Zona 51 ekziston, CIA pranon të vërtetën

Zona 51, pamje nga sateliti
Zona 51, pamje nga sateliti
Zona 51, pamje nga sateliti

Agjencia CIA e Shteteve të Bashkuara e ka pranuar zyrtarisht ekzistencën e lokacionit sekret për prova, në shkretëtirën e Nevadës, të njohur si “Area 51”.

Pas disa dekadash të fshehtësisë ekstreme për këtë lokacion, CIA u është përgjigjur kërkesave të shumta publike nga George Washington University dhe e ka publikuar një histori josekrete të këtij lokaliteti.

Në këtë dokument përshkruhet se si CIA ka filluar ta përdorë këtë lokacion të largët afër liqenit Groom, në mes të viteve ‘50, për provën e aeroplanit të spiunimit U-2.

Publikimi i dokumentit konsiderohet si një kthesë e madhe, pasi qeveria më parë kishte refuzuar të pranojë ekzistencën e lokacionit.

“Area 51” ka luajtur një rol dominant në mesin e teoricienëve konspirativë, që për vite të tëra kishin dyshuar se lokaliteti ka mundur të jetë i përfshirë në aktivitetet e anijeve kozmike nga ndonjë botë tjetër.

Incidentet me Kishën në Përmet, reagon Athina zyrtare

greqi-flamurAthina zyrtare reagon për incidentet e dhunshme që ndodhën në Përmet mes klerit të Kishës Ortodokse dhe përmbaruesve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Konstantinos Kutras është shprehur në një deklaratë:

“Mësuam me shqetësim të thellë për incidentet e dhunshme që ndodhën sot në Kishën e Virgjëreshës Mari, në qytetin e Përmetit.

Largimi me dhunë i klerit, ndalimi i besimtarëve për të hyrë në vendin e adhurimit fetar ditën e Shën Mërisë, heqja e ikonave dhe objekteve të shenjta nga tempulli, janë akte të papranueshme dhe të dënueshme, pavarësisht nga çdo pretendim ligjor.

Respekti për lirinë fetare, mbrojtja e vendeve të adhurimit dhe ushtrimi pa pengesë i detyrave fetare janë në themel të një shteti ku sundon ligji dhe një element themelor i kulturës institucionale evropiane.

Prandaj ne shpresojmë se këto veprime janë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare. Ambasada jonë dhe autoritetet konsullore në vend janë udhëzuar për të monitoruar nga afër këtë çështje”, përfundon deklarata.

