Qëndresa Gërlica, kandidatja shqiptare që po korr sukses në Belgjikë

113

Qëndresa Gërlica, ka mundur të gjejë rrugën drejt suksesit falë këmbënguljes së saj, mbështetjes së familjes dhe përkrahjes së Ahmet Gjanaj.

Qëndresa Gërlica në sfidën e saj te re kandidon për të qenë ne Parlamentin e Brukselit.

Janë pesë shqiptarë që kërkojnë të bashkojnë zërin në Belgjikë. Amet Gjanaj, Luiza Duraki, Habibe Duraki si dhe Avni Gjanaj që kandidojnë në tre nivele.

Qëndresa vazhdon ende studimet universitare për shkenca politike dhe ka qenë kandidatja më e re për Asamblenë komunale të kryeqendrës administrative të Belgjikës dhe të BE-së duke shtuar kështu rrugën e saj në politikë.

Në një intervistë për TemA Javore tregon, rrethanat që detyruan familjen e saj të braktisë Kosovën kur ajo ishte vetëm 3 vjeç dhe gjithë rrugëtimin e vështirë në një vend të huaj për të arritur ëndrrën e saj.

Ku dhe kur keni lindur ju, Qëndresa?

Kam lindur në Prishtinë më 20 Maj 1992

Kur je shkëputur nga Kosova?

Në vitin 1994, kur erdhëm në Belgjikë

Përse emigruat?

Në vitin 1989, Millosheviçi hoqi me dhunë autonominë e Kosovës dhe kompetencat e autoriteteve të Kosovës; ndërsa në vitin 1990 u mbyllën të gjitha objektet arsimore shqiptare në Kosovë.

Në atë periudhë, babai im, Bashkimi ishte shumë aktiv në rezistencën Kosovare, duke marrë pjesë në shumë protesta dhe në çeljen e objekteve shkollore ilegale. Ky investim kishte rënë në sy të forcave serbe në Kosovë të cilat vendosën ta dënonin babin me qëllim që të ndalonin aktivitetin e tij. Kësisoj, pasi policia erdhi disa herë tek dera e shtëpisë, ai u detyrua të largohet nga Prishtina dhe pas pak kohe u bashkuam dhe unë me mamanë me të.

Keni qenë vetëm 3 vjeç kur familja juaj emigroi drejt Belgjikës. Të nisësh një jetë të re në një vend të huaj nuk është aspak e lehtë, apo jo? Si e kujtoni ju fëmijërinë tuaj?

Prindërit e mi kanë punuar shumë që mua por dhe fëmijëve të tjerë të mos na mungonte asgjë, të shkollohem dhe të realizoj gjithë ëndrrat e mia. Por, ne kemi patur në mendje gjithnjë Atdheun, kemi ndjekur çdo ditë zhvillimin e ngjarjeve në media, në gazeta dhe në TV ; ndonëse nuk isha në Kosovë gjatë luftës, e kemi përjetuar atë nga larg; kujtoj psh protestat në Bruksel para Selisë së NATO-s çdo të Diel. Pastaj kujtoj një fëmijëri të lumtur dhe me sfida të shumta dhe besoj se ka shumë të tillë në këtë situatë nga brezi im. Të nisësh një jetë nga fillimi në një shtet të ri për një fëmijë kërkon të mësosh shumë e çdo lëndë në shkollë dhe të punosh dy herë më shumë se të tjerët për të arritur rezultatet e duhura. Kjo do të thotë që të jesh po ashtu dyfish i angazhuar në jetën familjare, pasi në shumë raste duhet të bëhesh dhe përkthyese. Babai punonte shumë dhe unë qëndroja gjithmonë me nënën, e shoqëroja te mjeku apo dhe në shitore. Besoj se vajzat dhe djemtë që kanë emigruar e kuptojnë mjaft mirë këtë situatë; por kjo na ka bërë që të jemi dyfish aktiv dhe të gjithanshëm. Qysh nga ajo kohë kam patur gjithnjë dëshirë të angazhohem më tepër ; kjo më ka dhënë më shumë autonomi dhe kurajo për të sfiduar jetën.

Për çfarë keni studiuar?

Jam në përfundim të studimeve universitare për shkenca politike.

Veç politikës, cilat janë pasionet e tjera për ju?

