Rama: Pa drejtësi nuk ka paqe

Edi Rama në Top Channel.
Edi Rama në Top Channel.

I ftuar në emisionin ‘Top Story’ lideri socialist Rama ka deklaruar, se është shumë e rëndësishme të vihet në vend drejtësia, sepse pa drejtësi nuk ka paqe. Ai theksoi, se fillimisht duhet të heqim duart e ekzekutivit nga pushteti gjyqësor dhe se, nuk mund të ndërmerrte personalisht një kryqëzatë antikorrupsion, pasi kjo do të bëhej nga një sistem drejtësie i pavarur.

Zoti Rama, në vitin 1998 ju mbërritët në Tiranë për një çështje personale dhe pas pak kohe u futët në qeveri. 15 vjet pas nisjes së projektit që përfundoi me dy gola, atë që ju bën kryeministrin dhe tjetrës që i jep fund epokës së dominimit të politikës shqiptare nga zoti Berisha, ju si ndihen?

Të them të drejtën nuk e përjetoj si një triumf personal dhe jam shumë i sinqertë në këtë pikë. Vota e 23 qershorit ishte një votë e barabartë me një revolucion të heshtur me votë. Për mua nuk është një votë që ndryshon një qeveri nga një tjetër, por një votë për një ndryshim shumë më të madh dhe kjo paralelisht me gëzimin e natyrshëm rrit shumë edhe përgjegjësinë, rrit shumë edhe nevojën për të qenë të vetëdijshëm se shqiptarët nuk kanë luftuar për të na dhënë ne mundësinë të ulemi në karrige, por na kanë vënë në krye të punëve për të bërë për ta ndryshimin që besoj jua bëmë më të afërt duke i zgjuar një shpresë që dukej sikur nuk do të zgjohej më në kushtet e një rrënimi të përgjithshëm.

Në librin tuaj “Kurban”, duke bërë analizën e ndryshimeve kushtetuese, pranoni me tone autokritikë se për disa nga aty ndryshime, në vend që të vinim vetulla nxorëm sytë. Çfarë planifikoni të bëni për të riparuar atë dëm që është bërë për rivendosjen e balancës së pushtetit?
Kjo është një çështje e hapur dhe më lejoni që t’iu përgjigjem shumë thjesht: Ne i fituam zgjedhjet me një mandat shumë të fortë, për të ndërtuar një realitet të ri dhe natyrisht që jam i vetëdijshëm se zgjedhjet i fituam duke ndërtuar një koalicion që i dha mundësi njerëzve të ndihen të mbrojtur e shkuan në votime pa drojë, me bindjen që koalicioni ynë do të garantonte shprehjen e vullnetit të tyre siç rezultoi. Ky koalicion, i përbërë me shumë parti, por i vendosur mbi boshtin strategjik PS-LSI, do të vijë në pushtet me një reflektim për të shkuarën në shumë aspekte dhe gjëja që më takon të them është se të gjitha këto çështje do të konsultohen në mënyrë të ngushtë dhe intensive me partnerin tonë, e vendimmarrja do të jetë fryt i konsultimit. Pra, nëse deri dje kemi pasur një qeveri me një kryeministër që i anonçonte në TV vendimet, e të shumtën e herës vendime tërësisht arbitrare, kjo nuk do të ndodhë më. Vendimet që do të më takojnë të anonçoj do të jenë të konsultuara dhe edhe për këtë çështje do të konsultohemi, e vullneti i dyanshëm ekziston.

 

Tani që fillojnë bien emocionet, lodhjet dhe ekseset e fushatës, unë kam bindjen se deklarata juaj e fitores dhe deklarata e dorëheqjes së zotit Berisha ngelën dy momentet më brilante të kësaj fushate dhe kam bindjen që janë dy momente të cilat ne me krenari mund t’i vendosim në raftin e privilegjuar të demokracisë sonë. Por, ju keni deklaruar akti i parë do të jetë anulimi i planit rregullues të Tiranës, a do të rikonsiderohet kjo ashtu si ristrukturimi i administratës?

Të jeni të bindur që nuk ka paqe pa drejtësi. Me këtë dua të them që sigurisht që do të ndërtojmë një sistem ku nesër, cilido qoftë në pushtet e ne të parët, të mos jetë në gjendje të shpërdorojë liritë dhe të drejtat e njeriut, duke shpërdoruar detyrën shtetërore për të marrë njerëzit e kthyer në kope mitingjesh elektorale. Nga ana tjetër, në qoftë se do të ketë një shembull që “shiko kur gjërat mbarojnë nuk të mbron kush”, të mbron vetëm zgjedhja jote ndaj ligjit. Nëse kjo nuk bëhet, nesër, ata tanët do të bëjnë të njëjtën gjë. Fakti që nëse abuzon me idenë që e je i mbrojtur, siç kanë abuzuar një sërë drejtuesish të Policisë së Shtetit, që janë përgjegjës për situatën që doli jashtë kontrollit me pasojë vdekjen e njerëzve në Laç, atëherë historia përsëritet shumë thjesht. Kështu që ne, pa asnjë dyshim dhe e përsëris, e për këtë jam i bindur, do të bëjmë çmos të japim në radhë të parë njerëzve lirinë për të marrë frymë pavarësisht në janë me ne apo kundër nesh, kudo qofshin, mësues, nëpunës, mjekë, biznesmenë, etj. Nga ana tjetër, kjo s’mund të bëhet me fjalime, por duhet shoqëruar me akte dhe absolutisht konkrete e nuk mund të harrohen ata që i thanë njerëzit o në zyrën elektorale të PD, o në rrugë. Kjo nuk mund të harrohet pasi ky sistem po ndërtohet mbi bazën e kësaj fryme. Mund të kesh një detyrë partiake, por kur ke një detyrë shtetërore të paguan shteti dhe kur merr këtë detyrë e në të mund të bësh ligjin, bindjet politike nuk mund të tolerohen. Sa i takon Bashkisë së Tiranës, jam absolutisht i bindur që eksperienca ime, e atij rrethimi të Bashkisë nga gjithë ajo hordhi pushteti e abuzimi për të penguar punën, do të më ndihmoj që ky pushtet të mos përsërisë ato gabime për të mirë e qytetarëve dhe marrëdhëniet me bashkinë do të jenë të një raporti në respekt të qytetarëve dhe jo i diktuar nga marrëdhënia politike e personale me njerëzit që janë në krye të pushtetit vendor.

