjedhur të qeverisni. Ai ka qenë pjesë e qeverisjes së mëparshme dhe për të cilin vetëm dy vjet më parë, keni thënë se personifikonte çdo gjë të kalbur në Shqipëri.

Edi Rama: Është e vërtetë se kemi pasur një të shkuar të vështirë në kuptimin e marrëdhënieve brenda familjes së majtë. Partneri i tashëm i koalicionit është një parti që ka lindur nga ndarja e Partisë Socialiste disa vjet më parë…

Sarah Montague: … dhe ka qenë rivali juaj, armiku juaj kryesor.

Edi Rama: Po. Dhe vendosëm të bashkojmë të gjithë të majtën, për të hyrë së bashku në këtë fushatë në një koalicion, që ishte i suksesshëm. Nuk do t’i hyja aritmetikës së mandateve, pasi ne kemi një sistem që ndryshon mjaft me të këtushmin dhe mendoj se numri i votave që morëm, secili prej nesh, e njëkohësisht së bashku, erdhi kryesisht për shkak të faktit se shqiptarët panë një forcë të bashkuar që kërkonte ndryshimin.

Sarah Montague: Ka shumë arsye, por një prej arsyeve që ju u ndatë dhe ishit kritikë të ashpër të njëri-tjetrit ishte një moment i dy vjetëve më parë, i një videoje që dukej se e shfaqte atë duke folur për një ryshfet dhe të mburrej me ndikimin e tij mbi kryetaren e gjykatës. Kjo ndodhi në kohën kur ai ishte ministër i jashtëm dhe zëvendëskryeministër. Ai ka deklaruar gjithnjë se nuk ka bërë asgjë të keqe. Gjykata e Lartë rrëzoi akuzat dhe ju sërish deklaruat për median vendase se ky vendim ishte një tallje me qytetarët shqiptarë dhe se qëndronte në thelb të një hapi të mëtejshëm drejt një regjimi të padrejtë.

Edi Rama: Është e gjitha e vërtetë, ashtu sikurse është në të njëjtën kohë e vërtetë, se na duhet të bëjmë përpara e t’i ofrojmë popullit shqiptar një alternativë për ndryshim, çka e bëmë dhe i fituam zgjedhjet në bazë të një programi për Rilindjen Shqiptare, me premtime mjaft të hollësishme dhe gjendemi tashmë në provë përpara popullin shqiptar… 

Sarah Montague: … E di që doni të shihni përpara dhe kjo është e rëndësishme, por po kaq rëndësi ka të trajtohen ngjarje vërtet domethënëse në historinë e Shqipërisë …

Edi Rama: Është e vërtetë… 

Sarah Montague: … dhe ajo video shkaktoi mjaft shqetësim. Pati demonstrata anti-korrupsion në të cilat katër persona u vranë nga Garda Kombëtare që qëllonte nga zyra e Sali Berishës dhe kishte disa pjesëtarë nga Garda dhe dy oficerë të lartë policie kundër të cilëve u ngritën akuza e u shpallën të pafajshëm në fillim të këtij viti. Ju deklaruat se vendimi është më barbari për krimin më barbar në Shqipërinë paskomuniste. E gjithë kjo e pati fillesën nga diçka e dy vjetëve më parë dhe vështirë të kuptohet sesi mund të mos merreni me këtë.

Edi Rama: Mua më takon të marr përsipër sfidën për problemet e vendit, së bashku me çdokënd të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë dhe siç e thashë, kemi marrë angazhime. Një prej tyre është për të ndjekur me gjithë vullnetin tonë procesin, që duhet të vendosë përpara drejtësisë dhe duhet të marrë vendimin e duhur kundër të gjithë atyre, që ishin përgjegjës për 21 janarin…

Sarah Montague: Në rregull, pra Ilir Meta nuk ishte përgjegjës edhe pse në atë kohë ishte në qeveri dhe zëvendëskryeministër, ai nuk ishte.

Edi Rama: Jo! Vrasjet kanë përgjegjësi të qartë dhe përgjegjësitë duhet të përcaktohen nga gjykata.

Sarah Montague: Do të dal edhe aty për pak, por ky person me të cilin keni vendosur të hyni në qeverisje do të ketë poste në qeverinë tuaj, ju jeni i bindur se ai është i pastër. Ky person është një njeri me të cilin ju mund të punoni, sepse është i pastër dhe ju jeni i bindur për këtë?

