PD përsërit padinë ndaj Lleshaj për hedhjen e gazit lotsjellës

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, dorëzon një tjetër padi kundër Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Policisë për përdorimin kriminal të gazit lotsjellës në protestë.

Kërkesë padia është dorëzuar paraditen e sotme në organin e akuzës dhe pritet që Bardhi të ketë një komunikim me mediat pas daljes nga Prokuroria.

Kjo është padia e dytë e PD-së për Lleshaj pas asaj të 20 marsit të këtij vitin për të njëjtën akuzë.

Bulqizë, policia po heton për gërmimet natën

Gërmimet e paligjshme që bëhen natën shqetësuan banorët e fshatit Valikardhë. Një legjendë për thesar, sipas tyre, duket se ka tërhequr në zonën e quajtur “Ura e Qytetit” disa grupe kërkuesish.

“Po kërkojnë për flori”, kaq të tregojnë ata pak banorë që ndalojnë të flasin.

Në vendin ku shtrihej qyteti mesjatar i Getias, kërkuesit kanë dëmtuar një pjesë të madhe të sipërfaqes së zonës, me gropa që janë mbuluar me gurë, por edhe gërmime pa kriter.

Policia në Bulqizë thotë se janë pezulluar gërmimet dhe se hetimet vazhdojnë, por pa dhënë detaje për kërkuesit e paligjshëm.

Adem Bunguri, një prej arkeologëve njohës i mirë i zonës, i kontaktuar nga Top Channel me telefon thotë se dëmtimi i një zone të tillë është shkatërrim i historisë dhe arkeologjisë.

Shpeshherë në këtë zonë ka pasur gërmime pirate arkeologjike, të cilat kanë shqetësuar komunitetin e banorëve, por edhe arkeologët, për të mos llogaritur dëmin që i vjen shtetit nga vjedhja e shitja e paligjshme e artefakteve.

Arrestohet autori i plagosjes së boksierit të Vllaznisë

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes së boksierit të Vllaznisë, Nelson Hysa.

Operacioni policor i koduar “Gruda” vuri në pranga shtetasin Valter Ksolla, 23 vjeç, banues në Lagjen “Mark Lula”, Shkodër.

“Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të “Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim”  mbetur në tentative, dhe “Prodhimi e mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” thotë policia.

Uniformat blu kanë arrestuar gjithashtu edhe vëllezërit N. K., 32 vjeç dhe K. K., 25 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re për veprat penale të “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi e mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.

Këta dy shtetas kishin strehuar në banesën e tyre shtetasin në kërkim Valter Ksolla dhe dyshohet se me datë 14.04.2019 kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit L. A., 50 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të metejshme.

Lleshaj kërkon shtyrje të afatit për vettingun

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka kërkuar shtyrjen e afatit të vettingut në polici.

Procesi duhet të kishte përfunduar në mars të 2020 dhe që në fillim ka pasur paqartësi. Më herët, ishte kërkuar që vettingu për 300 punonjës policie me grada të larta drejtuese, të bëhej nga Komisioni i Jashtëm, ndërsa për rreth 12 mijë punonjës policie të nivelit të ulët dhe të mesëm, të bëhej nga SHÇBA.

Edi Rama ka prezantuar sot portalin e transparencës universitare

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot portalin e transparencës universitare. Ai tha se u-transparenca.al është një instrument për garantimin e kontrollit dhe transparencës në institucionet e arsimit të lartë.

Rama: Besoj që në këtë rast ne kemi vënë në dispozicion të universiteteve një instrument garancie, që duhet të përdoret nga Universitetet dhe do të monitorohet nga qeveria për aq sa i takon qeverisë, sepse kjo nuk është detyrë e qeverisë, por e universiteteve. Pika më delikate e çdo organizate që shpenzon, që është buxheti të publikohet në të gjithë elementët e vet, jo vetëm si buxhet vjetor, por edhe si buxhet afatmesëm.

Rama foli edhe për punësimet e studentëve ekselentë. Ai tha se pas 300 të parëve që tashmë janë pjesë e administratës, shumë shpejt do të bëhet edhe thirrja e dytë për aplikim.

Rama: Kemi filluar me 300 të parët, ata janë pjesë e administratës. Po përgatitet thirrje e dytë dhe faktikisht, të gjitha vendet e lira të punës në administratën e punës, por edhe ato që nuk janë pjesë e shërbimit civil do të jenë në dispozicion të atyre që kanë përfunduar me 9-10. Është një rrugë e hapur tani, tërësisht objektive. Ankesat që kemi pasur janë adresuar të gjitha.

