Afrim Bajrakurti: Nëse e ka bërë videon e turpshme nuk është vëllai ynë

Gjykata e Shkodër ka dhënë 30 ditë burg për policin, Berhan Bajrakurti me akuzën e ngacmimit seksual, pasi  pak ditë më parë iu bë publikë një video teksa kryente veprime të turpshme.

Vëllai i efektivit, Afrim Bajrakurtaj tha se Berhan Bajrakurti nuk ka punë me të miturën.

“Me të miturën nuk ka punë, në pastë punë ai nuk është vëllai ynë.. Por ato janë rrëna të gjitha, janë skenarë të medias. Videoja është e montuar nga mediat, nga ju. Si mund të arrestohet një njeri pa fakte dhe prova. Nëse vëllai ynë e ka bërë atë gjë, mos  daltë nga burgu, nuk na duhet gjë ai vëlla, por nuk e ka bërë”. 

Dyshohet se efektivi është regjistruar teksa ishte duke komunikuar në rrjetet sociale me të miturën nga Kopliku.

Ka qenë e ëma e vajzës që ka konstatuar videon dhe pasi ka parë pamjet e rënda ka biseduar me 15-vjeçaren dhe më pas i është drejtuar Komisariatit të Koplikut për të bërë denoncimin.

Por, dy ditë më parë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se nuk ka një denoncim për këtë rast, madje as personi që ka bërë publik videon nuk dihet kush është.

Dua Lipa fiton dy çmime Grammy

Dua Lipa ka bërë krenarë gjithë shqiptarët, duke fituar dy çmime në eventin më të madh muzikor Grammy Awards.

Ylli i popit rrëmbeu çmimin ‘Best New Artist’ në 61 vjetorin e Grammy dhe çmimin Best Dance Recording për këngën e saj “Electricity” në bashkëpunim me Silk City dhe Diplo e Mark Ronson.

Ndërsa u ngjit në skenën gjigande mbrëmjen e së dielës (10 shkurt) për të pranuar çmimet Dua tha: “Falenderoj fansat e mi që më lejuan të isha versoni më i mirë i vetes sime.”

Dua ishte nominuar në dy kategoritë dhe tek të dyja arriti të rrëmbente çmimet.

Në kategorinë Best New Artist, Dua u përball me shumë këngëtare përfshirë bashkëatdhetaren e saj Bebe Rexha, e cila nuk arriti të fitonte edhe pse u nominua në dy kategori.

Por 23-vjeçarja arriti që ti mundë dhe la pas Chloe dhe Halle, Luke Combs, Greta Van Fleet, H.E.R., Margo Price, Bebe Rexhën dhe Jorja Smith.

“Le iene” dështon në pajtimin për faljen e gjakun mes familjes shqiptare dhe italianit

Emisioni investigativ ‘Le iene’ i Mediaset ka tentuar të realizojë pajtimin e gjakut mes familjes së një të riu shqiptar të vrarë në Itali e familjes së një italiani autori i vrasjes së tij, i cili u shpall i pafajshëm nga drejtësia italiane. Gazetarët italianë gjejnë surreal realitetin e Kanunit, sidomos pas një bisede të kryer me këshillltarin e Ministrit të Brendshëm shqiptar , i cili e mohoi kategorikisht ekzistencën e këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare, ndërkohë që vetëm një vit më parë në Shqipëri 12 persona mes të cilëve 4 fëmijë u vranë për gjakmarrje.

Emisioni investigativ ‘Le Iene’ i Mediaset në puntatën e transmetuar mbrëmjen e së dielës 10 shkurt i është rikthyer dhe një herë ngjarjes së vrasjes së shqiptarit 22 vjeçar, Gjergj Gjoni, i cili hymbi jetën më 20 tetor 2015 pasi u qëllua për vdekje nga italiani Francesko Sicignano, ndërsa po tentonte t’i grabiste banesën.