Edi Rama: Sërish, besoj fort se kur duhet të merremi me korrupsionin dhe me problemet e thella të krijuara nga korrupsioni, duhet pasur gjithnjë parasysh se është sistemi që i korrupton njerëzit dhe jo e anasjellta. Unë besoj fort se lufta kundër korrupsionit ka të bëjë me modernizimin e sistemit dhe me bërjen gjithnjë e më pak të mundur për njerëzit, që të përfitojnë nga një sistem i rrënuar.

Sarah Montague: Lidhur me katër gardistët. Pati katër vrasje dhe ju deklaruat se siguronit çdokënd se ngjarjet e asaj dite, 21 janar 2011, janë ngjarje që nuk mund të harrohen pa pasur një proces të drejtë gjyqësor. Një nga gjërat që thatë ishte se do të kishte një proces gjyqësor të udhëheqësit të PD-së, Sali Berisha, në atë kohë Kryeministër, proces që do të fillonte pas këtyre zgjedhjeve. A po propozoni që të çoni në gjyq Sali Berishën?

Edi Rama: Jo. Po them vetëm se këto ngjarje nuk mund të harrohen dhe as mund të gjykohen në mënyrën e vjetër me të cilën jemi mësuar, ku proceset shndërrohen në farsë. Ndaj do të marrim të gjitha masat që mundemi për t’iu ofruar ndihmesë reale familjeve të viktimave, për të ofruar një ndihmë reale për një proces që duhet të jetë i pavarur nga qeveria.

Sarah Montague: … dhe pavarësisht nga ajo që keni thënë asokohe e deri tani, Sali Berisha nuk do të gjykohet apo nuk do të ketë një proces gjyqësor të asnjë lloji kundër tij për këtë? 

Edi Rama: Po kjo s’ka të bëjë me atë çka mendoj apo dua unë. Ka të bëjë me një proces të sistemit të drejtësisë dhe kur folëm për Sali Berishën, ju thashë se ai mban të gjithë përgjegjësinë, në kuptimin e përgjegjësisë morale e politike, dhe kur vjen fjala… 

Sarah Montague: … a vlente kjo për procesin gjyqësor apo gjykimi ishte ditën e zgjedhjeve dhe kaq?

Edi Rama:  Jo, jo, gjykimi duhet të vazhdojë, por mbi bazën e një procesi të pavarur. Ajo çfarë mund të them, edhe njëherë, është se do të bëjmë gjithçka mundemi për të pasur një proces, ku familjet të mbështeten ashtu siç duhet dhe ku merren të gjitha masat për të mos lejuar që kjo të shndërrohet në një tjetër farsë.

Sarah Montague: Le të vijojmë me korrupsionin apo të vijojmë të flasim më tej për të, pasi është një nga shqetësimet më të mëdha për Bashkimin Evropian dhe për shumë shqiptarë. Një prej gjërave që kolegu juaj aktual në qeveri, Ilir Meta, ka thënë për ju pak vjet më parë ishte se ju e kishit shndërruar Tiranën në një lavatriçe të madhe për të pastruar paratë e pista. Sa të pastra janë duart tuaja në këtë sistem për të cilin thoni se korrupton këdo?

Edi Rama: Jetojmë në një qytetërim ku janë akuzuesit ata që kanë barrën të provojnë akuzat e tyre dhe jo të akuzuarit që të vërtetojnë se nuk i kanë bërë ato për çka akuzohen. Shumë thjesht, do të thosha se ne kemi jetuar për shumë kohë në një proces politik të ngritur kryesisht mbi akuza, një lloj politike e vjetër që dua ta lë pas krahëve dhe që shqiptarët duan ta lënë pas krahëve, pasi është koha… 

Sarah Montague: Po, por… ju thoni se është sistemi. 

Edi Rama: Është koha për të kaluar në një nivel tjetër. Zgjedhjet ishin prova që treguan se kur kaluam në një nivel tjetër, duke folur për platforma, duke folur si do të ecet përpara, njerëzit zgjodhën alternativën për ta lënë këtë pas krahëve.

Sarah Montague: Çfarë do të thotë kjo? Çfarë do të bëni ju për këtë, sepse ju thoni që është problem i sistemit dhe thatë më parë se nëse e çoni një nëpunës civil shqiptar në Gjermani ata nuk do të korruptohen, pasi nuk kanë hapësirë për këtë, por nëse i vendos gjermanët në Shqipëri, ata do të bëhen të korruptuar për pak muaj.

Edi Rama: Sigurisht…

Sarah Montague: Pra, nuk janë njerëzit, por është sistemi.

Edi Rama: Saktësisht kështu. 

Sarah Montague: Atëherë, nëse ky është problem i sistemit shqiptar dhe ky është një sistem në të cilin ju jeni brenda, a jeni edhe ju, për pasojë, i korruptuar?

