Berisha: Statusi ishte bllokuar nga Rama dhe albanofobët në Bruksel

41

Sali BerishaIsh-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar menjëherë pas publikimit të progresraportit të Komisionit Evropian që rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe hapjen e negociatave për anëtarësim me 5 kushte.

Berisha shprehet se, statusi ishte rekomanduar edhe në tetor të vitit 2012 por dhënia e tij u bllokuar nga Rama dhe albanofobë në Bruksel. Nga ana tjetër, ish-kreu i PD-së e cilëson marrjen e statusit arritje falë reformave të qeverisjes së djathtë.

“Sot, për herë të dytë, Komisioni Europian rekomandon Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për vend anëtar të BE-së. Ky është një rekomandim plotësisht i merituar. Me reformat e realizuara në këto vite nga mazhoranca e PD-së, demokracia dhe ekonomia e tregut në Shqipëri janë bërë më funksionale. Statusi i vendit kandidat që u rekomandua nga Komisioni Europian në tetor të vitit 2012, me kushtin e vetëm që të votoheshin tre ligjet në parlament, për të cilat ishte arritur konsensusi që në fillim të vitit 2012, u morr peng nga Edi Rama. Ai refuzoi votimin e këtyre ligjeve vetëm e vetëm që statusi të bllokohej. Natyrisht në suksesin e bllokimit të statusit, Rama u ndihmua dhe nga albanofobë jo shqiptarë në Bruksel dhe në ndonjë vend Europian”, shprehet Berisha.

Ish-Kryeministri nënvizon se Rama do të shtyjë më tej marrjen e statusit duke hamendësuar përsëri dështimin në marrjen e statusit në dhjetor. “Ligjet u votuan me konsensus më datë 30 maj dhe përsëri nesër Rama me votimin e Aktit Normativ asgjëson konsensusin e datës 30 maj, në një përpjekje të re antishqiptare për ta shtyrë statusin për më vonë, me qëllim që kjo të mos njihet si meritë e PD-së”, thotë Berisha.

“Integrimi është jetik për Shqipërinë. Ai nuk është proces pa vështirësi, por vështirësia e parë dhe më e rëndësishme për shqiptarët në këtë rrugë është Rama, të cilit për integrimin nuk i beson njeri në Bruksel dhe Europë. Ramën nuk e besojnë jo se e paragjykojnë, por sepse në memorien europiane ai është politikani i vetëm në kontinent që bëri gjithçka për të penguar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (futi daullet dhe bilbilat në parlament), hapjen e procesit për vendimin e statusit (bojkotoi parlamentin), heqjen e vizave (organizoi grevën e urisë) dhe rekomandimin për statusin e vendit kandidat (refuzoi votimin e tre ligjeve që kërkoi si kusht të vetëm Komisioni Europian).”

 

Berisha e mbyll komentin e tij duke thënë se, “Shqipëria e ka merituar dhe e meriton plotësisht statusin e vendit kandidat. Ne do bëjmë gjithçka për integrimin!”