Dokle hap seancën parlamentare: Një mesazh i fortë popullor kundër politikave prepotente

54

Namik_Dokle

Është hapur sot pasdite seanca e parë e legjislaturës së 13-të. Seanca u drejtua nga deputeti socialist Namik Dokle i cili theksoi mesazhin e qartë që populli shqiptar dha më 23 qershor, kundër politikave prepotente dhe mospërfillëse.

“Me nderin që më ofron mosha dhe përvoja shumëvjeçare në këtë tempull të demokracisë, kam nderin të deklaroj të hapur, mbledhjen e parë të legjislaturës së 13-të.

Populli na dha një mesazh të qartë, kundër politikave prepotente dhe mospërfillëse. Uroj të dalim faqebardhë në detyrën e deputetit, duke mos harruar se ajo na kërkon përkushtim, bashkëpunim e mirëkuptim. Uroj deputetët e zgjedhur për herë të parë, të kenë sukses. Ju që hyni këtu lërini jashtë mendjemadhësinë, interesin meskin dhe merrni me vete dashurinë për Shqipërinë tonë”,- tha Dokle në fjalën e hapjes.

Në një seancë që zgjati vetëm pak minuta u krijua Komisioni i përkohshëm i verifikimit të mandateve, dhe sekretaria e përkohshme e Kuvendit. Në seancë ishin prezentë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.

Seanca e radhës u caktua nesër në orën 11.00.