Nuk pyet mali se e shpojnë me ombrellë!

Viti i Ri do të nisë me një punë të lënë përgjysmë nga Opozita e Bashkuar, të flasin përmes protestës së studentëve. Edhe pse e kam cituar edhe më herët se PD dhe LSI nuk kanë ende një kauzë të tyren me të cilën të përfaqësojnë denjësisht votuesit dhe të luajnë rolin e opozitës, duket se edhe për 2019 ata do kapen fort pas protestave të momentit.

Sërish studentët për të drejtat e tyre do vijojnë protestat deri në realizimin e 8 pikave të propozuara nga ata për Ministrinë e Arsimit dhe njëherësh edhe për Kryeministrin Rama. Edhe pse Rama ka kërkuar dialog dhe komunikim me studentët duket se asgjë nuk i ka ngrohur këta të fundit.

Me gjithë përpjekjen për tu përshëndetur të studentëve që nuk lejuan përfshirjen e politikës, duhet themi se kjo është totalisht e pamundur.

Forumet rinore të të gjitha partive ekzistuese në vend kanë nga minimumi 1 student në fakultet, kështu që Opozita e Bashkuar e ka shumë më të lehtë të përdorë “studentët” përmes studentëve. Politiken e të mëdhenjëve ta bëjnë të vegjlit.

Sërish protestë, sërish rrugë të bllokuara, sërish vonesa në punë, kjo fal Opozitës që mbeti rrugëve dhe nuk di ku ka zyrën!

Edhe pse u cilësua si një nga protestat që i dha një shuplakë të fortë Qeverisë, duhet thënë se nuk pyet mali se e shpojnë me ombrellë!/

3 të vdekur dhe 5 të plagosur në aksidente rruge

Mbrëmjen e djeshme rrugët e vendit janë përgjakur nga disa aksidente rrugore. 3 persona kanë humbur jetën, ndërsa 5 të tjerë janë plagosur në dy akësidente në autostradën Levan-Tepelenë dhe në rrugën Poshnje- Ura Vajgurore.

Rreth orës 18:00, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur “Varibob”, kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur 5 të tjerë.

Siç njofton policia “një automjet ka përplasur një këmbësor. Më pas në vendngjarje janë grumbulluar disa banorë të zonës dhe pasagjerë të një autobusi me targa greke që kishte parkuar aty për të dhënë ndihmën e parë personit të aksidentuar, të cilët janë përplasur nga një mjet tjetër tip “Opel” i cili ka hyrë në parakalim.”

“Për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit:  
1- Fetah Shahja 64 vjeç, banues në Tiranë 
2- Durim Lamaj 55 vjeç, banues në Vjosë, Fier 

Të plagosurit janë: 
1-Haxhi Lamaj 
2-Mynyre Lamaj 
3- Agron Cocalli 
4-Jorgo Meraj 
5-Sokol Dhima

Të plagosurit janë në spitalin rajonal të Fierit, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa pak minuta më vonë, një tjetër aksident me pasojë një të vdekur ndodhi në rrugën Poshnje-Ura Vajgurore.

“Rreth orës 19:10, në aksin rrugor Poshnje- Ura Vajgurore, në vendin e quajtur ‘’Rrethrotullimi i Çifliku’’, shtetasi Jetmir Caushi banues në Ura Vajgurore, duke drejtuar një mjeti karotrec ka aksidentuar shtetasin Dritan Mici, 45 vjeç, banues në Berat, i cili ka ndërruar jetë”, sqaroi policia.

Drejtuesi mjetit u shoqërua në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme.

Për të dyja rastet grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidenteve.

Qeni zbulon vendin ku 28-vjeçarja shqiptare ishte varrosur nga babai

Detaja të reja kanë dalë nga vrasja e Anxhelina Petros.

Mësohet se ishte qeni i saj, Roki që drejtoi policinë drejt vendit ku 28-vjeçarja shqiptare ishte varrosur nga babai.

Sapo pa policinë që hyri në shtëpi Roki vrapoi drejt oborrit të shtëpisë, në vendin ku u varros Anxhelina.

Ai vazhdon të qëndrojë ende pëpara gropës bosh pa lëvizur, edhe tani që kanë kaluar 48 orë nga krimi makabër.

Anxhelina e mbante në shtëpi Rokin prej shumë vitesh.

Sot policia gjeti në depon me vegla, levën e hukurt që i ati i saj përdori për ta vrarë. Nesër 52 vjeçari do të paraqitet përpara gjykatës së ishullit të Korfuzit për tiu komunikuar masa e arrestit.

