Dyshohet si financues terrorizmi, arrestohet

arrestimPolicia ka njoftuar se mbrëmë ka arrestuar në Kaçanik  një person, të dyshuar se ka financuar terrorizmin.

Mediat kosovare duke iu referuatr Policisë thonë ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e kësaj vepre penal.

Me urdhër të Gjykatës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit dhe në cilësi të provave materiale janë konfiskuar disa pajisje elektronike, fletushka dhe një karikator pa fishekë.

I kthehet vizitorëve Hamami i Krujës

hamami-i-krujesPas një pune restauruese disa mujore dhe me nje investim prej 84 mijë eurosh, qytetit mesjatar te Krujes i është rikthyer hamami i kalase, momument kulture i kategorise se pare dhe nje atraksion turistik potencial.

Falë financimit të qeverisë suedeze në bashkëpunim me institutin e Monumenteve te Kultures, Kruja  inauguroi hamamin  e  restauruar  të Kalasë, ndër më të vjetrit e këtij llojit në vend.

Hamami i Krujës i ndërtuar gjatë shekullit XV i përket periudhës osmane dhe është  një ndër shtatë hamamet më të vjetra në Shqipëri, si i tillë pritet të kthehet në destinacion të shumëfrekuentuar turistik prej të huajve.

Duma: Do rishikohen faturat e ujit

Grida dumeKandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma nisi prezantimin e programit në çdo lagje të qytetit dhe bashkisë së Durrësit.

Ajo shpalosi programin në lagjen 18 të qytetit ku u shpreh se brenda 4 viteve qyteti do çlirohet dhe do hapen 15 mijë vende pune, do ulen taksat me 30 % dhe tarifat bashkiake nuk do jenë më shumë se 11 nga 24 që janë sot.

Duma u shpreh se do zerohen faturat e ujit atje ku nuk ka ujë dhe brenda 6 muajve do ketë të paktën 3 herë ujë në ditë. Kandidatja e djathtë u shpreh se do ti jepet zgjidhje përfundimtare kanalizimeve si dhe do të 3 fishohet transporti publik duke futur edhe konceptin e biletës me orë.

Grida Duma: “15 mijë vende pune në fund të katër vjeçarit. Çdo familje e bashkisë së Durrësit do ketë së paku një të punësuar. Do të shkojmë nga 24 taksa dhe tarifa që ka tani bashkia, ta çojmë në 11 tarifa. Ne do të kemi menjëherë një çlirim të ekonomisë së vogël dhe të mesme. Kam një detyrim moral për të vendosur drejtësi. Të gjitha faturat e ujësjellësit të cilat kanë ardhur si faturim 24 orësh kur treçereku i popullsisë nuk ka pasur ujë do rishikohen, dhe në rastet kur janë faturuar kur nuk ka pasur ujë, do ti zeroj të gjitha. 6 muaj do të mjaftojnë për rehabilitimin e situatës së ujit. Një vit e 8 muaj është projekti për të mbyllur gjithë rrjetin kanalizimeve, ndarjen e kanalizimeve të ujërave të zeza nga ato të bardha, pastrimin e kanaleve të mëdha dhe kthimin në zona të gjelbërta të kanalit të Kënetës dhe mbylljen e plotë të kanalit të Shkozetit. 3 fishim i transportit publik është plani brenda 2 muajve si dhe futja e konceptit të biletës me orë. Nëse ke paguar një biletë në orën 8 sigurisht ajo do të vlejë deri në orën 11 apo në zona të veçanta deri më 12 sepse s’mund të zbresësh nga një stacion në tjetrin dhe të presësh biletë. Gjithë bota ka biletën me orë dhe gjithë qyteti ka një transport publik”

Kandidatja tha më tej se më 21 Qershor, qyteti do të çlirohet nga ankthi.