Pipero: Turizëm seksual edhe në Shqipëri

PellumbPiperoNdonëse turizmi seksual në vendin tonë nuk është i organizuar, nuk përjashtohet mundësia e ushtrimit të tij edhe te ne”. Deklarata është bërë nga ish-drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, njëkohësisht mjek infeksionist, Pëllumb Pipero. Sipas tij, kjo ndikon në rritjen e të prekurve nga Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme, ndërsa vihet re se ai është 2-3 herë më i lartë më muajt e verës. Në këtë intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Pipero shprehet gjithashtu se në këtë periudhë të vitit shtohen edhe marrëdhëniet seksuale rastësore. Duke marrë parasysh këtë fakt, ai apelon për përdorimin e prezervativëve, si e vetmja mënyrë për të evituar prekjen nga këto infeksione.
Z.Pipero, sipas konstatimeve tuaja, cila është tendenca e Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme në vendin tonë?
Ajo që dua të them me dhimbje është që Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST) në vendin tonë kanë ardhur duke u shtuar. Këtu nuk flasim për infeksionet e zakonshme siç është Gonorea, Klamidia, Sifilizi etj., por mbi të gjitha ka një shtim të rasteve me HIV/AIDS dhe sidomos me hepatit B dhe C. Kjo është shqetësuese për sistemin shëndetësor, është shumë problematike për shëndetin e qytetarit dhe pse jo edhe për jetën e tyre.
Cilat janë disa nga arsyet e shtimit të të prekurve?
Në radhë të parë unë mendoj se kujdesi i qytetarëve ndaj IST-ve është tejet i ulët. Së dyti, theksoj se komunikimi me qytetarët, për t’i reduktuar ata, nga ana e sistemit shëndetësor dhe arsimor është shumë i ulët. Janë disa norma të edukatës seksuale dhe shëndetësore që merren që në ditët e para të jetës duke filluar nga familja, edukimi parashkollor e kështu me radhë e më pas nga një komunikim i vazhdueshëm i sistemit shëndetësor dhe arsimor me të gjitha moshat, për të bërë të mundur parandalimin e Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme. Kjo pasi shumë prej tyre, veçanërisht AIDS nuk kanë zgjidhje adekuate mjekësore sot edhe pse trajtohen me kujdes.
Kohët e fundit vendi ynë po frekuentohet edhe nga turistë të huaj. Duke marrë parasysh rritjen e IST-ve, a ka ndikuar kjo në shtimin e rasteve?
Unë do të thoja që në radhë të parë kujdesi duhet treguar nga emigrantët dhe ndaj emigrantëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse shumica e tyre kanë disa vite që janë jashtë shtetit dhe duke qenë se shkojnë nga një sistem totalisht i mbyllur në një sistem të hapur, pa normat elementare të edukatës seksuale kanë qënë pre e marrëdhënieve seksuale shpesh të pambrojtura dhe veçanërisht IST-të ne na vijnë më tepër nga emigrantët. Së dyti, gjatë kësaj periudhe ka shumë turistë dhe ata janë shumë “të etur” për të pasur marrëdhënie seksuale me partnerë shqiptarë, qofshin këta meshkuj apo femra. Ky është një problem tjetër që duhet marrë në konsideratë. Ndërkohë që nëse flasim në terma bashkëkohorë, duhet të marrim në konsideratë që sot gjithmonë e më shumë flitet për atë që quhet turizëm seksual. Jo se ne shqiptarët e ushtrojmë turizmin seksual, por është bërë modë në shumë vende të botës ofrimi i shërbimeve të turizmit seksual si pjesë e paketave turistike, të cilat e përfshijnë brenda mundësinë e seksit.
Ju folët për turizëm seksual dhe ndonëse në vendin tonë ai nuk është i përshirë në paketa turistike, mendoni se ai ekziston?
Natyrisht që unë nuk e përjashtoj mundësinë e një “turizmi seksual të fshehur” edhe në vendin tonë, ndonëse i paorganizuar. Ne jemi një vend që po shkon drejt Bashkimit Evropian, jemi një vend i hapur dhe është më mirë të flasim që sot për turizmin seksual sesa të flasim mot dhe të jemi të papërgatitur. Është një fazë zhvillimi e shoqërisë njerëzore, që do ta kalojmë edhe ne, pavarësisht se ne ofrojmë apo jo paketa turistike me seksin brenda. Por turizmi seksual është një realitet i prekshëm kudo në botë.
Duke qenë se përgjithësisht turizmi “planifikohet” në muajt e verës, në raport me muajt e dimrit, sa më i lartë është numri i IST-ve?
Është shumë e vështirë të jepen statistika se sa është numri i IST-ve gjatë muajve të verës apo muajve të dimrit, sepse kemi të bëjmë me një periudhë inkubacioni të gjatë. Duhen studime më të thelluara për të thënë që numri në verë është kaq e në dimër aq, por statistikat në botë dëshmojnë se përgjithësisht në muajt e verës numri i raporteve seksuale të rastësishme është shumë herë më i madhe sesa në periudhën e dimrit dhe numri i IST-ve është disa herë më i madh në verë se në dimër. Natyrisht që sot nuk jam në gjendje të them se sa është numri, por padyshim është dy-tre herë më i lartë se në muajt e zakonshëm të vitit.
Çfarë duhet bërë sipas jush për parandalimin e këtyre rasteve?
Kostoja e trajtimit është shumë e lartë ndaj është i rëndësishëm parandalimi, i cili konsiston vetëm në marrjen e masave mbrojtëse. Këtu kam parasysh përdorimin e kondomëve gjatë marrëdhënieve seksuale dhe veçanërisht gjatë periudhës së verës ku kontaktet seksuale janë të rastësishme dhe vetëm për një natë. Pra, nuk kemi të bëjmë me lidhje partnerësh që e njohin mirë njëri-tjetrin, por kemi të bëjmë me lidhje rastësore që bëhen vetëm për një natë dhe përfundojnë ditën tjetër dhe shpesh i gjejnë partnerët në pamundësi për t’u mbrojtur, sepse nuk kanë një kondom me vete. Ndaj në periudhë vere është e rekomanduar e veçanërisht për femrat, sepse ato janë më të prekshmet nga IST-të në raport me meshkujt, kur shkojnë me pushime, të marrin prezervativë me vete, sepse mund ta gjejnë farmacinë mbyllur.

