Debate në Komisionin e Sigurisë, Noka-Tahirit: Je karagjoz

54

flamur-nokaMinistri i Brendshëm Saimir Tahiri ka raportuar sot në komisionin e sigurisë kombëtare në lidhje me vrasjen e vëllezërve Çollaku nga pala greke.

Mbledhja u shoqërua me debate mes ministrit dhe deputetit të PD-së Flamur Noka ndërsa pas përfundimit të saj janë shmangur përplasjet fizike  mes deputetëve Pjerin Ndreu dhe Flamur Noka.

Eshtë dashur ndërhyrja e deputetëve të tjerë të komisionit për shmangien e përplasjes fizike mes Nokës dhe Ndreut.

Gjithashtu debate të ashpra ka pasur edhe mes ministrit të brendshëm dhe deputetit demokrat Flamur Noka ku ky i fundit i është drejtuar Tahirit duke i thënë:”Je karagjoz”.

Ndërsa ministri Tahiri iu drejtua opozitës me fjalët: “Ka ikur koha kur policia bënte ekspertizën e vrasjeve që kryente vetë siç ndodhi më 21 janar”.

Ndërsa sa i përket vrasjes së dy vëllezërve Çollaku, Tahiri ka kërkuar nga politika të mos abuzojë me këtë ngjarje të rëndë.

“Dy vëllezërit Çollaku qëlluan me armë ndaj policisë greke dhe ata iu kundërpërgjigjën. Ne nuk mund ta kqyrim vendin e ngjarjes, sepse është jashtë juridiksionit tonë. Ministria e Brendshme nuk bën ekspertizë  mjeko-ligjore pasi kjo është kompetencë e organeve të tjera. Garantoj, që shteti shqiptar ka ushtruar të gjitha kompetencat për ngjarjen në kufi me Greqinë” tha ai.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka i cili ka theksuar se duhet të zbardhjet e vërteta për vrasjen e dy vëllezërve Çollaku.

“Ngjarja ka një terr informative. Duam të vërtetën e ngjarjes në kufirin me Greqinë ku u vranë dy vëllezërit Çollaku.   Policia jonë dha të njëjtin version të ngjarjes në kufi, si policia greke” tha ai.

Por ministri Tahiri ka përgënjeshtruar deputetin Noka duke theksuar se policia shqiptare ka dhënë versionin e saj zyrtar për ngjarjen.

Ndërsa deputeti demokrat Astrit Patozi ka theksuar se Tahiri duhet të mendojë dorëheqjen nga posti i ministrit.

“Tahiri nuk ka kohë të vijë në komision, pasi është kthyer në një “Star mediash” . A e keni menduar dorëheqjen nga posti apo shkarkimin nga detyra e ministrit?” iu drejtua Patozi ministrit.