Drejtësia e frikësuar dhe Policia e tallur nga politika

Në mars të vitit 2016, ish-ministri i Punëve të Brendshme i dërgonte një letër presidentit të asaj kohe. Saimir Tahiri kërkonte nga Bujar Nishani që nën petkun e personit me pushtet në KLD të merrte masa për gjyqtarët, që tradhtonin punën e policisë së shtetit. Rastet e përmendura në shkresë kishin të bënin me përsëritës të veprave penale, që gjyqtarët i lironin sërish për t’u kthyer në kërcënim jo vetëm për komunitetin, por edhe për efektivët që kishin marrë pjesë në hetimin dhe arrestimin e tyre.

Sot, repartet e specializuara pranë Ministrisë së Brendshme kanë kryer një operacion që ka vënë në pranga 11 të dyshuar. Veprat penale të tyre pritet të provohen nga gjykatat shqiptare.

Takimet e opozitës në rrethe kanë ushtruar një farë presioni mbi policinë e shtetit. Zhvendosja e grupeve parlamentare në qarqet me problematikën më të lartë, ka rezultuar disi e suksesshme, sepse partitë politike nuk mund të kryejnë arrestime, por ama përqendrojnë vëmendjen në X qark.

Nga Lulzim Basha, dhe aq më pak nga LSI, nuk pritej që të denoncoheshin me emra kriminelët. Një guxim i tillë do t’i jepte opozitës një fitore morale, por jo politike. Sepse në Shqipëri, secili ka bandat e tij dhe këtë tashmë e dijnë edhe qorrët e shurdhët. Është e kotë që pas 27 vitesh t’u mbushësh shqiptarëve mendjen se ‘unë nuk jam si ai’. Ky është një debat i mbyllur.

Ajo që u duhet bërë e qartë qytetarëve është pozicioni i policisë përballë krimit. Saimir Tahiri me të gjitha gjynahet e tij (të paprovuara) realizoi operacionin historik mbi Lazaratin. Sot, policia e Xhafajt ka hedhur rrjetën për të kapur të shpërndarët nga Lazarati, nëpër zona të tjera.

Që të kthehemi të shkresa e Tahirit për Nishanin. Ka një mungesë besimi mes qytetarëve, policisë dhe gjyqësorit. Pra, qytetari nuk ka besim te policia që të denoncojë një krim, policia zhgënjehet nga Gjykata që liron të ndaluarin dhe rezultati është që dëshmitari mbyllet brenda në shtëpi, polici transferohet, krimineli blen ‘Hummer’ që t’i xhirojë më fort gomat e makinës.

Akuzat e opozitës javës që lamë pas u përqendruan mbi Arta Markun. Një vështrim i thjeshtë mbi ligjin tregon se Kryeprokurorja e Përkohshme po vepron si e përhershme me transferime dhe penalizime. Por në fakt jemi para një turpi të madh, ku prokurorët refuzojnë të hetojnë ‘Shullazin’. Ky nuk është rasti i parë që dorëheqjet pasojnë njëra tjetrën vetëm për të mos u përballur me krimin. Pavarësisht vullnetit të ndërkombëtarëve dhe Policisë së Shtetit, Shqipëria është ende kjo…

Prokurori apo gjyqtari që nuk ka guxim, mund të lërë dorëheqjen mbi tryezë dhe çelësin te roja. Në të kundërt, kush nuk e ka kuptuar reformën në drejtësi së bashku me privilegjet që u jep, t’ua hedhin çelësat në det autorëve të krimeve. Dhe opozita si e paepur në luftën kundër krimit, t’u bëjë apel së pari 10 prokurorëve të Shullazit, që ta pranojnë me guxim përfaqësimin e shtetit në sallën e gjyqit.

Ose sëpaku të mos drejtojë gishtin mbi policinë, që në mëngjes i mbron si ‘viktima’ të Vettingut dhe në darkë i anatemon si njësh me krimin. Kjo është një tallje e pamerituar!