Shantazhonin adoleshenten, arrestohen 3 të rinj

arrestimJonida Cota

Tre adoleshentë u arrestuan sot në mëngjes nga Drejtoria e Policisë së Tiranës të dyshuar për shantazh me foto dhe gjobë-vënie ndaj një vajze.  Tre të rinjtë perkatesisht të moshës 15, 16 dhe 17 vjeç të identifikuar nga policia me inicialet E. L, E. S, dhe R. M janë personat e arrestuar nga policia. Të tre ata dyshohet se nëpërmjet shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, i kanë marrë një vajze një shumë prej 50 mijë lekësh të reja. Vajza prej më shumë se një muaji është shantazhuar nga të rinjtë të cilët kanë siguruar foto të saj, ku shfaqen pamje intime të saj. Nëpërmjet shantazhit me këto foto, tre adoleshentët në së paku katër raste kanë arritur të marrin para. Policia tha se ka dokumentuar dorëzimin e parave në disa raste dhe pikërisht mbi këtë bazë edhe Gjykata e Krimeve të Rënda ka nxjerrë edhe vendimet e arrestit për të dyshuarit.

Baba në Finlandë dhe dy fjalë për mjekësinë shqiptare!…

GLAUK-BABIHamza Hatika

Mund të kisha menduar gjithçka, mundet të kisha thurur mijëra ëndrra, si çdo baba për fëmijën e tij, por jo se im bir do të lindte në këtë tokë të bekuar, që na ka pritur me aq dashuri e fisnikëri qysh në aeroport.

Pasi lexova mijëra fjalë me urim për jetë të gjatë dhe të lumtur ndaj djalit tim, Glauk, i cili lindi në Finlandë, mendoj se një urim special u takon edhe stafit mjekësor për punën dhe përkushtimin ndaj familjes time. Ata u bënë për mua dhe bashkëshorten time më shumë sesa mjekë, më shumë sesa specialist të shëndetit, u bënë si prindër dhe pse jo edhe si psikologë në atë kontratë të jetës me trashëgiminë e saj unikale, fëmijën.

Qenë një derë e hapur dashurie ku ne trokitëm dhe ata na e hapën me zemërgjerësi, duke qenë ditë e natë në shërbimin tonë vetëm me buzëqeshje dhe fjalë të ëmbla.

Kam mbi 8-javë në Finlandë, por deri më sot nuk kam parë një njeri që të mos buzëqeshë apo edhe që nuk është i gatshëm të të ndihmojë kur e pyet për diçka. Ndihma ndaj tjetrit, me sa duket, këtu është një modalitet jete, që me kohë është kthyer në arkitip të sjelljes sociale e më gjerë, pse jo kulturë kombëtare.

Kujtoj policët në aeroport që më përshëndetën në gjuhën e nënës, apo stafin e spitalit që m’u lutën për një opinion, pasi lamë spitalin aq të befasuar prej tyre. E çfarë opinioni t’iu jap unë apo gruaja ime, përveçse t’iu jap zemrën në dorë, që ishin kaq të mirë, kaq të përkorë e fisnikë, me mua dhe familjen time të re …?!

Këtu duan dhe dinë të flasim bukur dhe me kulturë, sepse ajo fillon si psikologji kombëtare të mbillet bashkë me jetën qysh në embrion të saj, aty në ato dhoma ku jeta jep jetë. Qysh në paralindje ndoshta, kur zëri i mjekut, aq i ngrohtë dhe dashamirës, përcjell tek foshnja në embrion tone të buta jete, dashuri dhe mirësi, pa të cilat nuk mundet të jetoj dot në mënyrë dinjitoze asnjë qenie në këtë botë!

Vizitat tek gjinekologu për habinë tonë nuk shoqëroheshin me ECO-t, jo, madje ata habiteshin sesi nëna dhe fëmija bombardohej me rreze për dymijë lekë nga doktori me ilaçet çdo muaj si edhe analizat pa fund?! Kur mbërritëm në urgjencë, një infermiere buzagaz na akomodoi në dhomën e lindjes ku edhe burri kishte krevatin e tij si edhe privilegjin të asistonte sipas dëshirës në lindjen e fëmijës.