Në lidhje me kartën e studentit, kryeministri tha se përgatitjet kanë nisur. Faza e parë do të implementohet me bashkinë e Tiranës dhe me pas në qytetet e tjera ku ka Universitete.

Rama: Kanë nisur përgatitjet, fazën e parë të implementimit do ta nisim me bashkinë e Tiranës. Mbi atë model do të shtrihemi edhe në qytete të tjera universitare, duke garantuar një ndërveprim të kartës së studentëve shqiptarë dhe kartës evropiane të studentëve.

Shqipëria në vendin e tretë me internet domain me përmbajtje pedofilie

Shqipëria renditet në vendi e 3 në Europë dhe në vendin e 8 në botë për numrin e internet domain të paligjshme me përmbajtje pedofile e pedopornografike.

Alarmi vjen nga OSMOCOP, Observatori Botëror kundër Pedofilisë i Fondacionit Meter në Itali i cili ka bërë publik raportin e fundit 2018 me statistikat ndaj këtij fenomeni.

Të dhënat e Raportit 2018 janë mbledhur nga denoncimet e ardhura në Policinë Postale Italiane dhe nga policitë e vendeve të tjera, përpos internet domain e serverët e analizuara në nivel botëror.

Pedofilët e pedopornografët shfaqen gjithnjë e më të organizuar e të strukturuar në nivelin e tyre kriminal në web.

Prodhojnë, arkivojnë, shpërndajnë e shkëmbejnë mes tyre foto dhe video të fëmijëve gjithnjë e më të vegjël në moshë që nga të sapolindurit e deri tek ata në moshë para adoleshente.

Analizimi i të dhënave të këtij raporti konfirmon rritjen e shpërndarjes në web të fotografive dhe videove të fëmijëve të seksit mashkull ndërsa mbetet e pandryshueshme preferenca femërore.

Gjatë vitit 2018 janë sinjalizuar mbi 3 milionë fotografi pedopornografike në web e rreth 1.123.793 video. Vihet re një rritje e numrit të materialeve pedopornografik në web në krahasim me një vit më parë kur janë sinjalizuar rreth 2 milionë imazhe të tilla.

Ndërsa sa i takon internet domain të nivelit të parë me përmbajtje materialesh pedopornografike, në vend të parë renditet Mbretëria e Tonga në Oqeani ku janë sinjalizuar 1.717 internet domain, por që gjithsesi shënojnë një reduktim në krahasim me vitin 2017 kur numri i tyre ishte 10.096.

Në nivel botëror në vend të dytë renditet ishulli britanik Guernsey, në vend të tretë ishuj britanikë në oqeanin Indian, e më pas Franca, Haiti, Pakistani.

Në nivel botëror Shqipëria renditet në vendin e 8 me 302 internet domain të sinjalizuar që kanë përmbajtje pedopronografike.

Rusia renditet në vendin e 12 me 157 internet domain, Italia në vendin e 15 me 71 internet domain, e Greqia në vendin e 18 me 23 të tilla.

Në nivel europian Shqipëria renditet në vendin e 3 me 302 internet domain, pas Francës me 702 e Guernsey me 1108 internet domain pedopornografikë.

Sipas Raportit 2018 në linja të përgjithshme në krahasim me vitin 2017 , nurmi i internet domain pedopornografikë janë reduktuar nga 13.756 në 7.714 më 2018.

Studimi i këtij Obesrvatori botëror informon se cyber pedofilët sot preferojnë foto e video të fëmijëve nga mosha 8-12 vjec pasi janë më të vetmuar e jo ekspertë gjatë përdorimit të internetit më pas vijnë ata në moshën nga 3-7 vjeç, por nuk mungojnë dhe të porsalindurit nga 0-2 vjeç.

Cyber pedofilët materialin e tyre e arkivojnë në platforma file sharing për ta shpërndarë në mënyrë sa më të shpejtë e anonime. Cloud është një prej tendencave të përdorura nga ata, por barrikada e vërtetë mbetet deep webi, ana e errët e rrjetit që mbetet e vështirë për t’u individualizuar e eksploruar.

“Puna e monitorimit të pedofilisë online mbetet një argument gjithmonë i injoruar nga forcat politike, që nuk kanë interes ta vënë në agjendën e punës e në linjë të parë këtë luftë të rëndësishme kundër kriminalitetit pedofilë,”-thuhet në këtë raport.

Raproti 2018 i Observatorit botëror kundër pedofilisë online u prezantuar një ditë më parë në Sicili të Italisë në prani të drejtuesve të lartë të forcave të Policisë Postale Italiane e të Fondacionit Meter.

