Ukrainë, opozita në protestë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave

ukraine protestShumë nga krerët e opozitës ukrainase deklaruan dje në mbrëmje përpara manifestuesëve në Kiev se kishin ndërmend të vazhdonin lëvizjen e tyre protestuese, pas propozimeve të bëra nga presidenti Viktor Janukoviç, me qëllim që t’i japë një drejtim krizës.

Pa u shprehur qartë mbi propozimin e emërimit dy prej tyre në krye të qeverisë, ata siguruan se do të vazhdojnë të qëndrojnë të mobilizuar deri sa të gjitha kërkesat të përmbushen, si fillim mbajtja e zgjedhjeve presidenciale që këtë vit dhe jo vitin tjetër, sikurse parashikohet.

“Lufta vazhdon”, ka thërritur një opozitar nacionalist, Oleg Tiagnybok, përpara mijëra personave të mbledhur në sheshin Pavarësia.

“Ne jemi të vendosur dhe nuk do të tërhiqemi aspak, ndonëse duhet të pranojmë se Janukoviçi ka plotësuar një pjesë të mirë të kërkesave tona.”, ka siguruar nga ana e tij Vitali Kliçko, të cilit kreu i shtetit i propozoi të bëhet zëvendëskryeministër.

“Negociatat vazhdojnë, ne kërkojmë organizimin e zgjedhjeve presidenciale që këtë vit”, ka shtuar ish-boksieri.

Arseni Jaceniuk, të cilit i është orfuar posti i kryeministrit, ka deklaruar se është i gatshëm të marrë përgjegjësitë e tij, por ai shton, se nuk beson asnjë nga fjalët e thëna nga pushteti aktual.

“Nuk do të lëvizim aspak nga pozicionimi ynë”, ka thërritur lideri i partisë “Baktivchtchina” e opozitares së burgosur, Julia Timoshenko.

Tre opozitarët, për më tepër, kanë kërkuar shbërjen e ligjeve shtypëse të miratuara në 16 nëntor dhe që kanë sjellë një radikalizim të lëvizjes.

Klosi: Presim kompromis nga opozita për reformën territoriale

blendi-klosi-deklarateDeputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi përmes një deklarate për mediat i bëri sërish thirrje opozitës të dalë nga axhenda opozitare dhe të bëhet axhendë qytetare. Klosi theksoi se mazhoranca është në pritje të një kompromisi nga opozita për reformën administrativo-territoriale.  Reforma territoriale nuk mund të lihet pas dore, ka thënë Klosi. Gjithashtu ai tha se, mazhoranca i ka votat për ta miratuar këtë reformë në Kuvend, por ama kërkon dhe pret konsensusin e opozitës.

“Është e vërtetë ajo që thatë ju se kemi 84 vota në Kuvend, por ne kemi ofruar opozitës gjysmën e anëtarëve të komisionit, bashkëkryetarin, të drejtën e vetos, por opozita nuk po bëhet pjesë e komisionit.   Është e qartë se Basha si kryetar i Bashkisë i ka kthyer shpinën interesave qytetarë dhe si mëkëmbës i opozitës ka kthyer shpinën interesave të vendit. Të gjitha kërkesat që bëri opozita u plotësuan nga mazhoranca. Tani jemi në pritje të kompromisit”, u shpreh Klosi.

Kapshticë, arrestohet shefi i doganës, dy doganierë të tjerë në procedim të lirë

prangaArrestohet shefi i zyrës operacionale të doganës së Kapshticës Algert Lami, 33 vjeç i cili akuzohet për  korrupsion pasiv.   Burime nga policia bëjnë me dije se gjithashtu në prangat e policisë ka rënë edhe tregtari Krenar Halimllari 38 vjeç, i cili akuzohet për kontrabandë mallrash. Sipas policisë, gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë edhe dy doganieret e turnit shtetasit me iniciale L.K dhe V.T.

Mësohet se doganieri Algert Lami dyshohet se ka lejuar kalimin e mallrave kontrabandë nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës.  Doganierët akuzohen për falsifikim të dokumentave dhe shpërdorim detyre duke favorizuar kundrejt ryshfetit tregtarin elbasanas për të shmangur detyrimin doganor.

Basha zapton hapësirën publike

basha makineKreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ka pjesën e tij të përgjegjësisë për kaosin e parkimit të makinave në kryeqytet, problemin e vet e ka zgjidhur.

Që prej marrjes së detyrës në vitin 2011, makina e tij parkohet mbi trotuar në krah të godinës së bashkisë (për të mos folur pataj për konston e makinës që thuhet se shkon në 160 000 $).

