Rama të zgjedhurve: Nuk ju ndajmë në të kuq dhe blu

edi rama 6Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria nuk i ndan bashkitë në të kuqe dhe blu, por të gjitha bashkitë i konsideron si njësitë e reja ekonomike të zhvillimit urban, social dhe ekonomik të territorit të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri garantoi se “Qeveria do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjitha bashkitë e vendit”.

Gjatë takimit të zhvilluar në kryeministri me të zgjedhurit vendorë, ku kryesisht mungonin kryebashkiakët e djathtë, Kryeministri Rama shprehu keqardhjen për këtë mungesë që sipas tij, është “një dëm i drejtëpërdrejtë për punën e tyre dhe për shërbimin ndaj komunitetit”.

Në këtë drejtim, Kryeministri gjeti rastin të përshëndesë praninë në këtë takim të kryebashkiakut të Përmetit Niko Shupuli (APPD) dhe atij të Dropullit, Ahilea Deçka (APPD).

 

 

“Ndiej keqardhje që pjesa tjetër nuk ka hipur mbi lartësinë e atij mesazhi të famshëm të fushatës elektorale ‘kam frikë se më shohin’, por po ashtu jam i keqardhur sepse ky është një takim me rëndësi të posaçme dhe mungesa e disa kryebashkiakëve është një dëm i drejtëpërdrejtë për punën e tyre dhe për shërbimin ndaj komunitetit”, tha Rama.

 

 

Një fëmijë duke luajtur me balonë në Kabul

Një fëmijë duke luajtur me balonë në Kabul. (Omar Sobhani/Reuters)
Një fëmijë duke luajtur me balonë në Kabul. (Omar Sobhani/Reuters)
Një fëmijë duke luajtur me balonë në Kabul. (Omar Sobhani/Reuters)

Për çekët e mirë Anna dhe Michael

Homazhe në Tiranë për dy turistët çekë Anna dhe Michael
Homazhe në Tiranë për dy turistët çekë Anna dhe Michael
Homazhe në Tiranë për dy turistët çekë Anna dhe Michael

Enver Robelli

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin, jo në këtë të Kosovës, por në atë të Shqipërisë, janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi te disa njerëz, që mua ma kanë afruar Shqipërinë e veriut aq shumë, saqë verën nuk e quaj verë po nuk shkova së paku njëherë nga Valbona në Theth.

 

Më shkoi mendja te Nëntor Oseku, një djalë i Gjakovës, që e njeh aq mirë çdo cep të Shqipërisë, çdo kodër e fshat, çdo ujëvarë e lumë, çdo bjeshkë e liqen, saqë shqiptarët e andejshëm shpesh mbeten gojëhapur me bukuritë e vendit të tyre – të cilat Nëntori ua përshkruan me entuziazëm. Nëntori më shkroi rreth mesnatës, i tronditur për vrasjen e dy të rinjve, që ndoshta vitin e kaluar kemi mundur t’i takojmë rrugës për në Theth. Plumbat që ua morën jetën çekëve Anna dhe Michael kanë plagosur edhe ëndrrat tona për shtigjet e parrezikshme të alpeve shqiptare. Megjithatë, Nëntori nuk do të ishte ai që e njoh nëse do të zmbrapsej përballë barbarisë. Të shtunën më shkroi: “Jam rrugës për Valbonë se nesër e kemi një ngjitje”. Në profilin e Nëntorit në Facebook tani mund të shihni flamurin trengjyrësh çek.

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi te Ilir Seci. Nuk e njoh personalisht, por herë pas here në komunikimet tona e kemi ndarë entuziazmin për alpet shqiptare. Iliri i njeh ato vise më mirë se unë, sepse është vendlindja e tij, ndonëse tani jeton në Amerikë, por largësia për të nuk është pengesë që shpesh t’i kthehet asaj treve në kufi me Kosovën dhe Malin e Zi, që t’i merr mendtë me bukuritë e saj.

 

Javëve të fundit jo pa zili i lexonim përshkrimet e Ilir Secit nga veriu i Shypnisë: «Mbasi krijoi botën, ditën e shtatë krijuesi bani pushim… E muer veten dhe ditën e tetë krijoi Bjeshkët e Namuna…»; «Ecëm nalt kunorës së Bjeshkëve të Namuna, maje në maje prej Vermoshit e deri në Theth… Pamja e asaj kunore asht mahnitëse, bukuri e papërshkrueshme me fjalë… Në nji vend deshëm me u ulë me pushue, skej do çetinakëve në nji shpatije, kur maje nji kodre pamë tue u ngjit një tube me dhen…»; «Ndejtëm sa ndejtëm në Theth dhe të enjten e kishim planin me ba udhën prej aty në Valbonë… Ka ora pesë e mjesit u çuem dhe bamë gati çantat e shpinës… U ulem në katin e parë të kullës ku kishim bujtë atë natë, kullës së Ndoc Gjeçajt, që vizitorët e njohin si ‹Bujtina Gjeçaj›… Ndoci, i zoti i shpisë, ish çue para nesh bashkë me të shoqen… Ishin çue dhe kishin ba gati mjesin për tanë vizitorët e bujtinës… Kafet e nadjes, shoqnue me nga një gotë raki rrushi i pimë në oborr…».