*oranews

Ralf Gjoni sulmohet me bojë

Ralf Gjoni tregon si u sulmua me bojë dhe ka një mesazh për ATE qe e ka porositur.

Ralf Gjoni: “Duke dalë nga shtëpia tek dera e pallatit, kisha edhe vajzën lart me mamanë, një djalë po priste tek kafja ngjitur me derën e shtëpisë dhe çohet në këmbë më afrohet dhe më hedh bojë me anë të një shiringe. 

Nuk e prita dhe më frikësoi në fillim se ishte e papritur por dua të them që AI dhe AJO që e ka përsëritur këtë lloj sjellje rrugaçërie duhet ta dinë që unë këtu dhe kam ardhur për tu betuar dhe nuk frikësohem për asnjë moment për këtë lloj destabilizimi që po përpiqen të mbjellin në vendin tonë. Jam këtu që të përfaqësoj të gjithë ata të rinj, të reja pozitivë, prindër fëmijësh që kanë shpresë se ky vend mund të bëhet. Do flas më vonë pas betimit.”

Gazetarja: A e dini se kush e ka porositur?

Ralf Gjoni: Ju mund ta merrni mend më mirë se unë. Policia besoj se po bën verifikimet. Unë nuk kam ardhur për tu betuar këtu jo për të bërë lajm. Nuk kam ardhur këtu për të marrë një rrogë të qelbur shteti por të përfaqësuar të gjithë ata shqiptarë që ndihen të papërfaqësuar nga kjo klasë politike e papërgjegjshme.

 Jam njeri që vij nga jashtë, jam i shkolluar, i punësuar jashtë, edhe shtetas i huaj edhe shtetas shqiptar. Jam krenar për atë që kemi arritur për gjithë këto vite në vend  dhe nuk do lejoj që emri im dhe kontributi im të keqpërdoret në interes të disa rrugeçërve.

Gazetarja: Si do votoni në Parlament? Pro qeverisë?

Ralf Gjoni: Jeni në vete? Mendoni se  unë vij këtu për ti bërë freks qeverisë. Ma njihni ju emrin mua? Do flasim më vonë pas betimit.

Sulmi – Është sulmuar me bojë të kuqe ish këshilltari i presidentit, Ralf Gjoni i cili ka pranuar të marrë mandatin e deputetit.

Mësohet se incidenti është shënuar tek dera e shtëpisë në momentin kur ka qenë duke dalë nga banesa për të shkuar në Kuvend për të bërë betimin.

Mësohet se një djalë i ri e ka pritur tek dera e daljes së pallatit dhe e i ka hedhur bojë me shiringë drejt fytyrës dhe trupit të Gjonit.

Emrat dhe Cv-të e 11 deputetëve të rinj

Njëmbëdhjetë është numri i deputetëve që janë betuar në sallën e kuvendit, pas dorëzim on bllok të deputetëve të opozitës.

Tempora vendos të zbardhë për publikun formularët e vetëdeklarimit si edhe cv e tyre.

1-YLLI SHEHU, deputet i LSI Tiranë

Nuk është hera e parë që është në kuvendin e Shqipërisë, Ylli Shehu në 2013 u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës nën siglën e PR ndërsa në 2017 ishte pjesë e listave të LSI. I lindur në Kukës, deputeti Ylli Shehu pranon se është dënuar në formë të prerë nga Gjykata e Tiranës me 200 000 lekë gjobë për kontrabandë. Ylli Shehu ka ndryshuar dhe mbiemin, ku më përpara e kishte Lala.

Ylli Shehu ka nisur studimet e larta në vitin 2009 në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomi, por ende nuk ka arritur të marrë diplomën. Ndërkohë që në 2006-2011 ka përfunduar studimet për drejtësi në një universitet privat, i cili tashmë është mbyllur nga qeveria Rama.

2 – AURORA MARA, deputet i LSI Dibër

E lindur në Dibër, Mara është rikthyer në Shqipëri pas studimeve në Itali. E vedosur në Tiranë, ajo ka qënë pjesë e administratës nga vitit 2014-2017. Mara ka përfunduar dy mastera jashtë vendit, ndërkohë që ka hapur dhe një studio të saj.

Aurora Mara nuk është hetuar asnjë herë për ndonjë vepër penale. Ndërsa u bë pjesë e listave për kandidatë për deputet për herë të parë në 2017 nga LSI në Dibër.

