Kitarović: Jemi të frikësuar për vakumin që po krijon BE në Ballkan

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović tha se vendi i saj mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në konferencën e përbashkët pas mbylljes së Samitit të Brdo Brijunit, Kolinda Grabar-Kitarović u shpreh e shqetësuar për vakumin që vetë BE-ja po krijon në Ballkan.

Kolinda Grabar-Kitarović: Kroacia do të mbështesë hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Dëshirojmë të shikojmë edhe Bosnjë Hercegovinën të bëhet sa më shpejt që të bëhet një vend kandidat. Dëshirojmë sa më shpejt liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne jemi dhe mbështesim një proces të mbështetur mbi meritën dhe çdo vend duhet të ndjekë hapat e duhura në rrugën për anëtarësim në BE.

Jam e frikësuar për situatën aktuale, diskutimet brenda vetë BE jemi duke krijuar një vakum për Ballkanin. Ky vakum duhet të plotësohet dhe të mbushet me influenca të atyre palëve që nuk janë përfituese për Rajonin. Për vendet kandidate, reformat që janë pezull duhet të ndërmerren. Kroacia do të marrë presidencën në gjysmën tjetër të vitit 2020 dhe gjatë presidencës sonë ne do të theksojmë Evropën Juglindore, për t’ju pasur në axhendën. Duhen dy veta për të kërcyer tango. Ne do ju shtyjmë në përpjekjet tuaja, por edhe ju duhet të ndërmerrni hapat tuaja. Muzika ka një kohë të gjatë që është duke luajtur. Duhet të përfshijmë njëri-tjetrin dhe le ta kryejmë këtë.

Kandidati refuzon mandatin e deputetit me një deklaratë të pa precedentë

Kandidati nga lista e PD, Indrit Hoxha ka refuzuar mandatin e deputetit me një deklaratë, të cilën e ka mbajtur në sallën e Kuvendit.

Indrit Hoxha: Unë Indrit Hoxha, kandidat në listën vijuese të PD ndërmarr sot këtë akt politik në emër të babait tim të ndjerë, Fatmir Hoxha, i përndjekur politik i regjimit kriminal që nuk rreshti deri në frymën e fundit.

E ndërmarr këtë akt në shenjë neverie kundër krimit të rilindur të këtij parlamenti ilegjitim dhe në respekt të vlerave të familjes time dhe ato që im at më la.

Refuzoj të marr mandatin e deputetit në një vend ku klika kriminale në pushtet ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe ka kapur sistemin e drejtësisë.

Refuzoj të marr mandatin në Parlamentin ilegjitim që e urdhëron drejtuesi i vrasjes së 2 prillit 1991.

Refuzoj të marr mandatin dhe të bëhem pjesë e një parlamenti ilegjitim ku në këtë parlament ka hetues të sistemit diktatorial.

Refuzoj të marr mandatin e një parlamenti ilegjitim, ku në karrigen e kryeministrit ulet i biri i personit që firmosi për varjen e poetit Havzi Nela.

Refuzoj të bëhem pjesë e Parlamentit ilegjitim ku në këtë parlament ndodhen urdhëruesit e vrasjes së tribunit të demokracisë, Azem Hajdari.

Ky nuk është Parlament, por galeri e krimit.

Fundi i kësaj farse është i afërt.

Unë refuzoj të betohem dhe të marr mandatin  deputetit sepse ai i takon popullit.

Rroftë Shqipëria!
Rroftë Demokracia!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Gramoz Ruçi: Zoti Indrit këtë mund ta bëjë deklaratë për shtyp jashtë, në sallë mund të mos vije. Ti me vullnetin tënd ke bërë kërkesën dhe ke kërkuar mandatin e deputetit. Është e drejta jote kushtetuese të mos bësh betimin. Rrugë e mbarë, suksese në jetë!

Mashtroi duke marrë 10.000 euro, arrestohet 49 vjeçari

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 49-vjeçar, i cili me anë të mashtrimit ka arritur të  marrë vlerën 10.000 euro.

Uniformat blu vunë në pranga B.A., banues në Librazhd. Dyshohet se ai, në muajin janar 2018, i ka marrë nëpërmjet mashtrimit shtetases B.P.,  shumën prej 6000 euro për të marrë provimin e Licensës së mësuesisë, si dhe shumën 4000 euro për të marrë një të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin e saj.

