Meta: Norvegjia, partner i rëndësishëm bashkëpunimi

ilirmetaGjatë punimeve të Forumit të 4-t me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, që po zhvillohet këtë javë në Pragë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një takim dypalësh me Presidentin e Parlamentit të Norvegjisë, Olemic Thommessen.

Kryetari i Kuvendit, Meta duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Norvegjisë, veçanërisht në drejtim të fushës së investimeve, shprehu vullnetin për ngritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërparlamentare në një stad të ri përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe administratave reciproke.

Meta theksoi se, “Norvegjia është një vend me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe një model i zhvillimit demokratik dhe të drejtave të njeriut, dhe si e tillë përfaqëson një partner të rëndësishëm bashkëpunimi për shqiptarët, si dhe për të gjithë rajonin ku mbështetja norvegjeze vlerësohet maksimalisht”.

Presidenti i Parlamentit të Norvegjisë, Olemic Thommessen shprehu vullnetin për konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ndau bindjen se bashkëpunimi mes dy parlamenteve do t’i shërbejë intensifikimit të tyre, veçanërisht në një Evropë ku solidariteti dhe bashkëpunimi janë më të nevojshme se kurrë.

Në përfundim të takimit, Meta e ftoi Thommessen për një vizitë zyrtare në Tiranë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga pala norvegjeze

Vrasja e Muhaxherit konfirmohet nga një gazetare e Sunday Times

muaxheriNuk është hera e parë që del si lajm, e më pas përgënjeshtrohet.

Por këtë herë lajmi se Lavdrim Muhaxheri, shqiptari nga Kosova i njohur si pjesëtar i ISIS, është vrarë, vjen nga gazetarja britanike Hala Jaber nga Sunday Times, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Muhaxheri është vrarë nga luftëtarët kurdë, në qytetin sirian Kobane, në afërsi të kufirit me Turqinë.

Hala Jaber ka shkruar e në Siri është vrarë Abu Abdullah Kosova, emri me të cilin njihet në Siri Muhaxheri.

Edhe kurdët nga ana e tyre kanë publikuar fotografi të luftimeve me ISIS, duke theksuar se 42 terroristë, dhe sipas lajmit të publikuar edhe nga Sunday Times, në mesin e tyre dyshohet të jetë edhe Muhaxheri.

 

Tahiri: Bashkëpunimi me institucionet ligjzbatuese, medalje e denjë për Policinë

saimir-tahiri-565x421Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë sot analizën vjetore të punës së Policisë së Shtetit. Tahiri renditi disa nga sukseset e arritura nga policia, duke u ndalur te bashkëpunimi me institucionet ligjzbatuese, të cilin e quajti edhe medalje të denjë, por edhe te dekriminalizimi dhe korrupsioni në policinë e shtetit.

“Pa bashkëpunim dhe mbështetje nga institucionet e tjera ligjzbatuese, nga qeveria, nga Komisioni i Sigurosë, nga Kuvendi është shumë e vështirë për të arritur rezultat që presin qytetarët.

Unë do doja ta shënoja si arritje të parë, forcimin e kapaciteteve për të ndërtuar partneritet të qëndrueshëm me insitiucionet.

Shpesh herë kërcënohëj bashkëpunimi me institucionet. Sot bashkëpunimi me policinë, prokurorinë, shërbimit informative dhe partnerët ndërkombëtarë është një medalje e denjë për modelin që kemi krijuar në policinë e shtetit, por që mbetet për tu forcuar edhe më tej.

Arritje e madhe është edhe dekriminalzimi i policisë së shtetit. është përpjekje kolosale e jona për ta shkëputur policinë e shteti nga gostitë me botën e krimit apo nga lidhjet e drejtuesve të lartë të policsë së shtetit me përfaësues që nuk i bëjnë nder shoqërisë, barazisë para ligjit dhe shtetit ligjor.

Është patjetër arritje shkëputja nga praktikat e korrupsionit të kthyer në sistem. Korrupsioni sot nuk është në sistem”, tha Tahiri.

SYRIZA bën koalicion me ”Grekët e pavarur”, Cipras takohet me Papuliasin

tsapirasPresidenti i Republikës, Karolos Papulias, do të presë sot pasdite kryetarin e SYRIZA-s, Aleksis Cipras, fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Po sot, Cipras u takua në selinë e partisë me kryetarin e ”Grekëve të pavarur”, Panos Kamenos.

“Që nga ky moment vendi ka qeveri. ‘Grekët e pavarur’ i japim votëbesimi kryeministrit Aleksis Cipras”, deklaroi Kamenos.

”Kryeministri (Cipras – shën. përkth.) do të shkojë sot te presidenti i Republikës për t’u betuar dhe do të komunikojë përbërjen e qeverisë”, deklaroi Panos Kamenos pas takimit të tij me kryetarin e SYRIZA-s, Aleksis Cipras.

Shqipja degë më vete në hartën e gjuhëve

gjuhetGazeta prestigjoze “The Guardian” ka publikuar një ilustrim te Minna Sundberg që tregon hartën e gjuhëve që ekzistojnë sot në botë. Në fotot e botuara dallohet qartë gjuha shqipe si një degë më vete.

“Dashuria e përfolur e “…Mimozës” së Jorgaqit.

dashuria e mimozesEsse-analizë rreth romanit të ribotuar, “Dashuria e Mimozës” e Nasho Jorgaqit

Raimonda MOISIU

Takimi me Shkrimtarin Nasho Jorgaqi ka ndodhur krejt rastësisht në rininë time të herëshme, “një bashkëbisedim intim” vecmas nëpërmjet prozës së tij, romane e tregime, marrëdhënie polimorfike kjo, që merr këndvështrime të ndryshme duke kombinuar vecmas njerëzoren e të paimagjinueshmen, të cilën e hasim mes të bukurës, trishtimit e dashurisë, në realitetin e së përditshmes. Në vitet në vazhdim, do të njiheshim edhe fizikisht, ai pedagogu im dhe unë studentja e tij, por unë vazhdoja ta ruaja me delikatesë e fanatizëm, atë “bashkëbisedimin tim intim”, të cilin e përmenda më lart, në udhëtimin e tij krijues shumë dimensional, mjeshtër i rrëfimit dhe studimit, vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf, i talentuar dhe i paepur, midis të mundshmes dhe të pamundshmes. Veprat e tij karakterizohen nga lirizmi dhe shpalosja e ndjenjave të holla njerëzore brenda një kornize përgjithësisht reale, deri te Kryevepra, me të cilën ai arriti kulmin në fushën e letërsisë dokumentare, – me veprën -“ Jeta e Fan S. Nolit”. Nasho Jorgaqi konsiderohet sot për sot, një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm, që i përket epokës së historisë moderne, letërsisë së realizmit socialist dhe të letërsisë postkomuniste. Veprat e tij kanë një transformim krejt të natyrshëm e të motivuar ideo-artistikisht nën aureolën e integritetit profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare.

“Dashuria e Mimozës”- titullohet romani i ribotuar rishtas nga shtëpia botuese “ELVE”, e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, Nasho Jorgaqi, të cilin unë pata kënaqësinë dhe fatin ta kem në bibliotekën time, me autografin e vetë autorit. Në fakt romani “Dashuria e Mimozës” ka njohur disa botime, para dhe pas viteve ‘90-të. Për herë të parë e kam lexuar kur isha në shkollën e mesme dhe e rilexova përsëri.