*G.SH

Rama mbledh qeverinë e re në Vlorë më 21 gusht

ramaKryeministri i zgjedhur, Edi Rama, pas 10 ditësh reflektimi që u ka lënë në dispozicion ministrave të tij, do të mbledhë në mesditën e 21 gushtit në një nga hotelet e qytetit bregdetar të Vlorës, ekipin e tij qeveritar. Lajmi u konfirmua dje për “Gazeta Shqiptare” nga burime zyrtare në selinë rozë. Data 20 gusht, ishte përcaktuar si kohë e lënë në dispozicion të ministrave të për-zgjedhur, për të hartuar programin specifik të 100 ditëve të para të qeverisë. Në mbledhjen e parë të Ramës me ministrat e tij, mësohet se jashtë diskutimeve nuk do të ngelet as kodi etik i ministrave, i cili tashmë duket se është finalizuar dhe që siç ka premtuar kryesocialisti bazohet në modelet më të shkëlqyera të mirëqeverisjes demokratike. Ky është takimi i parë i kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, me të gjithë anëtarët e kabinetit.
 Zbulohet strategjia e lënies së mandatit të deputetit prej 17 ministrave të qeverisë së re “Rama”, në shtator. Burimet nga Partia Socialiste shpjeguan dje, për mediat, se jo të gjithë ministrat do të heqin dorë nga mandatet në të njëjtën kohë; kjo, për të mos “rënë” mazhoranca në Kuvend. Kjo procedurë do të nisë, pasi të jetë votëbesuar qeveria e re në Kuvend. Pra, fillimisht 17 deputetët-ministra do të mbajnë edhe mandatin e deputetit, edhe postin ministror, në mënyrë që votëbesimi i qeverisë së re në Kuvend të mos vonohet. Më pas, ndërsa është kryer kjo procedurë, hap pasi hapi do të fillojë me grupe dorëheqja e deputetëve-ministra nga mandati i deputetit. Në fakt, edhe zëvendësimi i të dorëhequrve të parë kërkon një periudhë kohe. Secili prej 17 ministrave, 5 të LSI-së dhe 12 të PS-së, duhet t’i drejtohen individualisht Kuvendit me një kërkesë zyrtare për t’u dorëhequr si deputetë dhe më tej është Parlamenti që bën njoftimin e KQZ-së për boshllëkun që krijohet. Por në fakt, ashtu si për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shumicën për të mandatuar 17 deputetët e rinj të Kuvendit. Rrjedhimisht do të duhet që të ndiqet e njëjta procedurë si me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve, pra që mazhoranca e re t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi.
E gjithë kjo procedurë, sipas ligjvënësve mund të zgjasë ndoshta edhe përgjatë gjithë muajit shtator. E gjithë problematika mbetet në taktikën se si do të jepen dorëheqjet, pasi nëse të 17 ministrat do të dorë-hiqeshin menjëherë, atëherë mazhoranca PS-LSI do të mbetej me 66 deputetë. Kaq mandate do ta pengonin votëbesimin e qeverisë së re, në rast se edhe opozita e re, pra PD do të zgjidhte si strategji mungesën e plotë në seancën e votëbesimit të kabinetit “Rama” si fillim, por më tej, nuk do të plotësohej edhe numri 71 i deputetëve që kërkohet për zhvillimin e një seance normale parlamentare.

Berisha kërcënon ushtarakët: Dilni në protesta dhe do t’ju heq statusin

berisha sadKryeministri në ikje, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me fshehjen e vendimit për kalimin e SHQUP në pronësi të Bashkisë së Tiranës me destinacion për Partinë Demokratike. Berisha ka deklaruar se vendimi u mbajt për arsye se, nuk ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe kërcënoi ushtarakët, se nëse do të guxojnë të dalin në protesta do t’iu hiqet statusi.

“Çështja e tretë, shumë  e rëndësishme, lidhet me vendimin që kaluam në mbledhjen e kaluar. Brenda pesë minutave, mediat e kontrolluara nga Edi Rama thanë se qeveria e fshehu vendimin. Kjo qeveri nuk fsheh asnjë vendim e asnjë germë. Do të shihni tjetrin, por unë nuk fsheh kurrë. 

Ka një të vërtetë. Vendimi nuk u zbardh, pasi ishte bërë një gabim. Vendimi për kalimin e SHQUP-it në pronësi të Bashkisë së Tiranës, me destinacion për Partinë Demokratike, nuk mund të vinte në mbledhjen e qeverisë pa u dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim, me të cilin parakalon kompetencat e Presidentit të Republikës. Ndaj vendimi u mbajt dhe nuk mund të zbardhej se, në rast se Presidenti nuk do ta dekretonte, vendimi mund të bëhej i paqenë. Kjo është arsyeja. Nuk ka asnjë arsye për të fshehur asgjë”, -tha Berisha.

