Çfarë humbim dhe përfitojmë nga hapja ose jo e negociatave me BE

91

Ish Ministri i Financave Arben Malaj në një intervistë për Gazetën “Si” thotë me bindje se Shqipëria është gati për t’iu çelur negociatat me BE-në dhe për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane të cilës i përkasim.

Sipas tij mos çelja ose edhe çelja e negociatave ka kosto dhe përfitime indirekte në aspektin ekonomiko-financiar.

Profesor Malaj argumenton se “Marrëveshjet tona me BE janë asimetrike në fushën e tregtisë. BE hapi 100% tregjet e saj unike, ndërsa me Shqipërinë hapi në mënyrë graduale tregjet, duke mbrojtur për 10 vite bujqësinë dhe përkohsisht industritë e reja vendase. Ne këto kushte ne i kemi “paguar” kostot e hapjes dhe duhet të përfitojmë nga avancimi në procesin e integrimit për të pasur më shumë akses”.

Nga ana tjetër thotë ish Ministri i Financave, BE inspiron, por nuk garanton cilësinë e reformave tona shtetformuese dhe ekonomike. Prandaj sipas profesor Malajt, ne duhet të jemi korrekt duke kryer detyrat e shtëpisë në kohë.

Çfarë humbim në aspektin ekonomiko-financiar nëse nuk çelen sot negociatat e Shqipërisë me BE-në?

Kostot e dështimeve janë direkte dhe indirekte dhe jo vetëm ekonomike e financiare.
Nëqoftëse mbetemi tek kostot ekonomike e financiare – nuk ka kosto direkte sepse shkalla e mbështetjes nga BE nuk ndryshon nga ky vendim.

Por kostot indirekte janë të konsiderueshme duke filluar me humbjen e shpresës për perspektiven europiane, e cila pas këtij vendimi bëhet shumë më e largët se sa më parë.
Argumenti francez se nuk duhet të ketë anëtarësime të reja dhe avancim në hapat e ndërmjetme pa ndryshuar rregullat e zgjerimit te BE-së, ç’ka nënkupton aplikim të masave penalizuese deri në kthimin pas në hapat e mëparshme, dhe për më tepër kërkesa e Francës se nuk duhet të ketë zgjerime të ardhshme pa thelluar integrimin dhe pa e bërë më funksionale BE-në, në vetvete përpara anëtarësimeve të reja, është një koncept i gjerë dhe ndoshta shumë i gjatë.

Ky këndvështrim do ti rritë ndjesitë nacionaliste dhe euroskeptike dhe do ta bëjë më të largët integrimin e vendeve tona.

Kostot sociale që burojnë zhgënjimet, do të ushqejnë braktisjen e vendit. Kjo na varfëron nga mungesa e fuqisë punëtore çka dëmton rritjen ekonomike dhe nga plakja e shpejtë e popullësisë, nga rënia e lindjeve dhe rritja e braktisjes. Këto rrezikojne të mbeten kosto të rënda me efekte afatgjata.

Në aspektin financiar – mos avancimi në procesin e integrimit mund të rritë përkeqësimin e klasifikimit ndërkombëtar të ekonomisë shqiptare duke dëmtuar thithjen e investimeve të huaja direkte dhe duke rritur koston e financmit për sektorët privat në ekonomine tonë që huazojnë burime financimi nga tregjet e kapitaleve.

Po kështu edhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat apo agjensitë e eksporteve të investitorëve potencial në ekonominë tone, do të aplikojnë prime sigurimesh më të larta edhe për risqet politike për ata investitorë që synojnë tregun shqiptar, duke e bërë më të lartë koston e përgjithshme të investimeve të tyre dhe më të vogël shkallën e përfitimevete tyre, pra aftësia jonë konkuruese tenton të jetë më e vogël.

