Rinas, kombëtarja e Izraelit blindohet nga policia

Në prag të ndeshjes së Ligës së Kombeve përballë Shqipërisë, kombëtarja e Izraelit ka zbarkuar pasditën e sotme në aeroportin “Nënë Tereza”.

Avioni i delegacionit izraelit është pritur nën masa të rrepta sigurie. Kjo është hera e dytë që përfaqësuesja e drejtuar nga Alon Hazan vjen në Shqipëri. Hera e parë që Izraeli vizitoi Shqipërinë ishte në nëntorin e vitit 2016, ku atëherë luante për kualifikueset e Kupës së Botës, Rusi 2018. Atë kohë ishin ata që fituan me shifrat e thella 3-0, ndërsa reagimi i kuqezinjve erdhi në qershor të 2017-ës, ku ekipi i drejtuar nga Gianni De Biassi fitoi me të njëjtat shifrat 3-0.

Dueli mes tyre pritet të jetë i një niveli vështirësie të lartë, një gjë të cilën e ka paralajmëruar Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili i ka bërë thirrje qytetarëve amerikan të shmangin lëvizjet pranë stadiumit.

Kjo ndeshje do të luhet pa praninë e forcave të sigurisë në pjesën e brendshme të stadiumit, por duhet thënë se jashtë tij do të qëndrojnë plot 1500 forca policore të gatshme për të ndërhyrë në çdo rast. Por ajo që bie akoma edhe më shumë në sy, është edhe mungesa e tifozëve të cilët deri më tani mund të jenë deri në 2000 të tillë që do të thotë se do të sjellin angazhimin e rreth 300 stjuard.

Përballja mes Shqipërisë dhe Izraelit është programuar për tu luajtur të premten e 7 shtatorit në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 20:45.

PD i kërkon shkarkimin e Xhafajt dhe Veliut

Partia Demokratike i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku i kërkon që të shkarkohen nga detyra ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

Në letrën që PD i drejton kryeparlamentarit Ruçi thuhet se “Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk i kanë vënë në dispozicion për 5 muaj asnjë dokument Komisioni Hetimor”.

“Ministri i Brendshëm dhe kreu i policisë akuzohen nga PD për pengim të qëllimshëm të Komisionit Hetimor “Tahiri” dhe kjo bëhet me qëllim fshehjen e gjurmëve të lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar”, thuhet në letër.

Gjithashtu, PD akuzon Ministrin Xhafaj për asgjesim provash në mbrojtje të vëllait trafikant siç thotë ajo, si dhe Tahirit, Ballës, Çyrbjës etj.

“Mandati i Komisionit Hetimor perfundoi sot pa asnjë rezultat për shkak të pengimit të qëllimshëm të punës nga qeveria”, vijon më tej letra, duke shtuar se “Pengimi i Komisionit Hetimor nga Qeveria është dhunim i kushtetutës dhe asgjësim i Parlamentit.”

“PD kërkon shtyrjen e Komisionit Hetimor “Tahiri” me 3 muaj dhe qëndrim të prerë nga Kuvendi për përgjegjësit”, mbyllet letra e PD drejtuar Gramoz Ruçit.

Gazetarët më të mirë i mori “azili politik”!

Klaudia Malaj/ “Gazetaria është profesion tepër interesant, por duhet të braktiset me kohë”, Winston Churchill. E nisa me një shprehje që gazetarët e rinj e urrejnë dhe të vjetërit në profeson e çojnë ndonjëherë nëpër mend.

Pas atentatit që iu bë familjes së prindërve të gazetares Klodiana Lala një numër i konsiderueshëm gazetarësh janë nuk kanë ndejtur gojë mbyllur duke u shprehur se edhe ata janë kërcenuar me jetë, kjo si pasojë e funksionit dhe detyrës që ushtrojnë.

Flamur Vezaj, Fatos Mahmutajt, Gerti Xhajës, Edi Deliu, Bledar Naska, Telnis Skuqi, Arben Vata, Adi Shkëmbi e shumë emra të tjerë janë sot në vendet më të qeta dhe ku u sigurohet jeta.

Janë pikërisht ata njerëz që punuan me devotshmëri dhe përkushtim, në kërkim të së vërtesës, duke u bërë “prokurorë” të çdo ngjarjeje kriminale apo padrejtësie ndaj pushtetit, e ndërsa sot janë banues të Suedisë, Belgjikës, Amerikës, Norvegjisë etj., për një jetë më të qetë, larg kërcënimeve me jetë, plumbave të derdhura apo të vendosura nëpër zarfe.

Edhe vet Drejtuesi i Unioni të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa e shpreh këtë shqetësim ku saktëson se në periudhën 2017-2018 janë shtuar gazetarët e kërcënuar në detyrë, që kërkuan azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës dhe shumë të tjerë kërkuar shtetësi në vende të tjera.