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi tek Arben dhe Violeta Marashi, dy njerëz të mrekullueshëm, që çdo vit gjatë verës kthehen prej Lezhës në Theth, në shtëpinë e tyre, dhe gostitin bjeshkatarë nga mbarë bota. Zviceranë e gjermanë, çekë e holandezë, francezë e austriakë, natyrisht edhe shqiptarë, madje edhe të tillë që në këto kodra të larta me vete i marrin gratë – me sandale plazhi! Vrasja e turistëve çekë është goditje kundër punës së mirë që bëjnë Arbeni e Violeta dhe shumë njerëz të tjerë në Theth.

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi të Shkurtja, gruaja bujare e Thethit, që para një viti e preu një kec për dy dakikë, pastaj kur vajza e Arben Marashit e pyeti: «Sa me i qitë sheqer kafes», ajo u përgjigj: «Sa ban miza në krah». Gjuhë shqipe, gjuhë shqipe, e mirë dhe e ëmbël, e ambël!

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi tek arkeologu zviceran Christian Zindel, docent i dikurshëm në Shkollën e Lartë Teknike të Zürichut, i cili ka shkruar një libër për bjeshkatari në Theth e Kelmend. Më shkoi mendja pastaj te një mësuese zvicerane, e cila në një darkë në Zürich më kishte treguar me entuziazëm se si e kishte bërë shënjimin e shtigjeve për të ecur nga Thethi në Valbonë dhe nga Thethi në Mal të Zi. Pastaj m’u kujtua një gjerman që e kisha takuar në shtegun prej Valbonës në Theth, i cili punonte për agjencinë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ dhe i cili dëshironte t’i bënte publike dy gjëra: «Dua të shkruaj një libër për këtë trevë të mrekullueshme dhe e kam ftuar vajzën time nga Gjermania për t’ia treguar këto vise mahnitëse». Derisa babai fliste vajza buzëqeshte.

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, m’u kujtua një çift nga liqeni Chiemsee, që në gjuhën popullore quhet «deti i Bavarisë», e në fakt është sall një liqen i bukur. Ai çift vitin e kaluar po kalonte pushtimet në Theth. Ashtu si familja gjermane që kishte bërë një udhëtim nga jugu në veri të Shqipërisë – dhe të cilën e takuam te vaskat e Thethit. Ashtu si një vajzë gjermane që e vetmuar dhe e rraskapitur në fshatin e Gjelaj përmbi Theth e kërkonte rrugën për në Valbonë. Dita gati kishte ikur dhe Valbona ishte së paku gjashtë orë larg ecje me nge, por gjermania e përzemërt dhe e djersitur pa iu trembur syri tha: «Hajt se s’ka gajle, po më zuri nata fle diku në mal».

 

Ata kriminelë që i kanë vrarë qytetarët çekë Anna dhe Michael e kanë plagosur edhe shpresën se Shqipëria, më në fund, do të bëhet shtet funksional. Një apo shumë banditë që kanë kryer këtë akt të tmerrshëm duhet të arrestohen, duhet të çohet në këmbë krejt Shqipëria prej veriut në jug që këta kriminelë të marrin dënimin e merituar dhe kështu të dëshmohet faqe botës se s’durojmë që krimi të na e nxijë jetën.

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, m’u kujtua Petriti në kasollen e tij lart mbi Valbonë, të cilin e takuam edhe gjatë kthimit nga Thethi, dhe i cili komentoi pamjen e dy bjeshkatareve nga Holanda, që po pinin kafe në lokalin e tij: «Sa të holla, o burrë, një lahutë s’mundesh me e nxjerrë prej tyne». Kushedi, ndoshta njërën holandeze Petriti e takon edhe sivjet. Kur ajo u nis me shoqen e vet për në Theth i tha Petritit: «Shpresoj t’ju takoj edhe vitin e ardhshëm».

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, m’u kujtua një burrë që derisa me Nëntor Osekun dhe nja 30 gjakovarë gazmorë e njerëz të mirë po shkonim drejt Thethit e ndali kalin para nesh dhe na tha: «Mirë se ju ka pru Zoti», dhe pastaj secilit që donte të bënte fotografi me të ia jepte pushkën e tij të re të markës Beretta.