Teksa kaloja nga kapitulli në kapitull, me një arkitekturë të shumëtrajtëshme, -gati autobiografik “ i …një brezi plot ëndrra e dëshira fisnike, gjithë energji, me synime të guximëshme…”-shkruan autori në “Në vend të parathënies”, -kapituj, të cilët nuk janë vetëm thjesht të lidhur me personazhet e veprës, por edhe me lexuesin. Autori Jorgaqi zhbiron mjeshtërisht impulset universale të jetës së personazheve, botën e brendëshme dhe psikologjike të tyre, dhe me penelata të shpejta të ngjarjeve të vëna në rrjedhën e subjektit, na jep dualitetin e forcës shpërthyese të dëshirës dhe opinionit, drojës e guximit, dashurisë e dhimbjes, mallit e trishtimit, jep botën e ngushtë “të përligjur” me plogështinë e ideologjisë sunduese dhe etike të sistemit socialist, atyre viteve në të cilat shtrihet edhe fabula e romanit. Lëndimin dhe revoltën femërore ndaj inferioritetit të diktatit dhe frikës për të jetuar dhe dashuruar, përjetimin e këtij realiteti të rrëfyer nga autori me një aureolë emocionesh, të ndjeshme dhe emocionale, për të sfiduar nocionet tradicionale të formës e përmbajtjes dhe na përcjell mesazhet e realitetit e të përvojës.

Nëpërmjet rrëfimit në 28-të kapituj, ku cdo kapitull hapet me epigram, ndjehesh tejet i/e impresionuar shumë nga gjallëria e portretizimit të personazheve, ngjarjet, shëmbëlltyrat dhe ndjenjën e trishtimit, shpirtit rebel, ambientin e zymtë krijuar nga situata të paqëndrueshme në lidhje me konceptin e moralit social e politik. Agonia e heshtur e Mimozës së lënë pasdore nga pashmangshmëria e fatit dhe diktatit mizor të nënës dhe ambicjeve prej nëne, dilemës së babait dhe zgjedhjet që ata kanë bërë si prindër dhe zgjedhjet që janë bërë për ta, përpjekjet për ta bërë jetën e saj, në përputhje me ëndrrat e tyre, si zgjidhje për një jetë normale, ku morali krijohet nga sistemi shoqëror dhe përshtatur nga individi. Me zgjedhjet e tyre, ata e dinë shumë mirë, se jeta e tyre do të arrijë sëbashku në një pikë, edhe pse rruga e ndërmarrë për të arritur atje nuk është e lehtë, plotësisht e qartë dhe e sinqertë, që në fillim.

Autori Jorgaqi navigon shkëlqyeshëm dhe mjeshtërisht, rrëfime rrëzëllitëse me humanizëm dhe frymëzim, me kujdes, guxim dhe mahnitës. Brilant i fjalës dhe narracionit me pasazhe lirike, me telashe, me pengesa dhe me bukuri shpirtërore, autori bën transparencën e kronikave dhe përvojave jetësore, shpalos idetë nga një jetë njerëzore në tjetrën. Jorgaqi rrëfen një histori të thjeshtë në dukje, ku dëshira për një fund të lumtur e kthen në një dramë të jetës reale e fateve njerëzore, dhe secili prej tyre përfaqëson identitetin e kohës që jetonin, padobishmërinë e atij sistemi, të marra së bashku me realitetin dhe pashmangshmërinë e tij, plogështinë femërore dhe pafajasinë e Mimozës, mes dhimbjes e dashurisë të mbrujtur me humorin e vecantë të absurdes, në të njëjtën kohë. Ngjarja zhvillohet në kryeqytet dhe personazhi kryesor është Mimoza, një vajzë e bukur dhe tejet modeste, maturante e shkollës pedagogjike, sa e dashur aq edhe e pafajshme, sa naïve aq edhe e ëmbël, sa e ndrojtur aq edhe e sinqertë, që dëshiron të rrijë mes njerëzve, por edhe e vetmuar, për të qenë e sigurtë dhe e pavarur nga ambienti rrethues, e rritur dhe e edukuar në një familje të thjeshtë qytetare, vecmas nën diktatin e nënës së saj, durimit njerëzor, dashurisë dhe fisnikërisë në heshtje e të atit.

“Mimoza, që i trëmbej shumë s’ëmës, me të dëgjuar zërin e njohur, kthehu kokën. Deshi t’i kërkonte falje dhe t’i jepte lajmin e emërimit, po Maria se la të fliste. Ajo e kishte marrë vesh më parë “mandatën”, ndaj i foli ashtu e zemëruar dhe vazhdoi e tronditur, sikur ligjëronte:-Të rroftë shkolla, të rroftë! Po ku të kanë syrgjynosur, moj e zezë, në fshat? Po pse të coj unë atje? Ja kështu të kthehet….-dhe, për t’i treguar zemërimin, mori e përmbysi para së bijës kanistrën me gjithë rroba.-Pse të rrita në mes të të mirave e të bëra kaq, që të më kalbesh fshatrave?!

Mimoza duke parë të ëmën të fryrë nga inati dhe të alarmuar, nuk guxoi të thoshte as edhe një fjalë. Mbeti si e ngrirë, me gojë të qepur me një këmbë në shkallën e parë dhe tjetrën në tokë. Ajo nuk u trondit aq shumë nga kanosja e s’ëmës, sesa nga frika se mos ajo kishte marrë vesh të vërtetën. Atëhere c’do të bënte Mimoza?! Kjo është njësoj si të të plasë në dorë e të mos mundesh të qëllosh…..”

Mimoza është krijesë e atributeve konservatore dhe kontradiktore, të bazuara në idenë e ndërgjegjes njerëzore individuale dhe marrëdhënieve të komplikuara të mentalitetit, me prindërit e saj, e privuar në mënyrë të vazhdueshme nga emocionet e saj shpirtërore, të lirisë së fjalës e veprimit, ëndrrat e dëshirat vajzërore, argëtimi dhe etja për jetën, punën, profesionin e mësueses dhe dashurinë. Duke pasur parasysh rrethanat familjare dhe personalitetin e nënës së saj, ekstrakte këto, – nga ato të konceptit filozofik, social e politik, sloganin e shpikur të moralit dhe mirëqënies, që përpiqej të shiste revolucioni social-kulturor në Shqipërinë socialiste, kolektive e të centralizuar dhe anti cdo gjëje të bukur e të paqtë, ndaj asaj, që ata e shihnin si fantazi borgjeze e të huaj, -metafora ogurzezë e esencës të atij sistemi dhe mentalitetit konservator të jetës. E brishtë dhe e maturuar, e revoltuar dhe e tronditur, e plogësht dhe e frikësuar, e prekur thëllë në shpirt dhe sedër, Mimoza ka një zemërim të heshtur, por të vet-përmbajtur dhe vet-kontrollues ndaj arrogancës të së ëmës, – “…dhe, për t’i treguar zemërimin, mori e përmbysi para së bijës kanistrën me gjithë rroba”!, -vetëm me këtë veprim, ajo nëna e saj do të thoshte shumë: i diktonte dhe i përcmonte lirinë! Dhe jo vetëm kaq! Por që nëna e saj “me kurajon e një fanatizmi dhe sedre “vet’ shkop, vet’ zot”, hidhet në sulm, fillimisht duke përdorur autoritetin e të shoqit, miqësinë, njohjet familjare me anë të një raporti mjekësor dhe më pas me “njeriun e pushtetit” që mendon se ai do të bëjë gjëra të mëdha, duke e dërguar Mimozën në Universitet dhe “ata”(prindërit) do t’i jenë mirënjohës për jetë, vecmas kur bëhët fjalë për vajzën e tyre.

Nevoja për të gjetur lloj –lloj forma përmes përfitimit moral e material të pazakontë e të zakontë, në gjendjen sociale dhe klasën sociale të kohës, – do të bënte gjithcka;-që Mimoza e saj , “të mos kalbej fshatrave”.