Skandali i Hotel “Plaza”, filmon klientët në çdo mjedis

Hotel “Plaza”, që ti hipën për kafe e gjumë në qiell, mund të të “fusë edhe nën dhè”, duke ta bërë “CV” vetëmë me një vizitë brenda këtij hoteli. Këtë “paudhësi” të bosëve të këtij hoteli, e ka zbuluar qysh në muajin prill 2018, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Paçka, se qysh prej nisjes së aktivitetit, hotel “Plaza-Tirana”, konsiderohet si qendër e qetë dhe e sigurtë, pa “sy e pa vesh”, ku mund të bësh takime e relaks intim, pazare të politikanëve, shtetarëve, biznesmenëve e kriminalëve “VIP” dhe si rezidencë luksi, për diplomatët e huaj, raporti hetimor, i firmosur nga Krye-komisioneri të dhënave personale, Besnik Dervishi, vërteton se Hotel “Plaza” në qendër të Tiranës, qenka kthyer në qëndër përgjimi, tamam si hotel “Dajti” në kohën e Sigrumit të Shtetit, duke filmuar e incizuar klientët edhe në “WC”.
Ja çfarë thotë raporti sekret, i hetimit zyrtar, që ka kryer Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale:

Në zbatim të Urdhrit Nr. 108, datë 23 .03.2018, u krye hetim administrativ, pranë subjektit Hotel “Plaza Tirana sh.a”, pas një serie dyshimesh dhe denoncimesh, të bëra nga klientë, kontarktor e punonjës të këtij hoteli, lidhur me cënimin e intimitetit të të tyre, duke i filmuar e regjistruar, gjatë kohë së punës, gjatë bisedave konfidenciale ose frekuentimit të mjediseve, të këtij hoteli.

Sipas proces-verbalit të datës 11.04. 20-18, për faktet e dala, nga hetimi i kryer në hotel “Plaza Tirana sh.a”, rezulton se ky biznes, me frekuenim të personave e grupeve klientë “VIP”, ka instaluar sistem video-survejimi, të tipit “CCTV”, me kamera të thjeshta dhe cilësore “4K”, me rreze 360 gardë, të cilat vrojtojnë çdo skutë të mjedisit, brenda e deri në 300 metër distancë, jashtë hotelit.

Po çfarë ndodh në këtë hotel? Çfarë bëhet me këto survejime audio-video dhe me të tjera “punë” sigurimsash?

Sipas raportit të plotë zyrtar, që disponon “PAMFLETI”, vendimin e të cilit po e publikojmë sot, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pas një hetimi të posaçëm, ka zbuluar skandalin e rëndë, të përgjimeve të paligjshme e ilegale, që bënë “dega e punëve të brendshme” e këtij hoteli, me pronarë “Naçët” e grekëve dhe shërbestarët e berishëve, metëve e ramëve.

E si të mos mjaftonte përgjimi që bëhet në sauna, kafene, restorante, holle, kthina, salla konferencash, palestra, zyra, salla aerobie, dhoma gjumi, suita, parking e kudo, 12 “hafijet” e këtij hoteli, që paguhen vetëm si “staf shtëpie me gjethe”, për regjistrim, grumbullim, përpunim e bërje gati, të dhënash personale për këdo që futet, fle, bën qejf nate e dite, pi kafe, argëtohet, stërvitet e intimizohet në mjediset këtij hoteli.

Ja çfarë thotë raporti hetimor i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, fiormsour e vulosur nga kryetari Besnik Dervishi:

– Mbikëqyrja, nëpërmjet sistemit të video-survejimit (CCTV), e ambienteve si palestra force, palestra aerobi, korridoret dhe mjediseve tjera të pushimit e qëndrimit, brenda dhe jashtë hotelit, përbën shkelje.

– Kontrolluesi (survejuesi) Hotel “Plaza”, nëpërmjet këtij rrjeti survejimi, mbledh dhe përpunon të dhëna “imazhe-video”, të klientëve e punonjësve të tij.

– Stafi i hotel “Plaza”, kryen dhe mbledhjen e të dhënave sensitive (grup gjaku) dhe kjo përbën shkelje të rëndë.