Kryeministri në largim Berisha, ka kërcënuar ushtarakët duke deklaruar, se nëse guxojnë të dalin në protesta, do të humbin statusin e tyre.

“Dolën më në protestë në shkelje të statusit, një nga një do të humbasin statusin. Ata marrin një pension të veçantë, sepse kanë një status. Më thonë se ka kënduar Vaçe Zela, le të vendosim një pllakë aty, apo Gaqo Avrazi, njeri i nderuar. Atëherë hajde t’i nderojmë me një pllakë. Por neve nuk na duhen ahengjet që bënte Petrit Dume dhe Hito Çako.  E mbyll, duke i thënë zotit Rama se në atë ciu-ciun e djeshëm ke treguar të gjithë moralin e shpëlarë që ke si njeri. Selia e Partisë Socialiste ka një hapësirë dy herë e gjysmë më shumë sesa selia e Partisë Demokratike dhe askush nuk e ka vënë kurrë në diskutim. Ai qëndrim ishte një qëndrim i hapur armiqësor ndaj forcës kundërshtare, por vetë fjalori ishte gjëja më e denjë për piktorin. Fjalori ishin ngjyrat e tij”,-deklaroi Berisha./e.k/

 

Akuzat për trafik organesh, Rexhep Krasniqi: Absurditet i kokave të sëmura

shtepia e verdheIsh-komandanti i UÇK-së Rexhe Krasniqi dhe një grup ish-luftëtarësh vizituan fshatin Gurrë të rrethit të Matit, ku sipas ish-prokurores së Hagës Carla Del Ponte është kryer trafikim organesh të ushtarëve serbë. Sipas Krasniqit, këto akuza janë produkt i absurditetit të kokave të sëmura.

“Lajmin në fjalë e mora vesh nëpërmjet mediave, pas luftës së Kosovës. Mund të them se ky është një absurditet i kohës, absurditet i kokave të sëmura. Sepse unë jam njëri prej atyre që kam qenë tërë kohës në Burrel si komandant i qendrës stërvitore në Mollxa. Në atë kohë në ballafaqoheshim me vështirësitë tona për të stërvitur ushtarët dhe për përballimin e furnizimit me ushqime dhe me armë dhe mjete të tjera.”- deklaroi Krasniqi.

Ish-komandanti i UÇK-së tha se “këta njerëz duhet të kryejnë vizita mjekësore, pasi imagjinata e tyre e sëmurë nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin.”

Më pas zoti Krasniqi u shpreh se në shtëpinë ku pretendohet se janë kryer transplante, nuk mund të shkohet me mjete tokësore, por vetëm nga ajri, gjë që nuk ka qenë e mundur për UÇK-në.

Qeveria i jep PD-së dhe Shtëpinë Ushtarake në Fier

qeveriQeveria ka zbardhur sot në faqen në ueb të kryeministrisë vendimin për Shtëpinë Qendrore Ushtarake Popullore (SHQUP).

Përvec godinës së SHQUP që i kalon si seli Partisë Demokratike, një vendim i ngjashëm është marrë dhe për Fierin, ku Shtëpia e Ushtarakëve i kalon për zyra Partisë Demokratike, dega Fier.

V E N D I M PER SHQUP
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E BRENDSHME, TË PASURISË SË PALUAJTSHME “SHTËPIA QENDRORE E USHTRISË”, ME QËLLIM PAJISJEN E SUBJEKTIT PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË ME NDËRTESË, PËR SELI QENDRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 22, shkronja “b” e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, dhe të neneve 8, pika 3, 13 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme, të pasurisë së paluajtshme, të konfirmuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, me emërtimin “Shtëpia Qendrore e Ushtrisë”, me numër rendor 32, përkatësisht sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi, miratuar me vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar”.

2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

3. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, brenda datës 20.8.2013, të përfundojë procedurat e marrjes në dorëzim të pronës.

4. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin politik Partia Demokratike e Shqipërisë.

5. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

PER FIERIN
2-
PËR DHËNIE MJEDISESH PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, PËR ZYRA VENDORE NË FIER, TË QARKUT TË FIERIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të neneve 22 e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, si dhe të pikës 3, të nenit 8, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kati i pestë i ndërtesës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, t’i jepet për mjedise Partisë Demokratike të Shqipërisë, për zyra vendore në Fier, të Qarkut të Fierit, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me Partinë Demokratike të Shqipërisë, në përputhje me nenet 22,, shkronja “b”, dhe 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, të ndryshuar, për periudhën derisa partia politike plotëson kushtet e parashikuara në këto nene.

3. Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

BERISHA: SHQUP PËRDOREJ PËR MORTE E DASMA, USHTARAKËT JO PROTESTA, DO JU HEQ STATUSIN
Kryeministri në detyrë, Berisha u ndal dhe tek vendimi i qeverisë për SHQUP, sot gjatë mbledhjes së kabinetit të ministrave.
Sipas Berishës, SHQUP kishte humbur funksionet prej 12 vitesh dhe shtoi e vendimi qeverisë që kjo godinë do bëhej seli e PD-së do të zbardhej sapo Presidenti ta dekretonte zyrtarisht.

“SHQUP-i të paktën për 12 vjet ka humbur çdo lloj funksioni. Vendimi nuk u zbardh se u konstatua se kishte një gabim, vendimi nuk ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës”.

“Të jemi të sinqertë, aty kemi parë vetëm ceremoni mortore. Dmth vetëm dasma ose ceremoni mortore. Po ka një aktivitet aty, por kjo shtëpi ka humbur të gjithë funksionet dhe nuk ka asnjë lidhje me emërtimin që mban. Qeveria, duke parë që kjo shtëpi kishte humbur funksionet, ka kontraktuar një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës dhe ju ftoj të shkoni dhe të shihni se çfarë ndërtimesh po bëhen’.

Më tej Berisha duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami theksoi se nëse bëhen protesta nga ushtarakët lidhur me këtë vendim qeverie, atëhere çdo ushtarak do humbasë statusin që gëzon dhe deri pensionin e ushtarakut.
Berisha:Nëse dalin në protestë në shkelje të statusit një nga një do humbin statusin. U hiqet statusi dhe le ta marrin pastaj pensionin me statusin e qytetarit.
Imami: Nuk del njeri.
Berisha: Po ca ishin ata që më erdhën këtu, më thanë ka kënduar aty Vaçe Zela. Paska kënduar, mirë vemi një pllakë, që këtu ka kënduar Vaçe Zela. Kaq dhe e mbyll këtë duke i thënë z Rama se me atë ‘ciu ciun’ e djeshëm ke treguar gjithë moralin e shpëlarë që ke si njëri.

Qielli siper Stonehenge, Mbretëria e Bashkuar

Qielli siper Stonehenge, Mbretëria e Bashkuar (Kieran Doherty, Reuters/Contrasto)
Qielli siper Stonehenge, Mbretëria e Bashkuar (Kieran Doherty, Reuters/Contrasto)
Qielli siper Stonehenge, Mbretëria e Bashkuar (Kieran Doherty, Reuters/Contrasto)

Arrestohet shqiptari i “Agimit të Artë”

robert hajdhriNjë nga anëtarët e partisë neonaziste greke, “Agimit të Artë” u arrestua ditën e sotme në orët e vona nga policia shqiptare. Arrestimi ndodhi në pikën kufitare të Qafë-Botës në Sarandë. I ndaluari është identifikuar si Robert Hajdhi, anëtar i organizatës së “Agimit të Artë” për “Vorio-Epirin”.

Sipas të dhënave paraprake, Robert Hajdhi ka qenë i pranishëm në Lukovë dhe ka marrë pjesë në ceremoninë me rastin e 3-vjetorit të vdekjes së minoritarit, Aristotel Guma, i cili humbi jetën në një aksident tragjik, teksa u përplas nga një automjet kur udhëtonte me një motor.

Sipas policisë, Hajdhi ka qenë i pranishëm gjatë ceremonisë që “Agimi i Artë” kreu në varrezat e Himarës për Gumën, nga ku u bënë edhe shumë akte kundër shqiptarëve. Policia konfirmon se Robert Hajdhi, në momentin kur u arrestua, mbante veshur edhe një bluzë me simbolet e partisë neonaziste, “Agimi i Artë”.

Në Lukovë ai ka në pronësi një Hotel. Roberti është shtetas shqiptar dhe është larguar në Greqi pas vitit 1992. Gjatë përkujtimores së Gumës në varrezat e Himarës, përfaqësues të partisë naziste greke, “Agimi i Artë” mbajtën dhe një fjalim të ashpër kundër shqiptarëve, si edhe dhunuan disa gazetarë edhe kameramanë, të cilët u përpoqën që të filmonin ngjarjen.

