Akuzoheshin për shpërdorim detyre, lirohen mjekët shkodranë

60

Gjykata e Shkodrës liron mjekët e spitalit të Shkodrës të arrestuar dy ditë më parë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Ndaj tyre u dhanë masa të lehta sigurie, jo arrest me burg.

Ndaj mjekut Luan Dragusha u dha masa e sigurisë “Liri pa kushte” ndërsa për të tjerët u dha liri kundrejt garancisë pasurore.

Me të deklaruar vendimin gjykata, erdhi dhe përqafimi me mjekun Dragusha, i cili la Amerikën për Shkodrën.

Ndërsa seanca e vlerësimit të masës së sigurisë u mbajt me dyer të mbyllura jashtë gjykatës ishin shumë infermierë dhe familjarë që mbështesin të arrestuarit.

Ish drejtori i spitalit, Përparim Cela, mjeku Luan Dragusha, infermieri Renato Kepi, farmacistja Karmen Kaçulini, ishin të parët që janë sjellë në gjykatë.

Arrestimi per ilacet

Dy ditë më parë shtatë persona u vune në pranga e dy të tjerë u shpallën në kërkim, mes tyre ish-drejtues, mjekë e infermierë të spitalit të Shkodrës, pasi akuzohen për abuzime me tenderat e barnave dhe mjekësore.

Pas një hetimi dy mujor të prokurorisë së Shkodrës, policia ka ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” dhe pezullim nga detyra për mjekët Përparim Çela, kirurg i njohur, Luan Dragusha, farmacistja Karmen Kaculini dhe infermeririn Renato Kepi.

Edi Smajli dhe Dhurata Uruçi janë shpallur në kërkim, ndërsa tre anëtare të Komisionit të marrjes në dorëzim Amanda Matlija, Juliana Zhuri dhe Albana Mehmetaj janë lënë në “arrest shtëpie”.

Prokuroria i akuzon ata se në fund të vitit 2016, në shpërdorim detyre, porositën 400 pako barnash për repartin e hemodinamikës, ndërsa bënë vetëm 3 operacione.

Por avokatët mbrojtës i thanë Ora News jashtë kameras se akuzat e prokurorisë nuk qëndrojnë. Sipas tyre, filtri i tenderave është Ministria e Shëndetësisë dhe këtë fakt pritet ta përdorin fort në gjykatë.