Mimoza tashmë; “ ….e ngrirë me gojë të qepur me një këmbë në shkallën e parë dhe tjetrën në tokë..!”-përshkrime të detajuara këto nga autori, për të treguar se Mimoza ndodhej midis apelit të guximit e mbijetesës, që duhet të merrte fatin e saj ndër duar, interpretuese e realitetit dhe dhimbjes njerëzore, aspektit intrigues të kontrastit midis asaj dhe nënës së saj, diktatit të prindërve; Mimozës që ka nevojë për liri dhe lumturi për të gëzuar pasionin e saj të mësueses, në kuptimin unik personal, dhe neglizhimit të plotë në përmbushjen e tyre nga mekanizmi i konceptit filozofik, social e politik, brenda kufijve të caktuar dhe ata (prindërit ), të jenë të lumtur për aq kohë sa është edhe “lumturia sociale”e shoqërisë, -si një tregues i vecantë. Se deri ku kanë shkuar ndjenjat dhe interesat e tyre, e bëjnë Mimozën të ndjehet si hibrid foragjer prej fanatizmit politik, që ka vrullin e vet dhe të propagandës të madhe sociale, historia e paaftësisë së individit, për të kontrolluar fatin e vet dhe të njerëzve që e rrethojnë në mesin e rrymave të forta të kohës, ideologjisë, partishmërisë dhe pushtetit. Mbrëmja e maturës kurorëzon diplomimin e Mimozës të shkollës së mesme. E teksa ajo qëndronte vetëm pas ceremonisë me drojën dhe ankthin e vazhdueshëm me sytë nga dera, në kërkim të daljes jashtë asaj salle, ku po e priste babai, dhe nënë Maria në shtëpi, një botë krejt tjetër brenda koshiencës dhe subkoshiencës njerëzore, të realitetit individual (të sajit) dhe atij kolektiv (të prindërve), brenda asaj bote ku ata kishin harruar e humbur vetveten, dhe pafuqisë së Mimozës për t’i rrëzuar tabutë dhe muret e padukëshme moralë e socialë brenda mendjes së tyre. Ndërsa, të gjithë të tjerët, shokët e shoqet e saj maturantë, brenda asaj sallë qeshnin, argëtoheshin dhe bënin fotot e castit, Mimoza i pëshpëriste shpirtit të saj të lirë e të drojtur nën zë-Unë dua të ndihem si Ju! Autori Jorgaqi duke kërkuar më thellë në procesin filozofik njerëzor, si një “piktor shpirtëror” me inteligjencë e përshkrime të papërsëritëshme nga eleganca dhe thjeshtësia, ai kontrollon mjeshtërisht rrëfimin, duke na dhënë përzierjen e absurdes, tragjedinë e thyerjes se brezave me farsën e kompleksitetit moral, social e konservator, dhimbjes e dashurisë njerëzore, protesta ndaj ndjenjës së pafuqisë, që ka përballë fatin njerëzor të sajin, me grafikën e kohës e hapësirës, shenjtërinë e shpirtit të lirë në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës.

Ngjarjet tashmë zhvendosen dhe ofrojnë një objektiv më të lehtë për tu kuptuar dhe të admirueshëm nga lexuesi; Mimoza do të ndjekë Universitetin e Tiranës, në vjeshtë, dega gjuhë-letërsi. Një vajzë e ndrojtur dhe e heshtur, e vetme dhe tepër e bukur, kokëulur, ajo hyn në auditor e ndjekur nga vështrimi i të gjithë studentëve të tjerë, dhe ulet në bangën e fundit. Autori Jorgaqi arrin të na japë atë që në dukje duket e pamundur; Mimoza hyn në luftë me veten, për ta rigjetur atë –ose dalja jashtë vetes, që përfshin pothuajse cdo gjë, pasojat dhe konseguencat e saj. Packa se ajo nuk i përshëndeti ata- që do të ishin bashkëstudentët e saj për disa vite, por syrit të saj nuk i shpëtoi studenti simpatik, i vetmuar dhe i heshtur, duke e vërejtur atë vjedhurazi herë-pas here nga një distancë, që i dukej edhe afër edhe larg. Rrëfimin e historisë së dashurisë mes Mimozës dhe Luanit, autori e bën si një pagëzim të katarsisit të dy personazheve kryesore, duke na lënë të kuptojmë se tek të rinjtë shohim disa karakteristika të përbashkëta. Autori ndalet në karakteristikat demografike të dy personazheve –duke i bërë evidente gjatë rrëfimit -Mimoza vajzë qyteti e rritur mes gjithë të mirave, dhe Luani, djali karizmatik, që vjen nga zonat rurale. Duke parë këto karakteristikat demografike të tyre, autori ka identifikuar kështu jo vetëm stereotipet e sistemit socialist dhe realitetit të kohës, por me të njëjtën linjë, autori gjithashtu ka absorbuar idetë konstruksioniste sociale edhe të personazheve të tjerë, të thjeshtë e të zakonshëm, brenda rrëfimit dhe jashtë tij (lexuesit). Djemtë janë të gjithë kureshtarë duke i hedhur vështrime Mimozës kudo që ajo ndodhej mes tyre. Autori përfshin edhe personazhe të tjera, si Bali, mikja e ngushtë e Mimozës, Piro, Latifi, Minella, etj, mbështetjen e tyre ndaj njëri tjetrit dhe mjedisin që i rrethonte. Autori e bën këtë për të kuptuar më mirë cështjet personale që i prekin personazhet kryesorë dhe nëpërmjet tyre të gjithë të tjerët, jetët e të cilëve bëhen të ngatërruara në një mënyrë apo tjetër, mes mistikes dhe magjisë së rrëfimit. Autori sheh në lidhjen e drejtpërdrejtë të tyre mes peripecive të individëve dhe përvojat e jetës së vërtetë të atij brezi që jetonin në Shqipërinë e asaj kohe -, kur duhej lejë për gjithcka, e aq më tepër – lejë “nga lart” për të dashuruar e jetuar, karakteristika këto që i atribuohen partishmërisë së shtetit, që kishte gëlltitur popullin dhe kulturën e tij. Lundrimin e lumtur e të trishtë të emocioneve, autori e ka paraqitur me finesë, “dredhi e dinakëri” filozofike, letrare e artistike, shkrirjen e identiteteve, pothuajse në nivele të papajtueshme, janë pjesë e sakrifikimt dhe vendimmarrjes për jetën me eksperiencat dhe përvojat e saj. Duke ruajtur diskursin mes ideve, Jorgaqi na ka dhënë indirekt dhe përtej guximit, staturën e një realiteti të kohës, që nuk mundeshim ta pranonim, por as ta mohonim. Takimet e dy të dashuruarve bëheshin në fshehtësi, -jo vetëm larg syve të shokëve të kursit, por sa më larg prindërve të saj, frikë të jetonin dhe frikë të dashuronin, por kjo gjë i bënte më të padurueshëm, nuk mund të qëndronin larg njëri-tjetrit, kështuqë Mimoza e Luani sajonin situata që të rrinin bashkë, dhe lumturia e dashurisë së tyre provokonte të pakapshmen. Luani është një djalosh i thjeshtë që e do jetën, shkollën, i pëlqen letërsia dhe shoqëria me librat, gëzonte pasionin e artit të të shkruarit dhe shkruante poezi. Ai jo vetëm e admironte Mimozën, por edhe e dashuronte atë, ishte në dashuri me të. Ai gjithmonë dëshironte atë, që ishte më e mira për Mimozën, madje edhe kur ajo nuk e dëshironte atë. Luani ishte këmbëngulës në ruajtjen e virgjërisë së dashurisë së tyre, përkundër asaj këmbëngulje ai ende kishte për t’i treguar asaj, se ata nuk janë të vetëm në atë rrugë ku shkojnë të gjithë dhe që ta ndryshon jetën. Historia e dashurisë së tyre –që është edhe thelbi i romanit, – ishte shumë e bukur, një poemë dashurie, deri në momentin, kur ajo nëna e Mimozës, do e merrte vesh lidhjen e tyre. Nënë Maria një shtëpiake e devotëshme, por me shpirtin egoist luftarak, diktatore dhe kontrolluese e fatit dhe e jetës së të bijës, ndërmerr risqe të reja në marrëdhëniet e saj me të bijën dhe të shoqin, duke bërë që dashuria e dy të rinjëve të ndjehet e pasigurtë dhe e padëshiruar për të e familjen e tyre, deri në mosmiratimin dhe mohimin e asaj lidhje dashurie. Përpjekjet e saj për ta fejuar me dikë tjetër sa më shpejt, ajo i sheh si “mjet” për të krijuar një marrëdhënie te re mes vetes e të bijës, e sigurtë se Mimoza do të bindet dhe do të përfitojë më shumë për të qenë e lumtur sipas saj, përkundrejt paraqitjes së realitetit. Kjo është drithërima kryesore e romanit, që mbyllet po me drithërimën e një dashurie të pafat të Mimozës dhe të Luanit,- papritmas humbin dashurinë përgjithmonë, atë dashurinë e jetës së tyre!