Nuk mund të mos bie dakord me idenë tuaj që gjithçka duhet të formësohet nga ligji, e kjo duhet të çojë sjelljen e njerëzve drejt një bashkëvlerë, por këtu ka një problem që nuk është hera e parë që ndërrohen pushtetet dhe ne kemi parë që largimi nga pushteti, nuk ka sjellë dënimin e korrupsionin të pushteteve të mëparshme, edhe për faktin që ajo qeveri që ka dashur të veprojë në këtë mënyrë, është akuzuar se ka dashur të hakmerret ndaj një kundërshtari paraardhës. Ne s’kemi një pushtet të pavarur gjyqësor, ndaj si kapërcehet ky handikap?
Ka dy aspekte, etik dhe penal. Në atë etik, qeveria nuk ka alibi. Nëse drejtori i shkollës nxjerr në rrugë fëmijët në miting ndaj opozitës, këtu jemi në shpërdorim detyre nga ana etike dhe ligjore. Pjesën etike e ka përsipër qeveria, sepse një ministër arsimi dhe një kryeministër që nëse nuk duan që kjo histori të përsëritet, duhet që ata që e kanë shkruar këtë histori si drejtues, s’mund të drejtojnë më. S’mund të drejtojnë më shkolla njerëzit që kanë mbyllur shkollën për të çuar fëmijët në miting dhe ndërkohë, ata që do t’i zëvendësojnë do të marrin mesazhin që vërtet unë mund të shërbejë symbyllurazi, por këta protektorët e mi një ditë s’do të jenë më. Nuk do të ketë më në Shqipëri një kryeministër që do të bëjë të gjithë detyrat, edhe historianin, edhe gjykatësin, edhe trajnerin e kombëtares, të cilin do at kishte bërë po të dinte diçka nga sporti, kryeministër që jepte dënime publike, gjëra që krijuan një gjendje asfiksie duke rrënuar besueshmërinë e institucioneve, duke hapur rrugën e një flirti gjithmonë e më mëkatues midis pushtetit ekzekutiv e atij gjyqësor, duke bërë favore të anasjellta. Pa pretenduar se drejtësia do të ndryshojë sakaq, fillimisht duhet të heqim krejtësisht duart e ekzekutivit nga pushteti gjyqësor. Ndëshkimi i korrupsionit të së shkuarës nuk më takon mua, sepse nuk mund të marr përsipër të bëj një kryqëzatë antikorrupsion, por këtë mund ta bëjë fare mirë një sistem drejtësie i pavarur.
Ka një farë situate agonie në administarë ç’është e vërteta, pasi nisur edhe nga deklarata e aleatëve se të gjithë të hequrit nga detyra do të kthehen, nisur nga këto që ju thatë në pjesën e parë, e duke pasur parasysh mosbesimin që ekziston, cili është mesazhi juaj?
Në tatime për shembull, ka njerëz që ka arsye të forta që tani duhet të ndihen jo mirë dhe të kërcënuar nga ndëshkimi sepse organet tatimore, me një trajtim arbitrar kanë bërë dëme të mëdha mbi kompanitë, e mbi njerëzit që në këtë vend kanë vendosur të merren me një sipërmarrje. Pse dhe si ka ndodhur që këta drejtues i kanë bërë këta dëme, ku e gjetën këtë forcë? Në mbështetjen politike dhe brenda një modeli abuziv që sidomos në vitin e fundit, nuk ka njohur asnjë cak. Ashtu si në rastin e shkollave, administratës, do të kërkojmë që të gjithë ata që kanë një dëshmi për këtë, për marrjen me pahir në fushatë, të dëshmojnë, ashtu siç do të jenë të mirëseardhura dëshmitë e kompanive. Nga ana tjetër, përsa i përket riformatimit të administratës, ne shumë shpejt do të startojmë një program që bazohet në ftesën për të gjithë njerëzit me kapacitet dhe gatishmëri për të shërbyer shtetin, që të aplikojnë dhe mbi bazën e aplikimeve të marrin sa më shumë burime njerëzore të përgatitura për të ndërtuar një administratë që të jetë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, që do të thotë se të gjithë atyre që i dukej e pamundur t’i shërbehej shtetit sepse do të kalonin nga zyra e kuadrit në partinë që drejtonte ministri i Brendshëm, sot ta kenë të hapur për të ofruar kapacitetin e tyre në shërbim të shtetit. Kthimi i njerëzve në punë ka të bëjë me vendime gjyqësore që kanë përcaktuar se heqja e tyre është bërë arbitrare, ka pasur arbitraritet në heqjen e njerëzve, vetëm për t’i zëvendësuar me besnikë të këtij modeli që shqiptarët e rrëzuan me një votë absolutisht të padiskutueshme.

 

Zoti Rama do të keni ju një bashkëpunim ose një ftesë për parti që janë tashmë të opozitës siç është për shembull partia e Ndokës apo partia e Idrizit. Unë kam parë sot një deputet të ri tuajin që është shprehur kundër kësaj. Mund të na thoni se është dera e hapur për zotin Idrizi?

Koalicioni qeverisë është përcaktuar nga shqiptarët. Sigurisht që ne presim bashkëpunimin e të gjithë partive të opozitës në procesin legjislativ dhe do ishim të kënaqur nëse do ishin të gjitha partitë për sa më shumë konsensus.

 

Bashkëpunim qeveri-opozitë apo si aleat?

Në do të qeverisim me LSI dhe aleatët që u vunë në dispozicion të  1 milion shqiptarëve që na votuan, por dhe për ata që nuk na votuan.

Zoti Rama një problem i cili ka vendi është padyshim dhe menaxhimi i territorit. Ju jeni deputet i Vlorës dhe besoj e keni vënë re që në vijën bregdetare po bëhet kasaphanë me ndërtime?

Ndërtime pa leje po bëhen në mes të Tiranës dhe jo më në zona të tjera. Sot që flasim janë duke u ndërtuar pallate pa leje, pallate dhe jo shtesa. Tre gjëra që do unë do të merrem personalisht janë uji, legalizimet dhe kontrolli i territorit. Nëse për gjërat e tjera do të ketë njerëz kompetentë që do të përgjigjen për këto të treja s’ka asnjë dyshim se janë përgjegjësia ime direkte.

 

Hafizi: Shkodranët votuan për forcën politike, që do t’u kthente shpresën

0,,16911323_303,00Në një intervistë eksluzive për Deutsche Welle, deputetja e ardhëshme e koalicionit të majtë, Mimoza Hafizi flet për shkaqet e fitores së këtij koalicioni dhe për humbjen e së djathtës në qytetin e Shkodrës.

Zonja Hafizi, rezultati në qarkun e Shkodrës është surpiza më e madhe e zgjedhjeve? Shkodra, që nuk e pranoi kurre regjimin komunist të Enver Hoxhës, ka qenë njëzet e dy vjet bastion i së djathtës, duke votuar për PD, voton për herë të parë për të majtën. Si e shpjegoni ju ndryshimin e orientimit te popullata?

Shkodra është rajoni me burimet më të pasura natyrore dhe njerëzore në vend, por realisht thuajse më i varfëri dhe më i papuni. Ky realitet është rrjedhojë e një qeverisjeje pa shpirt, mosmirënjohëse dhe abuzive. Shkodranët e kishin kuptuar me kohë paradoksin e votës, që sjell varfëri, por u desh një forcë politike, që t’u jepte shpresën. T’u jepte dhe guximin për të dalë nga skemat e atrofizuara politike, të krijuara përmes propagandës rrenacake apo përmes trysnisë së grupeve në pushtet.