Edi Rama: Jo, jo, po them diçka kryekëput ndryshe dhe kam dhënë prova përgjatë drejtimit për 11 vjet të Bashkisë së Tiranës se me modernizimin e sistemit të administratës, mund ta luftosh korrupsionin. Unë shpresoj që i gjithë vlerësimi që kam marrë edhe ndërkombëtarisht ka qenë dëshmi e funksionimit të kësaj. Pra, modernizimi i sistemeve…

Sarah Montague: Mirë, por po flisni për një kohë kur Transparency International raporton se gjatë viteve të fundit Shqipëria ka zbritur në renditje nga vendi i 95-të në vendin e 113-të mes 176 vendeve.

Edi Rama: Po. Ky është një vlerësim i qeverisjes dhe unë nuk kam qenë në qeverisje.

Sarah Montague: Në rregull, atëherë, çfarë do të bëni për faktin se njerëzve iu duhet të paguajnë mjekun… dhe nuk janë vetëm mjekët, po i gjithë sistemi.

Edi Rama: E di, e di… 

Sarah Montague: Atëherë na shpjegoni çfarë ndodh? Për çdo gjë që ke nevojë të bësh në Shqipëri duhen paguar para, që të shkojë mirë?

Edi Rama: Po dhe ka përvoja shumë të rëndësishme të vendeve të tjera më parë, se korrupsioni nuk do të mbetet i pandëshkueshëm përgjithmonë. Ai është diçka që mund të luftohet e të zhduket. Më lini t’ju jap një shembull. Ne kemi një problem të madh me administrimin e doganave dhe mbledhjen e taksave, ku ka shumë korrupsion dhe për këtë arsye po punojmë fort për krijimin e një procedure të re. Ne do të kërkojmë ndihmë nga organizma ndërkombëtare, si për shembull, Crown Agents, agjencia britanike që ka pasur histori të suksesshme në Bullgari, Ukrainë, Slloveni, Maqedoni dhe të tjera duke i shndërruar doganat bullgare, asokohe tejet të korruptuara, në dogana që funksionojnë normalisht.

Sarah Montague: Doganat tashmë në Shqipëri? Sa të pastra janë ato tani?

Edi Rama: Këtë po them, janë të korruptuara. Ju më pyetët çfarë do të bëj dhe ju dhashë një shembull e mund t’ju jap shumë të tjerë të tillë. Na duhet të gjejmë rrugën për të kryer reforma në sistemin e kujdesit shëndetësor, për ta shndërruar atë nga një sistem i rrënuar në një sistem që funksionon…

Sarah Montague: Po gjyqësori? Sepse ka analistë që thonë se një nga gjërat që duhet të bëni është efektivisht një spastrim i shërbimit civil, si fillim, për të larguar të gjithë personat që janë në poste të larta. Njerëzit thonë se po kështu flisni për gjyqësorin dhe për ringritjen e policisë. A do të bëni ju një pastrim masiv të njerëzve brenda qeverisë dhe administratës shqiptare?

Edi Rama: Jo! Nuk kemi nevojë ta bëjmë një gjë të tillë. Unë besoj fort se ka njerëz me shumë vlerë edhe brenda sistemit të rrënuar dhe siç e thashë, ajo çka na duhet është të transformojmë sistemin. Ne nuk jemi në pozitën ku na duhet të shpikim çdo gjë nga e para. Na duhet vetëm të ndjekim historitë e suksesit jashtë. Ka mjaft histori të suksesshme, edhe në situata tejet të vështira, madje edhe më të vështira se në Shqipëri, që tregojnë se mund të fitosh kundrejt korrupsionit dhe ne do triumfojmë mbi të. Patjetër, kjo kërkon reforma shumë të thella, duhet një vullnet shumë i fortë. Ne i kemi të dyja. Kemi platformën për reformat dhe vullnetin.

Sarah Montague: Ju keni, gjithashtu, një ekonomi të rrënuar për momentin. Nuk jeni në krizë, ndërkohë që shumë vende janë. Ju nuk jeni pikërisht aty, por keni probleme serioze, të cilat kanë bërë që drejtuesja e Bankës Botërore për vendin, Kseniya Lvovsky, të deklarojë se financat tuaja janë në një gjendje kaq të keqe sa duhet t’i kërkoni para FMN-së. A do ta bëni këtë?