Ky është edhe aspekti më intrigues i romanit. është kontrasti midis asaj që njerëzit kanë nevojë për të jetuar dhe adhurimin për jetën me ndjenjën e dashurisë, përkundrejt neglizhimit të plotë në përmbushjen e tyre nga makina konservatore e mentalitetit të prindërve e shoqërisë që jetonin, të zhytur në pasojat psikollogjike dhe përcaktuese e interesave të saj.

Konfrontime me realitete e mendësi të tilla hasim përgjatë subjektit të veprës, janë shembulli më i njohur brenda propagandës sociale, filozofike dhe ideologjike të partshmërisë së shtetit socialist duke u bërë kështu laboratori i humorit, ironisë dhe sarkazmës të rrëfimtarit. Ky është pothuajse akti i guximit i autorit Jorgaqi, duke na dhënë këtë rrëfim epik të dashurisë vendosur mbi trekëndëshin klasik. Autori Jorgaqi refuzon në heshtje t’i vendosë gardhe shpirtit të lirë, dhe ngrihet po aq guximshëm me kriticizmin i tij, kundër sfondit të forcave natyrore dhe “erës” së fortë konservatore të territorilitetit social –politik, përtej kontrollit të personazheve. Ai tregon se ne njerëzit, tipe të ndryshme ngatërojmë bukurinë me shëmtinë, duke e humbur krejt sharmin e së bukurës, që janë groteske në realitet, por në fundit të fundit përcaktojnë fatet njerëzore të tyre. Përmes një dinamike narrative me talent dhe mjeshtëri artistike e filozike, autori portretizon idenë e rrëfimit shkëlqyeshëm nëpërmjet personazheve, përmbajtjes psikollogjike dhe rolit të tyre në jetë. Mesazhi që ta duam jetën dhe të jetojmë me ndershmëri për veten e të tjerët kushtëzon përzgjedhjen, stilin e autorit dhe shkëlqen në roman përmes dialogjeve, veprimeve dhe personalitetit të personazheve. Dashuria të con në lumturinë shpirtërore, kur ajo është dashuri e vërtetë dhe e sinqertë. Të gjitha personazhet janë në kërkim të së bukurës dhe shpirtit të lirë për t’u ndjerë të lumtur e në harmoni. Gëzimi, shpirti i lirë, dashuria dhe pasioni për të jetuar dhe dashuruar, vjen vetëm duke vrarë frikën dhe drojën në emër të humanes dhe dashurisë njerëzore.

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA

Janar 2015

Unë dhe Mark Twain, dy bashkëqytetarë të Harford-it, në kohë të ndryshme

Raimonda-MoisiuRaimonsa Moisiu

Hartfordi është kryeqyteti i shtetit amerikan, Connecticut (Kënektikat apo Kenerike sipas “slang”-ut të vjetër) i shtrirë në distriktin e Hartford -it. Emri indian i qytetit ka qenë Suckiaug dhe në vitin 1637 mori emrin Hartford sipas një qyteti anglez. Lundërtari hollandes Ardien Block, ishte i pari europian që eksploroi duke lundruar në lumin Kenerike në anijen me vela. Në vitin 1633-e kolonistët e parë hollandezë ndërtuan fortesën e quajtur “Shtëpia e Shpresës së mirë”, e cila humbi shpejt kontrollin nga puritanët anglezë dhe një qendër tregëtare që ekziston edhe në ditët e sotme pranë Hartford-it. Ndërsa në vitin 1636 holandezi, i përndershmi Thomas Hooker arriti me rrugë tokësore nga Newtown (Canmbridge), Massachusetts, së bashku me kongregacionin e tij dhe fillimisht e quajti Newtown. Në vitin 1639 me miratimin dhe nënshkrimin e “Parimeve themelore”, që konsiderohet si Kushtetuta e Parë moderne, solli krijimin e qeverisë së parë. Që prej atij viti shteti amerikan Connecticut, do të quhet “Shteti i Kushtetutës”. Hartford shërbeu si Kryeqyteti i kolonisë hollandeze deri në vitin 1701, duke përfshirë edhe distriktin e New Haven në koloninë e tyre. Veçojmë se në atë kohë, do të ishin dy kryeqytete; Hartford & New Haven. Përfundmisht në vitin 1875 Harftordi do të bëhej kryeqyteti i vetëm i shtetit të Kenerikes. Sot për sot rradhitet si një nga qytetet e treta të mëdha në këtë shtet, pas qyteteve Bridgeport dhe New Haven. “Greater Hartford është metroja më e madhe në tërë shtetin kenerian dhe i 45-i në të gjithë Amerikën, me një popullsi metropolitane prej 1,188,841. Distrikti i Hartford-it ka një peisazh të bukur e mahnitës natyror me shtrirjen e tij përgjatë Lumit Kënektikat, urën gjigante mbi këtë lumë, dhe lartësohen hotelet me pesë hyje, gratacela, institucione financiare dhe tregtare, ndërtesat antike dhe parqet e bukura kombëtare të përhapura në të gjithë distriktin. Fillimisht zona e njohur sot si Parku Elisabeth ka qenë në pronësi të industrialistit, burrë shteti dhe Guvernator i Thesarit të Shtetit të Kënektikat-Charles M.Pond. Kur Mr. Pond vdiq tokën ia la trashëgimi, Qytetit të Hartfordit me kusht që të shëndrrohej në park të hortikulturës dhe të mbante emrin e gruas së tij Elisabet, vdekur disa vite më parë se ai. Bashkia e Hartford-it punësoi mjeshtrin hortokulturist (kopështar) Theodor Wirth i cili në vitin 1904 krijoi një kopsht të bukur, kryesisht me trëndafila, gjelbërim, lule të varieteve të ndryshme dhe ndërtoi pranë rrjedhës së lumit një kafene me emrin e industrialistit Mr.Pond! Sot Parku Elisabeth është një nga Parqet kombëtare më të bukur të hortikulturës, jo vetëm në Amerikë, por në tërësinë e kontinentit amerikan. Por ajo c’ka e bën të dallueshme civilizimin e shoqërisë është kujtesa, identiteti individual, zhvillimi, ruajtja e trashëgimisë kombëtare në kontekstet shoqërore, kulturore, historike, gjeografike, infrastrukturë, mjetet për ta materializuar e pasuruar atë, nëpërmjet librave, restaurimit të tyre, kronikave, muzeumeve, identifikimin e individëve të shquar, lidhjet e tyre personale me komunitetin, kombin dhe botën. Këto lidhje artikulojnë dhe paraqesin kohën, vendet dhe sistemet social –kulturore dhe shprehin vlerësimin për ndikimet e kulturave të ndryshme historike e bashkëkohore. Është interesante për të theksuar se sa shumë artistë, shkrimtarë, aktorë, regjisorë, politikanë, muzikantë dhe producentë kanë lindur e rritur në Hartford, apo studiuar dhe shkolluar në Universitetet famoze të Kënektikatit, si YALE apo UCONN. Në Hartford është varrosur themeluesi i Kënektikatit, Thomas Hooker, ka lindur dhe është varrosur gjithashtu, aktorja e famshme e Hollyvood-it, Katharine Hepburn, Linda Evans, aktorja e Dynasty Fame, nga Hartfordi është aktorja simpatike dhe shumë e kërkuar amerikane, Meg Rajan, kongresisti amerikan i viteve 1776-1832 Parmenio Adams , George W.Bush etj, etj. Por në Hartford është shtëpija ku u shkruajt “Ditari i Ana Frank” apo “Kasollja e Xha Tomës”. Në Hartford jetoi dhe zhvilloi veprimtarinë e tij, një nga autorët më të njohur në botë, Samuel L.Clemens, i njohur më mirë si Mark Twain, me më shumë se 30 libra, qindra tregime dhe esse, leksione e studime shkencore. Në Hartford jam edhe unë banore e tij prej më shumëse gati dy dekada. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rritet interesimi im për të mësuar, zbuluar dhe njohur më nga afër historikun e jetës të këtij qyteti. Kur u vendosa fillimisht këtu teksa vozitja rrugëve të tij, më ranë në sy ndërtesat karakteristike si ato të qytetit tim, apo ndërtesa në formë “vapori”, si ajo që ka qenë dikur në qendër të Korçës, -(ish-Farmaci) ndërsa sot Prefektura e qytetit). Parkun Elisabeth e shëmbëllej me parkun Rinia. Forcën e dijes, kulturës, inteligjencës e qytetarisë korçare, themelimin dhe muzeumet për identetin individual dhe zhvillim të Korcës, i lidh me historikun hartfordian.0