Një efekt negativ me impakt shumë dimensional është ndikimi i dështimeve politike. Kjo rrit agresivitetin ndërpartiak, ul tempin dhe cilësinë e reformave shtetformuese dhe reformave sektoriale. Pra ngërçi politik i ushqyer edhe nga dështimet në procesin e integrimit e mban gjallë ciklin negativ të krizës sonë politike, sociale dhe ekonomike.

Çfarë fitojme dhe çfarë kostosh do të kemi nëse na çelen negociatat me BE-në, po në aspektin ekonomiko-financiar?

Përfitimi më i madh është politik. Dy të mira konkrete do të kishim nëqoftëse bëhej hapja e negociatave, qoftë edhe me kushte.

E para do të ulej interesi për ta braktisur vendin, jo vetëm nga të rinjtë dhe e dyta, por më e rëndësishmja, do t’ju hiqej politikanëve tanë një nga “fushë-betejat” që të mos zihen përditë për dështimet për integrimin, por të angazhohen çdo orë në atë për të cilën janë mandatuar me votë dhe janë përgjegjës përballë çdo shqiptari, luftën kundër varfërisë, krimit të organizuar, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Ky është edhe shqetësimi i gjithë dashamirësve edhe ndërkombëtarë që po i kërkojnë Macron të mos vrasë shpresën e popujve të Ballkanit, e cila ushqen braktisjen e vendit dhe venit përkushtimin për reformat e mirëqeverisjes, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

A jemi gati ne në aspektin ekonomik të hedhim këtë hap?

Patjetër. Procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor u bazua në një rrugë specifike që nisi me marrëveshjen e asocim-stabilizimit të çelur në janar 2003 në Tiranë në prani të Presidentit të Komsionit Europian Romano Prodi.

Marrëveshjet tona me BE janë asimetrike në fushën e tregtisë, BE hapi 100% tregjet e saj unike, ndërsa me Shqipërinë hapi në mënyrë graduale tregjet, duke mbrojtur për 10 vite bujqësinë dhe përkohsisht industritë e reja vendase. Ne këto kushte ne i kemi “paguar” kostot e hapjes dhe duhet të përfitojmë nga avancimi në procesin e integrimit për të pasur më shumë akses, jo vetëm në fondet rishpërndarëse të BE-së, ku bazuar në nivelin aktual të të ardhurave reale për frymë dhe nëpolitikat e kohezionit social, vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë përfitutes neto, por shumat e destinuara në raport me buxhetin e BE-së do të jenë të pandikueshme për vendet që janë kontribuese neto në buxhetin e BE-së.

Të mos harrojmë qe edhe aktualisht ne nuk arrijmë të thithim dhe të investojmë në ekonominë tonë reale, dhjetra milionë euro të BE-së, për shkak të shkallës së ulët të absorbimit dhe efikasitetit të përdorimit te tyre.
Presioni i integrimit në tregje më konkuruese do ta orientojë ekonominë tonë në përballje sfiduese ku ristrukturimi i saj konkurues është i vetmi opsion për të mos mbetur për herë, vendi më pak i zhvilluar dhe vendi më i varfër.

Çfarë duhet bërë në këtë drejtim?

Implementimi i sukseshëm i strategjive, reformave strukturore, projektet konkrete në sektorë dhe zona prioritare është domosdoshmëri kritike.

Pa e bërë funksional shtetin ligjor, pa konsoliduar kollonat shtetformuese të ndarjes, balancës dhe kontrollin e pushteteve, pa një administratë publike, moderne dhe pa një ambient biznesi konkurues dhe me sa më pak pengesa dhe kosto artificiale, brenda apo jashtë Europës së Bashkuar, ne rrezikohemi të jemi viktimë e të shkuarës dhe përherë të dështuar përballë të ardhmes europiane.

Shembujt e vendeve që kanë dështuar edhe pse kanë qenë pjesë e BE-së, janë jo të pakta dhe jo larg nesh, bile në partnerët tanë kryesorë dhe ku jetojnë komunitete të mëdha të shqiptarëve.

*Botuar në gazetën Si.