Ngjarja ka ndodhur në komunën Vaprio D’Adda në provincën e Milanos, e dy vite më parë në dhjetor të 2017 Gjykata e Milanos shpalli të pafajshëm 65-vjeçarin italian, duke hedhur poshtë akuzën e vrasjes së qëllimshme e motivuar pafajsëinë me mbrojtje legjitime kundër një grabitësi i cili kishte hyrë brenda në territorin e banesës së tij.

Dy javë më parë në puntatën e tramsmetuar në mbrëmjen e së dielës 27 janar 2019, gazetari Luigi Pelazza  ka intervistuar në Shqipëri babain dhe nënën e 22-vjeçarit, Gjergj Gjoni, të cilët paralajmëronin italianin se do ta vrisnin.

“Gjej vrimë e futu, o unë vetë, o me para do të të vras”, thotë Mark Gjoni.

“Tek ne repektohet Kanuni i Lekë Dukagjinit,  e unë do të marr gjakun e djalit tim. Do të vras atë që më vrau Gjergjin ose më mirë do të vras djalin e  tij, kështu që dhe ai të vuaj vuajtjen time.”

Në puntatën e së dielës 10 shkurt gazetari Luigi Pelazza i ka kërkuar ndihmë pajtuesit të gjakut Nikolla Shumani, për të bindur prindërit shqiptarë të falin gjakun e të birit.

Por tentativa ka rezultuar e pasuksesshme. Prindërit e Gjergj Gjonit kanë pranuar të ulen e të bisedojnë në një të ardhme me italianin që i vrau djalin e të bien dakort për një vlerë monetare  nëse pranojnë faljen e gjakut.

Por kësaj herë ka qënë italiani Francesko Sicignano, i cili e ka gjetur absurde një kërkesë të tillë.

“Unë jetoj në një vend të lirë, thotë ai pas një bisede telefonike me gazetarin italian, nuk paguaj asnjë lek.”

Prindërit e Gjergj Gjonit janë fyer dhe më shumë nga përgjigjja dhe babai i tij Mark shprehet se pas kësaj italiani i ka borxh jo më 1 por 2 gjaqe.

Habia e keqardhja e gazetarit italian për mosgjetjen e një zgjidhje shndërrohet në një realitet surreal pasi interviston këshilltarin e Ministrit të Brendshëm shqiptar i cili e mohon kategorikisht fenomenin e gjakmarrjes, duke e quajtur një plagë të së shkuarës që ekzagjerohet nga mediat,  persona apo grupe  të caktuara për të përfituar.

“Si është e mundur, pyet gazetari Luigi Pelazza, pak javë më parë intervistuam mësuesen nga Shkodra e cila rrëfeu një tjetër realitet. Si është e mundur që shteti shqiptar e mohon këtë fakt. Një vit më parë në Shqipëri u vranë për gjakmarrje 12 persona e 4 prej tyre ishin fëmijë”.

Gjendet në Turqi bibla e kontrabanduar 1200 vjeçare

Një kopje e Biblës së lashtë, që besohet të jetë 1200 vjeçare është konfiskuar gjatë operacioni anti-kontrabandë në Turqi.

Policia lokale në Kayapinar mori një njoftim se kontrabandistët po kërkonin të shisnin një artefakt me ngjyrë ari dhe të veshur me lëkurë.

Tre të dyshuar u kapën gjatë operacionit policor dhe tre të tjerë u arrestuan si pjesë e një hetimi të policisë.

Mbetet e paqartë sesi libri me 34 faqe është kontrabanduar nga Siria. Turqia është bërë një pikë e kyçe kontrabandimin e mallrave antike të vjedhura në vendin e shkatërruar nga lufta.

Shtetit turk ka lëshuar një listë të objekteve të dyshuara se janë vjedhur nga Siria ndërsa agjentëve të doganave, muzeumeve dhe koleksionistëve privatë u janë lëshuar me paralajmërime që të shmangin tregtinë me antikitetet e vjedhura.