3- EDMOND RRUSHI, deputet i LSI Tiranë

Edmond Rrushi ka pranuar të marrë mandatin e deputetit për kryeqytetin. Ai ka jetuar në vitet 1991 deri në 2002 në Verona të Italisë dhe nuk është ndaluar në asnjë moment nga drejtësia shqiptare dhe ajo e huaj. Por ajo që vihet re në CV e zotit Rrushi të dorëzuar në KQZ, është se ai ka filluar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2001, kohë kjo që në fakt deklarohet po nga vetë ai se vijonte të jetonte në Itali. Ndërkohë pasi ka përfunduar studimet në Drejtësia ai ka përfunduar masterin në një Universitet privat, aty ku ka vijuar dhe karrierën si pedagog.

4-ENVER ROSHI deputet i LSI Elbasan

Deputet në qarkun e Wlbasanit, e që duket ka preferuar të ndryshojë mbiemrin. Nga Rroshi mbiemri i tij tashmë është Roshi.

Roshi ka kryer disa studime pasuniversitare jashtë vendit. Në 1995-1996 ka qënë në Universitetin e Padovës në Itali, e më pas ka kryer një vit akademik në Jeruzalem në Izrael. Ndërsa në 2006 dhe në 2013 ka kryer specializime në SHBA. Roshi mban titullin profesor doktor në fakultetin e Mjekësisë së Tiranës. Roshi ka ndoshta një nga CV më të pasura në fushën e tij akademike dhe profesionale nga deputetet në Kuvendin shqiptar. Ai ka nisur punën si mjek që në vitin 1986 në kukës, e tashmë duke arritur majat në fushën e mjekësisë. Ai është pjesë e LSI që prej vitit 2005, kohë dhe kur kandidoj si deputet në qarkun e Elbasanit.

5-LEFTER MALIQI deputet i PD Berat

Që në fushatën elektorale të 2017 Lefter Maliqi braktisi PD dhe mbështetësve të tij ju kërkoj votën për PS. Në formularin e dekriminalizmit Lefter Maliqi pranon se ka ndryshuar mbiemrin, ku më përpara e kishte Brisku. E jo vetëm kaq edhe data e lindjes ka ndryshuar. Nuk i pëlqen shtatori ndaj muaji i lindjes është zgjedhur nga Maliqi të jetë shkurti. Megjithatë Maliqi nuk ka deklaruar ndonjë dënim apo masë sigurie penale brenda apo jashtë vendit.

Ndërkohë ka jetuar për disa muaj në SHBA dhe në Angli, Maliqi thotë se ka përfunduar studimet e larta, por degën vitin dhe universitetin nuk e thotë në CV e dorëzuar në KQZ. Madje Maliqi thotë se ka përfunduar master shkencor, por edhe këtu mungon viti i studimeve. Nuk është hera e parë që ai ushtron mandatin e deputetit.

6-MAJLIDA HALILAJ Deputete e PD-se Tiranë

Deputete në qarkun e tiranës me një formular dekriminalizmi të pastër, ashtu sic në fak ka ndodhur me zonjat që kanë pranuar mandatin e deputetit. Ajo ishte e renditur e 47 në listën e PD për qarkun e Tiranës. Në CV e dorëzuar në KQZ ajo thotë se ka përfunduar arsimin e lartë, por aty mungon viti, universiteti dhe gjithë të dhënat e tjera për studimet e saj. Nuk ka asnjë kualifikim dhe thotë se ka 13 vite punë. Por ku? As këtë zonja Skënderi nuk ka referuar ta thotë në CV e saj.

7- EDIOLA BRAHA Deputete e LSI Gjirokastër

Ediola Braha është deputetja e qarkut të Gjirokastrës, e cila më herët mbante mbiemrin Pashaj. Ajo nuk ka emigruar për të jetuar në asnjë vend tjetër, por ka qëndruar me pushime për disa muaj në Athinë. Zonja Brahaj ka përfunduar studimet e larta për gjuhët të huaj në Univeristetin e Gjirokastrës në vitin 2001 dhe dy vite më vonë nisi studimet për Administrim Biznes në një universitet privat, i cili sot është mbyllur nga qeveria Rama. Edhe pse universitet privat studimet i kanë zgjatur plot 7 vite nga 2003 deri në 2010.

8- EDLIRA HYSENI Deputete e LSI Durres

E vendosur e 6 në listën për deutet në këtë qark, Edlira Hyseni bëhet pjesë për herë të parë e Kuvendit. Në formularin e vetëdeklarimit ajo është e pastër, teksa ka ndryshuar vetëm mbiemrin pas martesës.