Programi i rilindjes ishte zgjidhja e duhur dhe shkodranët nuk mund të mos e përqafonin. Ndërkohë, skuadra jonë e rilindjes bëri një fushatë shembullore e të përkushtuar. Organizimi ynë për mbrojtjen e votës hutoi e mpiu prirjet tradicionale për manipulimin e votës. Shkodra jo vetëm u bë pjesë e lumit të rrëmbyeshëm të rilindjes, por i dha atij një drejtim. Shkodranët përmbysën balancat e votës, me mençurinë, guston e hollë, shijen qytetare dhe intelektuale.

A e priste koalicioni i majtë këtë fitore kaq të thellë me kaq epërsi ne Shkodër që para votimit, apo ishit disi të befasuar nga rezultati?

Unë jam shkodrane, lindur e rritur në atë qytet, të cilin e ndjej shumë mirë. Jam edhe fizikane e matematikane, me intuitë shkencore për të kuptuar çdo prirje. Që në fillim të fushatës e kam deklaruar maxhorancën në Shkodër, si objektiv të skuadrës së rilindjes. Nuk ishte bllof, se dinjiteti nuk ma lejon të them absurditete. Ishte objektiv, fillimisht i vështirë në dukje, më pas i pranueshëm dhe në fund realitet.

A do ta kishit siguruar fitoren ne zgjedhje ne qarkun e Shkodres, edhe sikur te mos kishin qenë votat e LSI-së?

Një llogaritje e shpejtë e numrave, që ka dhënë 23 qershori, tregon se votat e LSI ishin faktor i rëndësishëm plus në favor të së majtës, por fitorja jonë do të ishte ruajtur gjithsesi. Unë vetë jam e lumtur, që koalicioni ynë s’ka lënë asnjë forcë të majtë jashtë vetes. Ne dhe LSI kemi programe shumë të përafërta qeverisëse.

Çfarë problemesh kanë ndikuar konkretisht në ndryshimin e orientimit politik të popullatës në qarkun Shkodër? Si shpjegohet kjo lloj humbje e PD-se, kjo renie e thellë epopullaritetit te saj?

Varfëria, papunësia! Përmbytjet e përvitshme, që drobitën popullatën e ekonominë, por gjithashtu treguan qartë se si ky vend po keqmenaxhohet. Aferat tronditëse korruptive të përfaqësuesve të djathtë në pushtet! Klanizmi në qeverisjen lokale e rajonale, i çimentuar deri në neveri. Trysnia e papërballueshme politike, prirja e qartë drejt autoritarizmit!

Sfidat, qe presin fituesit e zgjedhjeve, jane plotesimi i premtimeve elektorale, punësimi, luftimi i varfërisë, luftimi i korrupsionit. A ekziston rreziku që në fushatë të bëhen premtime më shpresëdhënese nga ç’e lejon realiteti, e pastaj gjatë mandatit shihet mundësia e realizimit të tyre?

Programet e premtimet elektorale janë objektivi teorik, i shpallur nga forca politike. Një forcë serioze politike shpall objektiva sa më të realizueshëm. Unë jam e bindur se programi ynë është shumë realist dhe i mundshëm, veçse kërkon përkushtim të madh. Realiteti e lejon, mjafton të shfrytëzohen maksimalisht të gjitha burimet. Fryma ekziston. Gjithçka është në favorin tonë, përveç startit nga ku po e nisim, në gropën e thellë ku na hodhi kjo qeverisje. Unë besoj se do ia dalim me sukses, në aleancë me shqiptarët.

Me fitimin e mandatit, cilat duhet të jenë relatat tuaja me opozitën e ardhshme psh, përsa i përket punësimit në administratë, punës në parlament e në komisione?

Ne jemi forcë europiane e do ta tregojmë këtë edhe në relatat me opozitën. Fund arrogancës meskine, fund arbitraritetit vulgar, fund mediokritetit në drejtim! Fund abuzimit me pushtetin! Administrata jonë do të jetë shembulli i cilësisë në shërbim.

Ju jeni një profesoreshë e mirënjohur e astrofizikës në fakultetin e shkencave të natyrës dhe i njihni problemet e arsimit. Çfarë pritet të përmirësohet në arsimin shqiptar për ngritjen cilësore të tij?

Arsimi shqitar do të rilindë. Mësues të kualifikuar, tekste të cilësisë së lartë, kushte normale pune. Arsimi do t’i përshtatet objektivit për të formuar njerëz qytetarë dhe të aftë për punë në tregun shqiptar e europian. Arsimi i lartë do t’i thotë stop mashtrimit e diplomave pa vlerë. Ne gjithshka e thamë hapur e me guxim, populli na votoi, tani mbetet që ta realizojmë bashkërisht.

Egjipti njeh Kosovën

Mohamed-Kamel-Ali-Amr
Mohamed-Kamel-Ali-Amr

Kosova që nga e mërkura njihet nga 100 vende të botës, një numër njohjesh që asaj i mundësojnë të shtojë përpjekjet për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ministria e jashtme e Kosovës publikoi njohjen nga Egjipti. Ministri i jashtëm Enver Hoxhaj tha se “shteti më i vjetër në botë Egjipti, njeh zyrtarisht shtetin më të ri në Evropë Kosovën”.

Ai tha se lajmi për njohjen zyrtare të Kosovës nga Egjipti, është konfirmuar nga ministri i Punëve të Jashtme i Egjiptit, Mohamed Kamel Amr dhe ndihmës presidenti i Egjiptit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Essam Al-Haddad.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008 dhe tashmë njëqind vende e kanë njohur atë.

Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia e cila megjithatë është përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën në përpjekje për të siguruar integrimin e saj në Bashkimin Evropian./voa/

Të premten, udhëheqësit e vendeve të BE-së pritet të vendosin hapjen e negociatave për anëtarësim të Serbisë në janar të vitit të ardhshëm dhe të miratojnë hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Kosovën.

Vetëvendosje pengon me forcë votimin për ratifikimin e Marrëveshjes (Video)

f1_kurtivskupa-jpg1372334298“Kohanet”

Në momentin kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi se në sallë gjenden 101 deputetë dhe se janë krijuar kushte për votimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti me Liburn Aliun, deputetin tjetër të kësaj lëvizje, kapën me forcë mikrofonin e kryekuvendarit, me kërcënimin se nuk do të ketë votim.

Me gjithë thirrjet e kryesuesit të Kuvendit që ata të lejonin zhvillimin normal të punës së Kuvendit, ata nuk hoqën dorë. Pas këtij skandali, Krasniqi dha një pushim prej 10 minutash dhe në këto momente ai ende nuk ka rifiluar.

Më herët Krasniqi kritikoi veprimin e deputetëve të Vetëvendosjes, duke  thënë se me këso veprimesh Vetëvendosje edhe po të ishte në pushtet nuk do të sillte demokracinë. Ai shprehu rezervat se me këtë Marrëveshje do të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë, por edhe këtë e konsideron si një rrugë demokratike.