Lindi me flokë të zinj dhe balluke të bardhë, bebushja mrekullon botën

Një bebushe e lindur para pak ditësh, është në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale për një arsye shumë të veçantë:

Ajo ka lindur me flokë të zinj, por me balluke të bardhë si retë.

Kjo për shkak të një gjendjeje të quajtur “pielbaldizëm”, që shkakton çregullim në prodhimin e melaninës.

Mayah e ka trashëguar këtë karakteristikë nga mamaja, e cila ka flokë të zinj dhe të bardhë.

Nga momenti i lindjes, e sapo lindura ka tërhequr vëmendjen fillimisht të mjekëve e më pas të gjithë stafit të spitalit.

Mamaja e saj, Talyta Youssef, 40vjeç, rrëfen reagimin e mjekut:

“Kur lindi, kirurgu tha: Shiko, ka dritë mes flokëve!’ Kuptova që po e sillte drejt meje, pasi nuk po e shihja.”

Pasi u spostuan në dhomë, vogëlushja pati shumë vizita: “Sapo u sistemuam në dhomë, njerëzit nisën ta fotografonin dhe ta vizitonin. Isha e shtruar në maternitet për katër ditë dhe infermieret, personeli I sanitareve, stafi I spitalit nisën të vizitonin Mayah dhe të bënin shumë foto.

Më pas ato imazhe bën xhiron e botës”, thotë mamaja.

Mes shumë njerëzve që njihnin historinë, ishte edhe fotografja Paula Beltrao, që i ofroi një dhuratë familjes.

Pas fotove, shumë të njohur vajtën të flisnin me Talyta, duke lavdëruar familjen e saj.

Ajo mori shumë dashuri dhe mbeti tejet e surprizuar, duke menduar se në fëmijërinë e saj nuk ka qenë e pranuar në shoqëri, pikërisht prej ngjyrës së saj të flokëve.

 “Është zbavitëse. Në kohën time nuk ishte bukur. Shkula flokët e mi kur isha fëmijë, ndaj nuk kisha flokë të bardhë në ballë dhe është zbavitëse të shohësh sot që kjo karakteristikë provokon kuriozitet dhe mirësi tek njerëzit.”, shprehet Talyta.

Edhe pse ka vuajtur prej talljeve pjesën më të madhe të jetës së saj për shkak të flokëve, Talyta beson se Mayah nuk do kalojë të njëjtat probleme.

“Do shohë sa e bukur është dhe ka një nënë dhe një baba që e duan shumë. Ndaj, ambjenti në të cilin do lindë, është një ambjent i ndryshëm nga ai në të cilin jam rritur unë.”, ka shtuar.

Tonin Vocaj dhe Eduart Merkaj emërohen në poste të rëndësishme

Drejtues i Lartë Tonin Vocaj emërohet Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Drejtues i Lartë Eduart Merkaj emërohet Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në  Policinë e Shtetit.

Këto dy urdhra të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj u bënë të ditura nga Zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë një takimi paraditen e sotme me drejtuesit qendrorë të Policisë së Shtetit

Cfare pozicioni kane mbajtur

Drejtues i Parë Tonin Vocaj deri dje ka mbajtur postin e Përgjegjësit të Departamentit  të Hetimit të Krimit në Fakultetin  e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë.  Me emërimin Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit merr dhe gradën Drejtues i Lartë.

Ndërkohë Eduard Merkaj deri dje ka mbajtur postin e Drejtorit të Departamentit te Policise Kriminale. 

Wieland: Kundër ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, tha të mërkurën në Prishtinë se mundësia e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë, nuk do të ishte ide e mirë.

Ai i bëri këto komente pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në të cilin është diskutuar për sfidat me të cilat pritet të përballet Kosova gjatë vitit 2019.

Zëvendëspresidenti Wieland tha se arritja e një marrëveshjeje përmes ndryshimit të kufijve nuk do të ishte ide e mirë.

“Pothuajse fjalë për fjalë i thash kryeministrit tuaj se në momentin e parë që kam dëgjuar që njerëzit po propozonin ndryshimin e kufijve duke u bazuar në disa marrëveshje, unë isha shumë i dëshpëruar, por u ndjeva shumë i lumtur nga qëndrimi i kancelares Angela Merkel dhe të koalicionit tonë qeverisës që e sqaruan se ne nuk mendojmë se është një hap i mirë për të ndryshuar kufijtë”…tha ai duke nënvizuar se ndryshimi i kufijve mund të sjellë më shumë probleme se sa arritje pozitive.