Pas zbulimit të këtij skandali, Krye-komisioneri, Besnik Dervishi, ka urdhëruar pronarët e Hotel “Plaza Tirana sha.a”, të ndërpresin urgjent, veprimtarinë survejuese me filmime, video, fotografi e marrje grup gjaku, duke i lënë këtë ultimatum zyrtar:

Hotel “Plaza Tirana”, të shkatërrojë të dhënat personale “imazhe video”, të punonjësve e klientëve, të grumbulluara nëpërmjet sistemit të video-survejimit (CCTV).
Hotel “Plaza Tirana”, të shkatërroj, të dhënat “sensitive” (grup gjaku), që ka mbledhur për punonjësit dhe këdo tjetër.
Brenda 15 ditëve, këto detyrime, të jenë realizuar, në të kundërt, do të veprohet me gjobë, ose me denoncim publik.
SHENIM: Po cilët janë përgjuar? Si, ku dhe përse janë përdorur këto të dhëna? A është pjesë e këtyre survejimeve, ndonjë “lajm nga qytetari digjital”, apo nga “Nuk keni parë gjë akoma”?!

Në vijim, do publikojëm raportin e plotë dhe fakte tronditëse, nga qendra e përgjimeve në këtë hotel, që mund të quhet hotel “Dajti” i “rilindur”, prej treshes Rama, Berisha, Meta, menaxhuar, nga bosët e këtij hoteli edhe për interesa të tyre…
*Pamfleti

Bushati përgjigjet për akuzat: Janë gjuhë të përdala

Ministri i Jashtem Ditmir Bushati reagon ndaj akuzave të opozitës se ka lidhje me grupin kriminal të “Bajra” të shkatërruar pas një hetimi 6 mujor.

“Sot është një ditë e mirë për #Shkodrën falë vendosmërisë sonë në luftën me krimin. Gjuhët e përdala të atyre që krimin e duan për politikë dhe politikën e bëjnë për të kriminalizuar kundërshtarin, konfirmojnë suksesin e sotëm. #eGjithëVëmendjaShkodranëve”

Akuzoheshin për shpërdorim detyre, lirohen mjekët shkodranë

Gjykata e Shkodrës liron mjekët e spitalit të Shkodrës të arrestuar dy ditë më parë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Ndaj tyre u dhanë masa të lehta sigurie, jo arrest me burg.

Ndaj mjekut Luan Dragusha u dha masa e sigurisë “Liri pa kushte” ndërsa për të tjerët u dha liri kundrejt garancisë pasurore.

Me të deklaruar vendimin gjykata, erdhi dhe përqafimi me mjekun Dragusha, i cili la Amerikën për Shkodrën.

Ndërsa seanca e vlerësimit të masës së sigurisë u mbajt me dyer të mbyllura jashtë gjykatës ishin shumë infermierë dhe familjarë që mbështesin të arrestuarit.

Ish drejtori i spitalit, Përparim Cela, mjeku Luan Dragusha, infermieri Renato Kepi, farmacistja Karmen Kaçulini, ishin të parët që janë sjellë në gjykatë.

Arrestimi per ilacet

Dy ditë më parë shtatë persona u vune në pranga e dy të tjerë u shpallën në kërkim, mes tyre ish-drejtues, mjekë e infermierë të spitalit të Shkodrës, pasi akuzohen për abuzime me tenderat e barnave dhe mjekësore.

Pas një hetimi dy mujor të prokurorisë së Shkodrës, policia ka ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” dhe pezullim nga detyra për mjekët Përparim Çela, kirurg i njohur, Luan Dragusha, farmacistja Karmen Kaculini dhe infermeririn Renato Kepi.

Edi Smajli dhe Dhurata Uruçi janë shpallur në kërkim, ndërsa tre anëtare të Komisionit të marrjes në dorëzim Amanda Matlija, Juliana Zhuri dhe Albana Mehmetaj janë lënë në “arrest shtëpie”.

Prokuroria i akuzon ata se në fund të vitit 2016, në shpërdorim detyre, porositën 400 pako barnash për repartin e hemodinamikës, ndërsa bënë vetëm 3 operacione.