Edi Rama: Ne jemi aktualisht në pritje të një programi të posaçëm të FMN-së dhe Bankës Botërore, që mendohet se do të bëjë një vlerësim të stabilitetit të sektorit financiar. Kemi inkurajuar Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, që të ecë përpara me të. Shpresojmë, që ky program të përmbyllet përpara se të hartojmë buxhetin e ri. Është një lloj programi që paraqet gjendjen reale të sektorit financiar dhe jep sugjerime. Njëkohësisht do të diskutojmë me mjaft hollësi mundësitë që do të duhet të na ofrojë ardhja e FMN-së.

Sarah Montague: Ajo ka folur për programin tuaj ambicioz. Ajo tha se mund të jetë ambicioz, por nuk ka hapësirë fiskale për investime madhore dhe për gjërat që flisni se do bëni, siç janë krijimi i 300 000 vendeve të reja të punës, heqja e taksës së sheshtë mbi të ardhurat prej 10% dhe futja e taksimit progresiv, çka do të nënkuptonte se 95% e njerëzve që punojnë do të jetonin më mirë. Është e vështirë të kuptohet si do ta përballoni këtë.

Edi Rama: Prandaj jam zgjedhur, për të bërë gjëra të vështira, përndryshe, për ç’arsye do më zgjidhnin?  

Sarah Montague: Ku do t’i merrni paratë? 

Edi Rama: Është shumë e vështirë, por jo e pamundur, pasi ashtu siç edhe ju këmbëngulet dhe mendoj jo pa arsye, ne duhet të zhdukim korrupsionin. Korrupsioni dhe evazioni fiskal thithin një sasi të konsiderueshme parash. Prandaj rikthimi i të paktën 50% të kësaj sasie do të na sigurojë një shumë domethënëse parash për t’i bërë këto gjëra.

Sarah Montague: Pra, paratë që do të paguajnë ndryshimet tuaja në taksa dhe kujdesin shëndetësor falas që ju premtoni…

Edi Rama: … Ky është një përkthim mjaft fjalë për fjalë, por kur flas për kujdesin shëndetësor falas, kam parasysh Shërbimin Shëndetësor Kombëtar

Sarah Montague: Shërbimi Shëndetësor Kombëtar nuk është i lirë, është sistemi shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar

Edi Rama: Jo, jo, unë them falas për njerëzit, jo falas për shtetin se nuk ekziston. Në Shqipëri kemi një sistem që bazohet në sigurimet shëndetësore dhe praktikisht është plotësisht i rrënuar. Kemi një numër shumë të madh të njerëzve jashtë sistemit, pasi ata nuk mund ta paguajnë sigurimin shëndetësor, duke qenë se janë të papunë …

Sarah Montague: Sërish, këto janë gjëra që kushtojnë dhe ju po thoni që këto para do të vijnë nga spastrimi i korrupsionit. Prej këtej do t’i merrni paratë?

Edi Rama: Kjo është një prej mënyrave për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Në të njëjtën kohë, spastrimi i korrupsionit do të thotë të krijojmë një mjedis më të mirë për investime, të kemi më shumë investime, të mbledhim më shumë të ardhura e kështu me radhë. Nuk jemi zgjedhur për të shpikur rrotën. Rrota është tashmë e shpikur e na mbetet të ndjekim rrugën e vendeve të suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe zhdukjes së tij. 

Sarah Montague: Dhe ju keni marrë këshilla për këtë nga ish-kryeministri britanik Tony Blair? 

Edi Rama: Kemi filluar ta diskutojmë, po.  

Sarah Montague: Për çfarë… 

Edi Rama: Kemi diskutuar se si ai mund të na ndihmojë për ngritjen e të gjithë skemës. Si edhe për vendosjen e përparësive dhe për ecjen përpara në bazë të disa përparësive, për të mos humbur fokusin dhe për të kryer reformat. 

Sarah Montague: … që do ta shndërrojnë Shqipërinë në çfarë? Ne folëm nëse ishte një tokë prostitutash dhe emigrantësh të paligjshëm, por cili duhet të jetë perceptimi për Shqipërinë?

Edi Rama: Ai i një vendi mesdhetar të këndshëm, normal dhe shumë tërheqës; vend i vogël, por funksional. Kjo është absolutisht e mundur, pasi siç e thashë, nuk kemi një shtet funksional, por kemi njerëz që kanë dëshmuar se kur vendosen në pozita pune, ata ia dalin në mënyrë të shkëlqyer, ashtu si këtu, ashtu si në Itali, Greqi. Janë të njëjtët njerëz, janë po ata shqiptarë, që kur janë këtu respektojnë rregullat, kur janë atje, përpiqen t’i shmangin, sepse rregullat janë të shkruara, por nuk zbatohen. 

Sarah Montague: Edi Rama, ju faleminderit qe erdhët në Hardtalk.

 (Gazeta Dita)