Mister, çfarë ndodhi që keni përfunduar në spital?
Isha duke udhëtuar me biçikletë sot paradite (dje) dhe u përplasa me një nga mbrojtëset anësore të rrugës. Më pas duhet të jem rrëzuar me kokë, sepse disa momente nuk i mbaj mend fare.
Kaq shpejt ishit?
Po, mendoj se kjo mund të ketë ndodhur edhe prej shpejtësisë, sepse po udhëtoja me afro 30 km në orë. Nuk e di, nuk mund ta shpjegoj dot tamam se si ndodhi, por ja që tani jam në spital.
Jeni vrarë shumë?
Po, jam vrarë pak në kokë, megjithëse isha me kasketë dhe jam vrarë edhe te brinjët.
Keni thyer ndonjë brinjë?
Kam thyer tri brinjë. Kur u rrëzova u shemba aq shumë, sa për disa çaste nuk arrija të mbushesha me frymë.
Po tani a jeni më mirë?
Po, jam më mirë. Sigurisht, 24 orë më parë isha shumë më mirë, por s’kam çfarë të bëj… (qesh me vështirësi të madhe).
Çfarë ju kanë thënë mjekët?
Mjekët më thanë se më e keqja kaloi dhe se të shtunën duhet të dal nga spitali.
Sa do të zgjasë shërimi juaj i plotë?
Nuk mendoj se do të zgjasë shumë, ose të paktën kështu shpresoj. Zakonisht shërimi i brinjëve të thyera kërkon rreth një muaj kohë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të jem në gjendje të bëj punën time apo të lëviz. Më vjen keq që humba ndeshjen e sotme me Kukësin, sepse e kisha planifikuar për të ardhur në Tiranë. Sa për të tjerat, besoj do të jem gati për dy ndeshjet e radhës.
*Panoramasport