Dritëroi: Pas armëve kimike, do të vijnë atomiket

24

Shkrimtari_Dritëro_AgolliShkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, shprehet kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. I pyetur nga e përditshmja “Panorama”, Dritëroi kërkon nga opinioni publik dhe shoqëria që të reagojnë fort ndaj një kërkese të tillë të bërë ndaj Shqipërisë, duke kujtuar se vetëm nga shpërthimi i barutit në Gërdec humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Për Shqipërinë, sipas Agollit, çmontimi i këtyre armëve dhe rreziku që ato paraqesin janë katastrofike.

Debati publik ditët e fundit është përqendruar te kërkesa e SHBA për të sjellë në Shqipëri armët kimike siriane për shkatërrim. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Shqipëria edhe pa ato armë që mund të vijnë, është gjithmonë në rrezik, sepse qëkur janë shpikur armët, në vendin tonë mund të gjesh edhe nëpër gropa armë. Kështu që bëhet dhe një kat tjetër me armë edhe më të rrezikshme. Pas armëve kimike vijnë armët atomike. Ne presim tani që të na sjellin dhe armët atomike, pasi tek armët kimike mbërritëm. Nëse do të pranojmë që të shkatërrojmë armët kimike, s’do të na duket çudi që të presim të na ofrojnë dhe armët atomike për të çmontuar
Ka një mungesë transparence, nuk është folur në mënyrë të drejtpërdrejtë, por fillimisht në media të huaja e më pas u pranua që ka kontakte. Cili duhet të ishte qëndrimi?
Unë jam për atë që njerëzit duhet të mbajnë një qëndrim nga më të fortët kundër këtyre armëve, sepse e para, ato janë të rrezikshme për një vend që është me miliona kilometra katrorë, e jo më për Shqipërinë, që ka vetëm 28 mijë kilometra katrorë. Këtu 2-3 nga ato të shpërthejnë nga pakujdesia apo si incidente teknologjike, gjithçka mbaron si vend. Meqenëse ia kanë vënë syrin Shqipërisë, le të vijnë, ta boshatisin më parë këtë vend dhe të sjellin këtu të tjerët, nga ato vende ku ka dendësi popullsie. Le ta bëjnë këtë vend për të pastruar armët kimike dhe le të pastrohen dhe vetë bashkë me armët, por jo të pastrojnë shqiptarët, sepse nuk ia kemi borxh askujt këtë katastrofë që rrezikon të ndodhë.
Si e vlerësoni qëndrimin e deritanishëm të politikës, si nga maxhoranca, ashtu dhe nga opozita?
Të dyja palët kanë frikë të shprehen, sepse po ta bëjë njëra palë, do të thonë pastaj: Ja këta janë antiamerikanë. Po ta bëjë tjetra, do t’i akuzojnë po ashtu të njëjtën gjë. Kjo është si ajo tërheqja e litarit, kush do ta tërheqë i pari. Por në ndërgjegje ma merr mendja se të dyja palët kanë të njëjtin qëndrim, sepse në fund të fundit mendojnë për jetët e tyre, por dhe të pasardhësve të tyre. Sepse pas këtyre armëve, nuk do të ketë më as Parlament, e as shoqëri pluraliste dhe asgjë. Ndërsa i gjithë populli mendoj se është kundër dhe nuk pyet se i cilës parti është dhe kë përkrah. E mira është të thuhet hapur, siç bëri kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, që tha se “ne nuk kemi shpatulla të mbajmë një peshë kaq të madhe”. Po të duan që të shkatërrojnë armë konvencionale, fishekë apo armatime të tjera, në Shqipëri mund të bëhen. Por ne kemi një histori të hidhur nga e cila të gjithë duhet të kenë nxjerrë mësim. Me çmontim predhash dhe me barut u vranë në Gërdec 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Me shpërthim baruti ajo tokë atje u bë për disa vjet joproduktive. Po të ndodhë ndonjë incident me armët kimike, e imagjinoni se ç’mund të ndodhë?! Madje unë pashë në lajme në një fshat në kufi mes Beratit dhe Skraparit, ku nga përdorimi i shpërthimeve për të hapur një gurore, kafshët, lopët dhe delet pillnin viça dhe qengja të ngordhur vetëm nga efekti dëmtues i lëndëve shpërthyese.