Zoti Wieland bëri thirrje ndërkaq që të mos premtohen afate për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai tha se nuk mund të premtoj kur mund të bëhet ndodhë një gjë e tillë, meqë disa qeveri nëpër Evropë ende nuk janë bindur për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova hyri në vitin 2019 pa liberalizim të vizave për qytetarët e saj, pavarësisht kushteve të përmbushura dhe premtimet e politikanëve që kjo çështje do të ndodhë gjatë vitit që lamë pas.

Viti që sapo ka filluar pritet të jetë i vështirë për Kosovën e cila pret të hyjë në një periudhë të re bisedimesh me Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare normalizimi që është kusht për integrimet në Bashkimin Evropian, i cili në pranverë do të jetë në një periudhë zgjedhjesh që priten me shumë shqetësime.

Zbulohet planeti më i largët nga toka

NASA zbuloi për publikun fotografinë e objektit më të largët në sistemin Diellor. E emërtuar “Ultima Thule” nga latinishtja “Një vend përtej botës,” objekti i vogël qiellor duke si një njeri prej dëbore. Ultima ndodhet 6.5 miliardë km larg Tokës. Bota e akullt e njohur edhe si “Ultima Thule” i është prezantuar më në fund publikut. Ky emër në latinisht do të thotë: “Një vend përtej botës.” Një fotografi e kapur nga sonda “Horizonte të Reja” e Nasa-s tregon planetin e vogël që ka formën e dy pjesëve të bashkuara në një pikën në formën e një njeriu prej dëbore. Sonda “Horizonte të Reja” e hasi objektin qiellor Ultima 6.5 miliardë km larg Tokës. Kjo ngjarje shënon zbulimin e objektit më të largët në Sistemin Diellor. Ekipi i shkencëtarëve që u mor me shqyrtimin e fotografive të dërguara nga sonda, vendosi ta quajë pjesën më të madhe të objektit të akullt “Ultima” dhe pjesën më të vogël “Thule”.

19-vjec 19 mendime

“Studenti i përhershëm” Atjon V. Zhiti, siç e njohin shokët dhe shoqet e brezit të tij, një i ri me dëshira të mëdha, që donte jetën dhe gëzimet e moshës, nismëtar në veprime, i dashur dhe bukur, me një buzëqeshje “kryevepër” siç thonë ata që e kanë njohur, ka 4 vjet që na vëzhgon nga Qielli, na ndjek dhe na do përherë.

Fjala e tij e mënçur ishte një dritë në udhën e të rinjve. Dhe vërtet në Tiranë ka një rrugë me emrin e tij “Rruga e Atjonit”, që bashkohet me rrugën “Faik Konica, të cilin ai e adhuronte.

Ndërkaq dhe Atjoni ka lënë një libër me ese, “Për atë që dua(m)”, por dhe një album me pikturat e fëminisë dhe adoleshencës së tij, “Opera Atjon”, i vlerësuar edhe jashtë vendit, po kështu jepen dhe dy çmime ndërkombëtare me emrin e ti, ai i Festivalit të Filmit “Giffoni” dhe për poezi nga “International Writers Association ‘Pjetër Bogdani’”.

Zërin e Atjonit e ndjejmë ashtu siç dilte i çiltër dhe pasionant nga krahërori i tij i gjerë dhe na vë në mendime. Ai i printe moshës së tij.

Zgjodhëm 19 thënie të tij, aq sa pati dhe moshën, të nxjera nga esetë e tij, i grupuam, që kumbojnë aktiuale, si të shkruara tani:

TIRANIA:

1- Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat…

Shtetari pa shtetasin është një hiç.

2- Në një regjim gati-tiranik nuk është tiranik vetëm ai që është në krye të shtetit.

Tirania nuk është asgjë tjetër veçse një shtet i servilizmit absolut, jo vetëm servilizëm i qytetarit ndaj detektorëve të fuqisë e pasurisë, por është një servilizëm total, servilizëm i arsyes ndaj instinktit dhe ky servilizëm i jashtëm nuk është asgjë tjetër veçse një shprehje e servilizmit të brendshëm.

3- Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, anfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla, ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot të jetë prehë e depredimeve të barbarëve, prehë e nepotizmit, prehë e korrupsionit, prehë e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është dhe prehë e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.

LIDERI:

4- Lideri ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij.

A nuk mendoni se ky pohim u përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin… për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë?

KORRUPSIONI:

5- Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë.

Kuptohet që në këtë habitat korrupsioni është i toleruar, bile i mirëparë edhe nga kush nuk ka asgjë tjetër në dorë përveçse të humbasë.