Aparaturat e fjalës së fundit dukej sikur ishin në garë me humanizmin dhe profesionalizmin e atij spitali që pritnin jetën qysh në embrion me aq delikatesë dhe finesë. Dhimbjet që natyrshëm shtohen në ato çaste, përkundrazi, me ata njerëz në dukje të ftohtë, të bënin me krahë se kjo lindje nuk mundet kurrsesi të kishte fatin e ndërhyrjeve çezariane, traditë kjo me pasoja në natalitetin dhe të ardhmen si komb nga mjekësia shqiptare.

Historia dhe brezat do të na akuzojnë për këto krime ndaj nënës dhe foshnjeve qysh në embrion dhe këtë e bëjnë ata, mjekët tanë aq sinqerisht dhe me vetëdije, ndërkohë që politika ka marrë trofetë e marazit për paudhësitë që po na dhuron ndër dekada, për mua ky është një krim mbi krimet. Duket sikur foshnjet qysh në bark të nënës, dënohen të bëhen agresivë nga mjekët që në fakt me betimin prej 10-pikash të Hipokratit duket sikur janë vënë në garë me politikanët që më kujtojnë 10 pikat e amanetit të Enverit apo me 10-pikat e Katovicës ku ajo e gjashta po realizohet 100%.  Dhe kjo ndodh vetëm në Shqipërinë tonë, po këtu aspak, ajo është krejt ndryshe. Këtu nuk janë 10 pika, por njëqind e një mijë pika që kumtojnë gatishmëri, përkushtim, shërbim, profesionalizëm dhe humanizëm…

Në fakt, shoqëria shqiptare nuk ka parë asgjë reale dhe dobiprurëse përveçse mallkimit nga këto dhjetat dhe ato katrat si antipod janë fataliteti ynë. Këto abuzime me pasoja si edhe kjo garë e shfrenuar mes politikës dhe mjeksisë që kudo ja faturojmë shoshoqit situatën se kush më shumë apo më pak po e dënon kombin tonë, do të duhen vetëm studime evropiane dhe jo ato të OJF-ve shqiptare për të konkluduar këtë masakër ndaj ardhmërisë ku ata përbetohen.

Me një qetësi olimpike dhe buzëqeshje që të bënin të ndiheshe inferior për çfarë kujtojmë të gjithë nga kjo palo mjekësia jonë, erdhi më në fund edhe ora e bekuar e lindjes së djalit. Tina, quhej mamia e vetme qe me zë të ulet fliste anglisht se “bebi po vjen, ai është shumë mirë, do ta lindim bashkë dhe ju s’do keni asnjë problem, të lutem Egla, të lutem”, fliste ajo pa pushim, por edhe Essi gjithashtu që gjatë të gjithë natës kontrollonte situatën me aq përkushtim…

Zërin e asaj gruaje zonjë dhe fjalëpake e punëshumë nuk di a do ta harrojmë dot, se s’mund të harrohet, jo kurrësesi jo magjia e duarve dhe fjalës së saj! Prej aty, tek ai zë i ngrohtë e gjithë jetë, fillon kjo buzëqeshje që të shoqëron në çdo cep të Finlandës.

Ata dinë të thonë mirëserdhe në këtë jetë dhe atë duhet ta gëzosh po i barabartë dhe pa kurrfarë ndroje dhe inferioriteti edhe pse ti je aty përkohësisht azilant.

Megjithëse azilantë, ne për ta ishim qytetarë të barabartë dhe kudo na pyesnin me fjalën magjike, “ju lutem, si u bë gruaja juaj, bebi do lindi shumë mirë dhe ju do të ikni të tre në shtëpinë tuaj”.

Korridoret e atij spitali u bënë aq të njohura, sepse kudo ku ecje të uronin dhe dëshironin të largoheshe i shëruar dhe për ta do të ishe gjithmonë i mirëpritur. Asnjë dallim apo diferencim, buzëqeshje dhe përkushtim profesional, ky ishte binomi i jetës në atë spital ku si një orë zviceriane akrepat e jetës dhe rrahja e zemrës së fëmijës ishin sinkron dhe simfoni e përkryer e njerëzve që respektojnë jetën dhe nuk e dhunojnë atë qysh në embrion.