Lidhur me këtë sjellje aspak qytetarë të qytetarit të parë të Tiranës, Basha është shprehur se, “kjo praktikë ndiqen edhe nga kryetari i mëparshëm”.

Paradoksalisht një nga sloganet e fushatës së tij ishte se hapësirat publike të zëna do t’u ktheheshin qytetarëve.

Nga ana tjetër, Policia e Shteti e cila ka marrë masa të forta ndaj shkelësve të qarkullimit, duket se ende nuk e ka vërejtur një fakt të tillë.

Pendohet autori i vrasjes Berat, gjykata e lë në burg Elton Borin

gjykataËshtë përballur sot me togat e zeza të Gjykatës së Faktit Berat, në seancën e parë gjyqësore, atë të masës së vlerësimit, 36-vjeçari Elton Bori.

Bori është autor i vrasjes me thikë të 30-vjeçarit Altin Braushi në qytetin e Kuçovës. Ngjarja ka ndodhur 2-ditë më parë, pas një konflikti për parkimin e automjeteve në ambjentet e jashtme të një shkolle 9-vjeçare, ku autori priste bashkëshorten mësuese të dilte nga mësimi ndërkohë që viktima priste fëmijët të dilnin nga shkolla.

Mësohet se në sallën e gjyqit Bori e ka pranuar krimin dhe është shprehur i penduar në lidhje me këtë vrasje, që sipas tij ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër pas shume debateve e sharjeve mes tij dhe viktimës.

Pasi ka dëgjuar edhe rrëfimin e autorit të vrasjes së babait të 2 fëmijëve, Gjykata e Faktit Berat, e ka cilësuar të vlefshëm arrestimin e tij, duke dhënë edhe masën e sigurisë “arrest në burg pa afat” për Elton Borin.

Logo e Flamurtarit në avionët “Atlasjet”?

AtlasJet151Një fakt kurioz, por ende për t’u konfirmuar. Logo e skuadrës dhe klubit të Flamurtarit, mesa duket do të shihet tashmë edhe në avionët e linjës “Atlasjet”, ku ëshë aksioneri kryesor dhe në mazhorancë, bashkë me të vëllain, Murat Ersoy (Mehmet Ersoy i vëllai binjak). Ende mbetet për t’u konfirmuar si lajm, por nga këto do të lindë në njëfarë mënyre edhe partneriteti mes palëve dhe ideja e markës që duhet të bëhet popullore në Turqi. Pra, logo e Flamurtarit.

Konsensus për reformën zgjedhore,Thaçi u bën apel partive politike

hashim thaciPas mungesës së konsensusit të domosdoshëm për ndryshimet kushtetuese për vendet e rezervuara për komunitete në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi ka ftuar spektrin politik të Kosovës që t’i bëjë reformat e nevojshme zgjedhore, të cilat garantojnë proces transparent dhe demokratik.

Përmes një mesazhi në Facebook, Thaçi ka bërë thirrje që ato të bëhen në afatin e parë të mundshëm, në pjesën e parë të muajit shkurt.

Reformat përfshijnë: përcaktimin e kohëzgjatjes së fushatës elektorale, përcaktimin e numrit të kandidatëve në listat zgjedhore, përcaktimin e pragut zgjedhor, përcaktimin e së drejtës për votim me kusht dhe çështje të tjera.

Vallja e shqipeve

fatos baxhakuFATOS BAXHAKU – Në momente kthesash të forta të vendeve apo kombeve rikthehet shpesh një sëmundje e vjetër sa njerëzimi. Atë mund ta quajmë fare mirë “korruptim i qëllimeve fisnike”. Në këtë rast termi “korruptim” nuk paraqet domosdoshmërish korrupsionin si të tillë, atë që jep e merr para nën dorë, me të cilin tashmë jemi familjarizuar.

Më shumë korruptimi i qëllimeve fisnike është një largim, një zvjerdhje e idealeve, për të cilat një lider, një politikan apo edhe një militant i thjeshtë idealist ishte nisur që herët në karrierën e tij politike. Me pak fjalë është një helm që mund ta kaplojë njeriun pa e kuptuar as vetë ai se çfarë mekanizmi po luhet në kokën e tij teksa e ka mbërthyer formalizmi i përditshëm. Pse ndodh kjo, këtë mund ta shpjegojnë më gjerë e më gjatë psikologë e sociologë. Një gazetë nuk është assesi vendi i duhur për t’u marrë me këtë punë. Ato që do të na interesonin më shumë, si njerëz të thjeshtë të miletit që jemi, janë pasojat e kësaj zvjerdhjeje, që hera-herës jo vetëm merr forma të shëmtuara, por edhe të dëmshme. Kjo sëmundje e politikës është edhe ngjitëse. Ajo nuk njeh krahë, majtas apo djathtas. Nuk njeh krahina, as moshë dhe as seks. Ajo është e pamëshirshme dhe ka gjasë që të mposhtë edhe karakterin më të paepur. Në kushte të caktuara, atëherë kur e lejon ambienti në të cilin zhvillohet, kjo sëmundje përhapet aq shumë, saqë kundërshtarë që u kanë takuar palëve kundërshtare, nisin t’i ngjajnë njëri-tjetrit aq shumë sa dy bashkëshortë i ngjajnë njëri-tjetrit pas 50 vjetësh martesë, qoftë kjo edhe e palumtur.