Mbledhja pati ndërprerje, për shkak të pengesave që protestuesit e Vetëvendosjes u bënë deputetëve të hynin në Kuvend. Përfaqësuesit e grupeve parlamentare, pasi dëgjuan fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi, me përjashtim të atij të Vetëvendosjes, mbështetën Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes. Deputetët e Vetëvendosjes e cilësuan këtë Marrëveshje të padenjë, të dëmshme për Kosovën e të dobishme për Serbinë, që cenon sovranitetin e vendit e forcon atë të Serbisë.

http://vimeo.com/69233996

Po e japim në vazhdim fjalën plotë të kryeministrit Thaçi. 
Si rrjedhojë e punës sonë serioze në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, dhe si rezultat i përmbushjes së standardeve evropiane, Kosova tashmë ka marrë dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën, ku Kosova trajtohet si shtet, si të gjitha shtetet tjera.

Edhe pse pesë vende të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, sot të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e mbështesin të ardhmen konkrete evropiane të Republikës së Kosovës – theksoi kryeministri Thaçi në adresimin e tij në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës

Duke iu drejtuar deputetëve, kryeministri tha se po paraqiste për miratim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare që rregullon normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, parafuar më 19 prill 2013 nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Serbisë.

Arritja e Marrëveshjes ndërlidhet me qëllimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të respektohet në tërësi obligimi kushtetues për zbatimin e pikës pesë të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë të aprovuar nga një shumicë e madhe demokratike e Kuvendit të Kosovës në tetor 2012.

Kanë kaluar 14 vjet që kur qytetarët e Kosovës jetojnë në liri  dhe mbi 5 vite nga koha kur në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Jemi dëshmitarë se të gjitha dilemat dhe kundërshtimet rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë u rrezuan kur Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë dha verdiktin me të cilin  theksohet dhe argumentohet se shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ishte në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Pavarësia e shtetit tonë dhe lira për qytetarët e Kosovës janë të sigurta përgjithmonë.
Rrjedha e ngjarjeve në rajon gjatë viteve të fundit ka provuar se Pavarësia e Republikës Kosovës dhe njohja ndërkombëtare e saj, ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë për sigurimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin Ballkanit, Evropës Juglindore dhe më gjerë.

Dje Kosova u njoh zyrtarisht nga Egjipti duke shënuar njohjen formale të 100 për Kosovën.
Ky moment dëshmon se Kosova pandalshëm është duke zënë vendin e saj të merituar në mesin e kombeve të lira të botës.

Kemi qenë dhe jemi të vetëdijshëm se arritja e synimit për paqe dhe siguri në Ballkan do të jetë e pasigurt pa njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e të gjitha vendeve fqinje përfshirë edhe Serbinë.
Krijimi i marrëdhënieve të mira mes shteteve fqinje në rajonin tonë është parakusht për stabilitet, sundim të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e përgjithshëm dhe integrim në Bashkim Evropian dhe NATO.

Procesi i fillimit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e ka bazën kryesore tek bindja e të gjithë akterëve ndërkombëtarë se rruga e pavarësisë është e pakthyeshme ndërsa procesi i normalizimit të raporteve mes dy shteteve të pavarura është i pashmangshëm.
Një bindje e tillë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare u reflektua edhe nga strukturat e tjera të OKB-së.

Në veçanti, shprehje e kësaj bindje ishte Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e datës 9 shtator 2010 e cila fton si Kosovën e ashtu edhe Serbinë, që si dy shtete të pavarura, të fillojnë punën për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella përmes një dialogu teknik.

Rezoluta ndër të tjera prezantoj edhe synimet e dialogut për vendosjen e paqes, sigurisë dhe stabilitet në rajon, si dhe nevojën që përmes këtij dialogu të bëhet promovimi i mëtejmë i bashkëpunimit, arritja e progresit në procesin e integrimeve Evropiane dhe përmirësimin e  jetës së njerëzve.

Synimet e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme si dhe të proceseve që kanë pasuar pastaj, janë plotësisht në pajtim me synimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe në pajtim të plotë me Kushtetutën  e Republikës së Kosovës.

Pasi shfaqi bindjen se edhe qytetarët e Kosovës e kanë ditur që nga fillimi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë fare i lehtë dhe se  të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm se do të jetë procesi i vështirë, i komplikuar dhe që do të marrë shumë kohë, sqaroi se fazën fillestare për normalizim e filluam me dialogun teknik për zgjidhjen e një sërë çështjesh.

Rezultatet që dha dialogu teknik kanë rrezuar parashikimet e shumë skeptikëve dhe kundërshtarëve më të mëdhenj të këtij dialogu, shtoi kryeminstri.
Dialogu teknik rezultoi me një numër të marrëveshjeve të arritura të cilat në masë të madhe kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike, fetare apo politike, siç edhe e përcakton Kushtetuta jonë.

Si rezultat i marrëveshjeve në nivelin teknik:

*Kosova përfaqësohet në forumet rajonale dhe më gjerë,
*kemi vendosur kufijtë shtetërorë në të gjitha pikat kufitare ndërsa kalimi kufitar është lehtësuar për të gjithë qytetarët që frekuentojnë pikat tona kufitare,
*është mundësuar që Kosova të vendosë kontroll në të gjitha pikat kufitare dhe kemi aplikuar sistemin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit

*policët tanë dhe doganieret e Republikës së Kosovës u është bërë e mundur dhënia e kontributit të tyre në plotësimin e parakushteve për integrime euro-atlantike e po ashtu edhe vendosjen e rendit dhe ligjit në disa pika problematike kufitare,
*jemi duke realizuar kthimin e regjistrave civil për qytetarët e Republikës së Kosovës, kemi njohjen e diplomave të institucioneve të arsimit të lartë të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, dhe çështje tjera.

Përveç përfitimeve direkt nga ana e qytetarëve tanë, dialogu teknik provoi se Serbia filloi të njohë realitetin e krijuar ne Kosovë  me shpalljen e shtetit të Kosovës dhe njohjen e saj nga me shumë se gjysma e shteteve të botës.

Si rezultat i dialogut, u forcua dhe u avancua edhe më tutje, subjektiviteti ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës dhe avancimi i shtetit.

Tashmë kemi arritjen e numrit treshifror (100) në njohjet e Shtetit të Kosovës,  kemi anëtarësimin ne institucione ndërkombëtare dhe rajonale të cilat në gjirin e tyre pranojnë vetëm shtetet si: Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kemi anëtarësimin në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, kemi vendimin për pranim në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës.

Njohje të reja dhe anëtarësime në organizata rajonale dhe ndërkombëtare pritet të bëhen në vazhdimësi.

Mbi të gjitha, si rrjedhojë e punës sonë serioze në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, dhe si rezultat i përmbushjes së standardeve evropiane, Kosova tashmë ka marrë dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit për Kosovën, ku Kosova trajtohet si shtet, si të gjitha shtetet tjera.