Normal që aty nuk konceptohet pagesa nën dorë, madje nëse doje të testojë ato fytyra paqësore, një provokim do të bënte fajtor për jetë, ndërsa gara për pagesën në Shqipëri mbetet kurora e turpit për ne si komb ku mjekësia dhe drejtësia kanë triumfuar në çdo sondazh dhe raport.

Mirësinë dhe mikpritjen e gjeta me vepra dhe fjalët e pakta nga ata njerëz në dukje të ftohtë, por shumë të gatshëm t’iu ndihmojnë kur jeta juaj dhe e familjes qëndron në fije të perit, ata e bëjnë fijen litar duke e tërhequr atë drejt bregut e jo drejt fundit të detit.

Këto po meditoja mbrëmë, i vetmuar, ndërsa gjumi më kishte braktisur për tre netë dhe rrija e vështroja me kënaqësi, i dehur nga aroma e këtij vendi me emrin Finlandë, që bën aq shumë për gjithkënd, bebin e porsalindur, djalin tim, Glauk, që kur të rritet, do të kuptoj se ndihet i bekuar që ka lindur në këtë tokë të premtuar, ku njerëzit kanë në sy një dritë të pashuar përkujdesje dhe mirësie ndaj engjëjve…

*Botuar në “Tirana Observer”

Atentat në ish-Kënetë, 1 i vdekur dhe 2 të plagosur

policiaJonida Cota

Nje i ri nga Laçi ka gjetur vdekjen në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Burime nga policia bejne te ditur se viktima është shtetasi me inicialet D.H., 31 vjeç.  Ai po luante bixhoz me dy persona të cilët mbetën të plagosur, A.Velaj dhe A.Ismaili. Policia po punon për të zbardhur krimin e rëndë dhe për të identifikuar autorët. Pritet që të plagosurit të rrëfejnë për identitetin e tyre. Mësohet se Rama ka qenë në një tavolinë duke pirë kafe me dy persona të tjerë dhe duke luajtur letra, në një bar lagjeje në mes të zonës së Ish-kënetës, i njohur ndryshe si “Librazhdioti”. Dy atentatorët me motor dhe me kokore në kokë kanë zbritur me qetësinë më të madhe nga motori, në anë të rrugës në trotuar, te dera e lokalit kanë vendosur çantën, kanë nxjerrë automatikun e kanë montuar, kanë hyrë në lokal dhe kanë folur diçka me viktimën. Më pas e kanë goditur 31-vjeçarin me karrige lokali dhe i kanë vendosur automatikun në kokë dhe vetëm me një plumb e kanë ekzekutuar. Plumbat kanë kapur dy personat, të cilët mbetën të plagosur, Arnold Velaj, 32 vjeç dhe Alfons Ismaili, 50 vjeç. Më tej dy autorët janë larguar me shpejtësi para mbërritjes së policisë.

Policia e Durrësit ka shoqëruar 16 persona në përpjekje për të zbardhur vrasjen e 31-vjeçarit Robert Rama një natë më parë në Durrës. Policia ka dhënë detaje edhe për viktimën. 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim për një grabitje me armë në Tepelenë që prej muajit mars. Ndërsa pas grabitjes viktima përdorte emër tjetër.

Benoit Theunissen: Shqipëria, vendi i kontradiktave të mëdha

DSC_3061_1
Benoit Theunissen Foto: Jozefina Dani

Aurora Allushaj

Benoit është nje gazetar ri, i talentuar dhe i apasionuar për vendet e Ballkanit. Prej disa vitesh lexon dhe informohet çdo ditë për trojet shqipfolëse. Ka vizituar Shqipërinë disa muaj më parë si i dërguar nga Bashkimi Europian. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” dhe “Albaniaplus”, gazetari belg benoit Theunissen, tregon situatën aktuale në Shqipëri të parë nga syri i BE-së. Sipas tij Shqipëria është një vend kontradiktash. Ndër të tjera ai ka folur për disa prej çështjeve më delikate të momentit si reforma në drejtësi,azilantët dhe importi i plehrave.