Bibla e lashtë është shumë e dëmtuar edhe pse disa nga ilustrimet dhe zbukurimet në fletët e saj janë ende të dukshme.

Bible u dërgua në një universitet për ekzaminime të kujdesshme arkeologjike që duhet të kryhen për të përcaktuar si origjinalitetin ashtu edhe origjinën.

Vret gruan dhe më pas pret damarët

Tragjedi në qytetin e Vlorës, 57- vjecari mbyt guruan brenda në dyqan.

Teodor Lera, kishte përfunduar edhe më herët në policinë e Vlorës, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës Eva Lera.

57 vjeçari, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital, para pak kohësh kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes duke i çarë kokën.

Por ai ishte liruar pasi bashkëshortja e kishte falur me qëllim që të ribashkonte familjen.

Teodor Lera njihej gjithashtu si një njeri shumë xheloz pasi nuk e lejonte bashkëshorten e tij që të dilte.

Familja Lera ishte nga fshati Bunavi dhe prej disa kohësh ishte shpërngulur në Vlorë.

Ata jetonin në shtëpinë e vëllait të Teodor Lerës ndërsa ishin dhe prindër të tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali.

Njëra prej vazjave të familjes Lera jeton në SHBA, ndërsa djali në Angli. Vajza tjetër është studente në Tiranë.

Sipas dëshmive të fqinjëve, në familjen Lera punonte vetëm viktima ndërsa Teodor Lera ishte i papunë.

HIJET E SIGURIMI TË SHTETIT 29 VJET MË PAS

Roland Qafoku

Edhe 29 vjet nga vendosja e pluralizmit, Sigurimi i Shtetit vijon të ketë gjurmë të forta këmbe në shtetin shqiptar. Deklarata e kryetares së Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, se 30 zyrtarë të lartë figurojnë me dosje, është alarmuese dhe irrituese njëkohësisht. Por kur mëson po nga Sula, se mes tyre, 4 janë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë, kjo e bën situatën edhe më të rëndë. U desh të dilte mbi ujë rasti i Bujar Sheshit (pa debatuar nëse është apo jo i saktë) për të kuptuar se Sigurimi i Shtetit vazhdon t’i ketë të shtrira tentakulat edhe pse po bëhen 3 dekada nga mungesa e ekzistencës së tij. Ai vazhdon t’i bëjë hije shtetit shqiptar duke treguar se çfarë ka qenë në komunizëm dhe çfarë është në gjendje të bëjë edhe sot në demokraci arma me të cilën u mbajt diktatura.

Por çfarë ka ndodhur në këtë vend? Si ka mundësi që ende oficerët e Sigurimit, informatorët, agjentët, rezidentët dhe strehuesit si pjesë e tij e dikurshme, vijojnë të bëhen pjesë e shtetit të sotëm?

Si ka mundësi që kanë guximin të penetrojnë në nivele të larta të administratës dhe si ka mundësi të arrijnë të kandidojnë deri në institucionet e reja të drejtësisë? Si ka mundësi që edhe me ngritjen e komisionit të tretë në histori për pastrimin e figurave të shtetit shqiptar, sigurimsat janë përsëri prezentë? Kush i mbështet? Kush i mbron dhe kush u jep atyre kurajë të jenë pjesë e shtetit duke u bërë vendi i vetëm në Lindjen Komuniste që ende nuk është pastruar nga ajo kategori?

Mjaftojmë të themi se në 120 mijë dosje të hapura nga Sigurimi i Shtetit në 48 vjet, në 3 muaj e 11 ditë të ekzistencës së tij, rezultoi se 1 në 4 shqiptarë ka qenë me dosje. Këtu nuk llogariten vullnetarët dhe aktiviteti i partisë shtet të asaj kohe. Sigurimi i Shtetit u kthye në një plagë të shoqërisë që nuk hiqet as me komisione pastrimi e as me vendime dhe ligje. Spiunimi, ose më saktë bërja keq e tjetrit, u kthye në kulturë për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë duke zënë rrënjë të tilla që nuk e pastrojnë 3 dekada, por duhen deri shekuj.