Me shpirt duhet uruar që këto radhë të jenë krejtësisht të gabuara, porse frika jonë është e madhe. Frika konsiston në atë që shenjat e para të këtij virusi kanë përfshirë plot njerëz të të dy kampeve tona kryesore politike. Le ta nisim që nga terminologjia e përdorur. Le të mos merremi shumë me terma të tillë si hajdut, mashtrues apo edhe ndonjë tjetër më të rëndë, sepse këto nuk i shkojnë për shtat as edhe një nxënësi arrakat shkolle. Le të merremi me një term luftarak që të dy palët e kanë fort për zemër: beteja! Vetëm sa shqiptohet kjo fjalë dhe befas parlamentin mund ta përfytyrojmë si një repart marinsash të veshur me rrobe kamuflazhi. Politika është garë, e ashpër, e vështirë, dërrmuese edhe kur fiton, por ama është garë dhe asgjë më luftarake se kaq. Ç’hyn fjalori ushtarak në debatin politik? Ja një nga shenjat e para klinike të “korruptimit të qëllimeve fisnike” (KQF).

Më pas, një shenjë tjetër e KQF është edhe përdorimi i mjeteve të cilat ti vetë dikur, jo shumë kohë më parë, i ke kritikuar me të madhe. PS dhe aleatët e saj në opozitë s’e kishin për gjë të bojkotonin ligje e reforma me qëllimin e vetëm që të dëmtonin sa të mundeshin qeverisjen Berisha. Të njëjtën gjë, pra pikërisht atë të sharën me të madhe dikur, ka nisur ta përdorë opozita e sotme. Ngritja e vrullshme nga karrigia, përplasja e dyerve, portreti që shpreh gjithnjë një shqetësim të madh (njësoj sikur të dojë të thotë jemi apo nuk jemi në mes të një beteje të ashpër?), të kundërshtuarit për çdo gjë, edhe për gjëra për të cilat thellë-thellë je dakord, ja disa nga shenjat e tjera klinike të KQF.

Sikurse thamë ca më lart, kjo sëmundje e politikës nuk pyet shumë nëse je në qeveri apo në opozitë. Shenja të saj janë parë edhe në qeverisje. Kur ndonjë punë nuk shkon mbarë atëherë përfaqësues të qeverisë menjëherë akuzojnë opozitën. Edhe për probleme të trashëguara që prej dekadash, edhe për plane që ndodhin jashtë kufijve tanë, sikurse është rasti i devijimit të Radikës, në çdo rast këto janë “akuza pa bazë të stisura nga opozita”. Në qeveri duhet ta dinë mirë se njësoj si në jetë edhe në zyrat e tyre jo çdo gjë do të shkojë mbroth. E ka thënë Mërfi me kohë e me vaft: Kur një gjë ka vendosur të shkojë ters, atëherë ajo do të shkojë ters me se s’bën! Qoftë për faj të tyre, qoftë për tersin e mallkuar, qoftë se kështu është shkruar, do të ketë gjithnjë një apo më shumë gjëra, për të cilat nuk ka se si ta ketë gjithnjë fajin opozita e aq më shumë të sajojë të paqena.

Është bërë zakon që njësoj sikurse opozita kundërshton gati për gjithçka edhe pozita duhet të japë përgjigje për të njëjtat gjëra. Duket sikur puna e vetme e politikës është gara e fjalëve dhe e deklaratave, në një kohë që shumë prej tyre janë ministra, drejtorë, këshilltarë, zyrtarë, anëtarë komisionesh, hartues ligjesh e reformash, drejtues njerëzish, puna e parë e të cilëve janë punët dhe jo llogjet. Kthimi i deklaratave në një qëllim në vetvete do t’ua zvjerdhë qëllimet e mira që shumë prej tyre kanë pasur e kanë ndër mend dhe do t’i hedhin ata pak nga pak në krahët tundues e vrastarë të KQF.

