« Të dashur miq, sot pata kënaqësinë të prisja në takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, zotin Ettore Sequi, të cilin e falënderova për të gjithë mbështetjen e tij dhe të delegacionit për procesin e integrimit të Shqipërisë.
Në këtë takim shpreha mendimin tim se Shqipëria meriton plotësisht statusin e kandidatit të vendit anëtar për në BE dhe se arritjet e reformave në Shqipëri kanë bërë të mundur funksionimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në këtë vend ndaj dhe hapja e negociatave së bashku me statusin do të ishte një vendim i merituar.
Duke u ndalur në zhvillimet e dy javëve të fundit theksova se ato karakterizohen nga një revansh i papërmbajtur i zotit Rama ndaj opozitës dhe institucioneve të pavarura dhe administratës publike. Tejet shqetësues është keqpërdorimi politik, me pasoja shumë të rënda dhe jashtë misionit të saj, i Policisë së Shtetit, në konceptin diktatorial “një polici, një shtet”, për të prishur në mënyrë të paligjshme banesa kundërshtarësh dhe mbrojtur ndërtime pa leje të eksponentëve socialistë, duke i dhënë Policisë së Shtetit atribute që i ka Policia Ndërtimore. Së dyti, theksova se deri tani për z.Rama dhe ekipin e tij, Kushtetuta e vendit, ligji i Këshillit të Ministrave, ligji i prokurimeve, sistemi i prokurimeve dhe blerjeve të vogla elektronike nuk ekziston, çka mund të ketë pasoja shumë të mëdha për vendin. Lufta kundër korrupsionit nuk ekziston.
Ambasadori Sequi shprehu kënaqësinë për këtë takim si dhe vlerësoi të gjitha reformat e bëra nga qeveria që kam drejtuar për integrimin e Shqipërisë dhe shprehu dëshirën për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin në interesin më të mirë të vendit. Sb”,-shkruan Berisha në Facebook.