Për të kuptuar më qartë këtë, po e ilustrojmë me kërkesën e një studenti ushtarak të vitit të parë në Shkollës së Lartë të Oficerëve në Tiranë të shkruar më 20 shkurt 1991, pikërisht në ditën që u rrëzua shtatorja e diktatorit Hoxha dhe sistemi komunist kishte rënë. Duke iu drejtuar komandantit të shkollës ai kërkonte zyrtarisht të bëhej pjesë e armës së Sigurimit të Shtetit. Fjalët në kërkesën e tij janë shumë domethënëse për të kuptuar shumë qartë çfarë kishte ndodhur me trurin e një pjese shqiptarësh përgjatë 46 viteve të diktaturën komuniste, por edhe se çfarë pritej të ndodhte në kalimin në një sistem të lirë:

“Prej kohësh më shqetëson një merak dhe mora guximin t’ua them vetë juve. Unë kam dëshirë të futem në armën e Sigurimit të Shtetit. Si çdo shqiptar i vërtetë edhe unë dua t’i shërbej atdheut në një front ku mund të jap maksimumin tim, të bëhem anëtar i heronjve të heshtur dhe këtë nuk e bëj as për karrierë e as për emër, por në radhë të parë si njeri i besës”.

REKORD: 1 NË 4 SHQIPTARË ME DOSJE SIGURIMI

Shqipëria është ndoshta rasti më unikal në Lindjen Komuniste. Edhe pse modeli i shtetit të asaj kohe ishte ruso-stalinist, përsëri vendi ynë e kaloi edhe vetë modelin. I themeluar më 10 dhjetor 1944, Sigurimi i Shtetit u cilësua inekzistent me vendim të Parlamentit më 2 korrik 1991. Në një popullsi të dalë nga Lufta e Dytë Botërore me 800 mijë banorë, Sigurimi i Shtetit arriti që në 48 vjet, 3 muaj e 11 ditë jetë, të hapte 120 mijë dosje, në të cilat të kishte agjentë, bashkëpunëtorë, rezidentë, strehues dhe të gjithë rrjetin e tyre informativ brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Me një llogari të bërë nga specialistë të ndryshëm, rezulton se 1 në 4 shqiptarë të asaj kohe të ketë patur lidhje me Sigurimin e Shtetit në një formë apo tjetër. Nga aktiviteti i tij rezulton të kenë vuajtur rreth 100 mijë shqiptarë që nisin nga më e rënda pushkatimi e burgosja e deri te përndjekja.

Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se vetë Sigurimi i Shtetit vrau dhe ekzekutoi pa asnjë vendim formal gjykate, 958 persona. Kjo është shifra më e lartë në botë e krimeve të kryera nga një shërbim sekret për numër të popullsisë në një periudhë të caktuar kohe. Ndërkohë viti më gjakatar i Sigurimit të Shtetit ishte 1945 kur numri i të arrestuarve si kundërshtarë politikë të Enver Hoxhës arriti në 5021 persona.

Dosja numër 1 e Sigurimit të Shtetit është hapur ndaj UNRRA, organizata amerikane humanitare që sillte ndihma në Shqipëri. Kjo e ka një kuptim kur mendon se SHBA u shpall si armiku numër 1 në botë i Shqipërisë së asaj kohe.

Ndërkohë dosja e parë personale që hapi Sigurimi i Shtetit ishte ndaj Ahmet Zogut, i cili ishte larguar nga Shqipëria më 7 prill 1939 dhe cilësohej armiku direkt i Hoxhës për t’i marrë pushtetin.