Gjatë qëndrimit të tij në Hartford Mark Twain është i njohur edhe për shtëpinë e tij me shumë dhoma dhe ambiente, që nga dhomat e gjumit, kuzhinën, banjot e shumta, të çlodhjes, bibliotekat, dhomat e studimit, muze, teatro, kinema, të gjitha të përfshira me sistemin rrjedhës ngrohës, oborr të madh, lulishte me gjithfarë lulesh, gjelbërim, belvederen, shatërvanët, dhe statuja të ndryshme, që shprehnin forcën e dijes e të kulturës të jetës e veprës së tij. Sot kjo shtëpi luan një rol të dyfishtë, jo vetëm si shtëpia e Mark Twain, por edhe Muze kombëtar, për të nxitur ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e jetës e veprës së Mark Twain, për të treguar rëndësinë e krijimtarisë së tij letrare, shkencore, në fusha të tjera dhe për të shprehur idetë, mendimet dhe opinionet e qytetarëve të botës. Teksa vizitoja këtë shtëpi muze, më përqasej Shtëpia Muze e Shkollës së Parë Shqipe, në Korçë, me shumë dhoma, (klasa) që përhapnin dije, shkrim e kulturë, oborri me shatërvanin dhe monumentin më germat simbolike dhe korrespondimi kohor. Por edhe për një arsye tjetër, sepse në ballafaqimet me botën perëndimore unë kurrë nuk do të lodhem se transmetuari këto vlera, vetveten, ndikimin që kanë këto vlera, në këtë vend multikultural me qëllimin e mirë vetëm e vetëm për t’i bërë të njohur dhe integruar, shpirtin intelektual, identitetin dhe krenarinë kombëtare shqiptare krahas kulturës hartfordiane dhe kulturave të tjera. Në këtë tentativën time kësaj here do t’u rrëfej historinë, që është sa intriguese, interesante, origjinale, informuese, historike, – pra do t’u rrëfej, mishërimin e këtyre të vërtetave tek Mark Twain, jo vetëm si një vizitore e Shtëpisë së tij muze, por edhe si dy bashkëqytetarë të Harford-it, në kohë të ndryshme.
Jeta dhe veprimtaria e Mark Twain, në Hartford
Për disa vite rradhazi, para viteve 1880-t, Mark Twain ka jetuar në Harford, të shtetit të Kënektikat-it (Kenerike), -në një shtëpi të ndërtuar përgjatë lumit Connecticut. Në shtëpinë ku ai shkroi “Qyteti i të vdekurve”, “Aventurat e Tom Sawyer”-it, “Monologu i Mbretit Leopold”, “Aventurat e Huckelberry Finn”-it, “Princi dhe i varfëri”, dhjetëra libra, qindra tregime, esse, studime shkencore dhe publicistike në mbështetje të shpirtit zezak dhe luftës kundër racizmit, për të rikuperuar atë gabim që kishin bërë të bardhët ndaj popullsisë me ngjyrë. E gjithë kjo veprimtari letrare dhe sociale e bënë atë të njohur botërisht ende pa i mbushur të 45-t. Shprehja :”Sic thotë Mark Twain”, u bë një frazë universale. Në Washington, ku ai pat kaluar disa muaj, pasi shkroi “The Innocents Abroad”, libër i cili u lexua nga të gjithë anëtarët e administratës amerikane të kohës, dhe intrigoi dy senatorë t’i propozonin Mark Twain dy poste të rëndësishme si:ministër apo këshilltar! Shkrimtari i ri kishte goditur në shënjë të epokës që po jetonte, pat fituar ngrohtësinë, mbështetjen, vetbesimin e kombit triumfues, i bashkuar e i vetëdijshëm tashmë pas Luftës Civile. Ai qëndroi në qendër të ndërgjegjes e ndjenjave kombëtare, ai shprehu homogjenitetin e pazakontë e të çuditshëm që Feminore Cooper dhe William Dean Howells zbuluan në një vend që ishte ndryshe, i paqëndrueshëm dhe kaotik, një vend ku të gjithë e kishin një farë mënyre; “është atje”, – që e patën ndjerë dhe kishin përvojën e përbashkët, megjithëse kjo ishte krejt e pavërtetë për brezin e ardhshëm. Në madhështinë e tij, i lirshëm e i çiltër, ai foli për pionierin perëndimor, atë ç’ka ai gjeti, zërin e hershëm të Linkoln, dhe dramatizoi pikëvështrimin e tij, si aktor dhe prezantues, me një zell e dëshirë, që të sillte ndërmend Tom Sawyer-in. Gjithmonë në qendër të vëmendjes, Mark Twain ishte simboli i Amerikës së re, plot gjallëri, tërheqës dhe mahnitës, si ai ishte për botën e jashtëme, i pakrahasueshëm e me plot shije, ndjenjat dhe interesat e veta nuk i ndante nga ato të kombit. Humanitarizmi i tij impulsiv ishte tipik amerikan, ashtu siç ishte respekti për Gjermaninë dhe mospërfillja për Francën, në kohën kur Gjermania ishte “qendra” e Europës, edhe pse në librat e parë të tij, ai pat gjetur te Napoloni i Tretë, “ shpirtin, dhuntinë, forcën, iniciativën, këmbënguljen tipike amerikane”. Po aq mirë edhe në aspektet e tjera, personaliteti i Mark Twain, ishte mbi gjithçka, një emblemë e pashembullt e vendit dhe kohës, në atë shkallë sa emri i tij evokohej nga bashkëkohasit një përshkrim i gjallë i Amerikës të post – luftës. Ai ishte demokrat, i thjeshtë e i çiltër, kur shkroi “Princi dhe i varfëri”, për të treguar se ishin identikë kur ata ndërruan rrobat; i cili ishte më i interesuar se si të fitonte lekët, shpikjet dhe makineritë në një moment kur sistemi kapitalist po shfaqte zenithin e tij. Me instinktin e një nismëtari dhe investitori të lindur, i cili pat përfituar nga “kohët e nxehta” të Nevadës dhe minierat e Sierra-s, e shtynë të investonte në dhjetëra projekte për të fituar lekë më shpejt dhe patentën e shpikjes së sistemit ngrohës, (kaloriferëve) të vendosur pas muri. Herë duke humbur dhe herë duke fituar, herë duke negociuar me shpikës të tjerë, përpiqej të shlyente edhe detyrimet, borxhet dhe shpresonte të kontrollonte luhatjet e “qilimit të industrisë botërore”. Ai ishte autori i parë që përdori makinën e shkrimit, dhe lidhi telefonin në shtëpi. Këto vecori të personalitetit të Mark Twain, lindën karakterin letrar të tij, duke e shndërruar atë në shkrimtarin më të madh, të admiruar e popullor të kohës. Ai ishte edhe një nga gazetarët e parë të kohës, si redaktor i një gazete që nuk u tërhoq nga botimi i saj edhe kur u gjend në borxhe. Komercialiteti dhe motivet e tij letrare ishin të ndërlikuara me njëra-tjetrën. Ai kishte pak krenari në veten e tij si shkrimtar. Në “In life on Mississippi”, ai shprehet se e pëlqente profesionin e tij të pilotit,- sepse pilotët ishin ‘të pakontrollueshëm” dhe “indipendentë”, ndërsa shkrimtarët “shërbëtorët besnikë të popullit”dhe kurrë nuk mund të jenë “trima e të çiltër”, si pilotët. Nuk tregonte respekt për shkrimet e tij në fakt: ai e quante veten e tij “sakat” kundrejt “një prozatori të lindur e të sprovuar” dhe atij “njëfarësoji”. Mark Twain kurrë nuk e dinte se kur shkruante mirë,- dhe shpesh metodika e tij e të shprehurit dhe ndërtimit të kompozicionit të një tregimi, rezultonte e dështuar. Ai ishte indiferent ndërsa shkruante një nga librat e tij më të mirë, “Aventurat e Huckelberry Finn”-it, sepse pjesërisht në të njëjtën kohë ai po shkruante edhe “Simon Wheeler, Dedective Amateur”. Ai shkriu tërë energjitë e tij, në “verbërinë e romanit të shkurtër”, -pati shumë pak kontroll prej artisti, – përzierjen e absurdes me shenjtërinë, të tragjedisë me farsën. Mark Twain ishte pikërisht ajo ç’ka ka thënë Arnold Bennett për të: ”Ai ishte një “piktor shpirtëror”, dy nga veprat e tij janë kryevepra, “episodikisht madhështore” dhe “inferiore” si “vepra të plota arti”. Po çfarë ishte Mark Twain atëherë?!
Mark Twain është shkrimtari që bëri revolucion në prozën moderne realiste amerikane, shkrimtari që trashëgoi artin folklorik, edhe më pas te autorë të ndryshëm. Me sa shihet, në veprat e Mark Twain vërehet personaliteti dualist, një nga temat më të preferuara të Mark Twain, të cilin e rishfaqi në shumë anekdota dhe tregime të tij, – personalitet që e vendosi atë pak a shumë në krahun popullor. Të gjitha këto reflektojnë mendjen e një shkrimtari, i cili jo vetëm ishte dhe jetoi si një artist, mendja e të cilit ishte “e lirë”, por edhe shkrimtari që mbeti më i njohuri, veçanërisht më popullori si Benjamin Franklin Rusvelt, Lincoln dhe David Crocket. Është mëse e sigurtë që disa nga veprat e Mark Twain ishin të destinuara të jetonin me Amerikën, dhe ky njeriu që do të kujtohet gjithashtu si simbol i epokës së tij, humoristi dhe investitori inteligjent, dramatik, mëndjemprehtë, mirësinë e shpirtit, djaloshi impulsiv,-“burri nga Missouri”, që e filloi jetën si Samuel L.Clemens, – u njoh e vdiq si klasiku -Mark Twain. Ai ishte filozofi dhe njeriu i shquar i letrave amerikane – që u shndërrua në legjendën e Amerikës.

