Rama: Pas 30 qershorit hyni mik direkt tek kryebashkiaku

Prej më shumë se një viti qeveria vijon ti bëjë jehonë platformës  “Shqipëria që duam.al” me anë të së cilës sjell nëpër ekrane  dëshmi të qytetarëve që thonë se në kohë rekord kanë gjetur zgjidhje të halleve për të cilat janë sorollatur nëpër institucione.

Sot në një takim po në kuadër të bashkëqeverisjes, kryeministri paralajmëroi dhe një tjetër platformë, këtë herë të mos hysh mik tek kryemistri, apo ministri por tek kryebashkiaku.

Edi Rama: “Kam besim se në 30 qershor ne ndër të tjera do të krijojmë mundësinë edhe për të hyrë në një fazë të re të trajtimit të ankesave për bashkitë, qoftë edhe në aspektin sasior dhe cilësor. Nuk ka nevojë as për miq as për shokë as për kushërinj as për filtra të tjerë por cdo qytetar, njësoj si cdo deputet ka akses të drejtëpërdrejtë tek cdo ministër për problemin e vet. Çka do realizojmë është akses  drejtëpërdrejtë tek cdo kryetar bashkie të jetë i të njëjtës cilësi. Zgjedhjet nuk bëhen për ata që zgjidhen por ata që zgjedhin, dhe ata që zgjedhin më 30 qershor do të zgjedhin për të pasur akses të drejtëpërdrejtë tek cdo kryetar bashkie që kanë dhënë ose nu kanë dhënë votën e tyre.”

Sot mbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të zhvillojnë sot takimin e dytë koordinues lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në 26 nëntor 2018.

Takimi i sotëm nuk do të jetë në nivel kryeministror, por do të drejtohet nga dy zv/kryeministrat, Erjon Braçe dhe Fatmir Limaj.

Takimi do të zhvillohet në orën 12:00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Tsipras: Ja kam shpjeguar Ramës, të respektojë minoritetin ose rruga për në BE do mbyllet

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras në një intervistë për Financial Times ndër të tjera ka folur edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë.

Tsipras thotë se i ka shpjeguar kryeministrit shqiptar Edi Rama, se Tirana duhet të mbrojë më mirë të drejtat e minoritetit grek, ose ndryshe rruga e vendit drejt anëtarësimit në BE do të mbyllet.

“Nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj për të drejtat e njeriut,- thotë Tsipras, -Greqia dhe unë personalisht do të mbështes një vendim të mundshëm në qershor për Shqipërinë për të filluar proceset e pranimit në BE, së bashku edhe Maqedoninë e Veriut. Por ne nuk do të rrezikojmë procesin e pranimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ajo ka bërë përparim. Kjo do të ishte e padrejtë. ”

Tsipras theksoi se Greqia nuk dëshiron të fitojë reputacion duke u dhënë leksione të tjerëve, duke vënë veton ose kushte tepër të ngurta për vendet që aspirojnë në BE.

“Popujt e Ballkanit kanë nevojë për nxitje për reforma”, ka theksuar kryeministri grek”

Bebe Rexha me bikini: Ja si duket një grua e vërtetë

Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha nuk ka pasur asnjëherë komplekse mbi peshën e saj. Dhe gjithmonë ka frymëzuar gratë dhe vajzat të duan trupin e tyre dhe të pranojnë veten ashtu siç janë.

Së fundmi, Bebe ka publikuar një foto me bikini në Instagram duke treguar format e saj të mbushura trupore.

“Unë të kisha rregulluar stomakun tim dhe ta bëja të sheshtë. Mund të kisha rregulluar këmbët e mia dhe ti bëja të dukeshin më të holla. Ndoshta duhet ta kisha bërë veten të dukesha më e gjatë dhe të zgjasja këmbët. Por nuk e bëra. Kështu duket me të vërtetë një grua në Instagram pas photoshop,”-shkroi ajo.