Ju e njihni mirë situatën aktuale në Shqipëri (krimin e organizuar, korrupsionin etj). çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të përmirësuar gjendjen?

Jam në dijeni se është duke u bërë një reformë në politikë por edhe në drejtësi. Por, kjo nuk mjafton. Duhen të zbatohen ligje të reja dhe të çohen para drejtësisë pjestarët e organizatave kriminale. Kjo është edhe arsyeja pse Gjykata e Krimeve të Rënda është bërë operacionale në vitin 2004. Të gjitha këto reforma duhet të shoqërohen nga një vetëdije e vazhdueshme e shqiptarwve. Vetëm nëse brezi i ri është i bindur për domosdoshmërinë e këtyre reformave atëherë gjërat me të vërtetë do të ndryshojnë .

Shqipëria është konsideruar shpesh si “koshi”i Europës. Ka investigime të ndryshme që e konfirmojnë këtë. Sipas mendimit tuaj, kjo organizohet nga mafia, apo është në interesin e shteteve të tjera?

Sapo mori qeverine Edi Rama, vendosi disa rregulla shumë të rëndësishme për plehrat që importoheshin nga shetet e tjera. Ai ishtë shumë i qartë pasi vendi nuk ishte i aftë për të mbledhur dhe të ricikuar mbeturinat e prodhuara në vend e jo më ato jashtë territorit të saj. Që nga koha kur ishte në opozitë, Edi Rama e pati bërë problematike situatën e plehrave në vend. Në nëntor 2011, parlamenti votoi një ligj shumë kontradiktor, për trajtimin e mbetjeve të ngurta nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Ligji i cili përhapi shumë qejfmbetje dhe mërzi. Pavarësisht ndalimit të importit të mbetjeve, disa kompani shkojnë përtej ligjit duke kaluar mbeturinat e tyre si lëndëve të para. Mendoj se gjithçka organizohet nga mikro mafia, nuk ka lidhje me shtetet e tjera.

DSC_3061
Benoit Theunissen dhe Aurora Allushaj Foto Jozefina Dani

Keni qenë në Shqipëri si vëzhgues i Bashkimit Europian. Si ishte e gjetët Shqipërinë gjatë vizitës suaj?

Edhe pse Shqipëria konsiderohet si një nga vendet më të varfëra në Evropë, gazetarët evropianë të cilët ishin bashkë me mua kanë parë një zhvillim pozitiv në Shqipëri gjatë 10 viteve të fundit. Disa periferi të Tiranës janë ende në ndërtim e sipër, kryeqyteti po modernizohet gradualisht. 
Diçka që vura re është kontrasti social. Aty shihen për shembull rregullisht supermakina në disa lagje shumë të varfëra. Gjithashtu binte në sy udhëtimi nga aeroporti, kur ne dimë se pothuajse 20% e shqiptarëve jetojnë nën nivelin e varfërisë. Por, mbetem shumë optimist për të ardhmen e vendit tuaj. Kam takuar shumë të rinj shumë dinamike që tashmë bëjnë pjesë e qeverisjes. Unë personalisht mendoj se është brezi i ri që do të bëjë hapat e duhur për Shqipërinë. 

Sipas mendimit tuaj a është Shqipëria gati për të hyrë në Bashkimin Europian?

Shqipëria është tashmë në rrugën e duhur, por duhen ende shumë përpjekje për të arritur qëllimin final. Korrupsioni dhe lufta ndaj krimit të organizuar janë përparësitë kryesore në sytë e Komisionit Evropian . Pavarësisht përpjekjeve të shumta të ngritura nga DG Enlargement Në raportin e progresit 2014 , duket se Shqipëria ende ka nevojë në reformimin e institucioneve të saj politike dhe gjyqësore. Qeverisja ekonomike nuk duhet të harrohet . Në qoftë se Shqipëria një ditë do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo do të duhet të jetë ekonomikisht më e fortë dhe tërheqëse për investitorët e huaj. Përkundër të gjitha përpjekjeve në të kaluarën dhe të ardhmen, Komisioneri Evropian Jean- Claude Junckere ishte i qartë: nuk do të ketë zgjerim të mëtejshëm të Bashkimit Europian gjatë këtij mandati.