*Tirana Observer

John Gotti jr: “Nën hijen e babait tim, bosi i bosave të mafias”

GOTTI RETRIALLINDA STASI , NEW YORK DAILY NEWS

Djali i kryemafiozit John Angelo Gotti-i vdekur tashmë, – i quajtur John Junior Gotti- rrëfehet për New York Daily News, se më në fund ai e mbaroi së shkruari librin “The Shadow of Father-në shqip -“Hija e Babait”. Ai e bëri këtë për të vënë kujtimet, gjërat dhe të vërtetën në vend dhe ndershmërisht. Për katër dekada me rradhë John Junior ka zgjedhur të heshtë e të mos flasë rreth bëmave të tij, babait dhe të familjes Gambino, ndaj mafiozëve të tjerë, po aq edhe ndaj gazetarëve, madje i urrente ata renegatët dallkaukë, të cilët jo vetëm iu kthyen krahët dhe ndërruan “xhaketat”, por trilluan lloj-lloj thashetheme dhe të pa vërteta rreth familjes së tij. John Junior Gotti, i biri i John Angelo Gotti-t, padrino i familjes së famshme mafioz Gambino në Nee York-un e sotëm,shpjegon edhe arsyen përse ai vendosi të shkruajë vetë librin e familjes Gotti, dhe ja si shprehet ai: Unë kam të drejtën ekskluzive të shkruaj historinë e familjes sime, dhe jo të tjerët. Jo më me gënjeshtra!

Shadow of my Father (Hija e Babai) titullohet libri i –John Junior Gotti, libër i cili do të ketë interes dhe vëmendje të jashtëzakonshme, do të dalë të hënën e ardhshme si një E-book, (libër elektronik) dhe është libri i tij i parë, i cili rrëfen historinë dhe “jetën” e familjes Gotti-dhe se si babai i tij dhe vetë ai u bënë – Kryemafiozi (mobster) i kohës në New York, dhe Kryetari Familjes mafioze nga më të famshmet në krime, Gambino, dhe si ai ia doli të shkëputej nga tradita e tyre. I biri i të ndjerit “Dapper Don”, John Angelo Gotti-t, -John Jr. në të ‘50-t, u shpreh se pavarësisht kundërshtimeve të nënës së tij, Victoria, ai vendosi ta shkruajë autobiografinë e familjes së tyre, duke i parë gjërat drejt e në sy dhe rrëfyer haptas e ndershmërisht, ashtu sikundër kanë ndodhur në realitet.

John Junior Gotti, i shkroi shënimet autobiografike, i detyruar ta bëjë këtë, jo vetëm për t’i vendosur pikat mbi “i” si djali i rritur nën hijen e babait, nga mob-i i mafias, John Angelo Gotti, por edhe për t’i hedhur poshtë thashethemet dhe përgojimin, për gati katër dekada rreth biografisë e bëmave të familjes së tyre, që përfshijnë atë edhe babain e tij. Kjo është historia e familjes së tij, që John Jr. Gotti, e pati menduar për ta shkruar që në momentin kur ai u lirua nga burgu, në vitin 2009-ëm. Por ishte vetëm një njeri i dashur i familjes, që e pengonte për ta bërë këtë. Dhe ajo ishte MATRIARKJA e familjes, nëna e tij, Victoria Gotti.“Privatësia e familjes sonë është shkelur, shumë më shumë se privatësia e familjeve të tjera të famshme mafioze, dhe kjo në sajë të egoizmit të babait dhe timit, por nuk mundem më të qëndroj në heshtje dhe në hije, ndërkohë edhe t’i lejoj të tjerët të përgojojnë dhe vazhdojnë të trillojnë. Ka ardhur koha që të “përvesh mëngët” dhe të bëj atë që është më e mira, e duhura dhe e drejta.”

“Ata (qeveria) do të ndjekin përsëri ty”, -e këshilloi ajo të birin.

“Ajo do të qante e këlthiste çdo mbrëmje,” risjell në kujtesë Gotti Jr. “Kështu që i thashë, e di mama, ti ke shumë të drejtë!”.

Por djali i mob-it Gotti, John Jr, në vetvete vazhdonte të këmbëngulte në planet e tij për të shkruar librin. Në vitin 2010-ën ai u takua me një botues që i ofroi atij për herë të parë shumën prej $ 750,000.

“Në vitin 2010, unë pata shkruar pjesë-pjesë, gati 375 faqe, dhe kisha edhe 70 faqe të tjera për të shkruar. Unë i kërkoj ndjesë gjithsecilit, ata të cilët unë i kam përfshirë në atë libër, por harmonia e familjes sime është më e rëndësishme se gjithçka tjetër”. Gotti Jr. ndryshoi mendje përsëri, për të mos e botuar librin, por ndërsa ai pushonte me familjen në gushtin e të kaluar, ai do të mësonte se tradhëtari i Gambinove, shqiptari John Alite po shkruante librin rreth familjes së tyre

“Mora vesh që ai mjeran i të gjithë mjeranëve,-John Alite –ky qen bir qeni- ai i pabukëti, që është ushqyer me mbeturinat e kockat e të tjerëve, ky njeri në bashkëpunim me një gazetar lokal mediokër, të shkruajë historinë e familjes tonë? -thotë Gotti Jr i habitur dhe i nervozuar. Familja Gambino ka pasur mbi 20 bashkëpunëtorë në 20 vitet e fundit, të gjithë të lidhur me mua në një sërë mori krimesh, por ata kurrë nuk më kanë implikuar mua për drogë apo vrasje, por ky renegat mjeran, jo vetëm që nuk ishte pjesë e asaj se çfarë ne ishim,-dhe arrin sot ky të shkruajë historinë tonë?? Ai ishte askushi! Nuk mundem ta besoj, që ai do të shkruajë historinë e familjes Gambino!”