Basha për BBC World: Çfarë synojnë protestat e opozitës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka dhënë një intervistë për BBC World ku ka folur për protestat dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje”, tha Basha.

BBC WORLD: Gjatë 3 muajve të fundit në Shqipëri janë zhvilluar protesta antiqeveritare, me protestues që bëjnë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ka patur edhe dhunë fundjavën e shkuar, ku mijëra protestues, që mbështesin PD në opozitë, dolën në rrugët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Zyrat e kryeministrit u goditën me bomba benzine, duke nxitur thirrjet për qetësi të disa vendeve të BE-së dhe SHBA. Në krye të këtyre protestave është lideri i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha, i cili ka shërbyer si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Brendshëm në qeveritë e mëparshme të drejtuara nga PD. Unë e nisa bisedën me të duke e pyetur, nëse e dënon dhunën e ndodhur.

LULZIM BASHA: Absolutisht. PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje. Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale.

BBC WORLD: Çfarë duhet tē ndodhē me ata që janë përgjegjës për dhunën?

LULZIM BASHA: Siç e thashë, falë Zotit, asnjë polic i vetëm nuk u lëndua. Por numri 3 i PD-së u dhunua brutalisht dhe dhunshëm nga policia. Media ishte në gjendje ta filmonte këtë episod dhe ta transmetonte live. Në vend që këta policë të përballen me përgjegjësitë e tyre, sipas ligjit, ata janë marrë personalisht nën mbrojtje nga kryeminstri.

BBC WORLD: Qeveria i mohon akuzat tuaja, por nē njē kēndvēshtrim mē tē gjerē, ju keni qenë vetë në qeveri dhe tani jeni në opozitë. Ju e dini se akuzat për korrupsion bēhen sa nga njēra palē dhe nga pala tjetēr. Akuzat nga opozita, kushdo qoftë ajo, mohohen nga qeveria kushdo qoftë ajo. Kjo është pjesë e politikës në vendin tuaj, apo jo?

LULZIM BASHA: Ky nuk është rasti tani.

BBC WORLD: Pse është ndryshe tani?

LULZIM BASHA: Dy raste të hetimit nga prokurorēt antimafia kanë zbuluar mijëra orë përgjime, që tregojnë se kryeministri dhe zyrtarë të lartë të qeverisë bashkëpunojnë me bosët e krimit të organizuar për vjedhjen e zgjedhjeve të vtiit 2017. Disa nga këto përgjime janë publikuar nga Zëri i Amerikës dhe dy ditë më parë nga gazeta më e madhe gjermane Bild. Nuk ka absolutisht asnjë veprim në lidhje me këto akuza. Asnjë politikan nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje dhe politikanët e përfshirë jo vetëm nuk janë ndëshkuar, por janë promovuar dhe janë mbrojtur nga kryeministri.

BBC WORLD: Ta shohim në një panoramë më të gjerë. Këtë qershor Shqipëria pret një përgjigje nga BE, nëse do të nisin negociatat për anëtarësim. Sa dēm mund t’i shkaktojē procesit e gjithē kjo?

LULZIM BASHA: Protestat janë pasojë e krizës së thellë politike në vend. Kēshtu qē, pavarësisht, raporteve të sheqerosura…

BBC WORLD: Çfarë do të thotë të sheqerosura ?

LULZIM BASHA: Shumë larg realitetit.

BBC WORLD: Për çfarë arsye?

LULZIM BASHA: Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të hapë negociatat e anëtarësimit. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë, për vlerat europiane, por Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet.

BBC WORLD: Pra, çfarë duhet të thotë dhe tē bējē BE në takimin e qershorit sipas jush?

LULZIM BASHA: Mendoj se në kētë pikë gjërat janë shumë të qarta. Bashkimi Europian është ekstremisht i shqetësuar se realiteti në terren është shumë larg nga përshkrimet e burokratëve në Bruksel. Kjo duhet të jetë edhe një këmbanë alarmi për vetē institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë” dhe të përqendrohen nē problemet e vērteta, me tē cilat pērballen vendi.