Gjithashtu akuzohet se ka ushtruar ndikim të  paligjshëm tek shtetasi me iniciale E.S., punonjës në fushën e  arsimit.

“B.A., 49 vjeç, banues në Librazhd,  për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ”Mashtrimi”, i dënuar dhe më parë për të njëjtat vepra penale,”-raporton policia.

Gjithashtu, u proçeduan në gjendje të lirë shtetasit me iniciale B.P. dhe E.S., për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.

Një intervistë e panjohur e Faik Konicës e 1914-s

Kjo është një intervistë e panjohur e shkrimtarit të njohur Faik Konica, për “Universul”.

Në të ai flet për gjendjen politike në vend dhe çfarë mendon për Ismail Bej Vlorën dhe Esat Pashën. Intervista sillet nga studiuesi Aurel Plasari

Cila është situata e brendshme politike në Shqipëri, a ekzistojnë atje parti politike dhe cilat janë programet dhe pikëpamjet e tyre? A varen programet e tyre politike nga besimet fetare?

Në Shqipëri ka dy parti të mëdha, të cilat nuk janë ende të organizuara përfundimisht: partia nacionaliste me nuancë liberale dhe partia reaksionare konservatore, turke për nga fryma. Klasa e kultivuar në përgjithësi dhe shqiptarët e Rumanisë dhe të Amerikës bëjnë pjesë në të parën, muslimanët dhe grekomanët me shkolla të kryera në Stamboll përbëjnë të dytën. Besimet fetare nuk hyjnë në formimin e këtyre dy partive.

Nacionalistët kërkonin në kohën e regjimit turk autonominë administrative dhe përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa unë me grupin tim deri edhe ndarjen nga Turqia. Partia reaksionare donte, përkundrazi, statu-quo dhe ruajtjen e bashkimit me Turqinë. Mbas luftës [ballkanike, – A.P.] nacionalistët e përshtatën programin duke kërkuar një shtet të ri, me konceptime të reja, i cili të shkëputej nga traditat orientale: një shtet nacional për nga fryma dhe oksidental për nga metoda. Me njerëz të rinj për këto situata të reja. Partia reaksionare kërkon vijimësinë e sistemit dhe frymës së administratës turke me gjendjen e vjetër të punëve. Nacionalistët dëshirojnë të kombëtarizojnë edhe kultin.

Të dy udhëheqësit e Shqipërisë aktuale, sa Esad Pasha aq edhe Ismail Bej Qemali, bëjnë pjesë në partinë reaksionare, duke përdorur dhe duke imponuar gjuhën turke në administratë në vend të gjuhës kombëtare, çfarë është skandaloze.

Të dyja këto parti politike a janë dakord për emërimin e një princi të huaj? A është princi Ëied i pranueshëm nga këto parti?

Reaksionarët, përshtat parimeve dhe pikëpamjeve të tyre, dëshirojnë një princ musliman, ndërkohë që nacionalistët, duke qenë se nuk ekziston ndonjë dinasti kombëtare, kërkojnë princ të huaj. Populli, siç është i lodhur nga kaq trazirë, duke dashur të shpëtojë nga luftërat e brendshme dhe duke marrë vesh që princi Ëied është i pëlqyeri i Fuqive të Mëdha, e ka pranuar në heshtje.

Si mund të shpjegohet komploti më i fundit turk në Shqipëri?

Shumë thjesht: klasat drejtuese, të varfëruara mbas lufte dhe duke pasur nevojë për para, morën para dhe bënë komplotin në interes të atij që ka paguar dhe që do të pagojë edhe më.

Ç’opinion keni zotëria juaj për këto dy personalitete “en vogue” [fr. në modë, – A.P.] tani në Shqipëri: Esad Pashën dhe Ismail Bej Qemalin?

Ismail Bej Qemali, një “fileu” bizantin, i korruptuar nga shpirti dhe nga zakonet, pa ideal dhe pa parime, i gatshëm për të gjitha kompromiset. Esad Pasha është një “condotier” mesjetar, që as nuk di metodat as nuk ka skrupujt e një shtetari modern. Është nga shkolla e Abdul Hamidit, prej së cilës ka ruajtur një suvënir të gjallë. Mirëpo është energjik dhe, po të drejtohej mirë, mund të përdorej me dobi për rivendosjen e rendit në Shqipëri. Nga natyrat e tyre do të kuptoni edhe aktet e tyre.

Ç’parashikoni zotëria juaj për shtetin e ri shqiptar?