I tërbuar dhe tejet i nevrikosur, Gotti Jr. shkoi t’i tregojë së ëmës, Victoria. “Në rast se ti nuk pranon ta bisedojmë përsëri këtë, të më lejosh për të botuar librin, atëherë mua më duhet të jetoj tërë jetën me këtë brengë e turp, -i tha ai i revoltuar asaj. Është zgjedhja jote, por njëkohësisht edhe detyra jote, që më kërkon mua të rri këtu dhe të hesht. Ndërsa t’i lejoj ata të më zhburrnojnë mua dhe babanë tim! Jo, Ma! Unë kam të drejtë dhe më takon mua të shkruaj historinë e familjes sonë!

Kështu Gotti Jr. punësoi një daktilografist dhe asistent juridik, të cilët punuan 16-18 orë në ditë. për ta hedhur në draft. Gotti Jr hodhi për tok% një mal me dokumenta, të cilat ai i nxorri nga 570 kutitë që i ruanin ato, dhe ishte gjithçka rreth familjes Gotti.

“Ishte një punë tejet voluminoze! Herkuliane! Libri i vet –botuar dhe i titulluar Shadow of my Father-(Hija e Babai)- me 586 faqe do të jetë i gatshëm në Amazon Kindle, ditën e hënë, më dt 25 Janar 2015, në orën 6 p.m.

-Pse e quani vet-botim?

“Sepse ajo është “prona ime më e çmuar” dhe askush nuk mund të më thotë mua se çfarë jam unë në gjendje të bëj dhe nuk mundem të bëj, -iu përgjigj Gotti Jr., pyetjes së mësipërme. Do Zoti të rroj edhe 20 vite të tjera, dhe do të vazhdoj të shkruaj akoma më shumë duke rrëfyer të tjera gjëra, që nuk i kam thënë më parë. Ndoshta ndonjë shtëpi botuese tradicionale do të shfaqet e ta botojnë atë, por ajo ç’ka është botuar elektronike, është e gjitha e imja. Kurrë nuk do ta braktis atë (e ka fjalën për historinë e familjes së tij në libër).

Përgatiti: Raimonda Moisiu

****

Flatbed_2Historia mafiozit John Gotti, padrinoja i fundit i Cosa Nostra-s

Mafiozi i vetëm që fitoi simpatinë e medias dhe të publikut

Vetë agjentë të FBI-së do të deklaronin se, Gotti rrëshqiste si ngjalë, por edhe ai, Doni që kujdesej shumë për paraqitjen e tij të jashtme, nuk mund t’i shpëtonte drejtësisë. Më shumë se viktimë e përgjimeve të FBI-së, John Gotti, është konsideruar më tepër viktimë e ambicies së tij dhe obsesionit në rritje ndaj njerëzve që e rrethonin. Ai kishte një temperament violent, gjë që e afronte me shumë bosë të famshëm të mafies italo-amerikane, por nganjëherë temperamenti i tij e bënte që të mos kontrollonte fjalët e kjo dështoi se ishte fatale për karrierën e tij.

Salvatore Gravano, një ndër bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë dhe në atë kohë “underboss” i familjes Gambino, nuk do t’i kishte dalë kundër nëse nuk do të dëgjonte se çfarë Gotti fliste për të në regjistrimet e FBI-së. Teoria përça e shkatërro e përdorur nga prokurorët e anti-mafias amerikane ku spikatin emrat e Rudolf Giulianit, prokuror i Përgjithshëm për Distriktin Jugor në New York në atë kohë dhe më pas kryebashkiak i NYC dhe kandidat republikan për president në vitin 2008. Gjithashtu, në atë grup dallohet edhe Michael Chertoff, që aktualisht është Sekretar për Sigurinë Kombëtare.

Problemi që bosi i familjes Gambino kishte krijuar, jo vetëm përmes trafiqeve të veta ilegale, por edhe përmes publicitetit në shtyp dhe më pas daljes në kopertinën e revistës “Times” angazhoi një grup të madh prokurorësh, ndër më të mirët për të shkatërruar një rrjet që po sfidonte sistemin e drejtësisë dhe po sillte kohën e Al Capones në mes të New York.

Personi që fitoi simpatinë e një pjese të publikut dhe urrejtjen e prokurorëve federalë dhe agjentëve të FBI-së ishte sërish një bir i një prej familjeve italo-amerikane. Prindërit e John Gottit ishin emigrantë të ndershëm që mundoheshin me të gjitha forcat të ndërtonin një të ardhme në SHBA.

John Gotti lindi në Bronx, NYC, më 27 Tetor të vitit 1940. Kur ai mbushi 12 vjeç, familja e tij u shpërngul në një lagje të vështirë në Brooklyn. Këtu Gotti mori rrugët dhe la shkollën kur ishte në klasë të tetë. Ishte kjo koha që Gotti nisi të lidhet me banda të ndryshme dhe të bëjë krime të vogla, duke u ngjitur lart në hierarkinë e botës së krimit. Në 1966, Gotti ishte lidhur me Familjen Gambino dhe detyra e tij për këtë familje ishte të rrëmbente kamionët me ngarkesë ose para, që vinin nga Aeroporti Kennedy. Për guximin dhe dedikimin që tregonte në këtë punë, ai u afrua shumë nga njeri prej numrave 2 të familjes Gambino, Aneillo Dellacroce dhe pas kësaj u duk qartë që, Gotti do të ecte në këtë grup të madh kriminal. Ai u arrestua në 1969 për rrëmbimin e një kamioni dhe u dënua vetëm me tre vjet burg.

Kur ai doli nga burgu, vazhdoi të njëjtën rrugë që kishte nisur, por në këtë kohë ai vendosi që të shtynte karrierën e tij më lart. Në 1973, Gotti mori përsipër të vrasë James McBratney, i cili ishte i lidhur me vrasjen e një nipi të bosit Carlo Gambino. I lidhur ose jo me vrasjen, Gambino mendonte se ai kishte gisht dhe Gotti duhej që ta zhdukte atë dhe ky i fundit ishte shumë i lumtur për ta bërë një gjë të tillë. Pas vrasjes, policia konkludoi se, Gotti e kishte kryer krimin, pasi kishin edhe dy dëshmitarë okularë, por në gjyq avokati i tij e menaxhoi shumë mirë situatën dhe shndërroi akuzën për vrasje me paramendim në vrasje të shkallës së dytë dhe ai u dënua vetëm me dy vjet burg.

Kur Gotti po kryente dënimin, bosi i familjes, Carlo Gambino, ishte i sëmurë në shtrat dhe kishte nisur të caktonte pasuesit e vet. Paul Castellano do të ishtë bosi i familjes mafioze që kryesonte të pesta familjet e mafies në Neë York. Gotti nuk u pajtua me një vendim të tillë, pasi ai dëshironte në këtë pozicion mbështetësin e tij Neil Dellacroce. Zemërimi i Gottit për një zgjedhje të tillë kurrë nuk do të shuhej, madje do të ishte kjo ndjenjë që do ta drejtonte atë drejt pushtetit.

Kur Gotti doli nga burgu, iu kthye sërish punëve të tij, por tashmë ai kontrollonte edhe shpërndarjen e drogës.