Në mos e paçim krejt gabim, pra nëse shenja të KQF kanë nisur vërtet të bëhen evidente, assesi nuk është vendi për panik. Ne kemi një klasë politike kryesisht të re dhe i riu, përveç se është “si Veriu”, ka, mënjanë forcës dhe qëndrueshmërisë, edhe kohën e duhur për të ndrequr gjërat. Në gjirin e politikës ka ende disa të sëmurë pa shpresë me KQF, por duhet pasur më shumë besim te koha dhe te mrekullitë që bën ajo. Antivirusi ndaj KQF nuk është gjë tjetër veçse puna. Vetëm puna e ndershme e shëndosh jo vetëm sistemin tonë politik, por edhe krejt shoqërinë. Në rast të kundërt, në qiellin tonë politik, do të kemi vetëm dy shqiponja që sillen vërdallë rreth njëra-tjetrës, duke u kanosur me klithma të mprehta. Duhet bërë kujdes i madh. A nuk është “Vallja e shqipeve” kërcimi ynë më tradicional kombëtar?

Gazeta “Shqip”

Arrestimi i Kupës, Tahiri: Medalje në gjoksin e policisë së shtetit

tahiriMedalje në gjoksin e të gjithë strukturave të policisë. Kështu e ka vlerësuar Ministri Brendshëm Saimir Tahiri, kapjen e të shumëkërkuarit Ilir Kupa pas arratisjes spektakolare nga burgu i Trikalasë sëbashku me 10 shqiptarë të tjerë që vuanin dënimin në qelitë e burgut të shtetit helen. Duke folur për mediat pas takimit me strukturat e policisë në drejtorinë e Tiranës, Tahiri tha se Kupa krahas veprave penale në Greqi po hetohet edhe lidhur me grabitjet e fundit me armë të ndodhura në vendin tonë.

“Unë besoj që arrestimi i ilir Kupës është një medalje në gjoksin e policisë së shtetit, policisë së Tiranës, FNSH-së, forcave RENEA, të gjithë ne. Keni dijeni për karrierën kriminale të Kupës, atë që ka ndodhur në Greqi, ndjekjen e vazhdueshme të policisë greke. Përtej shkëmbimit të informacionit në lidhje me atë që ka bërë dhe bashkëpunimit me policinë greke, kemi hetuar dhe çështje që kanë qenë goxha sensitive në Shqipëri. Hetimet vazhdojnë lidhur dhe me grabitje me armë që besoj se me arrestimin e Kupës do na çojnë në rrugë të mbarë. Aksioni vazhdon dhe tani që flasim dhe besoj se do ketë arritje të tjera. Ne jemi të vendosur për të luftuar krimin në çdo skutë, siç jemi shumë të vendosur që edhe ndaj atyre që e nxisin apo e provojnë të bëjmë atë që duhet” tha ai.

E ndërsa Kupa mendohet të ketë qenë me dy persona të tjerë, edhe këta nga grupi i të arratisurve nga Trikalaja, Ministri nuk dha detaje duke thënë se operacioni është në vazhdim.

“Mos prisni detaje prej meje, hetimet kanë nisur sëpari për shkak të arratisjes së tij në Greqi.Pastaj dhe për ngjarjet që kanë ndodhur në Tiranë. Tre ditët e fundit janë intensifikuar goxha dhe rezultatet erdhën, detaje lidhur me operacionin nuk ia vlen të jap pasi operacioni vazhdon. Pres rezultate të tjera, policia e shtetit është në këmbë dhe shumë shpejt rezultatet do flasin akoma më fort, sesa zeri i të gjithë atyre që çirren sot duke majisur paniç tek qytetarët. Shumë shpejt do merrni vesh” deklaroi Tahiri.

I pyetur nga gazetarët se kujt i mbetet merita në finalizimin e këtij operacioni, ai u përgjigj:

“Bashkëpunimi me palën greke është një element sigurisht. Përtej shkëmbimit të informacionit edhe hetimet lidhur me atë që ka ndodhur në Tiranë, grabitjet e fundit me armë na çuan në drejtim të mbarë” përfundoi Ministri.

Ilir Kupa u vu në prangat e policisë paraditen e sotme në periferi të Tiranës. Arrestimi është kryer në një banesë në Qafën e Kasharit. Mësohet se Ilir Kupa u arrestua në një banesë në zonën e Qafë Kasharit.

Sipas policisë ai ka bërë rezistencë dhe ka qëlluar me armë në ajër kur ka parë policinë. Një tjetër element i rëndësishëm ishte dhe fakti se Kupa për të vështirësuar identifikimin e tij kishte lyer flokët me ngjyrë të verdhë në portokalli.