Hysenit i janë dashur 6 vite për të përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, nga vitit 1995 deri në 2001, ndërsa më pas për 3 vite ka kryer studime në Universitetin e Firences në Itali. Pas kthimit në Shqipëri në 2008 ajo u punësua në zyrën e nënës së saj dhe dy vite më pas Edlira Hyseni hapi studion e saj private.

9- ELDA HOTI deputete e LSI-se Lezhe

E lindur në vitin 1992 Elda Hoti bëhet pjesë e kuvendit për herë të parë. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në nivelin master në vitin 2015. Një vit më vonë zonja hoti ëhstë bërë nënë për herë të parë, cka ka bërë që ajo të udhëtojë drejt Italisë për të zgjedhur si vendin e lindjes së fëmijës së saj. Në CV e saj të dorëzuar në vitin 2017 në KQZ ajo nuk ka asnjë eksperiencë pune, e duket se dhe puna e parë për të është deputetet. Sa me fat ta nisësh kështu karrierën!

10- LIGORAQ KARAMELO deputet i PD Korçë

Nuk është hera e parë për Ligoraq Karamelon në Kuvend. Karamelo ka qënë deputet në kuvendin e Shqipërisë nga viti 1997 deri në 2005, ndërkohë që ai ishte në listat e PD në zgjehdjet e 2017. Karamelo ka vendosur të thyejë vendimin e demokratëve dhe të bëhet sërish pjesë e kuvendit. Në formularin e ti të dekriminalizimit gjithçka është e pastër, ndërkohë jashtë vendit ka emigruar vetëm për disa muaj në vitin 1996. Ai thotë se ka përfunduar arsimin e lartë dhe ka qënë mësues, por mungojnë vitet dhe universiteti, ndërsa thotë në CV e tij dorëzuar në KQZ se ka kryer kualifikime pasuniversitare vetëm përpara shembjes së regjimit në vitet 1983-1984.

11 – ALBAN ZENELI deputet i PD Kukës

Është hera e dytë që ulet në karrigen e deputetit Alban Zeneli. Në formularin e deklarimit ai pranon dy dënimet e formës së prerë nga drejtësia. Ndërsa ka kryer 6 muaj burg në vitin 1992 për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, sërish në 1996 ai është gjobitur me 30 000 lek gjobë për kundërshtim të punonjësit të policisë. Në CV e dorëzuar në KQZ në 2017 ai thotë se ka përfunduar studimet e larta, por mungon dega dhe Universiteti dhe viti. Teksa ka kryer kualifikim master për Sigurinë. Sërish dhe këtu mungon koha e studimeve dhe Univeristeti. Ndërsa si eksperiencë pune thotë se ka qenë deputet në disa vende të tjera e që shkrimi është vështirë ti dëshifrohet.

*ora news

Alarm për bombë përballë Komisionit Europian

Policia belge  marrë ka marrë një njoftimin për bombë në Rue Breydel 42 (përballë Komisionit Europian) . Punonjësve të zyrave ju është ndaluar të hyjnë ose të dalin nga ndërtesat.

Policia heton për vrzsjen e Jurgen Kurtit

Policia vijon hetimet lidhur me vrasjen e Jurgen Kurtit mbrëmjen e 18 marsit në rrugën “Zef Jubani”, në Tiranë.

Dyshohet se dy persona me motor dhe të maskuar i janë afruar pranë shtëpisë ku banon 26 vjeçari dhe kanë qëlluar në drejtim të tij.

Viktima i njohur si menaxheri i VIP-ave, ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Mësohet se policia ka sekuestruar  kamerat e sigurisë si dhe ka shoqëruar disa persona dëshmitarë  dhe familjarë që mund të ndihmojnë me dhënien e indicieve

Jurgen Kurti ishte ndaluar nga policia dy herë për përfshirjen  në dy vrasje. Në 2016 ai u arrestua së bashku me dajën Leonad Ristani  për vrasjen e babait të Jurgenit, Artur Kurti.

Por daja mori përsipër autorësinë e vrasjes  dhe Jurgeni u lirua.

Një vit më vonë ai do të përfshihej në një tjetër ngjarje, kësaj here për vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi. Ai u arrestua së bashku me vjehrrin e tij, Konstadin Ekonomi dhe vëllanë e tij, Kujtim Ekonomi për vrasjen për motive pronësie.

Por pas verifikimit të pamjeve filmike e provave në vendin e ngjarjes rezultoi se vrasja është realizuar nga dy vëllezërit Ekonomi për motive të dobëta, ndërkohë që dhëndri i njërit prej vëllezërve, Jurgen Kurti nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e rëndë, kështu që u lirua.