“12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera. Pothuajse të gjithë këta kanë plotësuar dosjet me prova dhe dokumenta për kërcënime në detyrë dhe po përgatiten të largohen” – tha zoti Çipa.

Këto janë shifra të dhimbshme kur mendon se sot, nga përtacia e tepërt gazetarët nuk dinë të rendin pas lajmit, kanë mungesë të theksuar kontaktesh dhe në fund dalin “trima” duke thënë: “ç’më duhet mua, apo të më vi ndonjë plumb kokës!”.

Nuk mund të gjej të mesmen e artë mes të kërkimit të së vërtetës dhe mbrojtjes së jetës, por në të gjithë botën gazetarët janë të kërcënuar, pa përmendur emra të gazetërëve që kanë humbur jetën pasi kanë patur nëpër duar çështje të nxehta. Gazetari është ai që nuk mund të shkruaj asnjë gjë nëse nuk ka të vërtetat në tryezën e punës, ashtu si kirurgu nuk mund të punojë pa bisturi, gjykatësi pa njohjen e ligjit…etj.

As teologët që predikojnë në Kishë, as oratorët në parlament, as profesorët në shkollë nuk kanë aq ndikim sa ka shtypi, ndaj shtypi nuk duhet vrarë./Lexo.al

Departamenti Amerikan i Shtetit: Kujdes në ndeshjen ndaj Izraelit

Në prag të ndeshjes së vlefshme për Ligën e Kombeve, Shqipëri-Izrael, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje qytetarëve amerikan me banim në Shqipëri që të kenë kujdes përpara dhe gjatë ndeshjes që Shqipëria do të luajë ndaj Izraelit, në stadiumin e Elbasanit.

Përmes një statusi në Twitter DASH shkruan: “Një ndeshje futbolli do të luhet mes Shqipërisë dhe Izraelit në 7 shtator, ora 20:45. Edhe pse nuk jemi në dijeni për kërcënime specifike ndaj shtetasve amerikanë, i ftojmë që të kenë kujdes pranë stadiumit të Elbasanit, para dhe gjatë ndeshjes”.

Ndeshja Shqipëri-Izrael luhet të premten në orën 20:45.

Ilir Meta: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”

Presidenti, Ilir Meta, e ka nisur ditën e sotme me një mesazh për dy vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Përmes një postimi në fb, Meta thotë se dita e sotme na fton të gjithëve, të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë.

Duke cituar një nga thëniet e famshme të Shenjtores, Meta shprehet se me shumë dashuri mund të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme për këdo që ka sot nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.

Postimi i plotë në fb
Dita e Shën Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë shqiptarët dhe botën katolike në tërësi!Shën Nënë Tereza, është shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kurrfarë kushti dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan, pa dallim kombësie, race, feje apo përkatësie shoqërore.

Dita e sotme, që shënon kremtimin e Shenjtërimit të saj, është një dite feste, përkujtimi e respekti mbarëkombëtar ndaj veprës humane, hyjnore e të paharruar të Shenjtores sonë.

Në shembullin e saj, kjo ditë na fton të gjithëve, të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë.
E bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë, me veprën e saj na fton të ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi ynë ka kultivuar e përsosur ndër shekuj. Me mesazhin e saj nuk duhet të harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Le të na shërbejë kjo porosi e Shën Nënë Terezës, simbolit të çdo nëne shqiptare, si shembull frymëzimi se si njerëzit e zakonshëm, me shumë dashuri, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për këdo që ka sot nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.

Ruçi: Shën Tereza, një trashëgimi shqiptare për qytetërimin

Në ditën ndërkombëtare të bamirësisë dhe dy vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u ka drejtuar një mesazh qytetarëve.

Ruçi thotë se Shën Tereza është madhështia e thjeshtë dhe thjeshtësia e madhërishme dhe si e tillë ajo është një trashëgimi shqiptare për qytetërimin.

Madje ajo përmend dhe një nga motot e saj: “Të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

“Fryma e Shën Terezës, në frymën e ligjeve për kohezionin sociale. Shën Tereza, shoqëri solidare, mirëqenie për të gjithë,” shprehet Ruçi.

Ministria e Brendshme jep urdhër për blindimin e Shkodrës

Qyteti i Shkodrës është blinduar nga policia mëngjesin e ditës së sotme.

Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës që patrullojnë në zonë prej një jave, i janë bashkuar edhe RENEA dhe Forcat Operacionale të Tiranës.

Perforcimi i trupave është bërë me urdher të Ministrise se Brendshme.

Ndërkohë FNSH ka ushtruar kontrolle gjatë natës në disa zona në Shkodër, konkretisht në Livadhe, Dobrac dhe disa zona te qytetit.