I zemëruar tashmë me Castellanon, Gotti do të përjetonte edhe një tragjedi familjare në vitin 1980, kur djali i tij, Frank, 12 vjeç në atë kohë, vdiq në një aksident. Ai ishte duke i dhënë biçikletës kur një nga banorët e lagjes doli nga një kthesë dhe në mënyrë shumë aksidentale e përplas Frankin e vogël dhe si shkak i përplasjes ai vdes.

Komshiu i Gottit u zhduk pa lënë gjurmë, madje edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku është trupi i tij dhe ditën që ai u zhduk, Gotti dhe bashkëshortja e tij ishin në Florida, kështu që askush nuk mund ta akuzonte atë për vrasje.

Edhe pse po ecte lart në hierarkinë e familjes Gambino, duke u graduar “capo” ai gjithnjë pa vetëm Neil Dellacroce si bosin legjitim të familjes. Nën mbështetjen e tij, Gotti vazhdoi që të kontrollonte tragtinë e narkotikëve. Castellano e dinte këtë dhe i kërkoi disa herë që të ndalte, madje ai tentoi që ta ç’gradonte apo deri edhe ta eliminonte Gottin, por ishte Dellacroce që gjithnjë dinte të vendoste paqen. Ndërkohë që nga ana tjetër, Gotti kërkonte që Dellacroce të ngrinte zërin, duke kërkuar pozicionin e tij si bos, por Dellacroce mundohej të mbante paqen dhe e këshillonte Gottin të qetësohej.

Në 1985 ngjarjet rrodhën drejt një pike të nxehtë, Castellano akuzohej përpara komisionit të antimafias ku prova të dala prej regjistrimeve nga përgjuesit e vendosur kudo, madje edhe në vilën e Castellanos, flisnin për trafik narkotikësh. Në këtë çështje ishin nën akuzë anëtarë të grupit që Gotti kryesonte. Pra, njëri duhej të eliminohej patjetër, pasi Castellano që i kishte kërkuar Gottit shpesh të ndalonte atë lloj trafiku, duke kërkuar që të nxirrte veten të larë do të shkarkonte çdo gjë mbi Gottin dhe njerëzit e tij. Ndërkohë që, Gotti nga ana tjetër po dyshonte se mos Castellano do të dorëzohej para presionit të FBI-së dhe mendonte se, Castellano ishte rreziku dhe duhej eliminuar me çdo kusht. Dellacroce ishte i vetmi që po mbante paqen në familje, duke qetësuar Gottin, dhe duke i kërkuar më tepër kohë Castellanos, por kur Dellacroce vdiq, në 1985 u duk qartë se përplasja mes Gottit dhe Castellanos, ishte pranë dhe Gotti godet i pari.

Pasi fitoi mbështetjen e krerëve të grupimeve të tjera të familjes Gambino, dhe në të njëjtën kohë, pasi mori edhe mbështetjen e tre prej katër familjeve të tjera mafioze në New York, Gotti, mblodhi një skuadër ekzekutimi dhe në 16 Dhjetor 1985 ai arrin që të vrasë Castellanon dhe zëvendësin e tij të ri Tommy Bilotti, përpara restorantit “Sparks Stake House” në Manhattan. Pas një aksioni të tillë, Gotti u bë bosi i ri i familjes Gambino.

Duke drejtuar familjen nga lokali i tij në Little Italy, Manhattan, Gotti tregoi bindshëm se, nuk ishte thjesht një gangster i nivelit të ulët, por një lider i vërtetë. Në gjyqet e shumta kundër tij ai kurrë nuk e përzuri median, por përkundrazi ai i donte ata. Ai e admironte jetën si gangster i famshëm. Ai pëlqente të dilte me një kostum 2000 dollarësh dhe të buzëqeshte përpara kamerave ose t’i jepte 100 dollarë një lypsi në rrugë.

Pasi fitoi shumë gjyqe (njëri madje falë një bakshishi që pagoi zëvendësi i tij Salvatore Gravano) ai u bë shumë i famshëm, madje në vitin 1986, ai doli në kopertinën e revistës “Time”. Ai ndjehej i pathyeshëm. Një Al Capone i ri.

Gjatë kohës që ai ishte në krye i kërkonte anëtarëve të tjerë të familjes që të mblidheshin së bashku dhe kur dikush e pyeti se mos një gjë e tillë mund të ngjallte dyshimet e policisë ai u përgjigj se nuk merakosej shumë për të. “Pse të kemi frikë? Jemi disa italianë që mblidhemi së bashku, është tradita jonë…”, u përgjigj Gotti.

Pas shumë vitesh përgjimesh, policia federale arriti që të vendoste përgjues në të gjithë lokalin e John Gottit, dhe pasi kishin shumë biseda u hodhën në sulmin final. Kur Gravano, zëvendësi i Gottit, dëgjoi bisedat që FBI ia serviri atij, dëgjoi edhe gjuhën e ligë dhe arrogante që Gotti përdorte pas shpinës dhe u ndje i kërcënuar. Për të mbrojtur veten Salvatore (Sammy Bull) Gravano vendosi që të bashkëpunojë me drejtësinë. Pas dëshmisë së Gravanos, fotove dhe përgjimeve fati i Gottit ishte shënuar. Në 2 Prill 1992 Gotti u dënua me burgim të përjetshëm për akuza të ndryshme ku përmblidheshin edhe pesë vrasje. Burgu ishte shumë i vështirë. Gotti kaloi më shumë se nëntë vjet në një burg të sigurisë së lartë ku duhej të rrije i mbyllur 23 orë në ditë. Si për ta bërë jetën e tij edhe më të rëndë, ai u sëmur me kancer. Megjithatë, ai vazhdoi të luftonte edhe kundër kancerit, kundër sistemit dhe policisë federale, pasi ai kurrë nuk dorëzohej.

*Tirana Observer

Ballsh, plagoset me thikë 16 vjeçari

policiaNjë 16-vjeçar është plagosur ditën e sotme  në qytetin e Ballshit, pasi është goditur me thikë nga një bashkëmoshatar.

Të dy djemtë ndodheshin në oborrin e shkollës së mesme “Dervish Hekali” në këtë qytet kur u verifikua ngjarja.

Të dy ata ishin përjashtuar më parë nga kjo shkollë për shkak të problemeve të rënda me sjelljen, por megjithatë ndodheshin sërish në ambjentet e saj.

Pikërisht aty ata u përplasën mes tyre. Gjatë grindjes u përdorën thikat dhe Rushit Xhemali goditi bashkëmoshatarin duke e plagosur atë. Policia ndaloi me shpejtësi autorin e ngjarjes.

Krasniqi: Do mbështesim fermerët e Rahovecit

Memli-Krasniqi-1Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, gjatë një takim me kryetarin e komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, bisedoi për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015. Ky program, tha ministri Krasniqi parashikon skema të reja të mbështetjes, por edhe rritje të mbështetjes për kulturat bujqësore që përkrahë MBPZHR-ja.
Në këtë drejtim, ai përmendi se sivjet do të ketë subvencionim për perime në fushë të hapur, por edhe në fusha të tjera që më herët nuk kanë qenë në kuadër të masave të aplikuara. Gjithashtu ministri Krasniqi përmendi se do të rritet mbështetja për zgjerimin e sipërfaqeve kultivuese në vreshtari.
“Rahoveci është Komunë e veçantë përsa i përket bujqësisë, e veçanërisht vreshtarisë, verëtarisë dhe perimtarisë dhe ne do të shtojmë mbështetjen në mënyrë që të plotësojmë nevojat e konsumit të brendshëm dhe natyrisht të jemi edhe më konkurrent në rajon”, tha ministri teksa i ka premtuar kryetarit Vehapi thellim të bashkëpunimit.
Nga ana e tij, kryetari i Rahovecit e uroi ministrin për detyrën dhe e falënderoi për gatishmërinë për avancim të projekteve në këtë sektor. Vehapi e njoftoi ministrin për sfidat dhe arritjet e komunës në fushën e bujqësisë dhe shprehu përkushtimin që edhe vetë komuna të aplikojë projekte të reja për bujqësi, si një nga fushat kryesore për zhvillimin ekonomik.