Gjatë ekzistencës së tij Sigurimi i Shtetit kishte 9 kryetarë. Ata ishin: Koçi Xoxe, Nesti Kerënxhi, Vaskë Koleci, Beqir Ndou, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Kadri Gojashi dhe Zylyftar Ramizi. Për të kuptuar cilësinë gjakatare të Sigurimit të Shtetit mjafton të themi se ai nuk kursente të bënte viktimë edhe vetë drejtuesit e tij për të zhdukur gjurmët. Rezulton se të gjithë kryetarët e Sigurimit të Shtetit kanë patur fund tragjik. Ata ose janë arrestuar ose ekzekutuar. Nga 9 prej tyre, 8 u akuzuan dhe u dënuan nga vetë Sigurimi dhe sistemi komunist. Vetëm kryetari i fundit, Zylyftar Ramizi u dënua me vdekje në 1993 dhe në 1997 përfitoi nga amnistia.

Kështu, Koçi Xoxe u pushkatua, Nesti Kerënxhi u arrestua si spiun i UDB-së jugosllave. Vaskë Koleci u arrestua për spiunazh. Beqir Ndou u arrestua, Kadri Hazbiu u arrestua, u cilësua armik dhe u pushkatua. Mihallaq Ziçishti u dënua me 25 vjet për tradhti. Feçor Shehu u ekzekutua po për tradhti. Kadri Gojashi u shkarkua për mungesë vigjilence dhe Zylyftar Ramizi u dënua me vdekje. Pra ishte ngritur një armë që funksiononte në të gjitha drejtimet e shtetit për të përligjur sistemin diktatorial. Ajo që ishte specifike lidhej me bashkëpunimin me popullin. Ishte kthyer në sistem që spiunimi dhe bërja keq ndaj dikujt të ishte normalitet. Kjo konfirmohet edhe nga një deklaratë e bërë nga Fatos Klosi, ish-kryetari Shërbimit Informativ Kombëtar i cili ka thënë:

“Vetëm 14 për qind e dosjeve që kanë qenë për ndjekje për agjitacion-propagandë apo tentativë për arratisje janë ndërmarrë si iniciativa nga Sigurimi i Shtetit. Pjesa tjetër ka qenë iniciativë e vetë popullsisë”.

Edhe më e rrezikshme se kjo është një aspekt tjetër i organizimit të kësaj arme. Sigurimi i Shtetit kishte dosje edhe për ata që i quante agjentë të konservuar që do të bëheshin aktivë kur të rrëzohej regjimi komunist. Kush ishin këta dhe a janë aktivizuar sot? Kjo mund të quhej pyetja më naive në botë, por kur mendon se në vitin 2019 rezulton se 30 sigurimsa janë ende në administratën e lartë të shtetit, pyetja nuk duket edhe aq naive.

GUXIMI I SIGURIMSAVE

Autoriteti Për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit është komisioni i tretë në historinë pas rrëzimit të komunizmit. I pari ishte ai i kryesuar nga Hajri Mezini në vitin 1995 dhe i dyti i kryesuar nga Nafiz Bezhani i ngritur më 18 gusht 1997. Partia Demokratike që ishte në pushtet në vitin 1995 ngriti me vendim në parlament, atë që u quajt Komisioni i Kontrollit të figurave duke ndërmarrë një nismë përshëndetëse për të larguar nga politika bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Por ky komision pothuajse u minua nga një nen i shtuar në ligjin për funksionimin e tij në të cilët largoheshin nga politika të gjitha ata që kishin mbajtur detyra shtetërore deri në 31 mars 1991. Kështu u hartua një listë me 35 politikanë të lartë të Partisë Socialistë që nuk u lejuan të garonin në zgjedhjet e 26 majit 1996. Ironia ishte se mes tyre ishin politikanët që qëndronin në kupolën drejtuese të opozitës si Kastriot Islami, Ylli Bufi, Dritëro Agolli, Gramos Ruçi, Leontiev Çuçi e të tjerë. Kjo u cilësua nga opozita si qëllim i pushtetit të presidentit Berisha për të eliminuar Partinë Socialiste. Ata nuk garuan, por ky ligj u abrogua me ardhjen e socialistëve në pushtet në vitin 1997 dhe ngritjen e një komisioni të ri nën drejtimin e avokatit të njohur Nafiz Bezhani. Ky komision ka bërë një punë të jashtëzakonshme profesionale dhe larg ndikimeve partiake.

