PE, Komision hetimor mbi survejimin amerikan

51
PE/fotoalbaniaplus
PE/fotoalbaniaplus

Programi i survejimit amerikan, ka rikthyer sërish fokusin në Parlamentin Europian. Impakti që ky përgjim masiv mund të ketë mbi qytetarët, mbi lirinë e medias dhe gazetarinë investigative, ka angazhuar fillimin e një hetimi në Komisionin e Lirive Civile, në PE. Pas 12 seancave, të cilat do të zhvillohen deri para fundit të vitit, pritet kalimi i një rezolutë në Komisionin e Lirive Civile, në seancën e janarit 2014. 

Survejimi masiv amerikan ka rikthyer sërish debatin në Parlamentin Europian. Komisioni i Lirive Civile ka ndërmarrë një hetim, objektivi i të cilit, sipas kryesuesit të këtij hetimi, eurodeputetit britanik, Claude Moraes është vlerësimi i impaktit të këtyre aktiviteteve të survejimit mbi qytetarët evropiane.

E veçanta e këtij hetimi është, se ka mbledhur edhe deklarimet dhe shqetësimet e një serë gazetarësh, që janë në krye të medieve të rëndësishme evropiane. Jacob Appelbaum, gazetar investigativ dhe kërkues i sigurisë informatike, ka deklaruar përpara këtij Komisioni, se NSA  nuk është e lidhur me ligjet evropiane dhe se, ajo tallet me këto ligje. Ai ka vlerësuar, se NSA mund të vendos këdo nën përgjim në këto vende dhe kjo, pa asnjë lloj mandati të çfarëdoshëm. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një problem të shfaqur pas atentateve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara veprojnë në këtë formë që prej shumë kohësh.

Kryeredaktori i së përditshmes britanike, The Guardian, Alan Rusbridger, deklaroi nëpërmjet një video-konference, se përdorimi i ligjeve anti-terrorizëm në Angli, për të arrestuar David Miranda dhe kërcënimi direkt i qeverisë britanike për përdorim të ligjit për të kërkuar shkatërrimin e materialit të mbajtur nga The Guardian, janë dy çështje që legjislatorët duhet të kenë parasysh. Ai precizoi gjithashtu, se kjo mund të ishte “ e tmerrshme për gazetarinë dhe penguese” dhe se veçse i “ hidhte rërë ingranazhit”.

Për sa i përket nevojës së ruajtjes juridike evropiane për lirinë e medieve,  Rusbridger theksoi se gazetarët e BE-së, nuk janë të ruajtur në të njëjtën mënyrë si gazetarët amerikanë, duke precizuar, se neni 10 i Konventës Europiane mbi të Drejtat e Njeriut (e drejta për lirinë e shprehjes) nuk ka të njëjtën peshë, si amendamenti i parë i Kushtetutës amerikane.

Rusbridger theksoi nevojshmërinë e ruajtjes së gazetarisë investigative, duke ju drejtuar legjislatorëve me fjalët: “ Legjislatorët kanë detyrë të ruajnë gazetarinë investiguese dhe të promovojnë këto lloj debatesh. Ju lutem, gjeni mjete për të ruajtur gazetarinë. Vetëm gazetaria mund të japë një pasqyrim të paanshëm(..) dhe ju lutem, mendoni për mekanizma survejimi”.

Jacque Follorou, i së përditshmes Le Monde, deklaroi se është i nevojshëm një kontroll demokratik. Follorou, vlerësoi gjithashtu, se deri më tani debati në Francë është përqendruar mbi mjetet teknologjike të përdorura, se sa tek ligji dhe liritë e qytetarëve, duke konkluduar, se këto teknologji mund të përdoren për synime të tjera, se sa për luftën kundër terrorizmit.

Ekuilibri i pushteteve dhe parashikimi i kontrolleve për të penguar këtë lloj survejimi masiv është parashtruar gjithashtu, si një element i rëndësishëm nga deputetët Sophia in’t Veld dhe Carlos Coelho.

Mbledhjet e radhës të këtij Komisioni, do të zhvillohen deri në fund të këtij viti dhe në seancën e Janarit 2014 pritet kalimi për votim i rezolutës./im.ta/