Shkëmbimet kulturore, historia, muzika, teatri dhe organizimi i eventeve të ndryshme; çka do të thotë që në kohën time të lirë kam shumë dëshirë dhe të argëtohem me miqtë e mi dhe për këtë arsye me vëllain tim organizojmë edhe mbrëmje të ndryshme shqiptare. Sa i përket kulturës dhe historisë kam shumë dëshirë që të marr pjesë në seminare apo debate të ndryshme.

Cila është motoja juaj në jetë?

Puno shumë, drejt dhe me pasion! Besoj se çdo gjë është e arritshme për ata që kanë guximin të besojnë në ambiciet e tyre dhe të punojnë për t’i realizuar.

Cili ishte motivi i përfshirjes suaj në politikë?

Motivi lind gjithmonë nga e kaluara dhe rrethi në të cilin jeton dhe vepron ; ndaj, ndoshta se vij nga një shtet si Kosova që ka 20 vjet që e ka lënë luftën pas dhe po ndërtohet dita ditës. Kështu që qysh në moshën më të re kam filluar të angazhohem në organizata të ndryshme, si Parlamenti Evropian Rinor dhe Këshilli i Rinisë të Belgjikës në të cilin kam qenë nënkryetare.

Këto me qëllim që të bëhem zëri i atyre që nuk flasin, që të tregoj për padrejtësitë dhe të luftoj për një shoqëri gjithëpërfshirëse në vendin ku jetoj.

Megjithatë, prania apo veprimi im në një shtet tjetër nuk më largon apo më mban anash nga angazhimi për krijimin e ideve dhe projekteve që kanë të bëjnë me zhvillimin e tyre. Përfshirja ime në politikë gjatë zgjedhjeve të fundit lokale ishte falë propozimit të deputetit të nderuar zotit Ahmet Gjanaj, deputeti i parë shqiptar në Belgjikë dhe që vepron për vite me rradhë për një përfaqësim të denjë të komunitetit tonë. Me shumë kënaqësi u bëra pjesë e “Kombëtares së zgjedhjeve” me të cilën bëmë një fushatë të bashkuar dhe dinamike në 11 komuna të Brukselit.

Ju ishit kandidatja më e re për Asamblenë komunale të kryeqendrës administrative të Belgjikës dhe të BE-së. Çfarë emocionesh ju dha fushata elektorale?

Më dha vërtet emocione të papërshkrueshme. Dhe u ndjeva shumë mirënjohëse ditën e shpalljes së rezultateve, kur mësova se ishin 695 persona më besuan votën. Ndaj u ndjeva e nderuar, por dhe shumë më e motivuar me vazhduar me punuar më shumë për rezultate më të mëdha dhe që t’i përfaqësoj sa më mirë të gjithë ata që kanë besim te unë.

Sa e vështirë ka qenë për ju si femër dhe si emigrante në Belgjikë të qenurit pjesë e politikës belge?

Falë aktiviteteve të shumta në organizatat belge dhe mbështetjen e fuqishme të zotit Ahmet Gjanaj munda të bëhem pjesë e zgjedhjeve të fundit dhe të fitoj besimin edhe të personaliteteve të tjera në Parti. Për një vajzë dhe grua jeta politike është e vështirë dhe sfiduese; megjithatë, besoj fort se duhet ndryshuar tendenca dhe të kemi më shumë përfaqësim të gruas në politikë, për të mbrojtur interesat e tyre dhe të tjerëve ; kjo dhe sepse besoj se gratë kanë pikëpamje progresive mbi botën dhe zhvillimet e saj. Ndihem shumë krenare si vajzë shqiptare dhe kam dëshirë që ne të angazhohemi akoma më shumë; kështu do të kemi më shumë suksese, sepse Historia ka shumë dëshmi të bujarisë dhe forcës së nënave dhe motrave tona dhe në kohërat më të vështira.

Cilat janë planet e tua, duke qenë se po afrojnë edhe zgjedhjet e reja rajonale dhe federale në muajin Maj? Pra, përse duhet t’ju votojnë ju?