Por avokatët mbrojtës i thanë Ora News jashtë kameras se akuzat e prokurorisë nuk qëndrojnë. Sipas tyre, filtri i tenderave është Ministria e Shëndetësisë dhe këtë fakt pritet ta përdorin fort në gjykatë.

Haradinaj, prerë refuzoj te mar pjesë ku flitet për ndarjen e Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka theksuar se kërkimfalja nga ana e Serbisë duhet të jetë parakusht për të arritjen e marrëveshjes së pajtimit e cila do të rezultonte me njohjen e Kosovës, ndërsa thekson se në dialog në asnjë mënyrë nuk duhet të përfshihet mundësia e korrigjimit të kufijve.

Haradinaj thotë se ai nuk pranon të marrë pjesë në asnjë proces ku flitet për ndarje.

“Qëndrimin e kam të qartë: nuk lejoj, nuk pranoj, nuk e mbështes, nuk marr pjesë në një proces në të cilin preken kufijtë e vendit tim”, tha Haradinaj, në intervistë për RTV 21.

“Kosova nuk e ka luksin që t’i diskutojë dhe rihapë kufijtë e vet. Jemi njoftë nga më shumë se 100 shtete me këta kufij, jemi anëtarë të institucioneve ndërkombëtare me këta kufij. Hapja e çështjes së kufijve në cilindo variant, është rikthim në para pavarësi dhe është rrezik i madh që bart rreziqe të pamenaxhueshme”, shtoi ai.

Megjithatë, Haradinaj tha se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë dhe se duhet të arrihet pajtim mes Kosovës e Serbisë.

Ai ka dhënë idenë që dialogu me Serbinë ta ketë një bashkëkryesues nga opozita.

“Po e them për herë të parë, mund ta kemi një bashkëkryes nga opozita. Zoti Limaj është i hapur për një bashkëkryesues nga LDK, PSD ose VV”, tha Haradinaj.

Të “papërkulur” kundër mjekëve, të përulur para kriminelëve!

Mero Baze
Doktor Luan Dragusha, një mjek i pranuar si i aftë dhe i përkushtuar ndaj pacientëve dhe disa pjestarë të ekipit të tij në Shkodër, janë arrestuar dhe janë çuar në burg, pas një denoncimi rutinë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për furnzimim jashtë standardeve me unaza për stendat që përdoren në ndërhyrjet kardiokirurgjikale.

Nuk e njoh nga afër Dr. Dragushën, por nuk kam dëgjuar askënd të thotë që nuk është mjek i aftë dhe që mbi të gjitha ka lënë SHBA për t’u kthyer në Shqipëri dhe për shkuar për të shërbyer në Shkodër.

Hapja e një reparti të suksesëshëm në Shkodër për vendosjen e stendave, dhe grumbullimi atje i pacientëve nga Veriu i Shqipërisë, ka qenë një sukses i shëndetësisë së paku tre vitet e fundit. Mjeku i ka kursyer shtetit transportin drejt Tiranës të qindra pacientëve dhe me aftësinë e tij për një ndërhyrje më të specializuar, ka shkurtuar dhe kohën e qëndrimit të pacientëve në spital.

Ajo që i konsiderohet abuzim, është një çështje administrative dhe ka të bëjë me përjpjekjen për të pasur sa më shumë lëndë të parë rezervë në kushtet e një shëndetësie që shpesh ta lë operacionin përgjysëm dhe për një stendë.

Por nuk e mohoj që mund të jetë shkelje administrative apo e protokollit të furnizimit, pasi nuk dua të bëj ekspertin e dosjes për të parë, nëse ka kaluar kjo gjë në vepër penale të korrupsionit apo jo.

Në të gjitha rastet, prokuroria duhet të ketë një politikë penale, kur heton një dëm administrativ që vjen nga përpjekja për të pasur në funksion të sigurtë një klinikë të specializuar shtetërore si ajo e Doktor Dragushës. Në çdo rast nis hetimi penal, njoftohet i pandehuri dhe gjërat duhet të zhvillohen në seancë gjyqësore. Nuk kemi të bëjmë me një kriminel që ka vrarë dhe mund të ikë, por me një mjek që shpëton jetë njerëzish, dhe as ka ndërmend të ikë në arrati, se nga arratia vjen.

