Berisha: Rama hakmarrje ndaj policisë, se shkatërroi bandat e lidhura me të

49

berisha sadIsh Kryeministri Sali Berisha ka reaguar për emërimet e fundit në polici. Sipas Berishës, ky është një akt primitiv hakmarrës i Kryeministrit Rama. Kjo, pasi sipas Berishës, këta drejtues policie të shkarkuar, kanë shpartalluar bandat e krimit që kishin lidhje me Ramën.

“Të dashur miq, sot në një akt të verbër urrejtje dhe hakmarrje, Edvin Kristaq Rama dënoi kolektivisht, si kurrë më parë, me shkarkim nga detyra të gjithë drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, Drejtorin e Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët dhe drejtorët e të gjitha qarqeve të vendit.

Së pari shpreh mirënjohjen time më të madhe ndaj këtyre shërbëtorëve të shoqërisë dhe kombit, që me sakrificën, trimërinë, profesionalizmin e tyre shpartalluan dhe vendosën para ligjit mbi 1000 anëtarë dhe bosa të 206 organizatave dhe grupeve kriminale ndër më të rrezikshmet dhe më të pasurat ne Europë, dhe bën të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, heqjen e vizave, përmbushën me dinjitet detyrimet ligjore në periudhat zgjedhore dhe vendosën një bashkëpunim të shkëlqyer me policitë e vendeve partnere.

Akti i dënimit kolektiv të drejtuesve të Policisë së Shtetit është hakmarrja primitive e Edvin Kristaq Ramës për bandat e shpartalluara nga Policia e Shtetit, si banda e rrugës së Kavajës, bandat e Lushnjës, Durrësit, Hakmarrja për Drejtësi, ajo e Dritan Dajtit etj, me të cilat Rama kishte shndërruar Tiranën në lavatriçen gjigande të parave të krimit në rajon.

Në drejtim të Policisë së Shtetit, Rama emëroi, në kundërshtim flagrant me ligjin e Policisë së Shtetit, delinkuent, trafikant, bashkëpunëtorë të grupeve dhe organizatave kriminale dhe persona që bashkëjetuan në simbiozë të plotë me mafien me të rrezikshme të Europës. Qytetare dhe qytetarë, kjo është një kthesë drejt të shkuarës, goditje në palcë e rendit, qetësisë, sigurisë tuaj dhe integrimit të vendit në BE”, shprehet Berisha.