BBC WORLD: Por kjo muhd të çonte në një shtyrje të asaj çfarë planifikon BE. A nuk do të sillte shtyrja një dëm të madh për vendin?

LULZIM BASHA: Për fat të keq, shtyrja, pak a shumë është vendosur. Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe.

*Top Channel

Konfirmohet në detyrë gjyqtari Sokol Binaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë Sokol Binajn, gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Nga hetimet e KPK, rezultoi se Binaj rezultoi i pastër sa i përket tre kritereve të ligjit.

Në seancën dëgjimore u publikua raporti i ILDKPKI, i cili konstatoi se deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Nuk ka deklarim të rremë, nuk ka fshehje pasurie, si dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Edhe në raportin DSIK u konstatua se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Në lidhje me aftësitë profesionale, KLGJ ka dorëzuar në raport me konstatimin se subjekti ka treguar cilësi të pranueshme në punë. Nuk konstatohen indicie apo element që tregojnë se ka mangësi profesionale.

Vidhnin para në bagazhet e udhëtarëve, arrestohen 2 punonjësve të aeroportit në Rinas

Policia kufitare në Rinas ka arrestuar dy punonjës të ngarkim-shkarkimit të bagazheve, të dyshuar për vjedhje të pasurisë nga bagazhet e udhëtarëve. Po ashtu për këtë rast janë proceduar penalisht edhe dy punonjës të tjerë.

Arrestimi i dy punonjësve u bë në kuadër të operacionit të koduar “Bagazhi i fundit”, pas ankesave dhe kallëzimeve të bërë nga disa udhëtarë.

“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa nga punonjësit e sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve në vendin e qëndrimit të avionëve në aeroportin “Nënë Tereza” – Rinas, dyshohet se kryenin vjedhje të pasurisë në bagazhet e pasagjerëve të linjave të ndryshme, finalizuan me sukses operacionin policor “BAGAZHI I FUNDIT”. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve D. M. 22 vjeç, banues në Tiranë dhe E. Rr., 24 vjeç, banues në Ndroq, Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”, sqaron policia.

Po ashtu uproceduan penalisht edhe shtetasit A. E, 27 vjeç, banues në Mëzez në Tiranë dhe R.H. 27 vjeç, banues në Tiranë, edhe këta punonjës të ngarkim -shkarkimit të bagazheve të pasagjerëve të linjave ajrore.

Kallëzimet nga udhëtarët

Më datë 17.05.2019, shtetasi H.E ka kallzuar në Komisariatin e Policisë Rinas, vjedhjen e një sasie prej 4800 euro në bagazhin e tij të udhëtimit, vjedhje të cilën e ka konstauar në aeroportin e Lubjanës, Slloveni.

Si rezultat i veprimeve operative dhe proceduriale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Rinas u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i shumës prej e 4550 euro, ku dy shtetasit e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim me njëri -tjetrin ja kanë vjedhur shtetasit H.E nga bagazhet.

Të arrestuarit autorë edhe të 4 vjedhjeve të tjera

Po nga veprimet e kryera dyshohet se shteatsit e mësipërm në bashkëpunim edhe me disa punonjës të tjerë janë autorë të dyshuar edhe në disa raste të tjera vjedhje pasurie dhe konkretisht:

1-Vjedhjes së një sasi vlerash monetare të shtetasit L.J, më datë15.04.2019

2-Vjedhjes së një varse flori të shtetases A.Z më datë 24.04.2019

3-Vjedhjes së një varse flori të shtetases D.H, më datë 13.05.2019

4-Vjedhjes së një sasi vlerash monetare paund shtetasit L.K, më datë 10.03.2019.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë.

Lleshaj policëve: Për çdo rrënjë kanabisi do procedoheni penalisht

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë një takimi me struktuarat Korçë është shprehur se çdo rrënjë kanabisi në Shqipëri do asgjësohet.

Ndërsa theksoi se për çdo rrënjë kanabisi të gjetur pas datës 15 qershor do nisë procedim ndaj çdo polici për shpërdorim detyre.