Vetë Nafiz Bezhani në atë kohë pati deklaruar se ai dhe komisioni që drejtoi kanë kontrolluar 6 mijë dosje të Sigurimit të Shtetit. Ndonëse shumë pak në raport me 120 mijë dosje të hapura nga Sigurimi, vlen të përmendet që për herë të parë largimet e sigurimsave u bënë pa ndikime partiake dhe vetëm mbi bazën e materialeve në dosje. Ky komision zbuloi dhe largoi një sërë zyrtarësh nga puna duke i vënë përballë dosjet që ata ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit. Bezhani detyroi të jepnin dorëheqjen deri drejtori i përgjithshëm të burgjeve, disa ambasadorë të rëndësishëm e deri te gazetarë të njohur të TVSH.

Unë kam patur rastin ta intervistoj disa herë Nafiz Bezhanin dhe portretizimi im për të është se ishte njeri i ndershëm, i përkushtuar dhe i pakompromistë në kryerjen e detyrës. Rezistencës dhe presioneve nga ana e bashkëpunëtorëve të shtetit ai ju përgjigjej me vendosmëri. Në një nga inkursionet e tij nëpër botë, në një rast Bezhani shkoi në zyrën një ambasadori shqiptar që punonte në një shtet të rëndësishëm të Evropës. I nxori përpara dosjen e bashkëpunimit me Sigurimit dhe i kërkoi dorëheqjen nga detyra. Ambasadori u irritua dhe e nxori nga zyra Bezhanin, por me qetësinë e tij, avokati i tha: Ti po më nxjerr nga zyra, por sapo të mbërrij në Rinas, këtë dosje do ta bëj publike. Avokati u largua me këtë ide dhe sapo mbërriti në Rinas hapi celularin për të njoftuar gazetarët. Por në inbox lexoi sms-në e ambasadorit: “Dhashë dorëheqjen”.

Vetëm në diplomaci Bezhani zbuloi 110 ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe kjo për kohën ishte e jashtëzakonshme. Publikimi atëherë i këtij lajmi solli që në asnjë rast tjetër të dyndeshin në dyer redaksie në vitin 2002 diplomatë, ambasadorë e deri te ministri. Por lajmi doli. Shqipëria kishte 110 sigurimsa më pak në diplomaci.

ZHDUKJA E DOSJEVE

Në vitin 2006 ish kryetari i SHIK Bashkim Gazidede deklaroi publikisht se kur kishte marrë detyrën rezultonte se ishin zhdukur 10 mijë dosje të Sigurimit të Shtetit. Edhe pse kjo deklaratë është kontestuar duhet të marrim të mirëqenë që zhdukje ka patur. Këtë e ka konfirmuar edhe Nafiz Bezhani gjatë kohës që ushtronte detyrën e kryetarit të Komisionit të Pastrimit të Figurave shtetërore. Në një konferencë për shtyp ai tha se gjatë punës së tij kishte zbuluar zhdukje të materialeve dhe dosjeve. Ndërkohë ish-kryetari i SHIK Irakli Koçollari që ishte njëkohësisht kryetari i parë i shërbimit sekret pas rënies së komunizmit e ka hedhur poshtë këtë deklaratë duke thënë se asnjë dosje nuk është zhdukur, Sipas tij çdo kopje ekziston në arkiv. Në këtë debat që ka zgjatur po aq sa vitet e tranzicionit duket se e vërteta anon nga ajo që me dosjet është bërë çfarë u ka dashur qejfi pushtetarëve. Diku kanë zhdukur të gjithë dosjen, diku kanë hequr fletë dhe diku tjetër kanë bërë manipulime. Prandaj, Parlamenti duhet t’i kishte dhënë më shumë akses Autoritetit të Informimit të Dosjeve për të mësuar dhe verifikuar edhe këtë element që është shumë i rëndësishëm. Ndoshta ky debat do të vazhdojë dhe atyre që u intereson më shumë janë ata që dikur kanë qenë me dosje.

