Godet Hajdarmataj, sekuestro pasurisë së Habiljave

60
Prokuroria për Krime të Rënda ka sekuestruar pasuritë e vëllezërve Habilaj, të cilat, në vlerë të deklaruar shkojnë në vlerën e mbi 1 milionë eurove. Sekuestroja është vendosur në kuadër të ligjit “Antimafia” dhe të gjitha këto pasuri janë të regjistruara në qytetin e Vlorës.

Urdhëri për sekuestrimin e pasurive të Habilajve është firmosur të enjten nga grupi i prokurorëve që drejtoheshin nga Besim Hajdarmataj, vetëm pak orë para se këtij të fundit t’i komunikohej urdhëri i transferimit për në Prokurorinë e Pogradecit.

Ora News ka siguruar në mënyrë ekskluzive kërkesën e prokurorëve, e cila ka marrë viston e gjykatës për të bllokuar apartamente, troje garazhde dhe automjete të vëllezërve Moisi, Artan dhe Florian Habilaj.

Në total bëhet fjalë për 8 apartamente, 5 ndërtesa, rreth 30 garazhde, 10 dyqane dhe 5 automjete. Në bazë të kontratave të blerjes së këtyre pasurive, shifra e shpenzuar nga Habilajt është mbi 1 miliardë lekë. Por, hetuesit dyshojnë se vlera e tyre është disa herë më e lartë, referuar çmimeve të tregut.

Gjithashtu, rezulton se pjesa më e madhe e pasurive janë blerë nga vëllezërit Habilaj gjatë periudhës 2016-2017. Gjatë kësaj periudhe ata kanë qenë nën hetim nga Prokuroria e Katanias, si të dyshuar për trafik narkotikësh nga Shqipëria drejt Italisë.

Në nëntor 2017, Prokuroria e Katanias lëshoi urdhër-arreste për anëtarë të grupit kriminal Habilaj. Por, pas hekurave aktualisht është vetëm Moisi Habilaj. Dy vëllezërit e tij, Artan dhe Florian Habilaj, të cilët gjendeshin në Shqipëri, nuk arritën të arrestoheshin.

Goditja e grupit ‘Habilaj” shkaktoi zhurmë të madhe në politikën dhe drejtësinë shqiptare. Drejtuesit e kësaj organizate janë kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit është nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuar si bashkëpunëtor i Habilajve.

Sekuestrimi i pasurive të vëllezërve Habilaj nga Prokuroria për Krime të Rënda vjen në një moment kur ky institucion është përfshirë në një debat të brendshëm shumë të fortë. Pas këtyre debateve, Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, urdhëroi transferimin, ndër të tjerë, edhe të prokurorit kryesor të çështjes “Tahiri-Habilaj”, Besim Hajdarmataj.

Opozita ka reaguar menjëherë pas këtij transferimi, duke akuzuar Arta Markun se goditi prokurorët që ishin pjesë e grupit hetimor të Tahirit. Nga dokumenti që ka siguruar Ora Neës rezulton se dokumenti i fundit që ka firmosur Besim Hajdarmataj si prokuror i Krimeve të Rënda është sekuestrimi i pasurive të Habilajve. Pas këtij momenti, ai është njohur me urdhërin për transferimin e tij drejt Prokurorisë së Pogradecit.