Edhe pse pesë vende të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, sot të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e mbështesin të ardhmen konkrete evropiane të Republikës së Kosovës.

Shtrirja e sundimit të ligjit dhe zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në tërë territorin e Kosovës ka qenë dhe është prioriteti  dhe interesi kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës  dhe të gjitha institucioneve tona.

Ngritja e dialogut në nivel politik mes Kryeministrave të të dy vendeve të pavarura dhe të barabarta ka rezultuar me hapa konkretë në drejtim të arritjes së këtij qëllimi ndërsa rezultatet janë të dukshme.

Pas njëmbëdhjetë raundeve të dialogut politik, më 19 prill 2013, u arrit marrëveshja e parë historike ndër-shtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Baroneshës Ashton  dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve
Marrëveshja të cilën sipas rregullave për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare po e paraqesim sot për ratifikim para jush, përmban 15 pika të cilat rregullojnë aspektet thelbësore për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Marrëveshja hapë rrugën për vendosjen e stabilitetit në veri të Kosovës përmes transformimit rrënjësor të gjendjes aktuale të sigurisë, si dhe të kushteve politike dhe ekonomike.

Marrëveshja hap perspektivën e Kosovës për të përmbyllur procesin  e njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjithë mekanizmat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe OKB-në.

Marrëveshja siguron, dhe Plani i Implementimit vendos, detajet se deri në mes të muajit korrik 2013, Serbia do t’i mbyll të gjitha strukturat e saja të sigurisë në Kosovë, dhe përfundoj ofrimin e përkrahjes financiare.

Tashmë e dimë se Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për ndalimin e financimit të atyre strukturave ilegale të sigurisë dhe tashmë janë mbyllur disa stacione policore të MUP-it të cilat në mënyrë të paligjshme kanë operuar në veri të vendit.
Marrëveshja siguron që Policia e Kosovës do të jetë i vetmi autoritet legal dhe legjitim policor në veri të Kosovës.

Një komandat rajonal i policisë është emëruar  nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, e gjitha kjo sipas marrëveshjes.
Me këtë pikë, përfundimisht sundimi i ligjit do të forcohet në veri të Kosovës, si dhe autoritetet për zbatim të ligjit do të bashkëpunojnë në mënyrë edhe më efektive.

Marrëveshja konfirmon sistemin unitar ligjor të Republikës së Kosovës si të vetmin autoritet ligjor në vend, tha kryeministri Thaçi në fjalën e tij.
Integrimi me kohë i autoriteteve gjyqësore brenda sistemit ligjor dhe të drejtësisë së Kosovës është esencial, dhe ne konsiderojmë se ky kompozim i sistemit gjyqësor do të rrisë besimin e komuniteteve në gjykatat e Kosovës, përmirësojë marrëdhëniet ndër-etnike, dhe mbi të gjitha do të vendos sundimin e ligjit në veri të vendit që ka munguar në 14 vitet e fundit.

Si rezultat i kësaj marrëveshje, ne për herë të parë pas 14 viteve, do të jemi në gjendje të organizojmë zgjedhjet komunale në veri të Kosovës në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mënyrë siç do të bëhet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Unë përfitoj nga rasti që të falënderoj të gjithë liderët politikë të partive politike të Kosovës të cilët janë treguar shumë racional dhe i kanë dhënë mbështetje të plotë marrëveshjes që zgjedhjet lokale të mbahen më 3 nëntor.

Siç e dimë, disponimi i të gjithëve neve ka qenë që zgjedhjet lokale të mbaheshin më herët.
Mirëpo, të gjithë ne e kemi vënë në rend të parë interesin shtetëror përpara atij partiak.
Të gjithë jemi pajtuar që interesi i shtetit, interesi i shoqërisë kosovare është normalizimi i gjendjes në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, integrimi i gjithë qytetarëve në shoqërinë kosovare, dhe mbi të gjitha organizimi i zgjedhjeve në të gjithë vendin në të njëjtën ditë, me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve dhe të të gjitha komuniteteve.

Zgjedhjet do të mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare ndërsa institucionet përgjegjëse të Kosovës do t’i organizojnë ato.
Në të njëjtën kohë, ne si institucione të vendit i kemi bërë ftesë, gjithmonë duke u nisur nga përmbajtja e marrëveshjes së 19 prillit, OSBE-së për lehtësimin e organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve në veri.

Një aspekt tjetër i marrëveshjes është formimi i një Asociacioni, i cili do të funksionojë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

Asociacioni do të jetë pjesë integrale e institucioneve të Kosovës dhe si e tillë do të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë qendrore gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj. Ekipi përgatitor për themelimin e asociacionit tashmë ka filluar punën.

Me marrëveshje gjithashtu kemi pajtim të ndërsjellë se asnjëra palë nuk do të bllokoj, e as inkurajoj të tjerët të bllokojnë, përparimin e njëri-tjetrit në rrugën e tyre drejtë integrimit në Bashkim Evropian.

Ky sigurim i ndërsjellët është një aspekt tjetër që dëshmon se rruga e integrimit Evropian për të dy vendet do të jetë e sigurt dhe e shpejtë bazuar në kushtet dhe merita individuale.
Prandaj, ju garantoj se gjithçka është e aranzhuar në atë mënyrë që të respektohet në plotëni Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të bëhet edhe më tepër. Por jemi dëshmitar marrëveshja ka filluar të implementohet edhe në terren dhe të jap rezultatet e veta.

Në fund falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për mbështetjen e tyre, për besimin e tyre, falënderoj liderët politikë kosovarë, që secili prej tyre ka vënë interesat e shtetit dhe të qytetarëve mbi disponimet e agjendave tona partiake apo elektorale.
Mendoj se Marrëveshja, i ka hapur një rrugë të sigurt evropiane Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Ndërsa, tani Kosova edhe konkretisht është futur në binarë të integrimeve evropiane dhe ky proces është i pandalshëm.
Për të gjitha këto arsye dhe shumë tjera që unë nuk i kam përmendur në këtë adresim timin, unë ju ftoj të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që ju edhe një herë të votoni për ratifikimin e kësaj marrëveshje që është Marrëveshja e Parë ndërshtetërore dhe ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe njëherë, si kryeministër i Republikës së Kosovës, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të nderuar deputetë, të të gjitha partive politike që jeni, ju falënderoj për mbështetjen tuaj, për besimin tuaj, për sugjerimet tuaja, natyrisht ndonjëherë edhe për kritikat tuaja.

Por, të gjithë kemi pasur një qëllim dhe një vizion, normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore të Kosovës me fqinjët, në kuadër të saj, edhe normalizimin e marrëdhënieve me shtetin e Serbisë, dhe përshpejtimin e agjendës evropiane për Republikën e Kosovës.
Prandaj edhe njëherë, ju ftoj që ta votoni për ratifikim këtë marrëveshje, që është marrëveshja e parë ndërshtetërore.