 

Duket se në Shqipërinë veriore, aty ku gjuha shqipe tingëllon ngjashëm si para dymijë vjetësh, ende ka kriminelë që duan të na vrasin të gjithëve. Vitin e kaluar në Velipojë ishte plagosur një turiste çeke derisa disa gjaknxehtë ishin zënë për një çadër plazhi. E përsëris: kundër tyre duhet të çohet në këmbë çdo shqiptar. Sepse ne edhe sivjet dhe gjithmonë duam të shkojmë në Theth – te Arben Marashi dhe dashamirës të tjerë. Sepse duam të shkojmë në Curraj të Epërm, në fshehtësinë e fundit të Shqipërisë. Apo jo, Nëntor Oseku? Apo jo, Lekë Sina?

 

Shqiptarët nuk duhet ta lënë Shqipërinë veriore në duar të banditëve – duhet ta pushtojmë me buzëqeshje. Bashkë me çekë e gjermanë, izraelitë e italianë, hungarezë e suedezë, britanikë dhe irlandezë, amerikanë dhe spanjollë. Marrë nga dialogplus.ch

 

Vizita e Merkel, shans për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

Angela-Merkel-Kancelarja-Gjermane
Angela-Merkel-Kancelarja-Gjermane
Angela-Merkel-Kancelarja-Gjermane

Vizita e parë zyrtare që një Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë, si Angela Merkel, do të zhvillojë në Tiranë në 8 korrik, pritet të jetë një shans që do të sjellë një zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Aktualisht, Republika Federale e Gjermanisë është donatori më i madh ndër vendet e Bashkimit Europian në Shqipëri.

 

Gjithashtu, nga pikëpamja e volumit tregtar, Gjermania në vitin 2014 renditet si partneri i pestë tregtar më i madh me Shqipërinë.

 

Volumi tregtar me Gjermaninë në vitin 2014 ishte rreth 40.2 miliardë lekë (287 milionë euro) duke pësuar një rritje prej rreth 29% në krahasim me vitin 2010.

Vizita e zonjës Merkel shënon një moment të veçantë edhe në marrëdhënien dhe bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, qoftë në kuadrin e politikave rajonale dhe integruese përmes procesit të Berlinit, qoftë në fushën ekonomike dhe tregtare.

 

 

 

Mjacaj merret sot në pyetje për krimin

sokol Mjacaj20-vjeçari, Sokol Mjacaj do të merret sot zyrtarisht në pyetje nga grupi hetimor, pas pranimit një ditë më parë të autorësisë së vrasjes së dy turistëve çekë në Dukagjin.

 

Policia tha se veç dëshmisë së tij, ka prova shkencore përmes gjurmëve të gjetura në makinë dhe në armën e krimit që implikojnë Mjacaj në krim.

Sokol Mjacaj u zbulua nga policia nga gjurmimi i telefonit. Ai kishte vjedhur celularin e turistit çek që e ka shitur dje rreth orës 11:00.

 

Greqi, jep dorëheqjen Ministri i Financave Varoufakis

greqi-flamurVetëm disa orë pasi populli grek i tha qartazi jo masave shtrënguese të kreditorëve përmes referendumit të 5 korrikut, vjen dhe dorëheqja e Ministrit të Financave Yanis Varoufakis.

 

Motivin e dorëheqjes, kreu i Financave greke e lidh me nevojën e arritjes së një marrëveshje me Eurogrupin. Këta të fundit, sipas Varufakis, janë shfaqur qartazi kundër prezencës së tij në takime.

 

Ai shtoi se edhe kryeministri Tsipras mendon se largimi i tij do e ndihmonte në arritjen e një marrëveshjeje me partnerët europianë.

 

Varufakis: “Pas shpalljes së rezultateve të referendumit m’u bë e ditur se pjesëmarrësit në takimin e Eurogrupit dhe partnerët e tjerë, “do të vlerësonin” mungesën time nga takimet, gjë që kryeministri gjykoi se ndoshta mund të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes. Prandaj dhe largohem nga ministria e financave. Kërkesa e kreditorëve është nder për mua”.

 

Zyhdi Dervishi zbulon shifrën: 1944-1990, 26 mijë shqitarë u arratisën nga Shqipëria

zyhdi-dervishi-655x356Studiuesi dhe profesori i sociologjisë Zyhdi Dervishi gjatë emisionit debati në Channel One të ditës së djeshme në të cilin u diskutua 25 vjetori I hapjes së ambasadave. u dha përgjigje shumë pyetjeve.

Në një studim që ai ka përgatitur kohët e fundit rezulton se 26 mijë shqiptarë kanë ikur nga kjo periudhë në forma të ndryshme dhe janë etiketuar tradhëtarë të atdheut. Po të mendosh pasojat që kishin familjarët dhe të afërmit këtu shifra rezulton tejet e lartë. Një shifër që asnjëherë nuk korrenspondon me frikën dhe terrorin që mbetej në Shqipëri në ato 45 vjet diktaturë komuniste.