Masat e shtuara të policisë vinë pas alarmit të dhënë dhe nga pushteti vendor dhe opozita, se bandat dhe krimi kanë marrë kontrollin e qytetit.

Unë jam një nga një milionë e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë

Nga Ada Halilaj

Unë jam një nga një milionë e katërqind e tridhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë gratë e Shqipnisë.

Jam bijë e gjakut malësor; fëmijë i dy prindërve me arsim 8-vjeçar, njerëz të një dinjiteti madhështor, të një thjeshtësie mallëngjyese, të një krenarie imponuese, punëtorë kooperativash, vjelës duhani, shitës kavanozash, shtëpijakë e në fund nëpunës shteti. Jam vajza e një nane bujarisht të dashtun, por edhe e sertë në rregulla dhe dirigjente në kërkesa dhe i një babai fjalëpaktë, mendjehapun e besimdhanës. Jam vetë mësuese e vetë nxanëse e lirisë teme, të cilën deri vonë, e kam mbrojt si kafsha këlyshin e vet. Një grua e gjykume për prejardhjen “joqytetare”, për tatuazhet, për udhëtimet vetëm, për pavarësinë e mendimit të ftohtë, për refuzimin e religjionit të prindërve, bindjet politike të vetëformume, për tërheqjen nga spektakli i traditave, për njeriun që dashurova, për poezitë erotike, për shkrimet feministe, për zanin e të drejtës, për vetëvendosjen, për guximin, për besimin e palëvizshëm në vedi.

Jam një nga ato gratë, për të cilat flitni në pauzat e kafeve, në mbledhjet familjare, në vesh të njeni-tjetrit. Një nga ato gratë që ndeshni me bërryl, tregoni me gisht, shihni me bisht të synit, ua harroni emnin apo s’keni njoft kurrë.

Gra si nana jeme, e treta e 9 fëmijëve, e lindun dhe e rritun nën brinjë të malit; e ushqyme me racion buke; e veshun me tesha të qepuna e të shqepuna; e mësume me hap sytë pa lind dielli, me kullot bagëtitë, me mbledh shërbelë, me ec gjysëm ore për shi e borë deri në bankat e shkollës, me andrru pak e me punu shumë. Pengu i saj ma i madh asht humbja e bursës së studimit në Shkodër për vendim të të atit e privimi nga një mundësi e dytë shkollimi për vendim të vjehrrisë.

Gra si kushrina jeme, e cila tentoi disa herë vetëvrasjen, për shkak të dhunës sistematike të bashkëshortit dhe pikëllimit nga turpi i pafrenueshëm me kërku ndihmë nga familja.

Gra si Meli, e fejume me zor në moshën 12-vjeçare, sepse trupi i saj, krahasu me shoqet, ishte ma joshës, ma trazues e kërkesat e dorës sa vinin e shtoheshin në shtëpi.

Gra si Ida, që pranon pasivisht bashkëjetesën me një burrë pijanec, të dhunshëm dhe të papunë, sepse e zgjodhi vetë, me dashni e me ngulm, kundër gjithkujt e gjithçkaje, e i vëllai nuk e merr mbrapsht motrën e ndame me dy fëmijë të “huaj” në prehën.

Gra si Ola, babai i të cilës ka vite që nuk i flet me gojë, vetëm sepse lindi një fëmijë jashtë martese.

Gra si Ohrida, që duhet të fshihet nëpër kafene të errëta apo në lokale periferike me të dashtunin e saj, duhet t’i ruhet paditjes së kureshtarëve sepse vajzat e këtij vendi nuk mund ta jetojnë lirisht njohjen me një djalë. Ua fshehin prindërve nga frika. Ua rrëfejnë shoqeve nga ngazëllimi…, sepse këtu, dashnia e pashpallun, e pazyrtarizume, e papërkrahun nga familjet përkatëse, shtrëngohet në turp, në marre, në koritje.

Gra si Xhulia, që mendon se virgjëria asht garanci për një martesë plot besim dhe krenari mashkullore…, se kështu i kanë thanë, se kështu e kanë bind.

Gra si Lela, të brymosuna aq fort me frymën e nënshtrimit, sa besojnë plotësisht e verbnisht që urtësia dhe heshtja shiten mirë në tregun e opinionit të masës dhe se një grua e mençun nuk kundërshton, nuk e braktis vendin që i përket.

Gra si Artemisa, që detyrohet të organizojë dasmën në kohë rekord, me ngut dhe ankth sepse pret një bebe e familja nuk ia don barkun te goja në pragun e një shtëpie që s’asht ajo e të shoqit.

