Edi Rama ka prezantuar sot portalin e transparencës universitare

19

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot portalin e transparencës universitare. Ai tha se u-transparenca.al është një instrument për garantimin e kontrollit dhe transparencës në institucionet e arsimit të lartë.

Rama: Besoj që në këtë rast ne kemi vënë në dispozicion të universiteteve një instrument garancie, që duhet të përdoret nga Universitetet dhe do të monitorohet nga qeveria për aq sa i takon qeverisë, sepse kjo nuk është detyrë e qeverisë, por e universiteteve. Pika më delikate e çdo organizate që shpenzon, që është buxheti të publikohet në të gjithë elementët e vet, jo vetëm si buxhet vjetor, por edhe si buxhet afatmesëm.

Rama foli edhe për punësimet e studentëve ekselentë. Ai tha se pas 300 të parëve që tashmë janë pjesë e administratës, shumë shpejt do të bëhet edhe thirrja e dytë për aplikim.

Rama: Kemi filluar me 300 të parët, ata janë pjesë e administratës. Po përgatitet thirrje e dytë dhe faktikisht, të gjitha vendet e lira të punës në administratën e punës, por edhe ato që nuk janë pjesë e shërbimit civil do të jenë në dispozicion të atyre që kanë përfunduar me 9-10. Është një rrugë e hapur tani, tërësisht objektive. Ankesat që kemi pasur janë adresuar të gjitha.

Në lidhje me kartën e studentit, kryeministri tha se përgatitjet kanë nisur. Faza e parë do të implementohet me bashkinë e Tiranës dhe me pas në qytetet e tjera ku ka Universitete.

Rama: Kanë nisur përgatitjet, fazën e parë të implementimit do ta nisim me bashkinë e Tiranës. Mbi atë model do të shtrihemi edhe në qytete të tjera universitare, duke garantuar një ndërveprim të kartës së studentëve shqiptarë dhe kartës evropiane të studentëve.