Në një qytet ku bandat kriminale janë sheshit, dhe prokurorët i marrin dy herë në ditë telefon t’u kërkojnë ndjesë se mos u kanë rënë më qafë, të bëhesh trim me një mjek e t’i hedhësh prangat duke mbyllur spitalin, do të thotë të mos jesh prokuror, por një burracak që mbush brekët nga kriminelët dhe bëhesh kriminel me një mjek që shpëton jetë njerëzish.

Dhe këtu nuk është fjala vetëm për Doktor Dragushën se nuk e njoh as për fytyrë, por për çdo zyrtar të administratës së shtetit, të cilit i hapet padi penale nga raportet rutinë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një institucion sovjetik që vazhdon të mbijetojë në një vend si Shqipëria.

Zyrtarët që vihen nën terrorin e kontrolleve të tilla, kryesisht për gjoba, mund të hetohen të gjithë lirshëm në gjendje të lirë dhe nuk ka pse rrasen në burgje bashkë me kriminelët, pa mbaruar procesi gjqyësor. Pasi siç ndodh rëndom pastaj dalin të pafajshëm dhe duhet t’u paguash dhe dëmet. Mbyllja drejt e në burg e një zyrtari pa u gjykuar është një masë ekstreme, dhe jashtë çdo logjike, në një vend ku kriminelët e drogës nxirren nga burgu se i ka marr malli për fëmijët, apo ku vrasësit terrorizojnë prokurorët dhe ata shkojnë rrihen me kryeprokuroren, se nuk duan të marrin dosjen e tij.

Ky standard, kur për një mjek profesionist përdoren prangat dhe për kriminelët aplikohet përulësia, është standardi i një shoqërie të dorëzuar para krimit dhe të trimëruar para nëpunësve dhe intelektualëve që dhe nëse shkelin ligjet nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë, por thjeshtë duhet të gjykohen.

Prangoset gjobëvënësi nëruksel, Shkodër e Tiranë

Safet Bajri (Rustemi), i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës është arrestuar pasditen e kësaj të premteje në Tiranë. 34-vjeçari u arrestua në një magazinë afër zonës së “Xhamllikut”.

Arrestimi i tij është bërë në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda, rreth 1 vit e gjysmë më parë.

Lajmi konfirmohet për nga burime të Prokurorisë dhe të Policisë.

Sëbashku me Bajrin, në polici është ndaluar edhe një tjetër person, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Ndërkohë mësohet se në kërkim janë shpallur edhe 3 persona të tjerë.

Godet Hajdarmataj, sekuestro pasurisë së Habiljave

Prokuroria për Krime të Rënda ka sekuestruar pasuritë e vëllezërve Habilaj, të cilat, në vlerë të deklaruar shkojnë në vlerën e mbi 1 milionë eurove. Sekuestroja është vendosur në kuadër të ligjit “Antimafia” dhe të gjitha këto pasuri janë të regjistruara në qytetin e Vlorës.

Urdhëri për sekuestrimin e pasurive të Habilajve është firmosur të enjten nga grupi i prokurorëve që drejtoheshin nga Besim Hajdarmataj, vetëm pak orë para se këtij të fundit t’i komunikohej urdhëri i transferimit për në Prokurorinë e Pogradecit.

Ora News ka siguruar në mënyrë ekskluzive kërkesën e prokurorëve, e cila ka marrë viston e gjykatës për të bllokuar apartamente, troje garazhde dhe automjete të vëllezërve Moisi, Artan dhe Florian Habilaj.

Në total bëhet fjalë për 8 apartamente, 5 ndërtesa, rreth 30 garazhde, 10 dyqane dhe 5 automjete. Në bazë të kontratave të blerjes së këtyre pasurive, shifra e shpenzuar nga Habilajt është mbi 1 miliardë lekë. Por, hetuesit dyshojnë se vlera e tyre është disa herë më e lartë, referuar çmimeve të tregut.