Arvizu takohet me Ramën dhe Metën

rama-arvizu1Ambasadori i SHBA-ve Arvizu, ka takuar sot liderin socialist Rama në selinë e PS-së. Pas takimit Arvizu dha një prononcim të shkurtër për mediat duke theksuar dy momente të rëndësishme, një tranzicion të lehtë të pushtetit si edhe angazhimin e fortë të SHBA-ve.

“Dy gjërat më të rëndësishme për të cilat diskutuam ishte, e para që të ketë një tranzicion të butë. Dhe arsyeja e dytë është, që të ripohojmë edhe njëherë angazhimin e fortë të SHBA.

SHBA duan të jenë partnerë të vendit. Ky është mesazhi kyç, SHBA janë partnerë të Shqipërisë”,- deklaroi Arvizu.

Më pas Ambasadori amerikan  është takuar edhe me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Takimet,  zhvillohen në kuadrin në vijim të mbylljes së procesit zgjedhor dhe pas deklarimit të humbjes nga ish-lideri demokrat Berisha.

.

 

Berisha jep dorëheqjen nga Kreu i PD-së, por jo nga politika

Sali-Berisha2Ish Kryeministri Berisha ka dhënë dorëheqjen sot nga kreu i PD-së, por jo nga politika. Ai ka deklaruar ditën e sotme, se përgjegjës për humbjen e PD-së, është vetëm ai dhe se do të jetë në pushtet deri sa të ketë shëndet. Ai ka theksuar gjithashtu se nuk do të lexojë kurrë një fjalim lamtumire.

Më poshtë keni fjalën e plotë të Berishës:

FJALA E BERISHËS
Qytetare dhe qytetarë, mbështetës të PD, shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni. Jam para jush me një mesazh, duhet të theksoj një mesazh të vonuar, sepse kam dashur të respektoj punën me vetëmohim të madh të komisionerëve, proces që po shkon drejt fundit.Mirënjohjen pa kufi ndaj qindra dhe mijëra qytetarëve, të reja të rinj, burra dhe gra, që më shoqëruan nga Koshovica në Tropojë me mikpritjen më fisnike, që kam provuar ndonjëherë, në pikë të vapës, shtrënguam duart, shkëmbyem mendime, ndoqën me vëmendje alternativën tonë dhe më bënë si dhuratë fushatën elektorale më të bukur, më të pasur dhe masive të jetës sime. Jam përpjekur të bëj më të mirën. Kam punuar me përkushtim dhe entuziazëm edhe më të madh se herët e tjera. Dua të përulem me nderimin më të madh para militantëve të PD. Ata janë energjia më e pashtershme e PD dhe gjithë betejave të saj. Dua të përgëzoj shtabet elektorale, komisionerët tanë, gjithë qytetarët shqiptarë që në këto zgjedhje votuan për kandidatët e saj, vendosën besimin e tyre te Sali Berisha dhe çdo shqiptar që votoi sistemin tonë pluralist.Qyetarë që keni mbështetur PD, ju po ndiqni jo pa trishtim fjalën time, se me të drejtë prisnit diçka tjetër nga unë. Jam jo për të komunikuar rezultatin, se është njohur dhe pranuar nga unë dhe PD.Në karrierën time e kam ndjerë veten si shërbëtori juaj dhe e kam konsideruar këtë privilegjin më të madh të jetës.  Gjithnjë kam vendosur t’i bindem sovranit. Në këto zgjedhje ne paraqitëm para qytetarëve një projekt konkret për Shqipërinë vend i zhvilluar, për punësimin. Premtimet e opozitës për heqje taksash nuk mund t’i bënim, sepse në filozofinë tonë bien ndesh me konkurrencën e ndershme, barazinë sociale.

I uroj fituesit mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët të gëzojnë një jetë gjithmonë e më të mirë. Kemi punuar fort. Unë jam përpjekur me mish dhe me shpirt të bëj më të mirën. Ne i humbëm këto zgjedhje. Për këtë humbje gjithë përgjegjësia bie mbi mua, vetëm mbi Sali Berishën.

Duke marrë përgjegjegjësitë që më takojnë të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në PD. Të jem njëri prej jush, nje deputet i PD, si opozitë për programin e PD dhe ta shndërrojmë një program.

Nuk është fjalim lamtumire. I tillë nuk është. Nga unë PD dhe mbështetësit e saj nuk do dëgjojnë një fjalim lamtumire, sepse unë nuk do ta lexoja kurrë. Jemi të mërzitur,. Kemi humbur një betejë. Sot është e domosdoshme të qëndrojmë më të bashkuar se kurrë. Detyra të mëdha na presin që ta shndërrojmë çështjen tonë të drejtë, në çështje të të gjithë shqiptarëve.

Pata fatin e madh të më besoni drejtimin e PD për 22 vjet. Jemi dhe do jemi krenarë, sepse së bashku me kurajo me guxim themeluam në kushte terrori PD si parti e parë opozitare. Me ëndrrat më të bukura të shqiptarëve.

Jemi dhe mbetemi përjetë krenarë për gjithçka që kemi bërë do vazhdojmë të bëjmë. Ne bëmë realitet ëndrrën e lirisë për shqiptarët dhe dinjitetin e tyre njerëzor. Ne sanksionuam lirinë e besimit, liria njerëzore, kryefjalë e axhendës sonë.

Sot shqiptarët janë më të mirë se kurrë. Në një kohë të shkurtër arritëm të vendosim çështjen e lirisë në Kosovë në axhendën e  kancelarive të Europës. Me parrullën një komb një qëndrim, mbështetëm luftën dhe lirinë e Kosovës.

Të gjthë duhet të jemi krenar me PD Shqipëria sot  është e aderuar në organizatat më të mëdha në botë. Ne bëmë të vërtet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, lëvizjen e lirë pa viza, dhe së fundi rekomandimet për statusin e vendit kandidat.

Ne hodhëm themelet dhe konsoliduam në Shqipëri shtetin ligjor. Ne sot të gjithë së bashku duhet të ndjehemi krenar me PD, sepse ne pasi humbëm pushtetin për shkak të firmave piramidale në 1997 qëndruam në opozitë dhe në 2005 hodhëm poshtë qeverinë aktuale me votën e shqiptarëve. Rrogat dhe pensionet e shqiptarëve ishin të ulëta dhe qesharake.

Detyra ishte shumë e vështirë. Shqipërisë pothuajse askush nuk i besonte. Ne ndërtuam rrugën e Arbrit, autostradën Tiranë – Elbasan dhe do të ndërtojmë gjysmën tjetër të boshtit të jugut në mandatin e ardhshëm. Duhet të jemi krenar me PD, sepse ne ndërtuam qindra ujësjellësa dhe natyrisht mbetet ende shumë punë për të bërë.

Duhet të jemi krenar sepse sot disa nga treguesit janë në nivelin e disa vendeve të zhvilluara. Këto vite të qeverisjes tonë ishin vitet më të vështira për shkak të krizës ekonomike, dhe qeveria jonë i rezistoi.

