Deputetja e LDK-Kosova në betejën ndaj COVID-19-të

72

Sokol Paja
Rrezarta Krasniqi, Deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK, Anëtare e Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin e Kosovës në betejën ndaj Covid-19 dhe masat e jashtëzakonshme që po merr qeveria në përballimin me sukses të situatës. Me deputeten Rrezarta Krasniqi bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

KOSOVA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Pandemia e cila ka prekur gjithë botën Covid-19 ka lënë pasoja të mëdha, si në ekonomi ashtu edhe në shoqëri. Tek ne aktualisht gjendja me virusin korona është nën kontroll dhe po menaxhohet mirë nga institucionet e vendit, me gjithë shtimin e rasteve të infektimit nga ky virus përgjatë javëve të fundit që ka arritur në total 5,118 të infektuar, prej tyre 2,370 persona tashmë janë shëruar, ndërsa fatkeqësisht 108 deri më tani kanë vdekur si pasojë e Covid-19.

MASAT QË PO MERR QEVERIA E KOSOVËS

Me rritjen e numrit të infektuarve me virusin Covid-19, Qeveria e Republikës Kosovës në bashkëpunim edhe me Kuvendin e Kosovës dhe organet lokale, tashmë kanë marrë një serë masash kufizuese, për të ndaluar përhapjen e mëtejme të virusit Covid-19, duke nisur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në qytetet me numër të madh të infektuarve si Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Vushtrri, Fushë Kosova, Mitrovica Jugore dhe Mitrovica Veriore, prej 21:00 deri në 5:00, pastaj kufizimin e lëvizjes në nivel vendi për personat mbi moshen 65 vjeçare, të cilët kanë liri të lëvizjhes vetëm në dy orare, 05:00 – 10:00 dhe nga 18:00 – 21:00, bartja e maskave dhe mjeteve tjera mbrojtëse është bërë obligative, janë mbyllur çerdhet dhe parqet, janë ndaluar tubimet në më tepër se pesë persona, është pezulluar puna e tregjeve publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve si dhe janë pezulluar ceremonitë fetare. Këto janë disa prej atyre vendimeve që së fundmi organet drejtuese të vendit i kanë marrë me qëllim të ndalimit të përhapjes së virusit.

HAPJA E INSTITUCIONEVE ARSIMORE

Qeveria e Republikës Kosovës në koordinim të vazhdueshëm me këshillin për menaxhimin e pandemisë Covid-19 po e përcjell gjendjen në nivel vendi dhe deri më tani siç e ceka edhe më herë, situata është nën kontrollë dhe e menaxhueshme. Për rihapjen e çerdheve, shkollave dhe universiteteve, sigurisht se do të merren për bazë edhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe do të vendoset po ashtu edhe në bazë të situatës epidemiologjike. Pra është ende herët të thuhet se çka do të ndodh, dhe nuk mund të jap një përgjigje hipotetike.

RIMËKËMBJA EKONOMIKE NË KOSOVË

Ekonomia e vendit ka ndjerë dëme të mëdha përgjatë këtyre katër muajve të përballjes me pandeminë Covid-19. Ende nuk është bërë një kalkulim total për të parë dëmet, por llogaritur edhe nga kryerja e obligimeve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, vërehet se ka një rënie të konsiderueshme te të hyrave, që nënkupton dhe dëmtim i bizneseve dhe ekonomisë së vendit. Marrë parasysh situatën reale në vendin tonë dhe duke ditur se virusi vazhdon të jetë i pranishëm, Qeveria e Kosovës ka hartuar një pako të Rimëkëmbjes, e cila do të ndikojë direkt në forcimin e ekonomisë dhe bazuar në vlerësimet e ekspertëve financiar, Kosova do të arrijë ta rimarrë vetën brenda këtij viti në aspektin ekonomik. Një prej veprimeve të rëndësishme në këtë drejtim nga ana e institucioneve është edhe ai i lejimit të tërheqjes së kurismeve pensionale nga Trusti, në vlerë prej 10%, vendim ky që është pritur mjaft mirë nga qytetarët dhe pritet të hy në fuqi brenda pak ditësh. Po ashtu është planifikuar edhe ndarja e granteve dhe subvencioneve të ndryshme, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë .

KOSOVA DHE GJYKATA SPECIALE

Të gjithë qytetarët e vendit janë krenarë me atë çfarë ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dihet qartë roli i UÇK-së në luftën me Serbinë, pra ka qenë për të ruajtur vendin, pragun e shtëpisë. Ne besojmë në pastërtinë e UÇK-së.

MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA

Shqiptarët janë populli më fisnikë dhe bujarë. Ne kemi ditur të ruajmë identitetin tonë dhe duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në këtë drejtim. Kur jemi të bashkuar, jemi më të fuqishëm. Shqiptarët duhet ruajtur dashurinë mes vete si dhe respektin për atëdheun dhe para ardhësit tanë, që bën aq shumë sakrificë për të ruajtur identiteton tonë, prej shqiptari. Për fund me lejoni të shpreh falenderime ndaj gjithë diasporës shqiptare në mbarë botën, për angazhimet dhe kontributin e tyre. Ju faleminderit.