6- …korrupsioni rrjedh nga fort-e-dashura shoqëria civile: që ka pushtuar botën e sipërmarrjes, të kreditit dhe të informacionit, ka kalbur privatin gati po aq sa gjënë publike.

7- Dhe vatra e problemit është politika, sepse e tillë është bërë veshja, por prapë nga vatra mund të vijë ndryshimi, në këtë rreth ku i përbashkët është fillimi dhe fundi.

PËR “OPININON-IN”

8- Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh.

Spektakli nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real.

Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion.

9- Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në sajë të kthimit të mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës.

Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit, zëvendësohet nga dukja.

PËR SHKOLLËN:

10- …ndjej një antipati për shkollën. Më duken orë të humbura. Mos ma përmend fjalën shkollë. E urrej shkollën dhe librat që na jep për të lexuar… 11- Shkolla ime nuk më stimulon, nuk më mëson gjë të re, nuk mendon në nivelin tim, më fal(ni) për modestinë…

12- …Të bësh mirë ti e di ça dmth, nuk flitet vetëm për nota e sjellje. Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori.

PËRGJEGJËSIA PËR NDRYSHIMIN:

13- Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi…

14- Ne i futemi thellë të vërtetës. Sa thjeshtë e zhveshim atë. Preferojmë sinousitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë… Por rruga është keq. Ka shumë gropa. Kërkimi është zhveshje.

15- Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.

16- Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…

17- Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.

LIRIA:

18- Liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?

19 – TË BËSH TË KTHEHEN GJËRAT NË SHËRBIM TË LUMTURISË SË NJERIUT.

voal

Qeveria gjermane hap portat e migracionit

Punëtorë në rrënojat e një pallati të shembur në Nyagatare, Ruandë. (Mark Darrough, Ap/Lapresse)

Punëtorë në rrënojat e një pallati të shembur në Nyagatare, Ruandë. (Mark Darrough, Ap/Lapresse)

Gjermania synon të lehtësojë imigrimin për fuqinë punëtore të kualifikuar dhe të rregullojë qëndrimin e ish-refugjatëve të integruar.

Tre ditë para pushimeve të fundvitit dhe pas debatesh shumë të gjata, qeveria e kancelares Merkel miratoi dy projektligje për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Ato u prezantuan të mërkurën nga tre ministra: Horst Seehofer, ministër i Punëve të Brendshme, Hubertus Heil, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Peter Altmaier, ministër i Ekonomisë, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin. Projektligji i parë rregullon imigrimin e fuqisë punëtore nga jashtë, ndërsa projektligji i dytë u mundëson si ish-azilkërkuesve të refuzuar (me Duldung) të kthehen në imigrantë ekonomikë.

Risitë e ligjit për imigrimin e të kualifikuarve

Projektligji për imigrimin e të  kualifikuarve, në gjermanisht: Fachkräftezuwanderungsgesetz, synon të heqë pengesat aktuale për imigrimin e rregullt ekonomik. Ai do të sjellë këto ndryshime në krahasim me ligjin aktual:

– unifikohet termi “punëtor i kualifikuar” , ku sipas ligjit të ri, përfshihen si të diplomuarit me arsim të lartë, ashtu edhe ata pa arsim të lartë, por me kualifikim profesional;

– hiqet kontrolli i prioritetit për të kualifikuarit me kontratë pune: Deri tani viza e punës jepet vetëm kur është konfirmuar se nuk ka gjermanë ose shtetas të BE-së me të njëjtin kualifikim që mund ta bëjnë atë punë, me ligjin e ri ky verifikim bie.

– hiqet kufizimi për imigrim vetëm për profesionet që kishin mungesa të fuqisë punëtore dhe hapet tregu për çdo të kualifikuar;

– ngjashëm si me të diplomuarit me arsim të lartë, edhe të kualifikuarit e tjerë do të kenë shans të vijnë në Gjermani me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë. Parakusht për të marrë këtë vizë janë njohuri të gjuhës gjermane (minimumi niveli A2) dhe para të mjaftueshme për të siguruar jetesën gjatë periudhës së kërkimit të punës në Gjermani. Sipas ministrit të brendshëm Seehofer, pasi ta kenë gjetur vendin e punës dhe të kenë bërë edhe kontratën, ata duhet të aplikojnë sërish në ambasadë për vizë pune.

– përmirësohet mundësia e qëndrimit në Gjermani për të bërë kualifikime ose provime për njohje të diplomës ose certifikatës së bërë në vendin e prejardhjes;

– thjeshtohet procedura e vizave, përqendrohen kompetencat te zyra e të huajve dhe përshpejtohet dhënia e vizave për fuqinë punëtore.