Një nga eksponentët e “Agimit të Artë”, Kristoforos Tsankas deklaroi mbi varrin e të ndjerit Guma, se do të luftohej deri në fund për çlirimin e Himarës. “Agimi i Artë”  betohet se do të vazhdojë luftën deri në ditën e çlirimit të Himarës”, pati deklaruar ai.

Ekskluzive/ Arjan Muça: E vërteta e operacionit kundër Dajtit

 ARJAN MUCAPër herë të parë zbardhet dëshmia e zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Arjan Muça, i cili drejtoi dhe operacionin “anti-Dajti”. Në pjesën e parë të publikuar dje në “GSH”, Muça rrëfeu parapërgatitjet për kapjen e Dajtit: përgjimin e tij kur ishte në kërkim dhe dyshimet për trafikun e drogës. Në vijimin e dëshmisë në gjykatë, Muça tregon sot momentet e tmerrshme të vrasjes së vartësve të tij gjatë operacionit që shkoi keq më 7 gusht 2009.
Dëshmia
U thirr dhe u paraqit dëshmitari Arjan Muça. Paralajmërohet për detyrimin për të dëshmuar dhe përgjegjësinë ligjore në rast të dëshmisë së rreme. I lexohet formula e betimit. Dëshmitari tha “Betohem”!
Ftohet të japë gjeneralitetet: Arjan Muça, lindur në Dibër, banues në Tiranë, me gjendje gjyqësore i padënuar më parë, me arsim të lartë.
Prokurori Ardian Nezha: Ju personalisht e njihnit fizikisht Dritan Dajtin dhe ai ju?
Muça: Unë fizikisht nuk di ta kem parë ndonjëherë, por njohja ishte nëpërmjet fotografisë që dispononte policia si person i shpallur në kërkim. Sapo kam bërë ca metra, kam dëgjuar krisma armësh. Kam dëgjuar krismat e para, kam nxituar hapin, normalisht është instiktive kjo punë, por krismat kanë vazhduar dhe kam vrapuar për në drejtim të vendit ku ishte makina. Kur jam afruar afër vendit, rrugës në vrapim e sipër, kam nxjerrë armën që mbaja me vete, të cilën e kam mbajtur në dorë. Jam afruar tek vendi, ndërkohë që krismat vazhdonin pa ndërprerje. Në momentin që kam hyrë në rrugicën që ndodheshin krismat, në rrugicën që të çon tek vendi ku ndodhej makina, aty kam parë në një distancë kam përshtypjen rreth 7-8 metrash, parë për herë të parë në kontakt vizual Dritan Dajtin. Ai po vinte me vrap me armë në dorë në rrugicën që të nxjerr në plazh tek rëra. Ndërsa unë në drejtimin e kundërt nga rëra për tek makina në të njëjtën rrugicë. Rrugica është e drejtë, që të nxjerr nga makina, për te rëra, por në fundin e saj ka një kthesë që lidhet me një rrugë tjetër. Këto kanë qenë sekuenca të shkurtra, aty kam parë njërin nga agjentët e mi, i cili po mundohej të ndalonte një person, për të cilin nuk ia kam idenë kush ishte dhe ndërkohë kam parë Dritan Dajtin që qëlloi drejt agjentit tim. Agjentin më vonë e identifikova si Kastriot Feskaj, sepse në atë moment ishte i veshur me fëshfëshin e policisë dhe me maskë. Ndoshta e shtëna e parë e ka goditur dhe është kthyer instinktivisht për të parë se ç’është kjo punë dhe kanë qenë afër me Dritan Dajtin saqë ai Kastrioti u mundua ta kapte dhe e ka kapur me dorën e djathtë, pasi në të majtën ka pasur automatikun. Kam parë Dritan Dajtin që e ka qëlluar edhe dy ose tri herë të tjera nga aq afër sa ishin me njëri-tjetrin dhe e di që goditjen e fundit ia ka dhënë në këtë pjesë të trupit dhe me tregon me dorë në pjesën e qafës. Kam përshtypjen se nga ana e majtë e qafës, por kam fiksuar se pas kësaj goditjeje Kastrioti është shembur në tokë dhe Dritan Dajti ka vazhduar vrapin për t’u larguar në drejtimin që ishte nisur. Kam drejtuar pistoletën drejt tij dhe i kam bërë thirrje që të ndalonte duke i thënë “policia”. Në tentativë për t’u larguar ka qëlluar edhe dy ose tri