Gra si Pranvera që zgjohet e para e flen e fundit, që përgatit njëherazi mëngjesin e drekën nën dritën e vakët të kuzhinës, duke tregu kujdes maksimal që të tjerëve mos t’u cënohet gjumi, që punon mekanikisht 8 orë në një fabrikë këpucësh në anën e kundërt të qytetit, që kur kthehet e raskapitun e me rrathët e syve të ramë, duhet t’ia fillojnë nga e para avazit të pafalshëm shtëpijak. Darka, pjatat në lavaman, detyrat e fëmijëve, rrobat e pahekurosuna në raft, mendimi se ça do gatuajnë të nesërmen, pa prit asnjë shenjë ndihme nga askush përveç duarve të saj.

Gra si Linda, e cila punon sa dyfishi i të vëllait në biznesin e familjes, por paguhet sa gjysma e tij, sepse djali, në ngushtësinë e mendimit patriarkal, asht shtylla e shtëpisë, trashëgimtari qëndror, andaj meriton ma shumë.

Gra si Inesi që dirigjon një organizatë të njohur, udhëton shumë, jeton vetëm, fiton mjaftueshëm para sa të mos ketë nevojën e askujt, por që për tagrin publik karriera e saj asht fitu në këmbim të trupit të saj.

Gra si Luçiana, e cila prej 25 vitesh jeton me dy prindërit e bashkëshortit dhe nën ligjivënien e plotë të tynen përjashtohet nga vendimet familjare. Që nga emrat e fëmijëve e deri te blerjet ushqimore, Luçiana nuk ka zà me nxjerr.

Gra si Denisa, e cila pas lindjes së katër vajzave tenton kërkimin dëshpërues të djalit në një shtatzani të pestë dhe aborton me dashje sapo ekografia nuk ua përmbush pritshmëritë.

Gra si Jonida, dikur balerinë e një talenti premtues, e sot gruaja e një burri fanatik, xheloz e prepotent që e detyroi të hiqte dorë nga baleti, të vishte fundin nga gjuri e poshtë e të izolohej nga gjithkush në kullën e “artë” të vetmisë.

Gra si Ela, që nuk mundi të triumfonte karrierën si peshëngritëse, sepse i ati nuk donte vajzë me profesion burrash.

Gra si Gonxhja, e cila mbasi ka pastru gjithë ditën stallën e lopëve, e këput gjumi duke parë telenovelën e preferume, të vetmen aventurë të lejueshme nga realiteti.

Gra si Kristina, e cila ka 3 javë që nuk takon prindërit, me urdhën të të shoqit, mbas një debati të cekët të këtij të fundit me burrin e motrës së saj.

Gra si Fatimja, e deklarume e vdekun nga familjarët, pse u dashurua me një djalë të një feje tjetër.

Gra si Emanuela, që një pallat i tanë mezi pret ta fejojnë pas “turpit” të dështimit të fejesës së parë.

Gra si Nora, me shkollë, me profesion, me rrogë të mirë, me një burrë të pashëm që shihet me keqardhje dhe dyshim, kur pyetjes se kur do bahet nanë, i përgjigjet: Jemi mirë kështu siç jemi!

Gra si Drita, e urtë, e butë, e sjellshme, punëtore, shembullore, por “fatkeqësisht” e pabukur, e si e tillë e mëshirume kolektivisht.

Gra të palumtuna, të papërmbushuna, të paragjykume e të dhunume egërsisht. Gra me emën, po pa identitet.

Gra pamjaftueshmërisht të bukura, të mira, punëtore, nikoqire, pjellore… pamjaftueshmërisht të qeshuna, të dashtuna, të binduna… pamjaftueshmërisht bashkëshorte, nana, bija, nuse.

Gra të keqpagume, të keqtrajtume, të keqkuptume.

Për to, për nanën teme, për vedin… shkruej, luftoj, protestoj, qëndroj.
Festa mund të presin. Rruga drejt saj nuk shtrohet me lule!

