Berisha: Rama një sharës ordiner (debati)

49

Berisha-ne-KuvendPas bojkotit të djeshëm në sallën e Kuvendit, që deputeti Sali Berisha dhe deputetë të tjerë i bënë fjalës së Kryeministrit të vendit Edi Rama, vjen dhe reagimi i dytë nga Berisha, në rrjetin social Facebook.

Deputeti Berisha, ka deklaruar se, këto janë neobllokmenët të mbushur me urrejtje për etërit e tyre dhe se, të gjithë duhet të jenë në këmbë.

Demokrate dhe demokratë, shqiptare dhe shqiptarë, këta janë neobllokmenët, të mbushur me urrejtje dhe vetëm urrejtje të etërve të tyre. Ne jemi këtu të gatshëm për çdo qëndresë, çdo sakrificë! Të gjithë jemi dhe do të jemi në këmbë!

Të dashur miq, sharje, urrejtje dhe poshtërime ndaj opozitës dhe popullit opozitar, ky është programi i Edvin Kristaq Ramës dhe neobllokmenëve në pushtet. Ne jemi dhe do të jemi për çdo qëndresë, për çdo sakrificë, për të mbrojtur vlerat e lirisë nga bijtë e etërve mizorë!”,- shkruan Berisha.

Ndërsa dje, kur Kryeministri i vendit Rama prezantonte programin e tij në Kuvend, Berisha së bashku me deputeten Topalli zhurmonin fjalën e Ramës duke arritur deri në fyerje të një niveli të ulët të artikuluar nga zonja Topalli. Pas bojkotit në formë proteste deputeti Berisha u ndoq nga deputetja Topalli dhe pastaj nga deputetët e tjerë demokratë. Në një prononcim për shtyp, deputeti Berisha deklaroi se, Kryeministri Rama po sulmon opozitën dhe popullin demokrat dhe nuk është veçse një sharës ordiner.

Këtu në vend të programit ne dëgjojmë një retorikë të ulët, një retorikë banale kundër opozitës, sikur ai të ishte opozitë dhe ne të ishim në qeveri. Programi është fund e krye një ligjëratë bajate e një OJQ-je familjare, e cila nuk ka asnjë kosto brenda, asnjë buxhet. Të vetmet shifra që do gjeni në program janë 300 mijë vende pune pa asnjë kosto. I ashtuquajturi program nuk ka as 100- ditësh, të cilat avulluan me vapën e gushtit.

Një sharës ordiner, me sharje e fyerje ndaj opozitës aktuale mendon se, do mund të kapërcejë premtimet alla- Papandreu, me të cilat mashtroi dhe i mori votën shqiptarëve.

I rikujtoj zotërisë se sot janë dy data: 11 shtatori që nderon gjithë njerëzimi viktimat e Nju Jorkut, por dhe 11 shtatori i Pinoçetit. Moralisht shprehu nderim për të parim, por në shpirt kishte të dytin. Ne erdhëm këtu, por Rama na shpalli luftë. Ne erdhëm këtu, kemi qenë kritikues dhe erdhëm këtu. Ajo që kjo mazhorancë bëri, ajo ishte e paparë. As në Korenë e Veriut nuk ndodh, që diskutimi të bëhet pa e marrë materialin dhe pa i dhënë qoftë dhe një ditë të vetme opozitës”,- deklaroi Berisha.

Bojkoti është shoqëruar më pas edhe me një deklarim të Kryetarit të selisë blu, Lulëzim Basha, i cili ka kërcënuar se do të dalin në protesta në çdo rrugë dhe çdo shesh.

Debati i mëposhtëm është zbardhur nga Gazeta Panorama:

Sali Berisha: Gënjeshtar!

Sadri Abazi: Mos fol pa leje.

Sali Berisha: Gënjeshtar ordiner!

Taulant Balla: Mos fol ore pa leje..!

(zhurmë në sallë)

(Edi Rama vazhdon fjalimin pa u ndalur)

Edi Rama: Ne jemi votuar për t’i dhënë në këtë vend lirisë së njërit, familjes dhe atdheut kuptimin jetik të demokracisë së çdo dite dhe bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe cilësinë demokratike të respektit të shumicës për pakicën. Ne besojmë se zanafilla e kësaj përpjekjeje fillon dhe do të jetë këtu. Në këtë sallë, ku lirisë për të folur dhe për të replikuar, për të votuar do t’i japim për katër vite me radhë kuptimin e demokracisë parlamentare si shëmbëlltyrë të prekshme e demokracisë në tërësi.

Sali Berisha: Gënjeshtar ordiner!

Jozefina Topalli: O bastard!

Edi Rama: Do ta bëjmë këtë duke dëgjuar me vëmendje të madhe çdo qëndrim të opozitës, duke e respektuar atë në respekt të vetes dhe duke i krijuar asaj hapësira për të bërë pjesë e vendimeve të këtij Kuvendi.

Gent Strazimiri: A ke program? Do flasësh për programin?

Jozefina Topalli- Ilir Metës: Zoti kryetar, ndërprisni seancën!

Edi Rama: Por të jetë e qartë për të gjithë, ne do t’ju dëgjojmë, por do të udhëheqim; ne të dialogojmë, por do të marrim vendime. Ne do të kërkojmë konsensuse sa më të gjera, por do qeverisim me vlerat tona dhe me bindje të shpallura. Ja vlerat tona. Liria e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim dhe kufizim politik në funksion të meritës. Përgjegjësia e gjithkujt  ndaj vendit në funksion të një shoqërie ku të drejtat e gjithsecilit nuk ndahen ndaj detyrimeve ndaj komunitetit. Ja dhe bindja jonë, Shqipëria meriton më shumë. Shqipëria nuk e meriton korrupsionin dhe kriminalitetin që e kanë lidhur këmbë e duar dhe po e mbysim.

(Sali Berisha çohet, Topalli i lëviz karrigen, u bën me shenjë deputetëve të largohen nga salla)

Jozefina Topalli- Edi Ramës: Fol me vete! Fol me vete…!

Edi Paloka: A ke program, do flasësh për programin?

(Deputetët e PD-së çohen nga salla. Aleatët nuk largohen. Berisha gjatë largimit përshëndet me dy gishta deputetët e PS-së dhe të LSI-së)

Taulant Balla: Ik plaku Mere. Merru me tespihet tani.

(Topalli ndalon para Ballës)

Taulant Balla: Hë Manushaqe, po i shkon nga mbrapa…

Jozefina Topalli: Ty mirë ta ka bërë që të la jashtë qeverisë.