herë të tjera në drejtimin tim, ishte e vështirë për t`u fiksuar se janë momente shumë të shkurtra, por mendoj se ose dy ose tri herë. Të njëjtën gjë kam bërë edhe unë, por me një ndryshim, pistoleta ime ishte harruar në siguresë nga nxitimi, unë e kisha harruar dhe shkrepjet e mia ishin boshe. Nuk ka bërë as dy-tri hapa pasi më qëlloi mua dhe ka rënë në tokë. Jam afruar me nxitim dhe puna e parë që kam bërë i kam shtyrë me këmbë pistoletën. Jam kthyer për nga drejtimi ku mendoja se kisha agjentët e tjerë dhe kam parë që agjenti më afër meje ishte Petrit Sulkaj, të cilin e identifikova më vonë. Ishte me xhup policie dhe me kapuç. I thashë për pranga dhe më tha nuk kam. I thashë “hajde rri këtu”, e vura pranë Dritan Dajtit dhe i thashë se “për asnjë arsye nuk do të afrohet asnjë person këtu”.
Prokurori Nezha: Keni komunikuar me Dritan Dajtin kur i hoqët pistoletën?
Muça: Me sa mbaj mend i kam thënë pse m’i vrave njerëzit, nuk mbaj mend të më jetë përgjigjur.
Prokurori Nezha: Ky ka qenë kontakti i parë vizual me Dritan Dajtin?
Muça: Po. Kur i hoqa pistoletën, e pyeta kush je ti dhe më tha Dritan Dajti, atëherë vazhdova duke i thënë pse m’i vrave njerëzit. (Paraqitet në këto momente prokurori Eugen Beci).
Vijon Muça: Kam shkuar tek Kastrioti, ishte e kotë, nuk kishte asnjë shenjë jete. I kam marrë automatikun që kishte në dorë Kastrioti, kam ecur në drejtim të makinës së parkuar makinës “Tuareg”, ku ndodhej Dritan Dajti më parë. Aty më ka thirrur shefi i grupit, Perlat Leli dhe më ka thënë që na kanë plagosur Altin Dizdarin. E kemi marrë Altinin bashkë me Perlatin tek makina “Ford” kam përshtypjen dhe i kam rënë urgjent për në spital. Kam shkuar tek vendi ku ishte “Tuarge”-u dhe kam parë F.M, një nga agjentët, i cili kishte prangosur një person dhe po e mbante të shtrirë në tokë. I kam thënë prangat, më ka thënë nuk i kam, se ia kam vënë këtij. Kam kthyer kokën për të parë për agjentë të tjerë që mund të më ndihmonin me pranga, por mesa duket, një pjesë kishin ikur për të çuar në spital Sajmir Duçkollarin. Dhe në këto momente më ka thënë Flori, më duket se është Fatosi tek “Tuareg”-u. Jam afruar aty dhe midis avllisë ku ishte parkuar “Tuareg”-u, ndodhej i shtrirë Fatosi. E kam prekur për të parë nëse i rreh gjë, nuk kishte asnjë shpresë. Afër tij ndodhej edhe një person tjetër i shtrirë që më vonë e identifikuam, as tani nuk ia di emrin. Ai me sa mora vesh pasi erdhën forcat e tjera të policisë, ishte një nga personat që kishte qenë me Dritan Dajtin në makinë. Që nuk ishte efektiv e fiksova menjëherë nga veshja me pantallona të shkurtra që nuk ia kisha parë njeriu nga të mitë. Në moment kam dashur të kërkoj ndihmë për të nisur Fatosin në spital, por nuk kisha kujt t’i kërkoja, pasi edhe njerëzit që ishin, kishin marrë secili në makinat e veta shokët e tyre të plagosur apo të vrarë dhe i kishin nisur për në spital. Kam parë që nga të gjitha anët po afroheshin qytetarë kuriozë. Fillimisht i jam drejtuar vendit ku ndodhej i shtrirë Dritan Dajti, u kam bërtit njerëzve që jemi policia, largohuni mbrapa, janë larguar dhe në këtë kohë janë afruar edhe agjentët e tjerë që kishim me këto detyrat e tjera që thashë më sipër dhe jemi munduar të mbajmë të paprekur vendin e ngjarjes. Kam njoftuar në telefon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e kam vënë në dijeni në vija të trasha për atë ç´ka kishte ndodhur. Dhe deri sa kanë ardhur forcat e policisë së Durrësit dhe më vonë forcat e tjera speciale, jam munduar maksimalisht të ruaj vendin e ngjarjes që nga vendi ku ishte shtrirë Dritan Dajti dhe deri tek rruga në të cilën ndodhej “Tuarge”-u dhe më gjerë prapë. Gjatë kësaj kohe, kolegët që kishin shkuar në spital duke çuar të plagosurit më thonin që filani ka vdekur, filani ka vdekur për të katër njerëzit tanë. Kjo është ajo ç’ka kam lidhur unë me atë ngjarje.