PËRDORIMI I DOSJEVE

Në periudhën 1991 deri në 1997 përdorimi i dosjeve u kthye në një mënyrë të zakonshme funksionimi. Nëse dikujt që dikur kishte dosje i jepej një post shtetëror, ai mbahej nën presion për t’ia bërë publike dhe përdorej sipas pushtetit të asaj kohe. Ndonëse kjo ka ardhur duke u zbehur për të thënë që nuk kemi të bëjmë me raste të tilla, pas rënies së komunizmit kjo u bë si një modë. Në media janë publikuar raste të personave që kanë mbajtur poste të larta shtetërore dhe kanë funksionuar nën ndikimin e të qenit me dosje. Megjithatë duhet thënë se nga të gjitha elementët e atyre që kanë qenë bashkëpunëtorë, sot nuk ka më raste të tilla.

VEÇIMI I TË KËQINJVE?

Në emisionin që unë drejtoj, një avokat i drejtoi një pyetje vërtetë të vështirë Simon Mirakës, anëtarit të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit: Nëse në një dosje të një bashkëpunëtori ka vetëm një denoncim sipas të cilit falë informacionit që ai i ka dhënë Sigurimi i Shtetit, qyteti ku banonte shpëtoi pa iu helmuar depoja e ujit, si do të duhet të trajtohej ky informator i Sigurimit? A duhet që ky të largohet nga administrata shtetërore ky person? Në këtë situatë vërtetë edhe njeriu më i drejtë në botë do të vendosej në siklet. Por kësaj pyetje na duhet t’i përgjigjemi me një pyetje: A është kjo një përpjekje për të justifikuar Sigurimin e Shtetit apo është një pyetje e drejtë për të ndarë të këqijtë nga të mirët? A kishte të mirë në radhët e Sigurimit të Shtetit? Nuk e dimë ende nëse ka patur raste të vetme të këtij lloji, por përpara se të shkojmë në pyetje të tilla, shoqëria shqiptare ka patur nevojë për pastrim rrënjësor nga mizoritë e Sigurimit dhe jo nga të “mirat” e tij. Shqipëria ende nuk e ka bërë këtë dhe derisa jemi në këtë pikë, pyetje të tilla janë pyetje luksi që i takojnë shekullit të 22-të. Brezi i atij shekulli mund t’i bëjë edhe këto lloj pyetjesh.

*Ky shkrim eshte marre nga Albania Free Press

Prokurorja kroate, 2 vjet në Shqipëri për SPAK

Ish-kryetarja e Prokurorisë Speciale Kroate (USKOK) Tamar Laptosh prej ditës së sotme (5 shkurt 2019) do të stacionohet me zyrë në Prokurorinë e  Krimeve të Rënda në Tiranë.

Laptosh është eksperte e Euraluis dhe do të monitorojë ngritjen e SPAK.

Ajo do të qëndrojë dy vjet në Shqipëri për të monitoruar ngritjen e SPAK.

Tamar Laptosh njihet ndryshe edhe si prokurorja që hetoi ish-kryeministrin kroat, Ivo Sanader.

Për Prokurorinë Speciale (SPAK), deri tani kanë aplikuar 12 prokurorë nga të cilët 9 nga krimet dhe dy të tjerë nga prokuroritë e rretheve.

3000 euro false në makinë, pranga katër personave në Fier

3000 euro të dyshuara të falsifikuara janë sekuestruar në Fier gjatë operacionit “Kartmonedha”, ndërsa në pranga kanë rënë katër persona.