Misteri i piramidave të Egjiptit

piramida-300x200Prej shekujsh njerëzimi ka admiruar një nga kryeveprat e lashtësisë: piramidat e Egjiptit. Por ashtu siç ndodh shpesh ajo që ne e marrim për të vërtetë historike shpesh fsheh pas saj një sekret befasues. Të tilla janë idetë që do të paraqiten këtu dhe që ju natyrisht nuk keni mundur ti mësoni nga librat tuaj të historisë. Tani do të futemi në fushën e specialistëve të arkeologjisë botërore.
Cilido nxënës normal i shkollës së mesme duhet ta dijë se piramidat e Egjiptit u ndërtuar 4.500 deri në 2.000 vjet para erës sonë nga faraonët, mbretërit e lashtë egjiptianë. Por studimet më të fundit i kanë vënë arkeologët përpara disa enigmave të mëdha.
A kanë qenë vërtet egjiptianët ndërtuesit e piramidave të Egjiptit ?
Le ta fillojmë me përshkrimin e tri prej piramidave më të famshme : është fjala për tri piramidat e rrafshit të Gizës. Njëra prej tyre, piramida e Keopsit, është piramida më e madhe në botë dhe deri në shekullin e 20-të ajo ka qenë ndërtesa më e lartë në botë. Arkeologët dhe egjiptologët janë të gjithë dakort në një pikë: piramida e Keopsit është vepra më e arritur nga të gjitha piramidat e tjera. Menjëherë pas saj vijnë dy piramidat e tjera të ndërtuara shumë pranë saj, por me përmasa më të vogla.
Mirëpo studimi i piramidës së Keopsit nxjerr në pah disa cilësi të habitshme të saj.
Së pari, kjo piramidë është vendosur saktësisht në qendrën e rëndesës së kontinenteve. Për më tepër nëse heqim dy vija pingule veri-jug dhe lindje-perëndim, këto vija i ndajnë kontinentet në katër pjesë plotësisht të barabarta për nga sipërfaqja. A janë këto thjesht rastësi ? Si është e mundur që egjiptianët ta kenë ndërtuar piramidën pikërisht në një vend të tillë ?

Le të kthehemi te versioni zyrtar. Sipas historianëve dhe librave të historisë, piramida e Keopsit u ndërtua rreth viteve 2.580 para erës sonë dhe ndërtimi i saj zgjati 20 vjet. Për realizimin e saj janë përdorur 2 milionë e 300.000 mijë gurë disa prej të cilëve arrijnë peshën deri në 9 tonë. Pesha totale e gurëve të përdorur është 6.5 milionë tonë.
Dy arkeologë të njohur Xhon Uest dhe Robert Shosh ngritën për herë të parë një hipotezë që tronditi gjithë historinë e Egjiptit të lashtë. Ata kishin arritur në përfundimin se piramidat e Gizës, pra ajo e Keposit dhe dy të tjerat nuk ishin ndërtuar nga Keopsi dhe pasardhësit e tij, por kishi egzistuar që përpara ardhjes së tyre në pushtet. Dy arkeologët besonin se piramidat në të vërtetë ishin ndërtuar diku rreth 12.000 vjet para erës sonë, në njëkohë kur asnjë qytetërim nuk egzistonte në botë. Në fakt të dhënat historikë për ndërtimin e piramidave të Gizës janë të pakta. Për herë të parë ato i përmend historiani i vjetër grek Herodoti. Ai thotë se piramida e madhe e Keopsit u ndërtua prej vetë faraonit për të shërbyer si varr pas vdekjes së tij. Për këtë u deshën 20 vjet punë dhe 100.000 njerëz. Mirëpo këto të dhëna nuk janë shumë të besueshme. Që në kohën e tij Herodoti quhej nga bashkëkohasit si “babai i gënjeshtrave”. Duhet theksuar gjithashtu se Herodoti ishte shkolluar në Shkollën Egjiptiane të Mistereve ku ishte betuar të mos tregonte asgjë për të fshehtat e monumenteve të vjetra. Me sa duket në vend të historisë së vërtetë ai ka paraqitur thjesht një version popullor të viteve të tij.
Sidoqoftë versionin e Herodotit e kundërshtojnë një numër i madh burimesh egjiptiane, çifute, greke, romake dhe arabe, sipas të cilave piramida e Keopsit nuk ishte ndërtuar gjatë jetës së vetë faraonit, por mijëra vjet përpara tij. Këto burime flasin për një epokë misterioze që quhet prej tyre “epoka e perëndive.
Një nga provat që paraqitën historianët për të kundërshtuar këto argumente revolucionare ishin edhe mbishkrimet e gjetura në dhomën e mbretit. Është fjala për mbishkrime midis të cilave gjendet edhe emri i faraonit Keops. Mirëpo analizat e mëtejshme vërtetuan se këto mbishkrime ishin bërë nga arkeologu Riçard Hauard-Uajz në 1837 dhe nuk ishin mbishrkime origjinale egjiptiane.
Pra duket qartë se diçka e fshehtë fshihet pas mureve të piramidës.
Shumë kohë më pas arkeologët zbuluan një dokument me vlerë të jashtëzkonshme që e ndezi edhe njeherë misterin e moshës së piramidës. Në lindje të piramidës së madhe të Keopsit, arkeologët zbuluan testamentin e faraonit legjendar Keops. Deshifrimi i testamentit i la arkeologët pa frymë: vetë Keopsi shkruante se ai nuk e kishte ndërtuar piramidën, por vetëm e kishte restauruar në disa vende. Keopsi flet edhe për disa zbulime të bëra ndërkohë që pastronte rërën prej piramidës së tij dhe Sfinksit. Ai shkon akoma më larg kur e quan piramidën “shtëpia e perëndeshës Isis”.
Ja një pjesë nga testamenti i faraonit:
“Unë sakrifikova për Isisin një qingj dhe pastaj rindërtova tempullin e saj prej guri. Më pas, vizitova Sfinksin madhështor. Kur isha pranë Sfinsksit një rrufe e fuqishme goditi pemën e sikamorit dhe Sfinksin. Unë e riparova Sfinksin menjëherë.”
piramidat 2Dhe vërtet në vitin 1930 arkeologu veteran egjiptian Selim Hasan duke pastruar rërën nga Sfinksi kishte gjetur shenjat e goditjes së një rrufeje dhe gjitahstu edhe shenjat e një riparimi të bërë në kohën e Keopsit.
Në testamentin e tij Keopsi flet edhe sesi kishte ndërtuar tri piramida të vogla për vete, gruan dhe vajzat e tij. Këto piramida egzistojnë ende dhe gjenden në lindje të piramidës së madhe. Deri tani arkeologët kanë vërtetuar se njëra prej piramidave të vogla ishte përdorur vërtet si varr i njërës prej grave të faraonit.
Historia zyrtare gjendet tani përpara vështirësive serioze. Nëse Keopsi është autori i piramidës, përse ai nuk e përdori vetë atë ? Arkeologët mendonin se tri piramidat e mëdha të Gizës ishin ndërtuar prej faraonëve për të shërbyer si varre për ata vetë. Mirëpo, përse asnjëri prej tyre nuk i kishte përdorur piramidat si strehën e tyre të fundit. Përse Keopsi thotë në testament se ai vetëm e ka restauruar piramidën dhe nuk është ndërtuesi i saj ? Nëse piramidën e madhe nuk e ka ndërtuar Keopsi, atëherë kush kishte mundur ta ndërtonte atë ?