Prokurori Nezha: Ju kujtohet ju se me çfarë mjetesh kanë lëvizur forcat që ju shpjeguat më sipër nga Tirana për në Durrës, dhe nëse po, si ishin ndarë ata në secilin prej këtyre mjeteve?
Muça: Unë kam fiksuar, kemi pasur dy makina në dispozicion, atë ditë kam fiksuar “Ford”-in, janë dy “Ford”-e, njëri i zi, tjetri jeshil. Altin Dizdari ka pasur motorin, ka pasur edhe makinë tjetër, por nuk di të them se cila. Kam fiksuar se kanë qenë tri makina dhe një motor. Ndarja brenda makinave, ne kemi ecur me parimin se në këto operacione njerëzit të ndahen sipas asaj ç’ka ata ndjehen më mirë, në krahë zgjedhin vetë.
Prokurori Nezha: Në operacionin e datës 07.08.2009, a mund të na thoni çfarë lloj armatimi personal keni pasur ju, lloji, kalibri, marka?
Muça: Armatimi që kam pasur atë ditë ka qenë pistoletë tip berete, me kalibër 9 mm, me numrin e serisë përkatëse që unë as nuk e kam parë ndonjëherë se çfarë numri ka.
Prokurori Nezha: Veç kësaj arme, a keni pasur armatim apo municion tjetër në këtë ngjarje?
Muça: Jo, nuk kam pasur asgjë tjetër veç asaj që thashë më sipër dhe telefonit.
Prokurori Nezha: Si oficer karriere në Policinë e Shtetit, struktura policore që ju drejtoni krahas armatimit që shpjeguat më parë ka pasur në organikë armë të kalibrit 9×18 mm të llojit makarov ose armë që përdorin municion të ngjashëm?
Dritan Dajti: Kundërshtoj pyetjen.
Kryetari i seancës: Pranohet kundërshtimi, të rregullohet pyetja.
Prokurori Nezha: Struktura e Policisë së Shtetit ka në organikë armë të kalibrit 9×18 mm?
Dritan Dajti: Kundërshtoj pyetjen.
Kryetari i seancës ndërhyn për të rregulluar pyetjen: Të çfarë lloj kalibri janë armët që përdoren nga strukturat policore dhe organika që ju përdorni?
Muça: Siç e kam thënë edhe më sipër, armët tona janë beret 9 mm, bëhet fjalë për pistoletë si dhe automatik. Nuk di t’ua specifikoj se janë turke dhe italiane, por janë 9 mm, dhe kallashnikovë.
Prokurori Beci: Në raport me “Tuareg”-un dhe kryqëzimin e rrugës, e keni fiksuar se në ç’pozicion ndodhej ky person që deklaruat se ishte i shtrirë pranë “Tuareg”-ut dhe nuk ishte efektiv i policisë?
Muça: Më mirë do kishte qenë që unë të kisha një skicë të vendit të ngjarjes, kujtoj që ishte i shtrirë përmbys, këmbët i kishte në gjysëm drejtimi për nga del për te rëra, ndërsa kokën e kishte në drejtim të pjesës fundore të “Tuareg”- ut, aty ku mbaronte avllia, aty mbaronte dhe “Tuareg”-u dhe ai e kishte kokën mes të dyjave, mesa mbaj mend unë, ka qenë i kthyer përmbys.
Prokurori Beci: Të pandehurin Mariglen Muçaj e keni njohur?
Jo.
Prokurori Eugen Beci dhe prokurori Ardian Nezha: Nuk kemi më pyetje.
I pandehuri Dritan Dajti: Kërkoj shtyrjen e seancës dhe praninë e mjekut dhe gjatë kohës kërkoj që avokati im të mos e vazhdojë seancën pa praninë time. Pas pranisë së mjekut kërkoj të vazhdoj me pyetjen e dëshmitarit.
Kryetari i seancës: Nëse dëshironi të largoheni është e drejta juaj. Mund të vazhdojë avokati me pyetjet për dëshmitarin. Vazhdon seanca gjyqësore. Largohet nga salla i pandehuri Dritan Dajti me vullnet të lirë (ndërpritet seanca dhe caktohet datë tjetër).

*G.SH