Janë në ndërtim e sipër 120 hidrocentrale, si kaskada e Devollit. Kemi ndërtuar qindra rrugë, shkolla. Me 45 mijë projekte, që mbështetëm, kemi bërë të mundur në këtë kohë të shkurtër të katërfishohet toka e punuar në fshat.

Në 10 vendet më me rritje të turizmit në planetin tonë. Me projektin tonë “Shqipëria vend i zhvilluar, që vendi me penetrimin më të ulët të internetit 4,8%, të telefonisë celulare.  Shqipëria dixhitale ishte ëndrra e të rinjve shqiptarë, sot ata komunikojnë më shumë se të rinjtë e disa vendeve të zhvilluara të Europës.

Miqtë e mi, demokratë dhe demokratë. Vetëm pak vite më parë, ora europiane dhe euro-atlantike ishte e ndaluar. Së bashku morëm reformat më të thella; konsoliduam shtetin ligjor, anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Nisëm punën serioze për liberalizimin e vizave me ShBA.

Edhe në këto dy mandate kemi folur me vepra, që kanë krijuar një Shqipëri tjetër, ndërtimin e të cilës do jemi të gatshëm ta vazhdojmë, janë vepra që kanë ndryshuar përgjithmonë Shqipërinë tonë.

Nuk janë arritjet tona arsyeja, pse nuk na votuan shqiptarët, jam i sigurt që çdo shqiptar ndihet krenar. PD do dijë të lexojë me përulësi votën e çdo shqiptari. Në lidershpirin e ri, një fillim të ri të fuqishëm.

Mirënjohje për bashkëpunëtorët e mi të mrekullueshëm, me integritet moral. Mirënjohje të pakufishme miqve tanë. Një mirënjohje të pakufishme shqiptarëve, që këto 22 vite kanë vendosur votën, besimin e tyre te mua, çfarëdo që të bëj, s’mund t’ua shpërblej diot.

Kam dhjetëra, mijëra mesazhe në Facebook, të cilët më kërkojën që kësaj here të heqë dorë nga vendimi që kam marrë, por i ftoj që bashkë me energji dhe entuziazëm të mbrojmë kauzën tonë dhe ta bëjmë kauzë të mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve.

Arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e PD do kishin qenë të pamundura pa solidaritetin e institucioneve ndërkombëtare. Mirënjohjen më të thellë për këtë solidaritet, që u kanë treguar shqiptarëve. Mirënjohje pa kufi ShBA, aleatin më të madh të shqiptarëve.

Në përputhje me Kushtetutën e vendit deri në shtator do punoj me përkushtim të madh dhe për përgatitjen e lidershpit të ri bashkë me strukturat e PD dhe të ecim drejt fitores më të re, që na pret. Zoti bekoftë PD, mbështetësit e saj, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë! Falemnderit!

 

 

Kalë i ngordhur

berisha18-1024x651Nga Fatos Mahmutaj

U deshën tre ditë që ta pranoje humbjen. Si i paburrë që je nuk pate guxim ta bëjë që në fillim. E bëre vetëm kur nuk ia dole të manipuloje. (Jo se këtë radhë nuk bëre, por me to nuk ia dole dot). Në fakt duhet ta kishe bërë dorëheqjen që më 15 mars 2008 kur bizneset mafioze të tët biri masakruan 26 vetë në Gërdec. Personalisht, e kujtoj mjaft mirë surratin tënd në QSUT, të asaj dite. Ishe skuqur i tëri, nuk dije se çfarë bëje. Duke u dridhur i tëri the para kamerave: “Biznesi i përkiste një kompanie amerikane të kontraktuar nga ne”. Me këtë e hodhe përkohësisht përgjegjësisë. Në fakt në gjithatë katrahurë nuk kishte mend njeri të merrej me hetime, emergjente ishte të shpëtohej jeta e mbi 300 të plagosurve. Por nga dita në ditë dolën faktet. Kishe humbur aty baxhanakun tënd, atë që e mohove direkt dhe pa pikë turpi. Investigimi nxori edhe dy fëmijët e tu si organizatorë të të gjithë maskarallëkut. Krimet e tua janë pa fund. Nuk kam ndërmend t’i përmend një nga një të gjithë.

E pranoj që nuk ia dal dot t’i shkruaj, pasi me siguri do më duhen 22 vite, aq kohë sa ti qëndrove në postin që uzurpove, herë në karrige qeverisëse e herë në opozitë ku ndiheshe më tepër se i pari i vendit. Nuk do merrem as me ngjarjet e 2 prillit në Shkodër, as me krimet monstruoze të vitit 1996, as me ato të 1997, as me ato të luftës së Kosovës, as me shuarjen e familjes Haklaj. Po lë edhe vjedhjet e shumta që ke bërë në kurriz të shqiptarëve. Po e lë edhe 21 janarin 2011, ku viktimë e asaj dite isha edhe unë vetë, kur “trimat” e tu të devotshëm u morën jetën 4 qytetarëve të pafajshëm, ndërsa ti nxitove të dekoroje vrasësit fillimisht në zyrën tënde me medalje trimërie, ndërsa më pas në gjykatë duke i shpallur jo vetëm të pafajshëm, por edhe heronj në shërbimin tënd. Shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë faljen e detit grekëve; faljen e ekonomisë dhe koncesioneve klaneve mafioze serbe. I preke shqiptarët atje ku nuk mbante më. Kësaj here ti nuk re nga fiku, as nga kali siç pretendon vetë. Ti ishe vetë kali gërdallë në stallën e hipokrizisë dhe injorancës. Ti s’ishe dhe s’je feniks apo shqiponjë. Ti ishe një sorrë dhe tani mos pretendo që të jesh qyqe. Thjesht je një ish-kalë gërdallë, i ngordhur. Do të mbetesh në kujtesën e shqiptarëve thjesht si ish-Kryesali. Lamtumirë në qafëthyerjen tënde, e mos ta pafshim më surratin!

Bruksel me 26 qershor 2013

 

 

Berisha “thyen” heshtjen në fb,TAP: Fitoi Shqipëria, projekti i shekullit

tap1-280x200Pas një heshtje më shumë se dyditore në rrjetin social facebook, kryeministri Sali Berisha rikthehet për miqtë e tij, por jo për një reagim lidhur me humbjen e zgjedhjeve nga PD dhe koalicioni i djathtë, por për të përshëndetur përzgjedhjen e projektit të gazsjellësit trans Adriatik Pipline, kundrejt atij NABUCOO West.

“ Te dashur miq, projekti i gazesjellesit TAP u perzgjodh. Fitoi Shqiperia, projekti i shekullit per ne!!! sb” shkruan ai.

Agjensia e lajmeve Reuters, e cila citon konsorciumin OMV, një nga kryesorët e NABUCOO West thotë se projekti i tyre nuk është përzgjedhur për të bërë këtë transport të gazit.

Vendimi nënkupton se sipas të gjitha gjasave Gazgjellësi Trans-Adriatik (TAP) do të përdoret për të bartur dhe nxjerr gazin nga Deti Kaspik në tregun evropian.