Shqipëria, që del nga një krizë e tmerrshme (katër vite kryengritjesh dhe një vit pushtimi, pra pesë vite trazirash) dhe që ka qenë sunduar për katër shekuj nga brutaliteti dhe keqqeverisja e regjimit turk, ndodhet – afërmendsh – si një i sëmurë që nuk është lehtë të ngrihet në këmbë, punë që do të dojë disa kohë, porse jam absolutisht i bindur për vitalitetin, energjinë dhe të ardhmen e saj.”

Nga: “Universul”, XXVII, nr. 8, 10 janar 1914 © shqip A. Plasari

43 të arrestuar, tronditet politika italiane

Një megaoperacion i antimafias italiane në bashkëpunim me Policinë Financiare ka tronditur politikën italiane me ekzekutimin e 43 urdhër arrestimeve mes të cilëve politikanë, funksionarë publikë e sipërmarrës, 12 prej tyre janë vënë në pranga, 16 nën urdhër arrestimi shtëpiak e 15 të tjerë me detyrim paraqitje.

Operacioni i ekzekutuar në territorin e provincave të Milanos, Varese, Monza, Brianza, Pavia, Novara, Alessandria, Torino e Asti, ka çuar në shkatërrimin e dy grupeve kriminale me bazë në Milano e Vareze. Grupi përbëhet nga eksponentë politikë, funksionarë të lartë publikë e sipërmarrës të cilët janë përgjegjës të një aktiviteti mafioz me qëllim financimin e paligjshëm të partive politike, abuzim me tendera publikë, faturime operacionesh financiare të paekzistuara, riciklim parash e abuzim detyre.

Mes të arrestuarve janë dhe kandidati i partisë Forza Italia në zgjedhjet  e ardhshme evropiane të 26 majit, Pietro Tatarella. Nënsekretari i Forza Italia për rajonin e Lombardisë Fabio Altitonante, deputeti aktual i Forza Italia Diego Sozzari e kreu i Forza Italias në qytetin e Varese Giocacchino Caianello, i akzuuar për nxitje për korrupsion ndaj governatorit Atilio Fontana i Partisë Lidhja.

Megaoperacioni i policisë italiane ka vënë nën hetim rreth 95 persona.

Ndërtohet skulptura më e madhe e shpendëve në botë

Me një gjatësi 60 metra dhe gjerësi 45 metra, kjo është skulptura më e madhe e shpendëve në botë.

Skulptura gjigante e betonit në zemër të Kerala në Indi, e quajtur Jatayu Earth Center, mori gjashtë vjet për të ndërtuar.

Ideja ishte e regjisorit dhe skulptorit indian Rajiv Anchal, i cili gjithmonë ëndërronte të sjellë në jetë zogun mitik Jatayun.

Sipas legjendës Hindu, Jatayu dëshmoi momentin kur princesha Sita u rrëmbye nga mbreti i keq Ravana. Kur Jatayu  u përpoq ta ndalonte, Ravana i preu njërin nga krahët me shpatë.

Dhe në përputhje me historinë, Jatayu  u ndërtua vetëm me një krah.

ZGJOHU NGA GJUMI DALLËNDYSHE!…

Bledi Mane

Ata që vdesin rishtas kanë një zakon të keq. Si fillim mbyllin sytë, zemrën e vënë në gjumin e përjetshëm pastaj, pastaj veshët i mbajnë hapur për të dëgjuar çfarë themi ne të gjallët për të vdekurin…

Deri dje për ne, ti ishe malokja, tropojania e bukur kokëfortë me emër të çuditshëm, vajza me shtëpi të palegalizuar në Babrru, ushtarakja e çmendur pas sfidave.

Sot që vdiqe, ti je heroina, adrenalina e atdhedashurisë, simboli i trimërisë domestike, kryqëzimi i puthjes së përçarjeve tona.

Fatmirësisht ti nuk vdiqe nga plumbat e krimit në Bllokun e Tiranës.

Nuk vdiqe as nga shpërthimi i silikonit në klinikat estetike të Tiranës.

As nga overdoza e kokainës në klubet e Tiranës nuk vdiqe.

Madje, madje as nga përplasja e makinës së shtrenjtë të dashnorit tënd nuk vdiqe…

Zarife Hasanaj, ushtarakja shembullore e Ushtrisë Shqiptare u nda nga jeta një ditë të dilemttë maji në një vend larg atdheut të saj. Vdiq duke treguar dashurinë për paqen dhe lirinë. Vdiq më 6 maj, një ditë më vonë nga 5 maji, dita e dëshmorëve duke treguar se heroizmat e këtij vendi nuk rreshtin.