Në Belgjikë ka një emigracion shqiptarësh që prej viteve ’50. Si i shikoni emigrantët e Belgjikës? A janë integruar?

Emigracioni shqiptar në Belgjikë daton që  në vitet 50-të, në kohën e Shqipërisë komuniste. Ndërkohë në vitet 70-të, shqiptarët e ish-jugosllavisë filluan të vinin në Belgjikë për të gjetur punë. Ka qenë lufta në ish-Jugosllavi dhe Kosovë, e cila i ka detyruar të vijnë në Belgjikë. Pra, në Belgjikë ka shqiptarë të Malit të Zi, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, belgjit e brezit tim, të lindur në fund të 80-të ose më vonë, nuk e kuptojnë këtë emigracion në shumë aspekte. Komuniteti shqiptar në Belgjikë tani ka dhjetëra mijëra njerëz dhe është një komunitet i qetë, që nuk krijon probleme. Unë mendoj se termi "komunitet" është më i përshtatëshmi për të përshkruar shqiptarët e Belgjikës. Emigrantët shqiptarë në Belgjikë janë përfaqësuar shumë herë me deputet të tyre në parlamentin lokal. 

Aktualisht ka një eksod shqiptarësh në Europë të cilët kërkojnë azil. Cfarrë rrezikojnë këta persona?

Rreziku me i madh është për Shqipërinë e cila humbet një masë të madhe të rinjsh në moshë pune. Gjithashtu më lejoni të theksoj se Shqipëria ka popullatën më të re në kontinentin Europian. Nëse të gjithë këta të rinj do të emigrojnë është ekonomia shqiptare që do të vuajë pasojat. 

Megjithatë , forcimi i ekonomisë së vendit është një nga kushtet themelore për të hyrë në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian ka njoftuar disa herë autoritetet shqiptare për këtë çështje.

A trajtohen kërkesat e azilkërkuesve shqiptarë në të njëjtën mënyrë me ato të kombeve të tjera? Sa janë shanset që këta persona të marrin një përgjigje pozitive?

Shqipëria është tashmë një vend i sigurt. Ajo nuk bën pjesë në një zonë lufte. Kjo është arsyeja pse azilkërkues shqiptarë mund ta kenë më të vështirë se aplikantët e kombësive të tjera. Tashmë prioriteti qëndron tek refugjatët sirianë dhe tek ata ku emergjenca është më e madhe. Megjithatë, çdo person që kërkon azil politik apo ekonomik qoftë trajtohet si rast më vete, nuk ka një gjykim kolektiv. 

Për Bashkimin Europian, Shqipëria konsiderohet si një shtet i sigurt. Përse atëhere shqiptarët vazhdojne të kërkojnë azil në Europë?

Paga mesatare në Shqipëri mbetet nën 400 euro. Për këtë shumë persona përpiqen të vendosen në vendet e Bashkimit Evropian. Për fat të keq, nuk është kaq e thjeshtë. Kostoja e jetesës është në rritje në Evropë dhe inflacioni nuk e ndihmon aspak. Disa vende evropiane ku hyn edhe Belgjika janë ende duke luftuar për tu shëruar nga kriza ekonomike. Një numër i konsiderueshëm i të diplomuarve janë ende duke luftuar për të gjetur punë të qëndrueshme dhe një qira të përballueshme. Një pjesë e madhe e të rinjve  zgjedhin të kthehen përsëri për të jetuar me prindërit për arsye ekonomike.  Për këto arsye shumë emigrantë shqiptarë që vijnë në Evropë zhgënjehen shumë shpejt. Nëse situata socio-ekonomike është tashmë jo e lehtë për shumicën e evropianëve, atëherë do të jetë edhe më pak për ta.

Serena William sërish kampione

serena williamsSerena Williams është shpallur pak minuta më parë fituese e “Roland Garros”.