Ashtu siç thoshte edhe Albert Ajnshtajni “përfytyrimi është shumë më i rëndësishëm sesa dituria”. Pikërisht tani arkeologët gjendeshin përpara një misteri të madh. Kush mund të ishte në të vërtetë ndërtuesi i piramidës së madhe ? Me dhjetëra hipoteza nga më fantastiket vërshuan mjediset akademike.
Në fakt sipas vetë burimeve egjiptiane piramida e madhe kurrë nuk konsiderohet si pronë e një faraoni të caktuar, por si një kryevepër e ndërtuar prej perëndive të vjetra. Krnistët e lashtë, Roman Marcelinus, Al Masudi dhe Ibn Alhokimi që kishin përmbledhur legjendat e lashtësisë, dëshmonin se piramida ishte ndërtuar për të ruajtur diturinë e një qytetërimi të mrekullueshëm nga përmbytjet e lumit Nil. Dhe me sa duket ishin pikërisht këto përmbytje që e shkatëruan këtë qytetërim. Këta kronistë e vendosin origjinën e piramidës së madhe të Keopsit diku rreth 10.000 vjet para erës sonë. Çuditërisht kjo datë përputhet pak a shumë me kohën kur sipas Platonit ishte shkatërruar kontinenti misterioz i Atlantidës. Dhe është pikërisht koha kur planeti Tokë u godit nga një varg ndryshimesh dramatike klimatike si pasojë e përfundimit të epokës së akullnajave dhe shkrirjes së tyre. Gjeologët e mbarë botës kanë vërtetuar se shkrirja e akullnajave u shoqërua me përmbytje me përmasa gjigande që kishin shkatërruar pjesë të tëra të planetit duke zhdukur plot zona të banuara dhe duke bërë kërdinë në florën dhe në faunën e tokës. Ndoshta njëra prej këtyre përmbytjeve ka qenë edhe ajo për të cilën flitet në Bibël dhe në Kuran. Ndoshta një përmbytje e tillë ksihte shkatërruar edhe qytetërimin misterioz që mund të kishte ndërtuar piramidën e madhe.