Sandër Lleshaj: “Shqipëria është në rrugën e ndarjes përfundimtare me kanabisin. Lufta kundër kanabisit ende nuk është mbyllur. Gjatë këtij viti zgjedhor kërkohet një vigjilencë e shtuar e çdo pushteti. Çdo strukturë vendore ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë me kanabis. Çdo rrënje do asgjësohet. Çdo rrënje që do zbulohet pas datës 30 qershor është turpi tuaj. Policia duhet te merret me personat që mbjellin kanabisin.

Për çdo konstatim të kanabisit pas datës 15 qershor do nisë procedim ndaj çdo polici për shpërdorim detyre. Policia e ka të ndaluar të merret me bimët. Policia ka përgjegjësi të merret me personin. Duhet ta mbysim në embrion dhe jo të shkojë puna deri në korrje të kanabisit. Ky vit duhet të shënojë një sukses përfundimtar.”

Ndërsa kishte edhe një mesazh për kultivuesit e bimës: “Kam informacione që elementë kriminalë ushqejnë iluzione se meqenëse jemi në muaj zgjedhor do tolerohen për interesa elektorale. Por kjo nuk do ndodhë.”

Lihet në burg 21-vjeçari shqiptar i akuzuar për terrorizëm në SHBA

Një gjykatë në Missoula ka lënë në burg shqiptarin Fabjan Alametin, i cili akuzohet se gënjeu agjentët federale rreth planeve të tij për t’ju bashkuar ISIS dhe për të kryer veprime terroriste.

Gjykatësi vendosi që 21-vjeçari të mbetet në paraburgim deri në gjyqin e tij.

Gjykatësi Jeremiah C. Lynch tha se Alameti, shqiptar me nënshtetësi amerikane, përbën një kërcënim tepër të madh për komunitetin po të lejohej të kthehej në banesën e nënës së tij në Bronx.

“Gjithçka që duhet të shoh janë deklaratat që ke bërë. Dhe ata më paralajmërojnë që të mos të liroj,”-tha Lynch.

Ndërsa avokati që përfaqëson të riun shqiptar, John Rhodes tha se nuk ka asnjë të dhënë që tregon se Alameti ka dëmtuar dikë në të kaluarën dhe nuk ka asnjë dosje tjetër penale.

21-vjeçari u arrestua nga agjentët e FBI më 3 prill në një zonë armësh në Bozeman, pasi ishte nën mbikëqyrje që nga viti 2017.

Sipas dokumenteve të akuzës, ai i tha një agjenti federal në janar se po planifikonte të bashkohej me ISIS në Siri.

Gjithashtu përmes një postimi në internet në shkurt tha se donte të bënte një sulm në tokën amerikane.

Mësohet se shqiptari i tha agjentit: “Do të qëndroj mbi ta ndërkohë që i shpoj me vrima.”

Gjykatësi Lynch përmendi këtë deklaratë në vendimin e tij.

Prokurorët gjithashtu akuzuan Alametin se mbante armë zjarri ndërsa përdorte marijuanë.

Por në deklaratën e tij më 6 maj, ai mohoi të dyja akuzat e ngritura ndaj tij.

Prokuroria kërkon 1.6 vite burg për ish-gjyqtarin Admir Thanza

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 1.6 vite burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza.

Thanza akuzohet për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve parashikuar nga neni 190/1 të Kodit Penal.

Gjithashtu Prokuroria kërkon të deklarohet i falsifikuar formulari i vetëdeklarimit i datës 25.04.2016, plotësuar nga Adrian Thanza.

Seanca e parë gjyqësore për ish gjyqtarin, më 10 maj, u shty pasi Thanza mungonte në gjykatë.

Thanza u shkarkua nga KPK në 17 korrik 2018, pasi nuk deklaroi një dënim që kishte marrë në Itali në 1999.  Dhe më 18 prill, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi përfundimisht nga detyra.