Tenistja amerikane ka mundur në finalen e këtij turneu me tre sete (6-3;6-7; 6-2), tenisten kroate Luce Safarova.

Serena Williams ka treguar edhe njëherë se është e pathyeshme në tenis, duke fituar edhe shtuar edhe një grand slam në repertorin e saj të tejmbushur me trofe, 20 trofe në 24 finale të luajtura.

Nesër do të jetë përballja, finalja e meshkujve. Një finale serbo-zviceriane, ku përballë do të jenë Novak Djokoviç, vendi parë në klasifikimin botëror me Stanislav Wawrinka, vendi 7-të në klasifikimin botëror.

FRD prezanton këshilltarët për bashkinë e Durrësit

TopiKreu i FRD-së Bamir Topi sot në Durrës prezantoi këshilltarët për bashkinë e re të Durrësit. Takimi u organizua në sheshin e ri të qytetit që tashmë është transformuar në një hapësirë ku mund të organizohen aktivitete nga më të ndryshmet. Në këtë takim, ishte i pranishëm edhe kandidati i ASHE-së, Vangjush Dako.

Në fjalën e tij, Bamir Topi theksoi se në këshillin bashkiak do të bëjnë pjesë përfaqësues dinjitozë, ku një pjesë e madhe do të jenë femra, bile ajo që e kryeson listën e këshilltarëve është gjithashtu grua.

Ai sqaroi se në rastin e zgjedhjeve vendore nuk ka vend retorika boshe e disa politikanëve, të cilët kërkojnë të marrin nëpër këmbë interesat e qytetarëve duke anatemuar aleancën e së majtës me të djathtën. Këto janë zgjedhje vendore, ku në themel janë interesat dhe hallet e qytetarëve.

Topi theksoi se ”Dako është përfaqësues i një aleance të gjerë”. “Në këto zgjedhje që janë administrative interesat e qytetarëve nuk mund t’i marrin nëpër këmbë ligjëratat dhe retorikat e ashpra të politikës për aleancën e së djathtës me të majtën. Në këto zgjedhje, ne dëshirojmë të jemi shumë më afër këtij bashkëpunimi për qytetarët. Kjo është arsyeja që jemi bashkë në një koalicion të gjerë, i cili do t’i japë mundësi që të ketë edhe kryetarin e bashkisë, por edhe mazhorancën e fortë me këshillin bashkiak që duke pasur edhe qeverinë prapa, Durrësi do të njohë zhvillime të reja”.

Barnat, arrestohen Drejtori me dy zyrtarë të FSDKSH dhe 5 drejtues farmacish

spitalJanë bërë sot 7 arrestimet e para lidhur me skandalin e rimbursimit të barnave, ndersa paraditen e sotme ka ndaluar Drejtorin e FSDKSH-së. Në pranga kanë rënë Drejtori Rajonal i Fondit te Detyrueshem te Kujdesit Shendetesor Tirane, Pjerin Xhuvani sebashku me dy zyrtare te tjere te kesaj Drejtorie dhe 5 drejtues farmacish.

Hetimet po vijojnë edhe për persona të tjerë që mendohet se janë përfshirë. Pritet të ekzekutohen në vijim edhe dy  ndalime të tjera.

Ndërkohë do të jetë gjykata që do të vendosë nëse këta persona nëse do të mbahen në arrest, apo do të ndalohen si persona që kanë informacion lidhur me skandalin.

 

Është një skandal në të cilin përfshihen 47 farmaci. Në cilësinë e provës materiale, Prokurorërët kanë sekuestruar të gjithë informacionin. Por bëhet fjalë edhe për 600 receta ilaçesh që kapin vlerën e 56 milion lekëve të reja.

Dy ditë më parë Prokurorët hetimorë kanë sekuestruar katër zyra të institucioneve shëndetësore, duke dërguar për aktekspertim disa komjutera ku mbahen të dhëna të nevojshme për hetim.

Bëhet fjalë për listën e barnave të rimbursueshme dhe shumë fiktive të paguar nga Fondi Shëndetësor i rimbursimit.