Gjeologët vërtetuan se gjatë kohës së përmbytjeve të mëdha deti Mesdhe ishte fryrë nga akujt e shkrirë duke ndikuar edhe që lumi Nil të përmbyste pothuajse krejt Egjiptin duke arritur një masë rreth 1.000 herë më të madhe sesa ajo e zakonshmja. Kjo kishte ndodhur afërsisht 10.000 vjet më parë. Për më tepër gjeologët gjetën një shtresë 10 metërshe llumi në bazën e piramidës dhe jo vetëm kaq. Bashkë me llumin ata zbuluan edhe shumë fosile të guackave të detit që datonin afërsisht 10.000 vjet. Dukej qartë se në një kohë të caktuar uji i detit kishte arritur deri tek piramida e madhe. Madje, edhe brenda piramidës së madhe, gjeologët zbuluan një shtresë të trashë kripe detare.
Por nëse përmbytja e madhe ka ndodhur 10.000 vjet para erës sonë, atëhere në mënyrë logjike mund të mendohet se piramida e Keopsit ishte ndërtuar shumë kohë përpara saj.
Megjithë faktet e shumta, një pjesë e egjiptologëve e kanë të vështirë të heqin dorë nga ideja e tyre se Keopsi ishte ndërtuesi i piramidës së madhe. Mirëpo fakte të reja mbështetën më shumë se kurrë hipotezën se dikush tjetër e kishte ndërtuar piramidën e madhe mijëra vjet para se Keopsi të mbretëronte Egjiptin.

Në vitin 1983 prehistoriani Robert Uenke nga Universiteti i Uashingtonit mori leje nga qeveria egjiptiane për të analizuar mbetjet e gjallesave që ishin gjetur në brendësi të piramidës.
“Fillimisht analizat treguan data nga më të ndryshmet, mirëpo pas një studimi më të thellë doli që mosha e fosileve të gjetura në bazën e piramidës, kryesisht insekte, i afrohej viteve 3.100 para erëë sonë. Deri këtu gjithçka përputhej. Mirëpo një zbulim i dytë do ti trondiste studiuesit. Fosilet e pjesës së sipërme të piramidës ishin rreth 1.000 vjet më të vjetra se fosilet e pjesës së poshtme. Kjo ishte e pabesueshme. Sipas analizave dukej sikur piramida e madhe ishte ndërtuar së prapthi, pra nga koka drejt sipërfaqes së tokës, gjë që natyrisht për ne nuk ka kuptim.”

Fakti që fosilet e gjetura ishin përafërsisht të kohës së Keopsit, në fund të fundit mund të dëshmonin vetëm ato që ai kishte shkruar edhe vetë në testamentin e tij: që riparimet ishin bërë pikërisht në atë kohë. Mirëpo fosilet nuk mund të argumentonin se piramida ishte ndërtuar vërtet në kohën e Keopsit.
Për të vërtetuar hipotezën se piramida e madhe nuk ishte ndërtuar nga Keopsi, arkeologët përdorën edhe një lloj tjetër argumenti. Ishte e qartë se piramida e quajtur e Keopsit dhe dy piramidat e tjera pranë saj ishin më të përsosurat nga të gjitha piramidat e tjera egjiptiane. Midis tyre kishte një ndryshim të mahnitshëm. Hipoteza ishte e thjeshtë. Nëse piramida e madhe e Keopsit ishte ndërtuar në të vërtetë para 10.000 vjetësh, atëherë ajo kishte shërbyer si model për të gjitha piramidat e tjera egjiptiane. Me fjalë të tjera faraonët e lashtë thjesht kishin imituar piramidën e madhe duke dashur ti afrohen madhështisë së saj. Kështu arkeologët iu vunë krahasimit të piramidave.