LSI fton PD ti bashkohet Komisionit: Jetike për vendin e integrimin

luan ramaPërballë refuzimit të opozitës për tu bërë pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën territoriale pa u plotësuar 3 kushtet e saj, LSI ka përsëritur ftesën ndja demokratëve, duke i apeluar atyre të mos vetëpërjashtohen nga ky proçes.

“Në terësinë e reformave të mëdha që duhet të përmbushë vendi në kuadër të anëtarësimit të procesit të integrimit në BE, për të bërë të mundur që vetë ecuria e reformave në vend të jetë e atillë qe edhe për nga cilësia dhe shtrirja të jenë të ngjashme me reformat që meriton një vend i BE. Reforma administrativo-territoriale merr një rëndësi të dorës së parë. Ndaj LSI jo vetëm e konsideron një hap të rëndësishëm, por do jetë kontributore e rëndësiShme për të bërë të mundur që të realizohet reforma administrative dhe territoriale në mënyrë që çdo pjesë e këtij vendi, cdo pëllëmbë e këtij vendi të jetë pjesë e projekteve të mëdha të zhvillimit. Parandaj duke e parë si çështje të rëndësihme që s’mund të mbetet më peng e interesave të ngushta, partiake dhe meskine të klaneve tëndryshme politike, LSI fton opozitën në mënyrë të veçantë PD që të zërë vend në këtë komision dhe të jetë pjesë e rëndësishme kontributore e rëndësishme për të bërë të mundur që të gjithë sëbashku përmes një konsensusi, partneriteti dhe bashkëpunimi serioz të realizojmë reformën administrative-territoriale duke dëshmuar përpara opinionit publik, por dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë seriozitet, angazhim dhe përgjegjshmëri ashtu siç i takon të sillet një force politike europiane në Shqipërinë europiane” tha ai.

I pyetur nga Ora News sesi do veprojë mazhoranca në rast se opozita nuk do ta njohë këtë Komision, Sekretar i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama tha:

“Nuk kam arsye të besoj që opozita dhe PD nuk janë të angazhuara dhe nuk e kanë në prioritetet e tyre realizimin e kësaj reforme. Ndaj jam këtu në emër të LSI, ta ftoj PD për tu bërë pjesë e reformës. Çdo hap drejt përafrimit me BE ka nevojë për një opozitë serioze, luajale dhe konstruktive. Është gjithmonë koha për të reflektuar me përgjegjshmëri përballë interesave të vendit në radhë të parë, por që edhe opozita të mosvetëpërjashtohet siç ka ndodhur për fat të keq më parë, por të jetë pjesë integrale në këtë proçes. Jam i bindur që në PD do fitojë logjika e shëndoshë që vendi ka nevojë për reforma të mëdha dhe reformat e mëdha kanë nevojë për kontributin e PD dhe opozitës. Nuk është çështje interesash partiake, trillesh individuale por çështje që lidhet me interesat e vendit, ndaj jam i bindur që PD do gjejë seriozitetin për të dhënë angazhimin. Janë shprehur parimisht po, të gjitha kushtet që ofron vendimi i Kuvendit për ti dhënë rol prioritar opozitës në këtë vend janë të mjaftushme për të kuptuar seriozitetin e ofertës politike që ka bërë mazhoranca dhe përballë tij pritet e njëjta gjë edhe nga opozita” theksoi Rama.

Nga ana tjetër ai ka lënë të hapur mundësinë që partia e tij të dalë me një paketë propozimesh për këtë reformë, krahas asaj të PS.

“LSI ka kapacitetet e saj intelektuale, përvojën e nevojshme, shtrirjen e vetë në gjithë hapësirën e vendit me përfaqësimin e saj jo vetëm në Kuvend, por dhe qeverisjet lokale , ka specialistë të zotë që mund dhe do ofrojnë kontributin tonë që e gjithë reforma të realizohet me sukses dhe të përligjë të gjithë interesat e qytetarëve të vendit nga Vermoshi në Konispol” përfundoi Rama.

Të enjten mazhoranca miratoi vetëm me votat e saj komisionin e posaçëm për reformën parlamentare dhe i la kohë opozitës për të miratuar emrat e 16 anëtarëve të tij në seancën e radhës.

Por demokratët kanë deklaruar se nuk do të ndryshojnë qëndrim në rast se mazhoranca nuk tërheq aktin normativ për statusin e nëpunësit civil dhe nuk ndal sulmin ndaj AMA-s dhe ILDKP-së.