Daçiq: Veriu i Mitrovicës, qendra serbe për Kosovën

19

f1_10ivica1384090360Mbështesim secilën listë serbe, por kemi besim te Iniciativa Qytetare “Srpska”, sepse ajo ka dalë nga angazhimi i Qeverisë së Serbisë, si nevojë për të qenë një qasje unike dhe e harmonizuar në udhëheqjen e politikes me serbët në Kosovë, ka deklaruar sot kryeministri serb Ivica Daçiq.

Daçiq në emisionin “ Qëndrimi i Serbisë” në kanalin e parë të RTS-së ka thënë se Beogradi po ballafaqohet me obstruksione të mëdha të autoriteteve lokale  në komunat me serbë në Kosovë, për të cilët nuk është me rëndësi ta dëgjojnë Beogradin.

Ai ka theksuar se dalja e serbëve në veri të Kosovës në raundin e parë të zgjedhjeve me 17 nëntor është e rëndësishme për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Ai ka shtuar se pasojat e mosdaljes së serbëve në zgjedhje do të ishin eksodi dhe mosekzistimi i serbëve.

Beogradi, në këtë rast, sipas Daçiqit,  do ta kishte të pamundshme që t’i ndihmojë ata, do të rrënohej mundësia e formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe dhe do të ndërpritej rruga për në BE, por edhe krijimi i urrejtjes ndërmjet serbëve në Serbinë Qendrore dhe atyre të Kosovës.

Sipas fjalëve të Daçiqit, zgjedhjet lokale në Kosovë janë një rast i mirë që serbët të fitojnë pushtetin legal dhe legjitim, të cilin do ta njohë Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare.

Nëse nuk do të ketë numër të mjaftueshëm të serbëve në zgjedhjet e 17 nëntorit, në veri të Mitrovicës shqiptari do të bëhet kryetar, ka ripërsëritur Daçiq.

Sipas fjaleve të tij, me marrëveshjen e Brukselit është paraparë që në veri të Mitrovicës të jetë selia e Bashkësisë së Komunave serbe, e cila përfshinë 10 komuna.

Mitrovica e veriut është qenësore për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Këtu do të duhej të jetë qendra serbe për Kosovën, ka përfunduar Daçiq. /kohanet/