Fakti i parë që të bie në sy është se ndërtimi kronologjik i piramidave nuk është linear. Piramidat e Gizës ku bën pjesë edhe piramida e madhe e Keopsit, u ndërtuan sipas historianëve gjatë periudhës së Dinastisë së Katërt nga Keopsi dhe dy pasrdhësit e tij Kefreni dhe Menkari. Mirëpo kronologjia e piramidave nuk i bindet logjikës historike. Nëse Keopsi ishte vërtet ndërtuesi i piramidës së madhe, atëherë logjikisht pasardhësi i tij duhet të kishte ndërtuar një piramidë akoma më të madhe dhe më të bukur. Ky ishte nja zakon i mbretërve të lashtësisë. Asnjë mbret nuk do të ksihte pranuar të kishte një piramidë më të vogël se ajo e parardhësit të tij. Mirëpo në vend që të ishte më e madhe dhe më e bukur, piramida e dytë e Gizës, ajo e Kefrenit është më e vogël dhe më pak madhështore se ajo e Keopsit. Ndërkohë piramida e tretë e Gizës, ajo që i atribohet faraonit Menkar, ishte akoma më e vogël dhe më pak e sofistikuar. Në vend që të përparojë me kalimin e kohës, ndërtimi i piramidave ka rënë çuditërisht.
Duket qartë se ka një problem kronologjik me piramidat e Gizës. Por çfarë mund të thuhet nëse përdoret hipoteza e kundërt sipas së cilës Keopsi dhe faraonët e tjerë pas tij nuk i ndërtuan piramidat, por i gjetën të gatshme duke i pritur që prej mijëra vjetësh. Atëherë gjithçka bëhet e qartë. Keopsi, faraoni i parë i Dinastisë së Katërt mori për vete piramidën e madhe, Kefreni faraoni i dytë, piramidënmë të vogël, ndërsa për të tretin Menkarin mbetej vetëm piramida e tretë, ajo më e vogla. Të njëjtën gjë vërteton edhe linja e piramidave të tjera. Siç thamë më lart, piramidat e tjera më të vjetra ose më të reja janë shmë larg madhështisë së tri piramidave të Gizës. Nëqoftëse piramidat e tjera nga Dinastia e Tretë deri në Dinastinë e Trembëdhjetë janë ndërtuar të gjithë nga faraonët, atëherë logjikisht cilësia e tyre duhet të ishte në rritje të vazhdueshme. Mirëpo ajo që ne shohim është se piramidat e para janë shumë poshtë piramidave të Gizës. Pastaj vijnë piramidat e Gizës me madhështinë e tyre dhe më pas piramidat e tjera të cilat njësoj si piramidat e para janë të një cilësie shumë më të dobët. Duket sikur egjiptianët kanë krijuar një teknologji të pabesueshme për ndërtimin e piramidave vetëm gjatë kohës së Dinastisë së Katërt, pra kohës së Keopsit, dhe më pas ata harruan menjëhere sesi ndërtohen piramidat. Kjo natyrisht duket e pakuptimtë. Mirëpo gjithçka merr kuptim nëse pranojmë se piramidat e mëdha të Gizës ishin ndërtuar shumë kohë përpara të tjerave dhe jo gjatë Dinastisë së Katërt. Rrjedhimisht piramidat e Gizës kishin shërbyer si model për faraonët egjiptianë të cilët ishin përpjekur të imitonin piramidën e madhe, por pa mundur kurrë të arrinin madhështinë e saj.
Një fakt tjetër interesant është ai se ndërsa faraonët e tjerë janë varrosur në piramidat që kanë ndërtuar vetë, as Keopsi dhe as dy pasardhësit e tij nuk janë varrosur në piramidat që mbajnë emrat e tyre. Është e qartë se Keopsi nuk e konsideronte piramidën e madhe si varr të ardhshëm për veten e tij. Sikurse tregon edhe ai vetë në testament, piramida e madhe nuk ishte varri i tij, por shtëpia e perëndeshës Isis.
Edhe një hollësi tjetër e rëndësishme. Dhoma e sipërme e mbretit në piramidën e madhe të Keopsit është zbuluar shumë vonë. Me sa duket as vetë faraonët egjiptianë nuk ishin në dijeni të saj. Këtë e shpjegon fakti se në asnjë nga piramidat e tjera, përveç atyre të Gizës, nuk kishte dhoma të sipërme sekrete. Gjitahstu vetëm piramida e madhe ishte e drejtuar saktësisht nga veriu, kusht që asnjë piramidë tjetër nuk e përmbushte në nivel të kënaqshëm. Dhe jo vetëm, piramida e madhe ishtë ndërtuar mbi bazën e një dizajni të panjohur për faraonët e tjerë më të rinj ose më të vjetër egjiptianë. E njëjta gjë vlen për madhësinë e gurëve të përdorur dhe për teknikën e habitshme të lidhjes mes tyre.
Dhe së fundi, ajo që është më e çuditshmja, ndryshe nga të gjitha piramidat e tjera, piramidat e Gizës nuk kanë asnjë vizatim fetar apo artistik në dhomat e tyre të sipërme. Ndërkohë dihet që të gjitha piramidat e tjera ishin të mbushura me vizatime karakteristike fetare dhe simbolike.
Të gjitha karakteristikat e përmendura e bëjnë piramidën e madhe të Gizës të dallohet nga piramidat e tjera. Shumë arkeologë mendojnë aktualisht se ajo nuk ishte vepër e Keopsit, por e dikujt tjetër. Në fakt, ajo piramidë gjendej në truallin Egjiptian mijëra vjet përpara mbretërimit të Keopsit.
Por kush mund të kishte ndërtuar një piramidë të tillë ?
Një qytetërim i lashtë njerëzor që kishte arritur në një shkallë jashtëzakonisht të lartë teknologjie dhe njohjeje të botës dhe hapësirës. Apo ndoshta jashtëtokësorët ?
Si shumë enigma të tjera edhe ajo e piramidës së madhe të Keopsit ka mbetur ende sot e kësaj dite e pazgjidhur. Askush nuk është i gatshëm për të dhënë përgjigjen përfundimtare.

Protestë palestinezësh në Ramallah

Një protestë palestinezësh në Ramallah, 31 gusht 2018. (Mohamad Torokman, Reuters/Contrasto)
Një protestë palestinezësh në Ramallah, 31 gusht 2018. (Mohamad Torokman, Reuters/Contrasto)