Ishim mësuar që djemtë shqiptarë vriteshin në Bruksel për prishje pazaresh droge por tani e tutje duhet të mësohemi që ka edhe vajza shqiptare që vdesin për lirinë e njerëzimit.

Të të themi lamtumirë?

Rama: E vetmja rrugë për Shqipërinë është Bashkimi Europian

Kryeministri Edi Rama u bëri apel ambasadorëve të Bashkimit Europian të nxjerrin negociatat dhe çështjen ne integrimit nga loja politike.

Gjatë prezantimit të aplikacionit ‘Ambasada Ime’ të hënën (6 maj) në Javën e Evropës, Rama tha se e vetmja rrugë për Shqipërinë është Bashkimi Europian dhe nuk do ndalemi drejt kësaj rruge.

Rama: “Megjithatë, të gjithë ambasadorëve këtu të pranishëm, të cilët përfitoj nga rasti në këtë ditë të Javës së Europës t’i falënderoj sinqerisht dhe e kam fjalën për ambasadorët e Bashkimit Europian, dua t’ju them se për ne nuk ka rrugë tjetër, është e vetmja rrugë dhe pavarësisht se çfarë ndjejmë ne, kur duhet të kalojmë detin me këmbë për shkak se ka një problem këtu e një problem atje, një problem andej e një problem këtej, ajo që dimë është se kjo është e vetmja rrugë dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim në këtë rrugë.

Kjo është pak, por e sigurt. Ama, ju lutem, bëni atë që mundeni që të mos lejoni që loja me negociatat e brendshme të kthehet në një lojë me zjarrin këtu në vendin tonë. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë, këtë Shqipëria nuk e meriton. Sigurisht kjo është përgjegjësi e shqiptarëve, përgjegjësi e të gjithë përfaqësuesve të tyre politikë, por ka diçka shumë të rëndësishme që ju, vendet tuaja kanë në dorë, ta nxjerrin çështjen e integrimit dhe të negociatave nga loja politike, duke i hapur negociatat, duke e bërë të pamundur që për arsye politike, një palë apo një palë tjetër të marrin peng publikun dhe të shfrytëzojnë pikërisht vështirësitë për çeljen e negociatave, si benzine për të hedhur në zjarrin e përplasjes politike.”

Të veshur si policë, hajdutët grabisin banesën e biznesmenit

Persona të armatosur dhe me maska kanë hyrë në banesën e një biznesmeni dhe pasi e kanë lidhur atë dhe bashkëshorten i kanë marrë një sasi të konsiderueshme parash si dhe sende me vlerë.

Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e 6 prillit, 2019 në fshatin Çiflig të Korçës.

Sipas informacioneve të para dyshohet se autorët kanë qenë tre persona, ndërsa pronari i banesës thotë se kishin aksent verior.

Vila tregon se është pronar i një gomisterie servis dhe anije peshkimi Durrës dhe se në xhep kishte pasur lekët e xhiros së biznesit të tij.

Autorët kanë qenë të veshur me uniforma policie. Vila tregon se policia e ka gjetur me duar të lidhura.

Zyrtarisht nga policia e Korçës nuk ka asnjë njoftim.

Lihet në burg i forti i Shkodrës

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Barush Bregun dhe bashkëpunëtorin e tij Bajram Çekorja. i cili u arrestua në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Në seancën që ka zgjatur vetëm 15 minuta Bregu nuk ka pranuar të flasë përpara togave të zeza.

Arrestimi dy ditë më parë

FNSH dhe RENEA gjatë një aksioni të zhvilluar në Komunën e Parisit në Tiranë kanë vënë në pranga dy persona, njëri prej të cilëve pjesë e një grupui kriminal në Shkodër.

Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar sqaron se në kuadër të operacioni “Kompleski” u arrestua Barush Bregu, 33 vjeç, lindur në Shkodër dhe shtetasi B. Ç. 21 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

33-vjeçari Bregu, i cili jetonte në një banesë të marrë me qira në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë ishte dënuar me 4 vite burg për kultivim droge.

“Ky shtetas është i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje , pasi në shtator  të vitit 2018, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia,  në banesën e këtij shtetasi u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Gjithashtu ky shtetas është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është  i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda  kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.