Ajo se çfarë do të përfitojnë nga unë nëse do të zgjidhem në Parlamentin e Brukselit është bashkëpunimi dhe kontributi shumë i sinqertë për komunitetin tim dhe me gjerë ; kam vendosur të kandidoj pikërisht se kemi shumë probleme dhe se shumë të rinj e të reja kanë nevojë për mbështetje; ndaj vota e tyre do të shkojë te një njeri i sinqertë dhe shumë bashkëpunues me ta. Mendoj që nese do të më votojnë, atëherë shumë projekte dhe kauza të të rinjve apo komunitetit do të nxiten e promovohen deri në realizimin e tyre. Gjithashtu, kam dëshirë që përvojën time ta shfrytëzoj brenda Parlamentit të Brukselit, për të mundësuar krijimin e më shumë vende pune për ata që dëshirojnë të angazhohen, si psh me investime masive në organizatat rinore. Po ashtu, një kujdes më të madh për të gjithë personat në nevojë që ata të kenë një vendbanim të denjë dhe që fëmijët e tyre të kenë shanse të barabarta për t’u arsimuar dhe integruar në shoqëri. Kjo do të realizohet dhe me zhvillimin e mësimeve shtesë për nxënësit në nevojë në të gjitha shkollat e Brukselit.

A e ndiqni politikën në Shqipëri dhe atë në Kosovë?

Po, e ndjek vazhdimisht; mirëpo nëse më duhet të bëj ndonjë ndarje, kjo është e vështirë, jo vetëm te ne por në gjithë Ballkanin Perëndimor; sepse ka një frymë të ngjashme politike që po e le në vend gjithë atë rajon në raport me Bashkimin Evropian.

Përsa i takon politikës me fokus në trevat shqiptare, shihet se ka suksese mirëpo, ende jo në shkallën e duhur e të pritshme; vërtet që deri me tani janë realizuar projekte shumë të mira, si krijimi i Ushtrisë në Kosovë apo reformimi i drejtësisë dhe vetingu në Shqipëri ; gjithsesi, këto janë vetëm disa prej hapave pozitivë dhe konkret për zhvillimin dhe integrimin e vendit.

Për kë personazh politik ke simpati?

Edhe politika si çdo fushë tjetër ka shembuj dhe histori suksesi që duhet ndjekur. Si gjithëpërfshirës apo idhull politik në botë kam Bernie Sanders, dhe politikat e tij të majta, të cilat janë shembull dhe mënyrë shumë e mirë qeverisjeje; pavarësisht se nuk fitoi, ai mbetet i preferuari im dhe mendoj se në garat e ardhshme ai do të jetë fitues.

Një mesazh për të gjithë të rinjtë shqiptarë? Një ditë e jotja e zakonshme si nis dhe si përfundon?

Një ditë e imja fillon shumë herët dhe mbaron shumë vonë. Per momentin më duket se kam 4 jetë të ndryshme, se pari si Menazhere në një firmë Kozmetike, pastaj si studente. Tani u shtua dhe kandidatura politike, kështu që axhendën e kam mbushur plot, por kjo më jep me shumë vullnet për të punuar. Pavarësisht këtyre angazhimeve të shumta, mundohem të kaloj një pjesë të mirë të kohës dhe me familjen dhe shoqërinë time.

Ka te tjerë shqiptarë që kandidojnë? Si i keni marrëdhëniet me ta?

Në partinë time jemi 5 kandidatë që jemi bashkuar për një fushatë gjithëpërfshirëse dhe për të përfaqësuar komunitetin në të gjitha nivelet e mundshme, jemi si të thuash “Kombëtarja zgjedhore”. Në krye të këtij ekipi dhe strategjie është zoti Amet Gjanaj, i cili është dhe kandidati numër 6 për zgjedhjet për Parlamentin Evropian; aktualisht ai është deputet i Parlamentit të Brukselit dhe Nënkryetar i Komunës Molenbeek.

Pastaj kemi me Nr. 12 Luiza Duraku, e cila kandidon për Parlamentin Federal belg dhe është me e reja nga ne të gjithë. Kurse për Parlamentin e Brukselit garojmë 3 kandidatë, Habibe Duraku me Nr. 35, Avni Gjanaj Nr.40 dhe unë me Nr.47.Kjo strategji e bashkimit të fuqive është hartuar nga deputeti Amet Gjanaj dhe besoj se do të fuqizojë përfaqësimin e shqiptarëve në të gjitha nivelet.

Po të ishim të gjithë “në një vijë” kjo do të ishte një botë utopiste; ka dhe kandidatë të tjerë në parti të ndryshme, të cilët kandidojnë në mënyrë individuale. Kam parë me gëzim se ka kandidatë në të gjithë Belgjikën, jo e jo vetëm në Bruksel; kënaqësia tjetër si për mua është se ndërmjet tyre ka shumë kandidatë që janë vajza dhe gra dhe ndihem krenare për ketë fakt domethënës.