Gjithashtu, rezulton se pjesa më e madhe e pasurive janë blerë nga vëllezërit Habilaj gjatë periudhës 2016-2017. Gjatë kësaj periudhe ata kanë qenë nën hetim nga Prokuroria e Katanias, si të dyshuar për trafik narkotikësh nga Shqipëria drejt Italisë.

Në nëntor 2017, Prokuroria e Katanias lëshoi urdhër-arreste për anëtarë të grupit kriminal Habilaj. Por, pas hekurave aktualisht është vetëm Moisi Habilaj. Dy vëllezërit e tij, Artan dhe Florian Habilaj, të cilët gjendeshin në Shqipëri, nuk arritën të arrestoheshin.

Goditja e grupit ‘Habilaj” shkaktoi zhurmë të madhe në politikën dhe drejtësinë shqiptare. Drejtuesit e kësaj organizate janë kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit është nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuar si bashkëpunëtor i Habilajve.

Sekuestrimi i pasurive të vëllezërve Habilaj nga Prokuroria për Krime të Rënda vjen në një moment kur ky institucion është përfshirë në një debat të brendshëm shumë të fortë. Pas këtyre debateve, Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, urdhëroi transferimin, ndër të tjerë, edhe të prokurorit kryesor të çështjes “Tahiri-Habilaj”, Besim Hajdarmataj.

Opozita ka reaguar menjëherë pas këtij transferimi, duke akuzuar Arta Markun se goditi prokurorët që ishin pjesë e grupit hetimor të Tahirit. Nga dokumenti që ka siguruar Ora Neës rezulton se dokumenti i fundit që ka firmosur Besim Hajdarmataj si prokuror i Krimeve të Rënda është sekuestrimi i pasurive të Habilajve. Pas këtij momenti, ai është njohur me urdhërin për transferimin e tij drejt Prokurorisë së Pogradecit.

Toti: Kam dashur tek Roma Ronaldon dhe Ibrahimoviç

Kapiteni legjendar i Romës, Francesco Totti, ka rrëfyer se ka dashur që te Roma të luante me futbollistë të klasit botëror.

Sulmuesi italian ka treguar se në kohën kur luante futboll është munduar të bindte të transferonte dy futbollistë të mëdhenj në Romë.

Fillimisht ish-numri 10 i verdh-e-kuqve e kishte dashur brazilianin Ronaldo, e më pas edhe Zlatan Ibrahimoviçin. Por, këto dy dëshira të tij nuk ishin plotësuar asnjëherë, pasi Roma nuk kishte mundësi që t’i transferonte këta dy yje në ekip.

“E kam thënë gjithmonë se duhet të kesh kampionë në skuadër për të fituar. Unë shpresoja se Ronaldo, Ibrahimoviçi dhe të gjithë lojtarët më të mirë të botës do të vinin këtu”, ka deklaruar Totti.

“Jo vetëm lojtarët më të mirë në botë për fazën e sulmit, por edhe mbrojtësit dhe mesfushorët më të mirë, por, për fat të keq, ne kishim një limit, nuk kishim mundësi financiare të shpenzojmë para për këta kampionë”, ka theksuar ai.

Lvrov: Të zbatohet marrëveshja Kosovë-Serbi

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka thënë se Rusia e përshëndet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Begradit si dhe ka bërë thirrje që marrëveshjet që arrihen nga ky dialog të zbatohen.

“Është e nevojshme të respektohen parimet e rezolutës 1244. Ne e përshendesim dialogun e drejtëpërdrejt ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit por më e rëndësishme është që ajo që arrihet përmes dialogut të realizohet vërtetë”, ka thënë Lavrov, gjatë një vizite që po realizon të premten në Bosnje- Hercegovinë.

Ai ka theksuar të gjithë lojtarët e Jashtëm në Ballkan nuk duhet të krijojnë ndonjë situatë konflikti dhe se asnjëri nuk duhet të mendojë se vetëm ai ka të drejtë të merret me situatën në Ballkan dhe të tjerët jo.

Pas takimeve me autoritetet e Bosnje Hercegovinës, Lavrov ka thënë se Rusia mbështet integritetin dhe sovranitetin e Bosnje Hercegovinës.