Nabucco West dhe TAP ishin të vetmet kompani që parashtruan oferta për projektin e transportimit të gazit nga Azerbajxhani.

Kompanitë partnere të cilat po ndërtojnë fushën Shah Deniz II janë BP-ja britanike, SOCAR nga Azarbajxhani, Statoik i Norvegjisë dhe Total-i francez.

Hisedarët e TAP-it janë Axpo e Zvicrës, Statoil-i norvegjez dhe E.ON gjerman.
Gazsjellësi TAP në Shqipëri do të jetë rreth 209 kilometra i gjatë në tokë dhe 60 kilometra në det në pjesën e Shqipërisë në Detin Adriatik, me një vlerë investimi që arrin në rreth 2 miliard dollarë.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt gazsjellësi për gazin natyror. Gazsjellësi do të transportojë gazin nga fusha e Shah Deniz-it në Azerbajxhan nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes Detit Adriatik në Italinë Jugore dhe më tej në Europën Perëndimore.

Serbi-Kosovë avancojnë drejt BE-së

StefanFuleNë Luksemburg është mbledhur Këshilli i radhës i Ministrave të BE-së. Këshilli i Punëve të Përgjithshme, ka rekomanduar unanimisht hapjen e Negociatave të Aderimit për Serbinë dhe hapjen e Negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, për Kosovën. Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle ka mirëpritur angazhimet e BE-së, duke theksuar se, si Serbia po ashtu edhe Kosova kanë bërë hapa të vlerësueshme, drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre. 

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Punëve të Përgjithshme, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Stefan Fyle është prononcuar në lidhje me Serbinë dhe Kosovën. Ai deklaroi  për Serbinë, se Ministrat kanë rekomanduar unanimisht hapjen e negociatave në të njëjtën vijë me rekomandimet e Komisionit të muajit Prill. Fyle theksoi se, Komisioni Europian pret që të premten, Këshilli, i bazuar në këtë Rekomandim, të hapë formalisht negociatat e aderimit me Serbinë, duke shpjeguar edhe hapat që Konkluzionet përshkruajnë mbi këtë procedurë:

“Së pari, Komisioni do të ftohet të prezantojë Kornizën Draft Negociuese pa vonesë dhe mund t’ju sigurojë se, ne jemi duke punuar me përkushtim mbi të, prej disa kohësh.

Së dyti, pas kësaj, i takon Këshillit të aprovojë kornizën negociuese, me synim mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare në Janarin e vitit të ardhshëm, më së shumti. Kjo nuk përjashton faktin, se mund të bëhet edhe më përpara dhe Komisioni Europian do të punojë shumë për ta bërë atë teknikisht të mundur, nëse aprovohet nga Shtetet Anëtare, në fillim të tetorit.

Së treti, neve do të na kërkohet gjithashtu të ndërmarrim shqyrtimin analitik të adaptimit të legjislacionit të BE-së duke i dhënë prioritet kapitujve 23 dhe 24 mbi të drejtat themelore dhe gjyqësorin, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, si edhe kapitullin 25, i cili do të përdoret për të mbuluar normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Kosovën”,- deklaroi Fyle në lidhje me Serbinë.

Për sa i përket Kosovës, Fyle deklaroi se, Ministrat ranë dakord për hapjen e negociatave mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe se mandati për Negociatat do të adoptohet formalisht këtë të premte, në të njëjtën kohë me Konluzionet e Keshillit Europian.

“Jam i kënaqur të them se, ne kemi një mandat ambicioz në tavolinë, që përfshin të gjithë elementët e Marrëveshjes të Stabilizim Asocimit: dialogun politik, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, politikën ekonomike dhe të tregut, dhe bashkëpunimin në një sërë fushash të tjera të rëndësishme”,- tha Fyle.

Komisioneri Fyle ka deklaruar gjithashtu, se i mirëpret këto vendime dhe angazhime të BE-së, sepse Beogradi dhe Prishtina kanë bërë hapa dhe përpjekje të paprecedent kundrejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre. Ai theksoi gjithashtu, se Konkluzionet e sotme njohin një sërë arritjesh nga të dy palët.

“Kjo është një ditë e mirë për të dy vendet. Ato janë angazhuar ndaj kushteve të vendosura dhjetorin e kaluar, dhe në pikëpamjen e Përfaqësueses së Lartë Ketrin Eshton dhe në pikëpamjen time, ato i kanë tejkaluar pritjet tona duke i vendosur marrëdhëniet e tyre mbi një balancë të re. E shikoj këtë vendim sot si një prove tjetër e kredibilitetit të procesit të zgjerimit: nëse partnerët angazhohen në detyrat e tyre të shtëpisë, BE, Shtetet Anëtare, angazhohen në lëvizjen e këtij partneri në fazën tjetër të procesit të aderimit ”,- deklaroi Fyle në lidhje me Kosovën.

Hapja e Negociatave të Aderimit me Serbinë dhe hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizimm Asocimit me Kosovën, vjen në kuadrin e arritjes së Marrëveshjes së 19 prillit mbi Normalizimin e Marrëdhënieve Serbi- Kosovë. Avancimi i mëtejshëm mbi këtë Marrëveshje, nëpërmjet aplikimit efikas të Planit të Zbatimit në terren, do të shënojë gjithashtu progrese paralele, në avancimin e kuadrit angazhues në nivel të BE-së.

 

Meta rrëfen dhunën një natë para zgjedhjeve në Laç dhe çfarë ndodhi në Policinë e Lezhës

meta-braho-1024x677Në një intervistë dhënë mbrëmë në studion e televizionit TCH, Ilir Meta është pyetur edhe për thirrjet që ai dhe Rama bënë ndaj policisë ditën e votimit, të cilat u  konsideruan nga PD e Berishës si sulme. Në këtë pikë Meta tregoi një episod para natës së vrasjes së mbështetësit të kësaj partie në Laç.

“Një natë më parë, 7 mbështetës të LSI dhe PS u goditën dhe u keqtrajtuan fizikisht nga elementë kriminalë, – këtë e them me bindje – të PD-së. Unë shkova atë natë në spitalin e Lezhës ku ata u dërguan. Bashkë me Spartak Brahon shkuam më pas në zyrën e drejtorit të policisë së Lezhës në mesnatë. Fola me të për ato që na kishin treguar mbështetësit e plagosur. Nuk bëmë asnjë deklaratë për shtyp, nuk e bëmë publike, sepse donim që njerëzit të ishin të qetë të nesërmen. Por i thashë drejtorit të policisë që sipas atyre që dëshmuan të plagosurit, të nesërmen mund të kishte dhunë. Dhe ata nuk morën asnjë masë. E dinin. Ai qytetari u vra në mënyrë të pafalshme, sepse nuk u mor asnjë masë. Dhe kur ndodhi, atje ku ishte KZAZ kryesore e Laçit nuk kishte asnjë polic. Kjo është e pafalshme. Kjo ishte arsyeja që ne dolëm dhe bëmë ato thirrje për policinë”, tha Meta. / Gazeta Dita/