Çfarë ndodh me ish-azilantët?

Projektligji i dytë ka të bëjë me ndryshimin e statusit nga ish-azilkërkues i refuzuar (statusi aktual: Duldung) në imigrant. Për këtë kalim është paraparë një leje qëndrimi e përkohshme prej 30 muajsh, në gjermanisht kjo leje quhet “Beschäftigungsduldung“, para se të kalohet te leja e qëndrimit të rregullt. Por nga ky rregull përfitojnë vetëm ata azilantë që kanë plotësuar këto kushte:

–  të kenë qenë në marrëdhënie pune me orar të plotë prej së paku 18 muajsh;

– të jenë në gjendje t’i mbulojnë vetë shpenzimet e jetesës;

– të kenë familje të integruara, për shembull, fëmijët të frekuentojnë shkollën rregullisht;

– të jenë prej së paku një viti me statusin Duldung;

– të kenë njohuri gjuhe së paku në nivelin A2;

– të  mos kenë qenë të dënuar penalisht;

– të mos kenë bërë përpjekje për të fshehur identitetin e vërtetë.

Ky ligj për ish-refugjatët është paraparë të jetë i vlefshëm fillimisht deri në mesin e vitit 2022. “Nëse përvoja me të do të jetë e mirë, ai do të zgjatet, përndryshe do të rishikohet”, tha ministri i brendshëm Seehofer.

Kur mund të hyjnë në fuqi ligjet?

Të dy ligjet do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2020. Por më parë duhet të miratohen nga parlamenti (Bundestag) dhe Këshilli Federal (Bundesrat).

Me gjasë që në parlament projektligjet të pësojnë ndryshime të vogla, sidomos për sa i përket afatit të testimit të ligjit për personat me Duldung. Frika më e madhe e kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve është se dhënia e lejes së qëndrimit për azilkërkues të refuzuar mund të shërbejë si joshje për shumë imigrantë ekonomikë që të vijnë në Gjermani ilegalisht, fillimisht si azilantë, me shpresën se më pas mund të kthehen në imigrantë.

Matthias Middelberg, deputet i CDU-së nga Komisioni i Bundestag-ut për Çështje të Brendshme ka paralajmëruar që tani në një intervistë dhënë gazetës “Neue Osnabrücker Zeitung” se planifikon të flasë me SPD-në për shkurtimin e këtij afati.

Siç bëri të ditur ministri i brendshëm Seehofer, projektligji i jep mundësi qeverisë që ta pezullojë ligjin, në rast se konstatohen abuzime masive.

Pritet që ligjet të kalojnë në Bundestag dhe Bundesrat deri nga mesi i vitit 2019, në mënyrë që të mund të vihen në jetë në fillim të janarit të vitit 2020.  Sipas ekspertëve, që nga miratimi i ligjit e deri në ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për implementimin e tij nevojiten gjashtë muaj./DW

Deputeti i PD-së i versulet Ramës e qëllon me vezë në Kuvend

Ka nisur me tensione seanca e sotme parlamentare. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama mori fjalën në Parlament, deputeti i PD Endri Hasa është vërsulur drejt tij, duke e qëlluar me vezë. Ndaj Ramës janë hedhur dy vezë, njëra e kapi në kraharor, kur tjetra i kaloi mbi kokë.

Mësohet se deputeti Hasa i ka thënë Ramës: “Këto i ke nga studentët”.

Pas kësaj situate tensioni, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ndërpreu seancën dhe kërkoi përjashtimin e deputetit Hasa.

Ne oren 11: 26 u mblodh byroja e Kuvendit dhe vendosi perjashtimin e deputetit demokrat me 10 dite nga Kuvendi.

Momentet e tensionit

Deputeti i PD-së i është afruar kryeministrit Rama i cili doli në foltore menjëherë pasi foli kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Pas kësaj situate, në orën 10:50 kreu i PD, Lulzim Basha dhe ish kryetari i PD Sali Berisha u larguan nga salla.

Rama po deklaronte: Basha u kthye me mandate të pjekura por jo të djegura. Vetë do të shkoj të vazhdoj dialogun e vështirë me studentët” kur deputeti demokrat Endri Hasa ka tentuar ta godasë me vezë kryeministrin Rama duke i percjelle mesazhin se e kishte nga studentet.

Nderhyrja e gardes ka qene e shpejte dhe e menjëhershme.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi,urdheroi përjashtimin e deputetit Endri Hasa dhe Sherbimin ta nxirrte jashte, por deputeti refuzoi të dalë jashtë parlamentit.