Berisha Ramës: Në Kavajë hoqe maskën

67

berisha-perparaaaaShefi i mazhorancës në fjalën e tij përpara qytetarëve të Kavajës është shprehur:

Vitet e fundit ju keni ndjerë se idealet për të cilat ju luftuat dhe sakrifikuat, janë bërë realitet. Kavaja dhe shqiptarët sëbashku e bën Shqipërinë vend anëtar të NATO-s, së bashku ne ia dolëm që të firmosim marrëveshjen e MSA-së, së bashku ne ia dolëm të ecim vizat dhe të lëvizim të lirë në mbarë Europën, sëbashku ne merituam statusin e vendit kandidat. Këto vite u rritën rrogat më shumë se kurrë. Ju sot e ndjeni dhe e prekni që Kavaja sot prodhon sa kurrë në historinë e saj. Ju e dini se në vitet e krizës ekonomike, mundi dhe djersa juaj bëri të mundur që ky vend dhe kjo ekonomi të eci përpara. Ju tani udhëtoni në rrugë që nuk i kishit më parë. Pra mundi dhe djersa juaj i shndërruan këto vite në integrim të Shqipërisë” tha Berisha.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha premtoi se gjatë 4 viteve të ardhshme do të bëhet gjithçka për të zhvilluar jo vetëm Kavajën por edhe të gjithë Shqipërinë. Kryeministri i ftoi qytetarët e Kavajës që t’i besojnë kësaj mazhorance një tjetër mandat, për të vijuar me reformat e investimet. Kryeministri premtoi në Kavajë ndërtimin e të gjitha rrugëve, në të gjitha fshatrat e rrethit, duke i siguruar banorët se brenda katër viteve që vijnë do të përfundojë edhe rruga direkte që lidh Kavajën me Tiranën.

Shefi i qeverisë mbrëmjen e sotme nuk u ka kërkuar votat kavajasve për ato që janë bërë deri tani por për ato që do të bëhen në të ardhmen

“Vi këtu për të shpalosur para jush projektin tonë për katër vitet që vijnë, projekt që bazohet në liritë tuaja, energjitë tuaja. Për krijimin e 250 mijë vendeve pune, vendosëm të heqim çdo taksë, çdo tarifë doganore mbi çdo makineri, mbi çdo mjet që bizneseve shqiptarë do tu lypset për prodhim në Shqipëri. Votoni për Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë europiane, votoni 44 . Votoni PD, përpara drejt zhvillimit, punësimit, drejt Europës”- deklaroi kryeministri Berisha.

Berisha në fjalën e tij nuk ka lënë pa përmendur dhe të gjitha pengesat që kryesocialisti Rama u ka bërë të gjitha këtyre proçeseve.

“Nuk do të doja të shprehesha se forca tjetër politike bëri gjithëçka për ti penguar këto proçese, por kjo është e vërteta. Kur Shqipëria u antarësua në Nato, shoku i autobuzit mavi organizoi protestë të nesërmen. Prandaj unë ju ftoj që në 23Qershor të votojmë integrimin dhe marrjen e statusit. Me taksat dhe mundin tuaj ne kemi ndërtuar 11 mijë km rrugë. Ne kemi projektet dhe vullnetin për të asfaltuar çdo km rrugë të Shqipërisë. Kjo është Shqipëria jonë reale, Shqipëria që po ndërton një infrastrukturë nga më modernet. Partia Demokratike është e frymëzuar nga ju, vizioni dhe energjia juaj. Fitoret janë rezultat i punës, mundit dhe djersës tuaj”, ka shtuar Berisha.

Kryeministri Berisha ka reaguar ashpër në lidhje me deklaratat e kryetarit të PS-së për heqjen nga Kavaja të monumentit simbol të “dy gishtave” kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që u zhvillua më 25 Mars 1990.

“Ky është sheshi i historisë, monumenti është historik, dhe po ta deklaroj mjerë ai që do të guxojë ta prekë. Ai do tu kalojë brezave si dëshmi e burrave dhe grave që bënë historinë e lirisë”- deklaroi kryeministri.

Berisha në fund të fjalës së tij i është drejtuar kryesocialistit Rama se me deklaratat e tij në Kavajë kundër simboleve të lirisë, ka shpallur platformën e urrejtjes ndaj demokracisë.

“Kavaja është gracka ku hoqe çdo maskë shpalle platformën e urrejtjes ndaj lirive, demokracisë, përmendores së lirisë dhe kombit shqiptar. Erdhe në Kavajë, hoqe maskën, tregove veten i biri i të atit, por Kavaja të njeh mirë. Ty që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe shqiptarëve, sikur të imagjinosh një monument të bërë copa, do imagjinosh veten tënde pa këpucë i zbathur duke ecur mbi ato copa.”- deklaroi Berisha.