 

Më 2 korrik 1990 u futën 5200 shqiptarë në ambasadat e huaja. Në dhjetor 1985 u futën 6 pjestarë të familjes Popa në ambsadën italiane.

 

Rriten të ardhurat nga turizmi, shqiptarët zgjedhin Shqipërinë

llogara17Të ardhurat nga turizmi në 3-mujorin e parë 2015 u rritën 13% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar dhe shërbimet e udhëtimit për turizëm u mbyllën me bilanc pozitiv prej 44 milionë euro, ndaj deficitit 22 milionë euro, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shqiptarët shpenzuan në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 218 milionë euro, ose 14% më pak se një vit më parë.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë të 2015 eksporti i shërbimeve të udhëtimit i siguroi ekonomisë vendase rreth 262 milionë euro. Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat me 58% dhe shpenzimet e shërbimeve me 62% të totalit.

Gjatë 3 muajve të parë sivjet, të ardhurat u rritën 13 %, ndërsa shpenzimet e udhëtimit u ulën me 14%, ndaj një viti më parë. Rritja vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe erdhi si pasojë e rritjes së shpenzimeve mesatare me7% dhe ditëqëndrimit mesatar me 3% të jorezidentëve në vend.

Jep dorëheqjen kreu i fondit të SDKSH-së

Ka dhënë sot dorëheqjen, spitalkreu i fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci. Dorëheqja vjen fill pas skandalit në lidhje me barnat e rimbursueshme,..

Dorëheqja e drejtuesit të fondit të rimbursimit Astrit Beci për t’i hapur rrugë çdo hetimi siç ai shprehet në arsyet e tij vjen afro dy vite pas emërimit të tij në këtë post më 8 tetor të 2013, ndërsa më parë ai ka qenë dhe deputet në parlamentin e Shqipërisë.

Ne nje deklarate Beci eshte shprehur :Jam krenar për arritjet e shënuara në këtë periudhë 20 mujore gjatë së cilës kam drejtuar një prej Enteve më të rëndësishëm në zemër të reformës më të vështirë të ndërmarrë nga një administratë politike. Në dokumentat bashkëngjitur do të gjeni të plotë arritjet e kësaj periudhe, e cila ka qenë e vështirë, plot me sfida dhe me shumë kënaqësi që prodhon puna e përbashkët. Falenderoj çdo bashkëpunëtor që ka qenë pranë meje me kontributin e tij dhe jam i bindur se arritjet e shënuara gjatë kësaj periudhe nga stafi që kam drejtuar, janë të pakthyeshme dhe të qëndrueshme.

Aktualisht hetuesit kanë marrë në dorë serverin qendror të programit të rimbursimit të medikamenteve dhe po punojnë për të klasifikuar farmacitë të dhe depot farmaceutike të përfshira në këtë skandal, pasi sipas hetuesve çdo ilaç i rimbursueshëm shënohet online sapo del nga depo dhe deri kur merret nga pacienti nëpërmjet farmacisë.

Sulmohet me armë selia e portalit Kossev në Mitrovicë

Grabitje-me-maska-e-armePersona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në selinë e portalit Kossev në veri të Mitrovicës, por për fat të mirë nuk ka të lënduar në njerëz, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas mesnate, ndërsa dy plumba janë gjetur në hapësirat e selisë që ndodhet në rrugën ‘Kralj Petar’ në veri të Mitrovicës.
Nuk dihet akoma motivi i këtij sulmi.

Incidentin e ka konfirmuar për KosovaPress edhe zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

Sipas tij, gazetarët pasi kanë ardhur sot në punë rreth orës 9:00 dhe kanë vënë re dy vrima në dritare, të cilat janë shkaktuar nga plumbat.
Hoti nuk ka dhënë shumë detaje, por ka thënë se pjesëtarët e policisë ndodhen në vendngjarje dhe janë duke zhvilluar hetimet.

KosovaPress-i ka kontaktuar kryeredaktoren e portalit Kossev, Tatjana Llazareviç, e cila tha se hetimet janë në proces dhe nuk mund të japë detaje, sepse nuk i di.

Atë që mund ta konfirmoj, tha ajo, është se deri tani janë gjetur gjurmë të dy plumbave në dritare, si dhe shum gëzhoja në rrugë, së paku nëntë.

“Dua të theksoj se deri tani nuk kemi pasur asnjë kërcënim. Si portal lokal, jemi pjesë e komunitetit në veri të Mitrovicës, dhe si mjedis i vogël që jemi, pothuajse njihemi të gjithë mes vete. Individualisht, siç vlerësojmë ne, gëzojmë besimin dhe respektin e qytetarëve”, ka thënë Llazareviç.