“Operacioni u krye nga DVP Fier në bashkëpunim me DVP Gjirokastër.Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit G.F, 26 vjeç, A.Sh, 35 vjeç, E.G, 31 vjeçe dhe E.Z, 34 vjeç, banues në Memaliaj, Tepelenë” njofton policia.

Arresimi i tyre u bë në vendin e quajtur “Rreth rrotullimi i parkut”  në Fier.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në mjetin tip “Volkswagen” me të cilin po udhëtonin, u janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 6 kartmonedhash me vlerë 3000 euro, me të njëjtin numër serie të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për hetim të metejshëm në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprën penale “Falsifikimi i monedhave i kryer në bashkëpunim”.

Strakosh pret dy penallti ndaj Interit, konsiderohet hero

Gardiani i skuadrës romane bëri disa ndërhyrje vendimtare, si dhe priti dy penallti ndaj Interit, ndërsa tregoi dhe sekretet në momentet kyçe të sfidës në stadiumin “San Siro”.

“E dija që Nainggolan do të godiste penalltinë në qendër, por nuk është vetëm kjo. Lazio e meritoi gjysmëfinalen dhe tani do të kemi një tjetër rast ndaj Milanit, që shpresojmë se do të shkojë mirë. Treguam që nuk kemi frikë dhe fituam. Për mua, pritja më e vështirë ishte ajo ndaj Politanos dhe jo te penalltitë”, tha Thomas Strakosha, portier i Lazios.

Pa Juven dhe Napolin, tani favorite për kupën e Italisë është Lazio, por gardiani kuqezi kërkon të mos prishë ekuilibrat.

“Ne ndihemi favoritë gjithmonë, sepse japim maksimumin. Sezonin e kaluar nuk shkuam dot në finale, por tani kemi mundësinë e hakmarrjes pkërisht ndaj Milanit”, shton më tej Strakosha.

Thomas Strakosha u vlerësua me notën 9 nga mediet italiane për paraqitjen në sfidën ndaj Interit.

“Marubi” një rritje prej 15809 për 2018-ën

Viti që lamë pas ishte i mbushur me aktivitete të larmishme brenda dhe jashtë vendit, që u përkthye në një numër në rritje të vizitorëve.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” tashme me një program të qartë, është i orientuar në disa drejtime, që shkon përtej të qënurit vetëm një pikë takimi me imazhet e shkrepura në kohë nga kjo dinasti. Duke analizuar 2018-en, drejtori Luçjan Bedeni vuri theksin tek rëndësia që ka edhe promovimi i produkteve të muzeut.

Luçian Bedeni, drejtor i muzeut “Marubi”: Një rritje prej 15809. Ne e vazhdojmë në rritje muaj për muaj. Në vendin e parë janë vizitorë si Italia, Franca dhe Gjermania.

Risitë në 2019-en që tashmë ka nisur do të jenë të shumta, si për nga cilësia dhe shumëllojshmëria e aktiviteteve, që synojnë të promovojnë më shumë “Marubin” dhe Shkodrën.

Luçian Bedeni, drejtor i muzeut “Marubi”: Ne e shofim muzeun jo thjesht brenda hapësirave, por përtej. Pra te impakti që duhet të ketë muzeu në qytet. 

Në Shkoder për vitin 2018 në muzeun “Marubi” u mbajtën ekspozita të artistëve të njohur dhe të rinj, si: Moira Ricci me “Lookafering”, “Angjelin Nenshati: dëshmitar mes dy kohëve, Lala Meredith- Vula “Urtësi sot e mot”, “Nadar” etj. Gjithashtu shkolla verore, biseda me Matilda Terpollarin, “Buzëqeshja socialiste”, Anne Cartier-Bresson: Konservimi dhe restaurimi i fotografisê, bisede me Michel Poivert apo Leke Gjeloshi. Nuk munguan edhe punëtoritë si: “Bëj maskën tënde”, “made in Marubi”, “Fondali lëvizës”,  “Guidat muzeale” apo “Kartolina ime”.